SHËNIME PËR AUTORIN
Sejdi (Bajram) BERISHA u lind me 10
qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së
pari i botohen te gazeta “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, te
“Pionieri” dhe te “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit
të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës
bashkëpunon me gazetën studentore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet
bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.
Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin
e Prishtinës, përkatësisht në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej
nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e
gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë
ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i
dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së
(Radiotelevizionit të Prishtinës).
Sejdi BERISHA, gjatë punës në
Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe,
përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri
komunat tjera të cekura më lart, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet
dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë.
Ka qenë edhe reporter
në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë,
Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe
Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në
Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të
Kosovës.
Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka
marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i
Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.
Ky krijues, publicist dhe kronist, në
nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues
i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte drejtor i këtij institucioni me
rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me
koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën
patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk
lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo
detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.
Sejdi BERISHA është njëri prej
punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i
Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.
Deri me tash ka botuar këto vepra:
1.-Kombinati i lëkurë-këpucëve në
Pejë(monografi, 1984)
2.- Tronditje (poezi, 1991)
3.- Çmendia në rreth (prozë, 1993)
4.- Feniksi (poezi, 1993)
5.- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)
6.- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)
7.- Gabim stinësh (poezi, 1996)
8.- Në cep koha (poezi, 1997)
9.- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)
10.- Heraldika (poezi, 2000)
11.- Lumturia e dhembjes (eseistikë,
2002)
12.- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)
13.- Piramida e ironisë (eseistikë,
2004)
14.- Plagë në pikturë (poezi, 2005)
15.- Fjala e gjakut (tri poema
kushtuar Prekazit,
Gllogjanit dhe Koshares-2006)
16.- Shpërputhje kohe (ese, shkrime
kritiko-
letrare,vështrime jete, 2006)
17.- Kaq shumë vetmi (poezi të
zgjedhura-2007)
18.- Dashuro një minutë (poezi
dashurie-2007)
19.- Homazhe tek mendja (eseje-2008)
20.-E bukura e rrugëtimit
(këndvështrime
letrare-2008)
21.- Fjalë e pathënë (poezi - 2009)
22.- Zejtarët e Pejës
(monografi-Botimi i Dytë -
2010)
23.- Kërkoj dhembjen time (poezi -
2011)
24.- Mallkimi i heshtjes (Shkrime
refleksive-
2011)
25.- Teatri i Pejës (monografi-2012)
26.- Vargje të këputura (poezi-2012)
27.- Përtej shkrimit(Shkrime të
plasura, baladë
shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime
dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua)
(2013)
28.- Gjethet e hirta të zemërimit
(poezi-2014)
29.- Në lumë bie shi (poezi-2015)
30.- Konflikti me vetveten (Ese &
shkrime të
tjera-2016)
31.- Gërshetimi krijues dhe urat
letrare -
(Analiza dhe këndvështrime letrare-2016),
32.- KTHIM NË SHTËPINË QË NUK
EKZISTOΝ (Poezi të përkthyera në gjuhën
greke-2016 - ΕΠΙΣΤΡΟΦΗ ΣΤΟ ΣΠΙΤΙ
ΠΟΥ ΔΕΝ ΥΠΑΡΧΕΙ (Ποιήματα)
33.- Varrtarët kush do t’i varrosë
(poezi-2017)
34.- “ZEJTARËT E PEJËS””, roli dhe
kontributi
i tyre në zhvillimin ekonomik dhe kulturor
(Monografi) - Botimi i Tretë(2017)
35.- Peizazh i jetës sime (poezi -
2018)
Në valët e Radio-Prishtinës i janë
emetuar
radio-dramat:
36.- Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë
është
përgatitur dhe shfaqur edhe në Teatrin
Popullor të Pejës-premiera është shfaqur me
20.03.1976)
37.- Vdekja e bardhë (1985)
38.- Misteria (1987)
39.- Obelisku pa adresë (2005)
Kjo monodramë është përgatitur dhe
shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të
Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi.
Ndërsa, në prill të vitit 2013, është
përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës, kurse
është shfaqur edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës dhe më gjerë. Më 17
janar 2014, Teatri i qytetit të Pejës, dramën “Obelisku pa adresë” e ka shfaqur
edhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në
Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit
Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit
Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër
edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.
Në Manifestimin kulturor “Kultura
pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me
Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”.
Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare
“Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë
për poezinë më të mirë.
Në Takimet e Para Letrare Tradicionale
Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, më 08 shtator 2009, u nderua me Çmimin
e Parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar.
Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”,
në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e
hirta të zemërimit”, si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj
2014).
Është i prezantuar në Antologjinë e
autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave të botuar në
Londër, pastaj në Antologjinë Ars Poetika, Botues MEDAUR.
Shkrimtari dhe publicisti Sejdi
BERISHA, është përfshirë edhe në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin e
botoi Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës në vitin 2018. Ai është i
prezantuar në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”,
e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është
më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë
krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.
Në 70-vjetorin e Bibliotekës së
Prizrenit, poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në
këtë vepër.
Ky krijues me krijimet e veta është i
përfshirë edhe në antologjinë “Antologji e Poezisë Moderne Shqipe”-2014 dhe në
librin “Krijuesit e zgjedhur kombëtarë” etj.
Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë”
për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale
Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë (09 shtator 2014).
Në Takimet Letrare Kombëtare “Ora e
Tahir Deskut”, që u mbajt në shtator të viti 2016, libri i tij me poezi “Në
lumë bie shi” u shpall libri më i mirë i botuar ndërmjet dy takimeve.
Ndërsa, Lidhja Ndërkombëtare e
Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”-ALBANIA, shkrimtarin dhe
publicistin Sejdi BERISHA, e shpalli “Poeti i vitit 2016” (Për Kosovë).
Është një prej hartuesve të
Antologjisë të Poetëve të Malësisë së Gjakovës (2014).
Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare
“Trirema e Poezisë Joniane” në Sarandë, nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti
me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me
bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit (Sarandë, 27 shtator 2014). Kurse, në
Festivalin Ndërkombëtar të Monologut “Art pa kufij” që u mbajt në Sarandë
(08-10 maj 2015), monologu nga monodrama “Obelisku pa adresë”, të cilin e
interpretoi aktori, Ismet Krasniqi Lala, u nderua me Çmimin e Parë të
festivalit.
Është fitues edhe i shumë çmimeve të
tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.
Pergatiti Isa Maloku
----------------------------------------------------------------------------------------------
No comments:
Post a Comment