Shkruan Reshat Ago
ËNDRRA E NJË MISIONI KËPUTUR NË MES.
Lufta e klasave ka qenë një nga kapitujt më të shëmtuar të monizmit. Më duhet, së pari, të përcjell një thënie të njohur që ata popuj që harrojnë historinë, janë të destinuar t’u përsëritet. Lufta e klasave, në një formë ose tjetër, preku tërë shoqërinë shqiptare, si një lloj murtaje që në ato vite nuk ju gjet ilaçi. Kolonja ka qenë një nga rrethet që e vuajti më tepër këtë sëmundje, ardhur larg nga stepat ruse.
Pasojat e saj kanë qenë dramatike. Familje të tëra u shkatërruan. Vëllezër, motra, kusherinj dhe të afërt, të ndarë në breza. Martesa të ndara për biografi dhe dashuri të ndaluara nga partia! Fëmijë të ngelur pa prindër ose me një prind, me pasoja psikologjike tërë jetën. Individë të prekur nga kjo murtajë që përjetuan dhimbje, veçim, ndarje, deri dhe në raste vdekje. Një traumë me pasoja që i shoqëruan viktimat deri në vdekje. Akoma më e ndjeshme ishte kjo luftë monstër, kur preku një brez mësuesish. Mësuesi nuk ishte dhe nuk është një individ i zakonshëm në shoqëri. Në çdo sistem ai ka një pozicion nderi, pasi përgatit të gjitha profesionet.
Treva e Kolonjës e njohur për dije, rilindas dhe mësues të martirizuar nuk do ta meritonte një kapitull të errët të trajtimit të mësuesve të vet. Drama e tyre, me pak fjalë, është sa e dhimbshme, aq dhe me efekt negativ në kohën që ndodhi dhe me pasoja më pas. Një dyzinë mësuesish, ndër më të mirët, nga familje të respektuara në komunitet, do të përjetonin një histori të trishtuar që fjalët nuk kanë ngarkesën ta përshkruajnë. Dëbimi, poshtërimi publik, burgosja dhe tërë pasojat, janë një njollë shëmtuar në historinë e arsimit kolonjar që nuk duhet lënë në harresë.
Një pjesë tjetër mësuesish, me “njolla në biografi”,
jetuan përditë dilemën dhe ankthin se nesër do të ndahem nga nxënësit, klasat
dhe kolegët. Neve nuk jemi në gjendje tu rikthejmë vitet më të bukura që humbën
pa të drejtë, as ëndrrën e misionit fisnik që u këput në mes, as një jetë
ndryshe dhe normale që nuk e patën më, por neve duhet tu përcjellim homazhe
respekti atyre që janë ndarë nga kjo jetë, dhe një lehtësim të plagëve të
pashëruara për ata që jetojnë.
I lidhur që
në vitet e rritjes me këtë profesion, e ndjej që duhet të ishte shkrojtur, nga
unë, apo dikush tjetër, më herët për atë brez mësuesish që kaloi atë kalvar.
Për më tepër, një pjesë e tyre më kanë mësuar dhe ngarkesa personale shtohet.
Duke u rikthyer në ato vite, përjetimi i tyre ka qenë më tepër se një dramë
familjare.
Net të tëra pa gjumë. Pengu i përditshëm që fëmijët
e tyre nuk do të shkolloheshin. Ndarja nga nxënësit dhe kolegët. Dërgimi në
punët më të vështira. Bashkëfshatarë dhe të afërm që bënin sikur nuk i shikonin
në rrugë, sikur të ishin të sëmurë me kolerë! Një pjesë qenë nën një trysni
torture që t’ia “shpërblenin popullit dhe partisë” me mënyra të tjera të
djallëzuara, duke i vënë në një dilemë të vështirë jete, një luftë e vështirë
brenda vetes për të ruajtur dinjitetin, nderin dhe besën, një vrasje e
dyfishtë. Vetëm ata e dinë çfarë kanë hequr!
