E
mbyllëm punën për atë ditë, por nuk na lanë të shkonim në shtëpi. Kemi
mbledhje, na thanë. I deleguar ishte sekretari i partisë së ndërmarrjes, Petraq
Nushi. Ai na foli për situatën politike nëpër botë; kështu fillonin gjithnjë
ato lloj mbledhjesh në atë kohë. Pastaj tha:
-
Edhe këtu mes jush ka armiq që vjellin
vrer kundër partisë....
Ndërsa
aty nga fundi i mbledhjes pyeti:
-
Është këtu Zabit Shazivari?
-
Po, këtu jam,- u përgjigj Zabiti.
-
Hajde këtu! Rri aty përballë
kolektivit, të të shohin sa i bukur je!
Zabiti
nuk po kuptonte gjë.
Më
pas i tha:
-
Thuaji këtij populli, që për qejfin
tënd janë mbledhur këtu, në vend që të shkonin në
shtëpi. Fol për armiqësinë tënde…
-
Nuk di gjë, shoku sekretar.
-
Nuk di, ëh? Kush ka për të folur, meqë
ky nuk pranon.
-
Me leje, - tha Zan Hasko, po më shumë i
thoshin, “Zan Fiku”, - ngaqë ai
kishte bërë dhjet vjet burg për vjedhje
shtëpish, por Zani shquhej edhe për ngrëniën e ajkës së qumështit në kusitë e
fshatarëve që i varnin te fiku i oborreve. Kur ngriheshin në mëngjes i gjenin
pa ajkë, ndaj i thoshin edhe “Zan Fiku”.
-
Kur po shkonim një ditë në Divjakë,
nisi të tregonte Zan Fiku, kaloi një makinë
jugosllave, ky shoku sekretar, tha: “Makinat jugosllave janë shumë të mira!”
-
Hë, more, ç’ke dash të thuash me këtë,
pse i paske lavdëruar kaq shumë makinat e
tyre? - e pyeti sekretari
-
Shoku sekretar, Zani më pyeti, dhe unë
i thashë “janë të mira”, ku qëndron armiqësia ime këtu?
-
Si more nuk qenka armiqësi, të
lavdërosh prodhimet e tyre do të thotë se nuk të pëlqejnë prodhimet tona, edhe këtë do
ta mohosh? Kjo tregon se ti ndjek rrugën e babës tënd, tradhtarit, armikut të
partisë.
-
Shoku sekretar, unë nuk mburra makinat
jugosllave për të nënvlerësuar tonat, ne nuk
prodhojmë makina. Ku qëndron armiqësia
ime këtu? Këtë dua ta thotë “Zan Fiku”.
-
Mjafton që i mburr, - tha Petraqi.
-
E shikon shoku sekretar, - tha Zani, - edhe
mbiemrin ma ndryshon…
Të
gjithë qeshën.
Sekretari
hodhi sytë mbi sallën, nuk po kuptonte. Më pas iu drejtua Zabitit:
-
Pse i thua kështu?
-
Kështu e ka mbiemrin, si t’i them
ndryshe! Nëse nuk i pëlqen mbiemri, le ta ndërrojë.
Këtu e dinë shumë njerëz që ai e ka
mbiemrin “Fiku”. Kur kuptoi arsyen, sekretari u nxeh më shumë, edhe nuk la gjë
pa i thënë, duke u mbështetur vetëm te i ati, që e kishin cilësuar “armik i
popullit e parties”.
Aty
nga mesi i natës, të gjithëve, pas asaj dite të lodhshme, po u hapej goja për
gjumë. Papritmas, pas shpine, dëgjuam një plakë që mallkonte Zabitin. Ishte e
ëma:
-
Haram qumështin që ke pirë nga gjoksi
im. Ke mohuar gjakun e dajës tënd, që është
dëshmor mor qelbanik…
Për
të gjithë kjo qe e pa pritur
-
Po, jo moj mama, nuk e kam mohuar
dajën, nuk kam bërë gjë, për kokën tënde, po
Zan Fiku seç ka trellis; nuk kam bërë gjë
të keqe.
-
Ky, moj shoqe, ka ndjekur rrugën e
babës, jo të dajës, - tha Petraqi.
-
Ç’ma zini me gojë atë, ai është armik,
Zabitin e kam rritur unë, motra e dëshmorit, jo
ai. Ai ishte burri im, por ne e kemi
fshirë atë nga mendja jonë. Për ne të rrojë partia, për atë ka dhënë jetë vëllai
im. Unë... unë.. nëse ky, sikur edhe emrin t’i përmend të atit, e mohoj për
djalë.
Ndërsa
e ëma mallkonte djalin e burrin, Petraqi aprovonte duke luajtur kokën. Në fund,
i dha paralajmërimin e fundit: “Nëse gabon edhe një herë, vetëm për hatër të
kësaj plake që vlerësoj më shumë dëshmorin dhe jo burrin e saj, po të fal, por
ti duhet të na bindësh, jo me fjalë po me vepra, që e mohon babën, për ndryshe
e di ti se ku përfundon? O me babën o me dajën!”
