PREJ BABËS JAM NË BURG
Mazllëm Kaso dhe Gëzim Aliçkolli jetonin në qytetin e
Lushnjës. Punonin në ndërtim, ishin mjeshtra të vërtetë për punën që bënin,
shumë të kërkuar nga teknikët, pavarësisht rrethanave politike. Sefer Torelli
ishte një nga agronomët më të njohur për rezultatet e mira në punën e tij, po
ashtu edhe Medi Çeliku nga Grabiani; të gjithë nga Korça.
Një ditë të vitit 1987, këta njerëz e panë veten me pranga
në duar. Për ta thanë se do të helmonin ujin e qytetit të Lushnjës; një veprim
kriminal ky që edhe me kokën e tyre nuk shlyhej dot krimi. Të gjithë flisnin
për këtë krim të madh që do të bënin; të gjithë i shanin dhe e meritonin! Si ua
mbante zemra të helmonin banorët e një qyteti të tërë? Pse do ta bënin këtë
krim? Ne të përndjekurit, sidomos ne që sapo ishim liruar nga burgu, i
mallkonim më shumë nga të tjerët, sepse kjo gjë mund të bëhej shkak për fushatë
arrestimesh, dhe ne të sapodalët nga burgu do të ishim të parët që do ta
pësonim.
Ata hetoheshin, ne të pafajshmit dridheshim. Shumë jetë
njerëzish do të shuheshin nga ky veprim makabër! Ç’vlerë do të kishte shuarja e
jetëve të njerëzve të papërgjegjshëm, kur mijëra jetë të të pafajshme do të
vdisnin nga uji i helmuar?! Pse kjo dynja kishte njerëz kaq të poshtër?! Ishin
të shumtë ata që thoshin të dënohen me pushkatim. Ç’qetësi do të gjenin zemrat
e tyre për atë që kishin menduar të bënin? Asnjë lloj qetësie, kriminelët nuk
pendohen, ata janë të ndërgjegjshëm për atë që bëjnë. Banorët e qytetit kishin
filluar të çliroheshin nga makthi i helmimit. Ndjenin urrejtje për njerëzit e etiketuar
“me biografi të keqe”. Gjyqi u bë me
dyer të mbyllura. Medi Çeliku u dënua me pushkatim, të tjerët me nga njëzetë e
pesë vjet burg. Disa ditë më pas i dërguan në Tiranë, “në kaush”, atje vendosej për secilin në ç’burg do ta shkonte.
Një ditë, kur dolën për ajrosje, (aty ishin edhe ordinerët),
Mazllëmi u njoh me një nga Kolonja, dhe, (siç e kanë zakon korçarët dhe
kolonjarët), nisën t’i lavdërohen njëri-tjetrit: Korçarët thoshin se po të
shkatërrohet Kolonja, Korça e ndërton Kolonjën, kurse po shkatërrohet Korça,
Kolonja s’mund ta ndërtojë dot Korçën! Debatonin dhe bënin shaka.
Një ditë, Mazllëmi pyeti kolonjarin, Resmiun:
-
Me që je nga Kolonja
e njeh dikë me emrin… dhe i tha emrin.
-
E njoh, si nuk e
njoh! - iu përgjigj Resmiu.
-
Ku e njeh ti atë?
-
Ka qenë një paloburrë,
shumë i poshtër, - i tha Mazllëmi.
-
Pse more, ç’të ka
bërë ai?
-
Kur isha djalë i ri
më futi në burg për agjitacion, kot fare!
-
Ou! Po tani për ça
je dënuar prapë? - i tha
-
Tani, - tha Mazllëmi,-
na akuzuan për agjenturë.
-
Ti bëre njëherë burg
ç’t’u desh agjentura ty?!
-
Po, ku dimë gjë ne
more djalë… Erdhën më arrestuan një mbrëmje në shtëpi. Në hetuesi
e mora vesh që
qenkemi marrë me agjenturë.
-
Si u dënove dhe nuk
di gjë? Nuk po të kuptoj!
-
Po si të ta them unë
more djalë, kështu më akuzuan. Mbas dy jave mora vesh se kishin arrestuar dhe tjerë
për të njëjtë gjë. Na kishin bërë një grup të gjithëve sikur takoheshim me një
grek në një kasolle në Grabian.
I thashë një ditë hetuesit:
“Po të kishte qenë e
vërtetë do të na kishit kapur të gjithëve, bashkë me grekun, e jo një nga një,
natën në shtëpitë tona!”
“Edhe grekun këtu e
kemi!” - më tha.
“Atëherë, pse nuk na
kapët atje ku takoheshim, na hdhnit hekurat dhe nga nxirrnit prej kasolles të
lidhur që ta besonin të gjithë?...
-
U ballafaquat me
ndonjë grek?- pyeti Resmiu.