Le të përcjllim një kujtesë në respekt të tyre:
1. DHORI QIRIAZI (1933-2009)
2. SPIRO THOMA RUPI (1911-1984).
Spiro Rupi ngelet përfaqësuesi më dinjitoz i brezit
të vjetër të mësuesve kolonjarë. I paharruar emri dhe kujtmi i mësuesit Spiro
Rupi!
3. POLIKRON PAPAJANI(1935-2022)
Dënimi i Polikron Papajanit në vitin 1977 ka qenë një nga skenat më të shëmtuara të regjimit. Polikroni ishte një nga mësuesit më të përgatitur të gjimnazit të Leskovikut. Jepte lëndën e rusishtes që ju kthye në një mallkim. Lexonte revista dhe romane në gjuhën ruse për të ngritur nivelin e tij mësimdhënës. Në një mjedis i “shpëtoi goja” dhe u shpreh për arsimin që “është ç’edukim jo edukim”, ishte fjala për ngarkesën ideologjike. Duhej një “kokë turku” për të frikësuar të tjerët, në veçanti intelektualët. Akuza duket shumë qesharake sot: “Përhapës i ideologjisë revizioniste!”. Si “provë” ju gjetën në shtëpi disa revista në rusisht. Gjyqi ju bë publik, një terror i vërtetë në Leskovikun e vogël, dikur me emër që koha e kishte rudhur. Dënohet sipas nenit famëkeq të agjitacionit dhe propogandës dhe lirohet pas 9 vitesh burgimi, në vitin 1986. Ironia e dënimit të të ndjerit ishte se Polikroni nuk ishte kundër regjimit. Kam patur fatin dhe dhimbjen të njihem me mësuesin e nderuar, në vitet 90-të, fatin për inteligjencën që zotëronte dhe dhimbjen për vuajtjet. I paharruar emri dhe kujtimi i mësuesit Polikron Papajani!
Pas përshkrimit të shkurtër të poetit lirik dhe dy
mësuesve fatkeqë që humbën lirinë, renditja do të vazhdoja sipas alfabetit.
4. DHIMITER LULA (1933-2004)
Dhimiter Lula u lind në fshatin Shalës të Kolonjës. Vëllai i Anasats Lulës, një figurë e njohur në mbarë Shqipërinë, emri i të cilit do ta ndiqte pas, si një “hije që të tremb”! U dilpomua si mësues, në një kohë që kolera e luftës së klasave linte qoshe të painfektuara.
Punoi shumë vite në Erseke, në fshatin Novoselë të
Kolonjës dhe la emrin e një mësuesi të ditur, të urtë dhe të zgjuar. Në vitet
60-të dëbohet nga arsimi dhe dërgohet në prodhim. Situata u acarua më tepër,
kur vëllai tjetër, SARANDI, u dënua për agjitacion dhe propogandë. Vëllai i
tij, si dhe Dhimitri, ishte një figurë e respektuar në tërë Kolonjën,
përjashtuar nga studimet në Rusi, sepse rrahu një student rus, se i pati sharë
Shqipërinë.
Dhimitri
ishte një burrë i zgjuar dhe lexues i apasionuar. U nderua me të drejtë me
titullin” Mësues i Merituar” në vitin 1994. Drejtoi për 2 vjet degën e Partisë
Demokratike në Kolonjë dhe ruhet mirë në kujtesë për formimin e tij demokratik
dhe kujdesin. Kam qenë me fat që e kam njohur dhe kemi pasur një miqësi të
ngushtë, deri sa ndërroi jetë në vitin 2004. I përjetshëm kujtimi i Taqos!
