Pasivizimi i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit
Hulumtim mbi efektet administrative, demografike, politike dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve etnikë dhe autoktonë në Serbi
Shkruan:
Refik HASANI
Pasivizimi,
fshirja ose pezullimi i adresave të banimit të qytetarëve shqiptarë në Krahinën
e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është bërë një çështje tepër serioze e të drejtave
themelore të njeriut, të drejtave kolektive, sundimit të ligjit dhe
funksionimit demokratik të institucioneve.
Kjo
praktikë nuk duhet parë vetëm si një çështje teknike apo administrative, kur
zbatimi i saj prek në mënyrë të veçantë shqiptarët etnikë dhe autoktonë, të
cilët janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta. Tani
jemi në procese të bazuara për të kundërshtuar vendimet administrative për
pasivizimin, kështu që lind një shqetësim i ligjshëm për diskriminimin dhe cenimin
e ushtrimit efektiv të të drejtave themelore dhe kolektive të shqiptarëve në
Serbi.
Pasivizimi
si shqetësim serioz për të drejtat e shqiptarëve
Si
pasojë e gjithë këtij spastrimi etnik – apo, më saktë, diskriminimi që quhet
pasivizim – bazuar në hulumtimin dhe në Ligjin mbi vendbanimin dhe
vendqëndrimin (“Gazeta Zyrtare e RS”), nr. 87/2011, i cili po vazhdon të
zbatohet në mënyrë selektive dhe diskriminuese, duke targetuar vetëm shqiptarët
etnikë dhe autoktonë në Serbi, kërkohet nga BE-ja që të ndalojë këto praktika
margjinalizuese dhe diskriminuese dhe të ushtrojë trysni që ky ligj të
ndryshohet brenda kësaj legjislature të Parlamentit të Serbisë, pasi, sipas
këtij qëndrimi, ai është në kundërshtim me aktet dhe konventat evropiane dhe
ndërkombëtare.
Kjo
praktikë nuk duhet kuptuar dhe trajtuar thjesht si një procedurë administrative
për verifikimin e vendbanimit. Serbia po e zbaton pasivizimin në mënyrë të njëanshme
dhe disproporcionale, ose pa mundësi efektive për kundërshtim ligjor. Në shumë
raste, personave të pasivizuar nuk u lëshohen fare vendime për pasivizimin e
adresave.
Kjo
prodhon pasoja të drejtpërdrejta mbi mundësinë e ushtrimit të të drejtave
civile, politike, sociale dhe ekonomike të qytetarëve shqiptarë etnikë dhe
autoktonë në Krahinën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe gjithandej
në Serbi. Pikërisht për këtë arsye, çështja e pasivizimit të adresave në këtë Krahinë
kërkon vëmendje të shtuar nga institucionet evropiane dhe mekanizmat
ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtave kolektive.
Pasivizimi
i adresave dhe i vendbanimit ka rëndësi të madhe në marrëdhëniet e qytetarit me
administratën publike dhe në ushtrimin praktik të një sërë të drejtash. Kur një
qytetari i pasivizohet adresa, mund të shfaqen pengesa serioze në
dokumentacionin personal, në dëshmimin e vendbanimit, në ushtrimin e të drejtës
së votës dhe në procedura të tjera administrative.
Sa
është numri i shqiptarëve të pasivizuar?
Sa është
numri i qytetarëve shqiptarë etnikë dhe autoktonë në Krahinën e Preshevës,
Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe gjithandej Serbisë, të cilëve u është
pasivizuar adresa, dhe cili është numri i tyre në raport me shtetasit e tjerë
në Serbi?
Numri i
të pasivizuarve nuk dihet zyrtarisht, pasi ekziston një mungesë e theksuar e
transparencës dhe e qasjes në një statistikë zyrtare të publikuar.
Bazuar në
shënime dhe statistika jo të verifikuara saktësisht, del konstatimi, i
mbështetur në disa të dhëna nga shoqatat shqiptare që janë marrë aktivisht me
pasivizimin, se çdo i katërti shtetas i Serbisë që i përket nacionalitetit
shqiptar nga komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është i pasivizuar.
Shprehur
në numër, bëhet fjalë për mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve u janë
pasivizuar adresat.