-
Ku ta gjenin grekun?!
- tha Mazllemi, - por, nëse ke qenë njëherë në burg, - shtoi
Mazllemi e ke derën
hapur, të akuzojnë për çfarë të duan. Mua dhe një tjetër që punonim në ndërtim,
bashkë me një agronom të frutikulturë na dënuan me nga 25 vjet burg, kurse një
punëtor tjetër që punonte 20 kilometra larg nesh, në grabian e dënuan me pushkatim.
Sebep u bë ai maskarai që më burgosi herën e parë, - tha Mazllëmi.
-
Të besoj, të besoj!
Burgun e parë të dy e paskemi prej të njëjtit njeri!- tha Rezmiu. Edhe
ty, ai biçsëz ta
paska kurdisur? Sa të ligj janë këto operative!
-
Shumë të ligj janë,
megjithëse, - shtoi Resmiu, - ky është
im atë!
-
Siiiii? Më fal! - i
tha Mazllëmi, nuk ka gjë mos u mërzit,
do të ketë pasur arsye të forta
apo jo se...
babai...- shtoi Mazllëmi
-
Aq sa kanë pas për
ty, kishin edhe për mua!
-
Qenka interesante!
-
Po pse bre?..
-
Ideali, kur njeriu
ka një besim të verbër në diçka, humbet arsyen. Për hir të idealit bën për
tjerët atë që për
vete nuk do e pëlqente. At’herë atij i afrohet dreqi dhe i humb mendjen, e
shtyn edhe në të keqen e tij.
Mazllëmi e shikonte…
-
Im at, - shtoi
Resmiu - me që punonte vetë me sigurimin, desh të më çonte edhe mua në
shkollë që të
bëhesha si ai. Unë nuk desha, por atje më dërguan. Kur mbarova shkollën, babi u
gëzua shumë dhe më tha:
“Të punosh mirë, të
zbatosh deri më një detyrat që të ngarkojnë!”
Dhe
unë me ndërgjegje, i premtova:
“Do jem i
përkushtuar dhe i drejtë!”
-
Atë “i drejtë”, ata nuk e pëlqejnë! - tha
Mazllëmi
-
Po! Edhe për këtë,
ke të drejtë, - tha Resmiu.
Në fillim më çuan të bëja praktikë pas një operativi që
kishte mbushur moshën për pension. Për tre muaj vajtëm fshat më fshat dhe për
çdo fshat më jepte të dhënat për secilën familje dhe për persona të veçantë.
Kur u ndamë, kolegu më tha:
-
Tani mbaji mend
porositë që të dhashë! Për këtë tremujor nuk ke shumë për të arrestuar.
-
Si nuk kam shumë
për...
-
Do të mësojë vetë
puna. Unë isha pa shkollë dhe e kreva me nder këtë detyrë të shenjtë, ti
je me shkollë.... Të
mëson vetë puna, të uroj suksese në detyrë! - më tha.
Çdo ditë u bija fshatrave kryq e tërthor dhe isha i
kënaqur, madje edhe me ata për të cilët më kishte porositur kolegu. Të gjithë
punonin, silleshin mirë, nuk vërejta ndonjë gjë për të dyshuar. Një ditë më
thirri shefi:
-
Nuk po punon, je
përgjumur, ki kujdes, aktivizohu, të kanë besuar një detyrë të
rëndësishme, e
kupton a jo? Babai yt ka qenë i nderuar, mos e turpëro! - më tha
-
Për ideal, nuk po
kursehem, jam shumë i preokupuar dhe i kujdesshëm, por nuk kam konstatuar gjë
që...
Por shefi filloi të bëhet i mërzitshëm, më bënte vërejtje,
më kritikonte për neglizhencë nëpër mbledhje. Pashë që nuk isha i përshtatshëm
për atë lloj pune. Kërkova të largohem, por nuk po më hiqnin nga puna. Një ditë
e ftova shefin të hamë drekë në një fshat. Ai edhe atje havazin. Gjatë ngrënies,
mendova t’i përziejmë pijet, merrnim herë raki herë verë. Bëra sikur u deha.Do
ta qëlloja shefin që të më largonin nga puna. Ia futa me grusht, por nuk vonoi
shumë dhe mbërriti policia. Më arrestuan. U dënova me pesë vjet burg. Fal
amnistisë së vitit 1982, ma falën pjesën e mbetur.
Fillova sërish jetën e lirë. Gruaja punonte shitëse; çdo
mbrëmje shkonte dikush që merrte lekët e xhiros ditore, por një mbrëmje i
kishin thënë t’i merrte me vete lekët sepse ai person nuk do të shkonte atë
mbrëmje. Ime shoqe i futi lekët në çantë dhe u nis drejt shtëpisë. Kishte vite që e bënte atë rrugë por,
pikërisht atë natë, në një kthesë ku ishte errësirë, dikush i hodhi diçka në
sy, e qëlloi me grushte e shqelma, i mori çantën dhe e la të shtrirë në rrugë.