5. ENVER FAMA (1942-2023)
Enver Fama u lind në një familje të njohur në fshatin Selenicë e Kolonjës. Kolonja ka dhe dy fshatra me këtë emër, Selenicë e Pishës dhe Selenicë e Radomit, kjo e fundit braktisur shumë më herët. Prej vitit 1961 që u diplomua si mësues i ciklit të ulët dhe deri në vitin 1975, Enveri mësoi dhe përgatiti në atë cikël, breza fëmijësh në fshatrat: Qinam- Radovickë, Benjëz, Selenicë e Pishës, Luaras, Qafëzës. Në vitin 1975, vit kur lufta e klasave kaloi në ekstrem, Enveri dëbohet nga arsimi, për motive biografie dhe pas 14 vitesh kontributi në arsim, kaloi në prodhim në kooperativën e fshatit të tij. Kudo ku punoi për 14 vjet, Enveri u kujtua me respekt dhe me dhimbjen e fatit të tij. Në vitin 1991 ju rikthye ëndrrës së thyer të misonit të tij. Punoi mësues në disa fshatra, sekretar i Degës së Partisë Demokratike për 2 vjet, sekretar i Komunës së Mollasit dhe e mbylli karrierën në arsim në rrethin e Durrësit, ku punoi nga viti 1999 deri në vitin 2007 që doli në pension. I paharruar emri dhe kujtimi i Enverit!
6. FILIP DURO
Thuhet se, ku është një dashuri e vërtetë, atje janë tërë mrekullitë. Por, mrekullitë nuk i gëzoi deri në fund mësuesi Filip Duro. Partia në atë kohë kontrollonte me vigjelencë dhe dashuritë. Është një rast tipik, në ndëryrjen në ndjenjën më të bukur që e ka bekuar natyra dhe Zoti. Filipi është nga fshati Gjirakarë, zona e Shqerisë, Leskovik. Ishte mësues në fshatin Postenan, ku dashuroi një vajzë nga familja Vezuli, me babain(Çimon) i dënuar politik. Dashurisë së pastër dhe pa kushte i kundërvihet partia, pasi Filipi ishte nga një familje me biografi të mirë, sipas “logjikës” dhe “kritereve” të kohës. Pati presione të vazhdueshme për ta ndarë të dashurën e tij, por në fund fitoi karakteri i Filipit, ndejnja e pastër dhe vendosmëria. Krijoi familjen, por humbi të drejtën të vazhdonte të mësonte fëmijët! E dëbojnë nga arsimi! Drama nuk përfundoi me kaq. “Zogjtë e korbit u bënë më të zes”, kur më vonë i dënojnë bashkëshorten për ta bërë më mizerje jetën e tij. Filipi jeton në qytetin e Leskovikut duke i uruar shëndet dhe jetë të gjatë!
7. GEZIM KOÇIU
Gezim Koçiu u lind në vitin 1949, në një familje të njohur në qytetin e Ersekës. Përfundoi Institutin e Lartë të Edukimit Fizik. Punoi në mjaft fshatra të Kolonjës; Barmash, Selenicë e Kolonjës, Mollas Qafëzës dhe në fund në Shën Mërtir deri në Mars 1977. Në atë vit të mallkuar për tërë familjen, një bombë me sahat kishte shpërthyer! “Arratiset” përmes kufirit me Greqinë, vëllai i Gezimit. Sot, moshat 30- 40 vjeçare që marrin lehtësisht avionin Tiranë-Toronto, nuk e perceptojnë dot termin e tmerrshëm “arratisje” të monizmit, me sakrificën sublime që të priste plumbi në kufi dhe me tërë persekutimin e familjes që linje pas. Gezimin dhe familjen i internojnë në fshatin Shijan, zona e Piskalit, me malorja në Kolonjë.
Nuk ishte problemi i zonës malore, sepse dhe atje
banonin njerëz, por katandisja në disa zyra të degraduara të fshatit, pa asnjë
mundësi jetese, ka qenë një torturë e vërtetë, pasi lanë pas shtëpinë e tyre
private në Ersekë, ndër më të mirat. Fakti që banorët e fshatit i shihnin si
aliene dhe nuk ju flisnin në rrugë, ishte një tjetër torturë. Vëllai i tij,
Arti Koçiu, një ndër futbollistët më të talentuar të “Gramozit” të Kolonjës,
nuk u lejua të kalonte malin e “Qarrit”, jo më të ishte pjesë e ekipeve më të
mira të vendit.