Kur
kësaj i shtojmë edhe shqiptarët etnikë dhe autoktonë që jetojnë jashtë këtyre tri
komunave, del se numri i shtetasve të Serbisë me përkatësi nacionale shqiptare,
të cilëve u është pasivizuar adresa, mund të jetë mbi 50–70 mijë.
Sipas
këtij qëndrimi, ata janë fshirë nga regjistrat civilë dhe janë pasivizuar në
kuptimin administrativ, duke humbur mundësinë e ushtrimit të një sërë të
drejtash.
Me
pasivizimin e adresave, si një formë e spastrimit etnik përmes mjeteve
administrative, më së shumti është prekur Komuna e Medvegjës. Sipas të dhënave të
paraqitura, rezulton se 85 për qind e shqiptarëve janë pasivizuar në Komunën e
Medvegjës, ndërsa në Bashkësinë Lokale të Zarbicës dhe në Bashkësinë Lokale të
Muhocit rezulton se mbi 80 për qind e shqiptarëve janë pasivizuar në këto dy
bashkësi lokale, të njohura si Malësia e Bujanocit.
Pasivizimi
rrezikon përfaqësimin proporcional dhe demokratik të shqiptarëve në Serbi
Një nga
aspektet më shqetësuese është ndikimi i mundshëm i pasivizimit mbi pjesëmarrjen
politike të shqiptarëve, për të ushtruar të drejtën ligjore të votës dhe për të
qenë të votuar.
Nëse
qytetarët e regjistruar më parë në një komunë nuk figurojnë më me adresë aktive
dhe kjo ndikon në regjistrimin ose ushtrimin e të drejtës së votës, atëherë
pasojat nuk janë më vetëm individuale; ato kalojnë dhe bëhen edhe kolektive.
Ndër pasojat mund të jenë:
A. Zvogëlimi artificial i
popullsisë;
B. Ndikimi në shpërndarjen e
burimeve dhe buxheteve publike, si dhe në buxhet dhe investime;
C. Rrezikimi i përdorimit të
gjuhës dhe simboleve;
D. Ndikimi në pjesëmarrjen në
zgjedhjet lokale, në Këshillin Kombëtar Shqiptar dhe në zgjedhjet parlamentare;
E. Ndikimi në përfaqësimin
proporcional në Polici, Gjykatë, Prokurori dhe institucione lokale e qendrore;
F. Ndikimi në vendimmarrje dhe
në peshën institucionale të shqiptarëve etnikë dhe autoktonë.
Për këtë
arsye, duhet të ketë transparencë përmes një statistike zyrtare dhe të dokumentuar
mbi ndryshimet në numrin e qytetarëve me adresë aktive dhe ndikimin e tyre në
proceset zgjedhore dhe institucionale.
Çështja
e pronës dhe e të drejtave pasurore që barten dhe trashëgohen
Çështja
e pronës dhe e trashëgimisë paraqet vështirësi të larta administrative. Ajo
prek dokumentacionin personal, dëshmimin e vendbanimit apo qasjen në procedura
administrative dhe mund të krijojë probleme serioze praktike për qytetarët në
ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre që trashëgohen dhe barten.
Pasivizimi
i adresës duhet kuptuar dhe shqyrtuar edhe nga ky prizëm. Prandaj, është e
domosdoshme që institucionet të publikojnë dhe të garantojnë se pasivizimi i
adresës nuk përdoret në mënyrë që qytetarëve t’u krijohen pengesa të
pajustifikuara në mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtave të tyre pronësore dhe
të trashëguara.
Përmes
heshtjes administrative, Serbia rrezikon shpopullimin e shqiptarëve si një
formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit
Bashkimi
Evropian do të duhej të kuptonte se pasivizimi i adresave është duke prodhuar
një efekt të prekshëm, në atë mënyrë që qytetarët shqiptarë etnikë dhe
autoktonë po largohen në heshtje dhe administrativisht nga vendbanimet dhe
lokalitetet e tyre, edhe atëherë kur ata vazhdojnë të kenë lidhje reale me këto
vendbanime.
Një
praktikë e tillë po zhvillohet në përmasa të mëdha dhe po prek e dëmton
kryesisht shqiptarët në Serbi. Kjo ngre domosdoshmërinë për të hetuar nëse kemi
të bëjmë me një mekanizëm shtetëror që, drejtpërdrejt ose tërthorazi,
kontribuon në dobësimin demografik, politik dhe institucional të shqiptarëve
etnikë dhe autoktonë.
