Fundi
i Shuflait ishte i tmerrshëm. Agjentët serbë i prenë kokën me kosë bari. Pas
vrasjes, ata bastisën apartamentin e tij dhe vodhën dorëshkrimin “Kodet e
Shqipes”, vëllimi i tretë, një punë e madhe për historinë dhe kulturën
shqiptare që nuk u gjet më kurrë. Ka të ngjarë që ai vëllim të jetë shkatërruar
nga organizatorët e vrasjes së albanologut, ka të ngjarë që ende ruhet diku në
arkivat serbe.
Mediat
ndërkombëtare u morën gjatë me këtë ngjarje dhe personazhe të fuqishëm të
letrave, artit e shkencës reaguan dhe protestuan fort.
Mes
reagimeve do të spikaste protesta publike e Albert Ajnshtajn dhe Hirstrish Man
(shkrimtar dhe vëlla i nobelistit Thomas Mann) të cilët dënuan publikisht
Beogradin për këtë krim. Letra e tyre u botua në faqen e parë të gazetës së
famshme “The Neë York Times”. Një shkrim që vendoset në faqen e parë, madje si
kolonë e parë në gazetën e datës 5 maj 1931.
Letrën
e tyre publike Ajnshtajn dhe Man ia drejtuan Organizatës Ndërkombëtare të të
Drejtave të Njeriut me qendër në Paris, me anë të së cilës bënin thirrje për
mbrojtjen e shkencëtarëve kroatë nga regjimi diktatorial serb.
Për
Ajnshtajnin dhe Hirstrish Man, vrasja makabre e albanologut ishte më shumë një
shembull i terrorizmit ndaj inteligjencës kroate të ndërmarrë nga celulat
terroriste qeveritare serbe me qendër në Beograd.
Por
kush ishte albanologu i njohur, veprën e të cilit e vlerësonin njerëzit më të
shquar të shekullit të shkuar?
Milan
Shuflaj u lind në vitin 1879 në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e
mbaroi në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si
nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Ai studion shkencat shoqërore në
Universitetin e Zagrebit dhe doktoraturën e mbyll në vitin 1901.
Menjëherë
pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin
e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare të Dalmacisë për
“Codex Diplomaticus”. Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me
historinë e Shqipërisë.
Në
vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse
të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Shuflaj punoi shumë për të thelluar
njohuritë e tij në fushën e Albanologjisë duke i dhënë lexuesit të kohës së
tij, por dhe brezave të sotëm, disa vepra të mrekullueshme.
Për
veprimtarinë shkencore të Milan Shuflajt në fushë të Albanologjisë u interesua
dhe qeveria e Mbretit Zog, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të ndihmonte
për shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme.
Me
pseudonimin Alba Limi, albanologu Milan Shuflaj botoi më 1920 romanin historik
me temë shqiptare “Konstantin Balsha”.
Në
punimet e Shuflait bie në sy pasioni për historinë si dhe materiali burimor
faktologjik. Sipas tij historia e shqiptarëve është kryesisht historia e një
etniteti etnokulturor të veçantë, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të
pandërprerë, me aftësi të madhe rigjeneruese; ajo përfaqëson thelbin autentik
të historisë së Ballkanit të lashtë.
Më
1924 u botua nga Akademia e Shkencave të Vjenës vepra e tij themelore “Qytetet
dhe kalatë e Shqipërisë kryesisht gjatë mesjetës”, më vonë pasuan punimet
“Historia e Shqipërisë së Veriut” dhe “Serbët e Shqiptarët”.
Shuflaj
ishte i pari që hodhi idenë se kufiri ndërmjet qytetërimit perëndimor dhe atij
lindor shtrihej përgjatë lumit Drin. E njëjta tezë më vonë u përdor nga
ideologë të ndryshëm jugosllavë, veçanërisht nga ata që kundërshtonin
historianët serbë dhe tezat e tyre.
Dr.
Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish për shkak të
pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Por, një
ditë pas kthimit nga Shqipëria, më 18 shkurt të vitit 1931, vritet nga dora e
kriminelëve serbë. Ai la pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrime, një
pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë.
Letra
publike e Ajnshtajnit dhe Hirstrish Man
Fort
të nderuar miq!
Ne
nuk mund të bëjmë lëshim e të mos ia tërheqim vërejtjen Ligës Ndërkombëtare për
të Drejtat e Njeriut për ngjarjen e 18 shkurtit të këtij viti (1931) e cila i
solli vdekjen shkencëtarit kroat dr. Milan Shufflay.
Kur
ky shkencëtar ditën e cekur po shkonte në shtëpi, në një rrugë të Zagrebit,
është sulmuar pas shpine, dhe sipas burimeve tona, është plagosur rëndë me
shufër hekuri. Ditën tjetër vdes nga palët e rënda, kurse më 22 shkurt varroset
në Mirogojë pranë martirëve kroatë.