-
Shumë e mallkove burrin! Duhet t’ia
heqësh atësinë Zabiti, ta shkruash pa baba…
-
Po ç’të bëja more bir’ i nënës, për të
shpëtuar djalin mallkova burrin, një tjetre i bie
të mallkojë vëllanë, eh... kështu... pështy
lart, të bie në sy, pështy poshtë, të bie në gji. S’ka rrugë tjetër!
Kujtuam
se mbaroi. Donim të iknim, u këputëm për gjumë, prisnim të na thoshin “Mbledhja mbaroi!”.
Sekretari
shfletonte ca letra dhe tundte kokën, sikur ishte në hall të madh. Kur ngriti
kokën shikoi mëkëmbësit e tij, që i kishte në dy anët, të cilët rrinin si pulat
dhe, pa pritmas, pyeti:
-
Këtu është Riza Gega?
-
Këtu jam, - tha Rizai.
-
Hajde këtu! - i tha.
U
ngrit Rizaj dhe po ecte ngeshëm-ngeshëm për të shkuar atje ku i thanë, pa e
prishur
terezinë fare.
-
Më shpejt se nuk të kemi thirrur për
krushk që më ecën ashtu.
-
Mos u mërzit, o shoku sekretar, ke
kohë, nata është e gjatë…
Sapo
shkoi atje ku i thanë, u kthye nga salla duke i kthyer shpinën Petraqit dhe
atyre që ishin ulur në dy anët e tij.
-
Riza Gega! Riza Gega! - u kërcënua, pse
ti, kur janë bërë votimet për Këshillat
Popullorë, ke bërë çmos t’u mbushësh
mendjen njerëzve të mos i votojnë ata që i kishte zgjedhur partia?
-
Votimet ka dy vjet që janë bërë, more
shoku sekretar,- tha Rizai.
-
S’ka rëndësi kur janë bërë, ti
përgjigju përse të pyeta!
-
Shoku sekretar,- iu drejtua Petraqit, -
kandidatët i caktoni ju, ne nuk kemi të drejtë të
fshijmë ndonjë emër, vetëm të marrim
fletën dhe ta fusim në kuti. Kur është kështu, si do t’u them njerëzve: “Mos
voto për ktëna apo atëna?”
Këtu
u nxe muhabeti midis Petraqit dhe Rizait. Të dy e ngritë zërin. Rizai nuk ishte
Zabiti; nuk po e mposhtnin xha Rizain. Në fund sekretari e humbi durimin dhe i tha:
-
Tani nuk mbeti gjë tjetër veçse të
çuhemi me pëllëmba syve, dhe po e shikonte sikur
do e kafshonte.
-
Shoku sekretar, ty nuk të kanë bërë
sekretar për të rrahur njerëz por të na mbrosh
neve nga padrejtësitë që na bëjnë. Nëse
ndonjërit i është mbushur menja, kushdo që të jetë, - shikoi sallën, - le ta
provojë po deshi, po të mendohet mirë!
-
E shikoni armikun! Edhe partinë e
kërcënon. Nuk e di ky....
-
Shoku sekretar, lere partinë, nuk kam
gja me partinë, una po flas për këta këtuna në
sallë, nuk kam marr pëllëmbë fytyrës në
jetë dhe sa të jem gjallë... kurrë nuk do ndodhë sa të kem frymëm.
Kjo
e xhindosi shumë Petraqin, Nuk la fjalë të ligë pa përdorur por, të njëjtën
faturë mori edhe prej Rizajt. Të gjithë shikonin të shtangur Rizai si i
përgjigjej njeriut më të fuqishëm të partisë që kishte ndërmarrja. Petraqit me
Rizan i hasi sharra në gozhdë, nuk i kishte ndodhur kurrë me ndonjë tjetër
kështu.
Ndërmarrja “29, Nëntori”, ishte më e madhja në Republikë.
Ndërsa
Petraqi fliste si i xhindosur, nga pa durimi ishte ngritur më këmbë, Rizai
dukej sikur nuk i bënin përshtypje fare ato që thoshte ai. Ishte ora një e
natës kur i dha fund fjalimit me kërcënimin:
-
Do ta marrësh vesh si do të përfundosh
o Riza Gega!
Rizai
vetëm e shikoi, por mos përfillja që tregonte qëndrimi i Rizajt e xhindosi më
shumë Petraqin. Kur thanë: ‘Mbledhja mbaroi’, turma sikur shpëtoi nga zinxhiri.
U turrën drejt derës, ishin këputur për gjumë,
Rizai
doli nga mbledhja më krenar nga Petraq Nushi. Pas tre vejtsh, e burgosën
Rizanë, por pëllëmbë, nuk mundën t’i jepnin.
No comments:
Post a Comment