Njerzit që e njihnin lajmëruan ambulancën. Unë isha duke
pirë kafe me shokët kur më lajmëruan për çfarë i kishte ndodhur bashkëshortes.
Shkova në spital dhe ç’të shikoja? Ajo ishte e gjakosur. Sapo u përmirësua ime
shoqe erdhën dhe me arrestuan. Më akuzuan sikur ia kisha rrëmbyer unë lekët
sime shoqeje. Më dënuan përsëri me pesë vjet.
-
Domethënë, - tha
Mazllëmi,- ashtu si ne, edhe ju nuk paskeni qenë grusht, siç thoshte
partia.
-
Po! Dikur edhe unë kështu
besoja, - tha Resmiu.
-
Megjithatë, edhe pse
ju jeni dënuar shumë, unë ju kam zili!- i tha Mazllemit
-
Pse? – e pyeti
Mazllëmi
-
Sepse unë jam dënuar
për vjedhje, edhe pse nuk vodha. Kur të lirohem do të më thonë
“ordiner”. Emri më i
urryer për një njeri të ndershëm! Do më pëlqente të dënohesha për agjitacion
dhe agjenturë si ty, por vetëm “ordiner” mos më thoshin. Ka ofendim më të
rëndë, që kur të lirohem nga burgu të dëgjoj kur të më thonë: “Hë se ordiner burrë është! Bëri burg se
vodhi”. Kush beson se unë nuk kam vjedhur?! Ndryshe do mendojnë për ju e do
thonë: “E zuri halli!”.
Si duket, padrejtësia që im at të bëri jo vetëm ty, iu
shpërblye me padrejtësinë kundër meje. Mua gjithë jetën kjo e padrejtë do më
vrasë në shpirt. “E ka vërtetuar
drejtësia, - do thonë, - ajo drejtësi që, si për ju edhe për mua ka qenë e
padrejtë. Gjithë kjo padrejtësi më ndodhi ngaqë unë nuk bëra padrejtësi ashtu
si bënte im at”.
-
Mirë more djalë, - i
tha Mazllëmi Resmiut, - dhëntë drejtësi Perëndia, meqë nuk ka
njerëzia!
-
Ç’punë ka Perëndia
me ne more? Ne e kemi mohuar dhe ajo na ka lënë të bëjmë si të
duam me njëri-tjetrin.
Ca dit pasi shkuan në burg, një lushnjar që kishte bërë
takim me familjen, sapo u kthye prej takimit e takoi Mazllëmin. Mazllëmi sapo
desh ta pyeste si i kishte njerëzit, ai e shikoi i vrejtur e pas pak i tha:
-
Ju paski merituar
plumbin jo njëzetepesë vjet.
-
Pse more, -i tha
Mazllëmi
-
Ç’patët me popullin
ju?
-
Mazllëmi po e shikonte.
-
Pse deshët të
helmoni ujin që pi populli?
-
Çfar thua?- tha
Mazllemi.
-
Kështu më thanë të
familjes. Ç`faj të kishin njerëzit ty more?
-
Jo bre, nuk dimë gjë
ne për këtë. Ne na akuzuan...
-
Leri këto! Më thanë
njerëzit e mi.
-
Po jo ore…
Edhe pse betohej Mazllëmi, ai nuk besonte. Kështu e dinte
populli.
-
Ç’fatëkeqësi!- tha
Mazllëmi, - ne jemi dënuar për agjenturë dhe as nuk e dime, a
ekziston një kasolle
e tillë, si e përshkruanin ata, kurse populli, na urryeka sepse e ditkërkan që
do i helmonim. O ne të shkretët, të gjithë jemi të mashtruar, ne që u dënuam
dhe populli që na urren. Se populli kurrë nuk i di “lojërat” që luan shteti; populli duhet të besojë vetëm ça i thonë
shokët e partisë, kurrë atë që shikojnë e dëgjojnë vetë. Ky është dhe, ky do
jetë populli.
Kur dënuan një person në vitin 1954, i thanë:
-
E shikon popullin si
duartroket?
I dënuari, shikoi sallën me një buzëqeshje, pastaj iu kthye
gjyqtarit:
-
Poulli?. Hëh! Më fal
zoti kryetar, por populli është si ata qypat e Kavajës, i ke parë kur i rreshtojnë ditën e
pazarit. Po të marrësh një shkop dhe t’u biesh njëherë në një anë, njëherë në
anën tjetër, të gjitha thërrmohen! Ky është populli!
Duartrokitjet tregojnë vetëm bindje, o shoku kryetar…
======================================================================================
Shefqet Dobra
======================================================================================
No comments:
Post a Comment