Pas rënies së regjimit komunist, Gezimi ju rikthye
ëndrrës së tij. Lëvizi në Korçë, ku punoi mësues i edukimit fizik në disa
fshtra dhe në qytetin e Korçës.
8. LIRI SABRI NUNUÇI
Liria është vajza e mësuesit SABRI NUNUÇI nga Leskoviku. U lind më 20 Janar, 1944. I ati, SABRIU, pati punuar rreth 20 vjet mësues në zonën e Leskovikut. Arrestohet për motive politike në vitin 1946 dhe ndërron jetë në kampin çfarosës të Vloçishtit, Maliq, Korçë, në vitin 1948. Liria e ngelur pa baba, lëviz në fshatin Selenicë e Kolonjës tek daiu, Xhezo Asllani. Ishte një vajzë e shkëlqyer në mësime, dhe pas shkollës 7-vjeçare dërgohet për nevoja urgjente të kohës, në një kurs të përshpejtuar mësuesie në Korçë. Në vitin mësimor 1961-1962 emërohet mësuese e ciklit të ulët në fshatin Gostivisht. Kaq vazhdoi ëndrra e mësuesisë e Lirisë inteligjente. Me gjithë menjanimin nga arsimi, Liria do të vazhdonte me korespodencë pedagogjiken e Korçës, por pa u rikthyer në arsim! Në rrethana, të një shoqërie demokratike, Liria do të kishte patur tjetër jetë dhe një karrierë suksesi, por misioni i saj fisnik, i sapo filluar, pati fatin e hidhur të shumë e shumë rasteve të tjera.
9. LINDITA CENKO ISAI
Lindita i lind në fshatin Barmash, Kolonjë në vitin 1957. Pedagogjikas të maturës A, 1976, në Gjirokastër, e kanë para syve, besoj, trishtimin e shoqes së tyre të klasës, kur në Janar, 1975, në vitin e tretë, e dëbojnë nga shkolla për arsye biografie. Por dhe unë nuk e kam harruar kurrë atë skenë, kur Lindita me lotë dhe e habitur, mori valixhen dhe e shoqëruar nga një profesor u gjend në Barmash, për të lënë pas për shumë vite, një ëndër të bukur dhe për të filluar një jetë në prodhim, një brengosje morale dhe psikologjike. Por, në fund të tunelit del drita dhe në Janar, 1991, Lindita që nuk e pata harruar kurrë, më shfaqet në zyrën e arsimit Kolonjë, një surprizë pas 16 vjetësh. Plotëson kohën e ngelur në pedagogjiken e Gjirokastrës, dhe si në një ëndërr që nuk do ta besonte dy vite më parë, fillon mësuese në ciklin e ulët, shkolla e Selenicës, ku vazhdoi tërë karierën e saj deri sa doli në pension. Me Linditën më lidh dhe një miqësi familjare, por më shumë më lidh saga e saj e dhimbshme dhe në fund shpërblimi nga ndryshimi i sistemit.
10. LISAVETA GJERGO ISAI
Historia e dhimbshme e Lisavetës i ngjan si dy pika uji, asaj të mësuesit Filip Duro. Lisaveta u lind në fshatin Gostivisht në vitin 1950. Pasi përfundoi gjimnazin “Petro Nini Luarasi” të Ersekës, për nevoja të kohës, filloi punë mësuese në fshatin Luaras, ku punoi në vitet 1970-1973. Ishte mësuesja ime në klasën e pestë viti 1970-1971. Lisaveta më mësoi së pari solfezhin, notat e muzikës. Në të njëjtën kohë jepte mësim dhe mësuesi Përparim Isai që vinte nga fshati Kreshovë. Dashuria me Përparimin dhe krijimi i familjes do të kishte qenë, normalisht, sipari i një jete të re me gëzime të natyrshme. Përparimi ishte me “njolla biografie” dhe meqenëse Lisaveta vinte nga një familje me “biografi të mirë”, peshorja e asaj kohe duhej të anonte në sensin pozitiv. Gjithçka ndodhi ndryshe, sepse neve si komb kemi një të metë serioze, ku xhelozia dhe tendenca për ti bërë keq tjetrit, dominon filozofinë tonë të përditshme të jetës! Pas një viti pune në Kreshovë (73-74), ku Lisaveta kishte plane për tu kualifikuar si mësuese, dëbohet nga arsimi. Punon në kooperativë deri sa doli në pension. Banon prej vitesh në Ersekë. I uroj shëndet dhe jetë të gjatë mësueses time!