Prandaj,
termi “shpopullim administrativ”, i quajtur në gjuhën zyrtare “pasivizim i
adresave”, meriton vëmendje të veçantë, pasi paraqet një shqetësim serioz.
Shqiptarët
e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit po kërkojnë realizimin e së
drejtës që çdo procedurë administrative të zbatohet në mënyrë të barabartë, transparente
dhe jodiskriminuese.
Mbështetur
në pretendimin se çdo i katërti shtetas i Serbisë që i përket nacionalitetit
shqiptar nga Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit është i pasivizuar,
apo, shprehur në numër, se janë mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë të cilëve u janë
pasivizuar adresat, ky numër tregon përmasën e problemit të humbjes së statusit
aktiv të adresës.
Si
rrjedhojë e pasivizimit të adresave, po përballemi me pengesa në dokumentacion,
në pjesëmarrjen politike apo në marrëdhëniet me institucionet publike. Prandaj
lind nevoja për një hetim të pavarur.
Nuk
mjafton që një praktikë të jetë e parashikuar formalisht me ligj. Ajo duhet të
jetë edhe në përputhje me parimet e barazisë, proporcionalitetit, sigurisë
juridike dhe mosdiskriminimit, të cilat janë të zbatueshme edhe në kuadër të
standardeve evropiane.
Mbi
arbitraritetin dhe jotransparencën si proces i pasivizimit të adresave kanë trajtuar
çështjen edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut dhe
Këshilli Kombëtar Shqiptar. Në bazë të grumbullimit të emrave është krijuar dhe
punuar një regjistër, si bazë të dhënash dhe statistikë e përafërt, ku janë
evidentuar, mbi bazën e vullnetit të secilit, emrat dhe mbiemrat, si dhe
shënime përkatëse mbi personat e pasivizuar.
Pasojat
e pasivizimit të adresave mbi qytetarët shqiptarë etnikë
Një
qytetar që përballet me pasivizimin e adresës mund të hasë vështirësi në marrëdhëniet
e tij me institucionet shtetërore. Ndër pasojat që duhet të analizohen me
kujdes janë:
- Vështirësitë në pajisjen ose
përditësimin e dokumenteve personale;
- Pengesat në dëshmimin e
vendbanimit;
- Ndikimi mbi regjistrimin në
listat zgjedhore dhe ushtrimin e të drejtës së votës;
- Vështirësitë në procedurat
administrative dhe juridike;
- Ndikimi i mundshëm në qasjen
në shërbime publike dhe sociale;
- Pasojat në marrëdhëniet
pronësore dhe në procedurat që kërkojnë dëshmimin e statusit dhe adresës
së banimit;
- Pamundësia për të ushtruar
të drejta që lidhen me pronësinë dhe punësimin;
- Problemet me lirinë e
lëvizjes etj.
Këto
pasoja duhet të shqyrtohen rast pas rasti dhe në përputhje me legjislacionin në
fuqi.
Pasi
pasivizimi është duke prekur në mënyrë disproporcionale vetëm shqiptarët etnikë
dhe autoktonë, si një etnikum i caktuar, atëherë, sipas këtij qëndrimi, kemi të
bëjmë me një diskriminim shumë më të gjerë sesa një procedurë administrative.
Serbia
i bart përgjegjësitë për pasivizimin e adresave mbi qytetarët shqiptarë etnikë
Pasivizimi
i adresave ka ndikuar gjithashtu në zvogëlimin e përfaqësimit të shqiptarëve në
institucionet lokale, duke sjellë një përkeqësim të dukshëm të situatës
demografike dhe shoqërore në rajon. Ai ka krijuar një ambient pasigurie për
shumë individë dhe familje shqiptare, të cilët janë privuar nga mundësia e
pjesëmarrjes në jetën publike dhe politike.
Sipas këtij
vështrimi, pasivizimi ka për qëllim të reduktojë ndikimin e pakicës shqiptare
në Serbi.
Pasivizimi
i adresave cilësohet si një mjet që ndihmon në arritjen e qëllimeve politike të
autoriteteve serbe për të kontrolluar dhe për të ndryshuar përbërjen etnike të
këtyre tri komunave.