Profesor
Milan Shuflay ishte i njohur me punimet e veta të shumta shkencore. Megjithatë,
gazetat e Zagrebit nuk guxonin të lajmëronin për veprimtarinë e tij shkencore,
madje edhe lajmi i vdekjes ishte konfiskuar, edhe frazat e ngushëllimeve nuk
guxonin t’i përgatisnin. Nuk qe e lejueshme as të shpallej koha e varrimit, u
ndalua të ngrihej flamuri i pikëllimit në gjysmështizë në ndërtesën e
Universitet. Rininë shkollore, që mori pjesë në përcjellje në kortezh, shteti
policor e përzuri nga Zagrebi, kurse flamurin trengjyrësh kroat, me të cilin
ishin të rrethuara kurorat, i mënjanuan.
Emri
i vrasësit, Branko Zwerger, ishte i njohur. E njohur ishte edhe organizata të
cilës i përkiste vrasësi (“Mlada Jugoslavija”)-(Jugosllavia e re). Ishte e
ditur se vdekja ishte vendosur në natën prej 11 deri 12 shkurtit në banesën e
prefektit të qytetit, gjeneralit Belimarkovića. Në komplot merrnin pjesë
anëtarët e organizatës “Mlade Jugoslavije” Brkić, Godler, Marčec dhe vrasësi
Zwerger. Edhe përkundër kësaj, policia zagrebase zyrtarisht lajmëronte më 19
shkurt se kinse kryesi i krimit nuk dihet.
Vrasjes
së profesorit Shuflay i paraprinë faktet vijuese:
Me
rastin e vizitës së mbretit të Serbisë në Zagreb, në muajin janar, ju janë
dërguar një vargu personalitetesh të ndryshme, drejtuesve dr. Vladku Mačku, dr.
Anti Trumbiću, dr. Mili Budaku, profesorëve të universitetit dr. Filipu Lukasu,
dr. Davidu Karloviću, dr. Milanu Šufflayu e të tjerëve – letra kërcënuese me
nënshkrim “Za kralja i otadžbinu”- Për mbretin dhe atdheun), të cilët i
ngarkojnë me përgjegjësi dhe i kërcënojnë se do e paguajnë me kokat e tyre dhe
me jetët e familjeve të tyre, po qe se në kohën e qëndrimit të mbretit në
Zagreb do të organizohej ndonjë protestë apo demonstratë.
Këtë
organizate terroriste, e cila mban emrin publik “Mlada Jugoslavija” Mbreti
Aleksandër e ka përdorur, madje përmendur në fjalim publik, kur foli për
mënjanimin e deputetëve të zgjedhur kroatë. Me fjalët: “Unë i kam mënjanuar
deputetët”, ai vetë e dha nxitjen, respektivisht urdhëresën, se pas mënjanimit
formal nga parlamenti do duhet të kalohej në mënjanimet fizike, pra të
likuidimit përfundimtar. Si shembull do të vlente 20 qershori 1928, kur në
parlamentin e Beogradit janë likuiduar udhëheqësit kroatë.
Një
delegacion i popullit kroat qysh më 25 janar 1930 i ka dorëzuar Ligës së
Kombeve në Gjenevë një memorandum, i cili njëherazi i qe dorëzuar edhe
organizatave të gjitha shteteve të përparuara, duke tërhequr vërejtjen për
gjendjen në Kroaci. Me këtë memorandum, përpara gjithë njerëzimit ngrihej akuza
kundër nëpunësve të shtetit të mbretit të Serbisë si kundër tmerrit dhe
lemerisë, që qeveria po i bën mbi popullin kroat. Siç tregojnë faktet, këto
tmerre ishin edhe më të mëdha.
Duke
marrë parasysh këtë gjendje te tmerrshme, ne po ju lutemi, që Liga e Kombeve të
marrë të gjitha masat që këtij pushteti të dhunshëm t’i jepet fund.
Nuk
duhet heshtur kur vrasjet përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve politike.
Nuk
duhet heshtur kur vrasësit madhërohen sikur të ishin heronj popullorë.
Mendojmë
se vetvetiu Liga e Kombeve për të drejtat e njeriut e ka detyrë që të apelojë
te të gjithë ata të cilët i çmojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, që t’i
kundërvihen kësaj llahtarie që po zotëron në Kroaci, të ngrenë protestën më
solemne.
Të gjitha vendet, sidomos Franca, Gjermania, Polonia, Austria, ku
ekzistojnë degët e Ligës së Kombeve për të drejtat e njeriut, e kanë për detyrë
të dalin si mburojë përpara këtij populli liridashës dhe të qytetëruar.
---------------------------------------
No comments:
Post a Comment