11. MAKSUT LARTI (1944-1995)
Maksuti u lind në fshatin Qinam të Kolonjës në vitin 1944, në një familje me emër dhe të respektuar. Është midis maturantëve të parë që përfundoi gjimnazin “P. Luarasi” të Kolonjës në vitin 1962. Pas një viti kualifikimi të përshpejtuar për nevoja të kohës, në pedagogjiken e Korçës, filloi punë në arsim në vitin 1963-1964. Një mësues i aftë dhe inteligjent, i cili mësoi breza fëmijësh në ciklin në ulët në fshatrat Mesickë, Novoselë dhe Piskal. Dëbohet nga arsimi në vitin 1973, kur ishte mësues në fshatin Piskal. Motivi i dëbimit është ironia e fatit të Maksutit dhe shumë të tjerëve. Familja e Maksutit ishte shpallur familje kulakësh! Edhe fjala ruse kulake dhe adaptimi në Shqipërinë e varfër, lë shumë për të dëshiruar, siç u bënë shumë marrëzi me kolektivizimin e zonave malore, ndalimin e besimit, “tufëzat dhe arrëzat” dhe shumë eksperimente të tjera alla shqiptarçe. Ndërsa në Rusi u shpallën kulakë pronarë që zotëronin 10-15 fshatra, në vendin tonë u shpallën kulakë fshatarë që me më shumë mundime dhe djersë familjare, kishin siguruar diku tek 300-500 kokë bagëti, apo disa hektarë tokë. Jo vetëm kjo pasuri u mor nga shteti, pa shpërblim, por një pjesë e mirë e tyre u bugosën dhe humbën punën!
Pas dëbimit nga arsimi, Maksuti punoi në minierën e
Bezhanit nga viti 1973 deri në vitin 1991. Ndahet nga jeta, para kohe, në
Nëntor 1995, në moshën 51 vjet, me pengun që nuk u rikthye më midis fëmijëve,
mision që e deshi aq shumë. Fëmijët e tij vazhduan të githë ëndrrën e këputur
të të atit. Kam patur fatin ta njihja! I paharruar emri dhe kujtimi i Maksut
Lartit!
12. PERPARIM ISAI
Ish- nxënës të fshatrave Novoselë(viti, 62-63), Qafëzës(vitet, 65-67) dhe Luaras(vitet, 67-74), tani në moshë të thyer, duhet ta kujtojnë mësuesin nga fshati Kreshovë, Përparim Isai, lindur në vitin 1943.
Të gjithë mësuesit kujtohen me respekt tërë jetën,
por Përparim Isai ishte një format tjetër. Me një disiplinë tipike gjermane,
rigoroz, i sjellshëm, i hijshëm dhe truplartë, madje dhe i “frikshëm” për
moshën tonë, kështu ruhet në kujtesë nga shumë breza që mësoi mësuesi nga
Kreshova. Pasi përfundoi pedagogjiken e Elbasanit në vitet vitet 57-61, me
sakrificë dhe duke punuar mësues në fshatrat e përmendur, përfundoi me
korespodencë Institutin dy vjeçar për bio-kimi dhe gjeografi. Sikurse shkrojta
për Lisavetën më sipër, fati i solli atë në Luaras dhe njohja prej kolegësh
solli krijimin e familjes së tyre të
respektuar. Një goditje e dyfishtë në vitin 1975, i dëbon nga arsimi, të dy
bashkëshortët! Një përjetim i rëndë çifti, që vetëm ata dinë ta tregojnë dhe
sot, pas 60 vitesh! Në vitet 75-78 punon në fshat në kooperativë. Nga viti 1978
deri në vitin 1991 punoi në minierën e Bezhanit. Në vitet 90-të ritakohem me
ish-mësuesin tim që e respektova tërë kohën, sikur e kisha para klasës, në
Luaras, në klasën e pestë, dekada më parë. Lëvizi nga Kreshova në Ersekë me
familjen. Në vitet 96-2000 drejtoi me ndershmëri dhe etikë, si fisnik që është,
Komunën Qendër në Ersekë. I uroj shëndet dhe jetë të gjatë mësuesit tim!