Republika
e Serbisë duhet të sigurojë që të gjitha procedurat administrative të jenë
transparente, të kontrollueshme dhe të zbatohen njësoj ndaj të gjithë
qytetarëve, pa dallim të përkatësisë etnike.
Çdo qytetar
duhet të ketë të drejtë:
- Të informohet për arsyen e
pasivizimit;
- Të ketë qasje në vendimin
administrativ;
- Të ketë të drejtë ankimi dhe
shqyrtimi gjyqësor efektiv në të gjitha instancat gjyqësore;
- Të ketë trajtim me prioritet
të lëndëve dhe trajtim të barabartë;
- Të sigurojë që vendbanimi i
tij real të merret seriozisht në procedurat administrative.
Pa këto
garanci, krijohet pasiguri juridike dhe dobësohet besimi i qytetarëve në
institucionet shtetërore.
Bashkimi
Evropian ka përgjegjësi mbi pasivizimin e adresave të qytetarëve shqiptarë
etnikë në Serbi
Bashkimi
Evropian nuk duhet ta trajtojë këtë çështje vetëm si një problem të brendshëm
administrativ të Serbisë.
Respektimi
i të drejtave të njeriut, respektimi i të drejtave kolektive, sundimi i ligjit,
luftimi i arbitraritetit dhe jotransparencës në procesin e pasivizimit të
adresave, mosdiskriminimi dhe mbrojtja efektive e pakicave kombëtare janë pjesë
e standardeve evropiane.
Prandaj,
institucionet e Bashkimit Evropian duhet të kërkojnë nga autoritetet më të
larta serbe:
- Publikimin e të dhënave të
plota për numrin e adresave të pasivizuara në Krahinën e Preshevës,
Medvegjës dhe Bujanocit;
- Transparencë mbi kriteret
dhe procedurat e përdorura për pasivizim;
- Analizë të ndikimit të kësaj
praktike mbi shqiptarët etnikë dhe autoktonë;
- Sigurimin e mjeteve efektive
juridike për qytetarët e prekur;
- Monitorim të pavarur të
zbatimit të kësaj procedure;
- Dialog të drejtpërdrejtë me
përfaqësuesit e shqiptarëve në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe
Bujanocit.
Krahina
e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk është një çështje e brendshme e
Serbisë, por i përket Evropës
Çështja
e shqiptarëve etnikë dhe autoktonë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk
duhet parë vetëm përmes prizmit të politikës së brendshme të Serbisë.
Përmes
kësaj trajtese të hulumtuar, shfrytëzoj rastin të apeloj, meqë tani informacionet
themelore dhe të nevojshme i posedon BE-ja, pasi është alarmuar dhe
sinjalizuar, që të ndërmarrë veprime konkrete dhe emergjente.
Duhet të
ngrihet një komision i ngarkuar për hetimin e pasivizimit, të ndalohen
menjëherë këto praktika diskriminuese dhe të ofrohen mundësi për hetime të
pavarura dhe transparente, duke siguruar dhe garantuar paraqitjen e numrit të
saktë të personave të pasivizuar.
Jo
standarde të dyfishta
Bashkimi
Evropian nuk mund të ketë standarde të ndryshme kur bëhet fjalë për të drejtat
e komuniteteve. Nëse kërkon respektimin e të drejtave të një komuniteti në një
pjesë të rajonit, të njëjtat parime duhet të zbatohen edhe për shqiptarët
etnikë dhe autoktonë në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Të
drejtat e njeriut nuk mund të varen nga përkatësia etnike, nga vendndodhja
gjeografike apo nga interesat politike të momentit.
Një Evropë
e bazuar në sundimin e ligjit duhet të jetë konsistente në mbrojtjen e të
drejtave të të gjitha komuniteteve. Ajo lidhet drejtpërdrejt me parimet
evropiane të demokracisë, të drejtave të njeriut, mbrojtjes së pakicave dhe
sundimit të ligjit.
Për këtë
arsye, Bashkimi Evropian duhet të tregojë interes të veçantë dhe të kërkojë të
dhëna të verifikueshme, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Pasivizimi
i adresave në Krahinën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe gjithandej në
Serbi, nuk duhet të trajtohet thjesht si një procedurë administrative. Pasi
zbatimi i tij, sipas këtij vështrimi, prek në mënyrë disproporcionale
shqiptarët etnikë dhe autoktonë, ai cenon jo vetëm të drejtat individuale të
qytetarëve – si të drejtën për pjesëmarrje politike dhe qasje efektive në
shërbime publike – por edhe të drejtat kolektive të shqiptarëve të kësaj
Krahine.