13. QAZIM XHOMAQI
Historia e vëllezërve Xhomaqi nga fshati Bejkovë është sa e dhimbshme, aq dhe e veçantë. Ata të dy (3 vite diferencë) mësuan në të njëjtën shkollë, në të njëtën bankë, patën të njëjtin udhëtim të dhimbshëm të kalvarit dhe e mbyllën karierën e mësuesisë në të njëtën shkollë në Tiranë.
Qazimi u lind në vitin 1943. Në vitin 1961 përfundoi pedagogjiken “P. Nini
Luarasi” në Korçë. Nuk mund të merrte bursë për arsye”biografie” si të tjerët,
por në vështirësi të mëdha strehimi dhe ushqimi, e përfundoi pedagogjiken si
nxënës i jashtëm. Në vitin 1961 emërohet mësues i ciklit të ulët në fshatin e largët
Piskal. I aftë dhe kërkues, e kalojnë mësues në 7-vjeçare që më vonë u kthye në
sistemin me 8 klasa. Pas dënimit të vëllait, BARDHYLIT, për agjitacion e
propogandë, jeta e tij merr një rrjedhë akoma më të rëndë. Në vitin 1968
dëbohet nga arsimi dhe kalon në prodhim deri në vitin 1988, vit që largohet në
Tiranë. E kam takuar në vitin 1992 në Ersekë, i dërmuar nga vitet, por me
shpresën dhe optimizmin e rifituar, për tu rikthyer në arsim, pas një lëngate
psikologjike dhe morale, prej 24 vitesh. Rifilloi mësues në shkollën “11
Janari” në Kamëz në vitin 1992, deri sa doli në pension në vitin 2007. Qazimit
i uroj shëndet dhe jetë të gjatë!
14. SHEFKI MYDINI - (në foto me bashkëshorten e tij mësuese Leka Mydini)
Saga e mësuesit Shefki Mydini është akoma më e dhimbshme. U lind në vitin 1932 në fshatin Butkë. Vazhdoi shkollën në Ersekë dhe ka ngelur në kujtesë për 5 orë rrugë në këmbë çdo ditë, Butkë-Ersekë dhe kthim, si në dimrin e Kolonjës! Përfundoi Shkollën Pedagogjike të Korçës në vitet 1953-1957. Punoi mësues për 8 vjet në fshatrat Radanj, Selenicë e Pishës etj. Tri vjet pasi kishte krijuar familjen, dëbohet nga arsimi në vitin 1968, pasi vëllai i madh, ESTREF MYDINI, burgoset për agjitacion e propogandë. Shtoj që Estref Mydini është një nga kolonjarët më dinjitozë dhe me karakter të fortë që kam njohur, një ndër pak Mandelat e Kolonjës, i cili nuk e fshehu të vërtetën dhe në kohët më të vështira, duke e paguar kurajon e tij me shumë vite burg dhe humbjen e lirisë!
Megjithatë,
pas pak kohësh, Shefkiu rikthehet në arsim deri në vitin1976. Është mesi i
viteve 70-të, kur “tcunami” i luftës së klasave ndëshkonte në të gjitha krahët
në Kolonjë. Pas dëbimit nga arsimi, Shefkiu punoi në minierë deri në vitin
1991. Fatkeqësisë së dëbimit nga arsimi, ju bashkua dhe ndarja nga jeta, para
kohe, e bashkëshortes! Jam miqësuar me të ndjerin Shefki, në fillim të viteve
90-të në fshatin Butkë, ku familja ime jetoi përkohësisht. I ditur dhe
elokuent, ende ruaj të pastër në kujtesë, takimet me Shefkiun, ku dalloja lehtë
brengën e largimit nga arsimi dhe humbjen e të shoqes, para kohe. Ndahet nga
jeta i dëshpëruar në muajin Maj, 1992. I paharruar kujtimi i mësues Shefkiut!
15. VASIL KOLOMITRO
Edhe fotoja e djaloshit maturant, në pedagogjiken e Korçës, flet shumë. Fotoja e tij, viti 1968, përcjell mirësinë dhe shpresën e një mësuesi të ri. Por dhe në ëndërr, në kohën e fotos, Vasili nuk do ta imagjinonte se çfarë e ardhme e priste! Pas diplomimit si mësues i ciklit të ulët, punoi për 9 vjet si mësues në fshatrat Lashovë(fshati i lindjes), Piskal, Podë dhe në fund në Leskovik. Në vitin 1977 “orteku” goditi familjen e respektuar Kolomitro, nga fshati Lashovë, zona e Shqerisë, Leskovik. I ati i Vasilit, LILO KOLOMITRO një emër mëse i respektuar gjerësisht, dënohet për agjitacion e propogandë. Vasili dëbohet nga arsimi dhe shkon në prodhim në fshat. Të afërmit i braktisën dhe fshatarët ju ndërronin rrugën.
16. YLLSON XHOMAQI
Yllsoni u lind në fshatin Bejkovë, në vitin 1946 dhe
sikurse shkrojta më sipër për vëllain e tij, Qazimin, kanë një rrugëtim dhimbje
dhe përsektutimi të përbashkët. Në vitin 1965 përfundon si nxënës i jashtëm
pedagogjiken “P.Nini Luarasi”, në Korçë, me tërë vështirësitë e kohës. Madje,
në respekt të vëllait, mësuesi kujdestar, e uli në të njëjtën bankë.
Megjithëse i erdhi emërimi nga Ministria e Arsmit si
mësues në Kolonjë, me preteksin se “janë dy vëllezër”, nuk e emërojnë dhe nuk e
gëzoi asnjë ditë kënaqësinë e diplomimit të tij, si mësues i ciklit të ulët,
deri në vitin 1991! Madje e “promovuan” të punonte në kooperativë, sepse kishte
nevojë! Për më se 25 vjet provoi punë nga më të vështirat në fshatin e tij dhe
kudo ku punoi në Kolonjë.
E kam njohur Yllsonin në gëzimin e fillimit në arsim
në vitin 1991, i cili punoi në shkollën e Mollasit dhe të Ersekës deri në vitin
1993. Largohet në Tiranë dhe i bashkohet udhëtimit të pandarë të vëllait në
shkollën “11 Janari” në Kamëz, ku ponoi deri sa doli në pension. Jeton në
Tiranë dhe i uroj shëndet dhe jetë të gjatë!
Më duhet të falëndroj të gjithë ish mësuesit e
përmendur që gëzojnë jetën për ndihmën që më ofruan, gjithashtu familjarë dhe
të afërm të mësuesve të tjerë, ndarë nga jeta, shokë dhe miq që u treguan të
gatshëm dhe dashamirës për të patur informacionin e nevojshëm. Ndjesë, nëse
dikush tjetër me të njëjtin fat, nuk është përmendur.
Kujtimi për vuajtjet e tyre është një farë lehetsimi
për ata dhe familjet, ndërsa për ne është një mësim në kohë dhe histori që
ndodhi të tilla të shëmtuara mes kolonjarësh dhe shqiptarësh të ruhen në muze
dhe arkiva për të mos u rikthyer kurrë mes nesh.
Më shumë konsideratë Reshat Ago Brantford, Ontario, Kanada.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

















No comments:
Post a Comment