Kjo
ndikon në përfaqësimin politik, strukturën demografike dhe realizimin e
barabartë të të drejtave proporcionale.
Për këtë
arsye, pasivizimi duhet t’i nënshtrohet një kontrolli të plotë dhe të paanshëm
të ligjshmërisë, proporcionalitetit, transparencës, monitorimit ndërkombëtar
dhe mosdiskriminimit.
Nuk
duhet të mjaftohemi me deklarata politike. BE-ja do të duhej të kërkonte
zyrtarisht nga Serbia të dhëna dhe përgjigje për çështjet e mëposhtme:
A. Sa shtetasve të Serbisë, në
përgjithësi, u është pasivizuar adresa?
B. Sa shtetasve të Serbisë me
nacionalitet shqiptar u është pasivizuar adresa?
C. Sa është përpjesëtimi i
qytetarëve shqiptarë në raport me nacionalitetet e tjera në Serbi?
D. Cila është pasqyra sipas
vendbanimeve dhe lokaliteteve e qytetarëve të cilëve u është pasivizuar adresa?
E. Mbi çfarë kriteresh janë
pasivizuar adresat?
F. Sa qytetarë, sipas
përkatësisë nacionale, kanë parashtruar ankimim te Institucioni i Avokatit të
Popullit, kanë apeluar në Gjykatën Supreme, Gjykatën Kushtetuese apo në
Gjykatën e Strasburgut?
G. Sa vendime janë rrëzuar nga
instancat gjyqësore?
Çfarë ndikimi
ka pasur kjo praktikë në listat zgjedhore dhe në përfaqësimin proporcional?
Dhe, mbi
të gjitha:
A po
zbatohet kjo praktikë në mënyrë të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve, apo po
prodhon një efekt disproporcional ndaj shqiptarëve të Krahinës së Preshevës,
Medvegjës dhe Bujanocit?
Kështu,
Serbia duhet të japë përgjegjësi për këto veprime, të gjithë personave të
pasivizuar t’u kthehen adresat brenda këtij viti kalendarik dhe të kompensohen
për dëmet e shkaktuara gjatë këtyre viteve.
Pastrimi
etnik përmes pasivizimit, sipas këtij qëndrimi, përbën diskriminim klasik dhe
po ndryshon strukturën etnike. Ai paraqitet si formë e legalizimit të
spastrimit etnik dhe si shkelje në kundërshtim me dispozitat ligjore
ndërkombëtare.
Shqiptarët
e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk kërkojnë privilegje;
kërkojnë barazi para ligjit, siguri juridike, mbrojtje të të drejtave
individuale dhe kolektive dhe trajtim të barabartë me çdo qytetar tjetër.
Këto janë
standarde themelore të një shoqërie demokratike dhe të një Evrope që pretendon
se respekton të drejtat e njeriut dhe të drejtat kolektive.
Më 3
shtator 2026
Duke
përdorur një qasje studimore, ky vështrim argumenton se veprimi i Serbisë
prodhon efekte të dëmshme dhe përbën, sipas autorit, shkelje të të drejtave dhe
lirive themelore të njeriut. Prandaj, me të drejtë ngrihet konstatimi se kemi
të bëjmë me një spastrim etnik dhe diskriminim sistematik.
Autori,
përveç këtij vështrimi, ka realizuar edhe një studim më të gjerë mbi
pasivizimin e adresave si një formë e spastrimit etnik dhe diskriminimit, i
prezantuar në trajtesa dhe kumtesa shkencore. Vështrimi përfshin referenca
kredibile për temën e trajtuar, të cilat janë edhe burimet kryesore të
hulumtimit mbi pasivizimin e adresave për shqiptarët e Krahinës së Preshevës,
Medvegjës dhe Bujanocit.
Referencat
[1] Ligji mbi vendbanimin dhe
vendqëndrimin e qytetarëve: “Gazeta Zyrtare e Republikës së Serbisë”, nr.
87/2011.
[2] Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut; Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut; Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe protokollet e saj; Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike dhe protokollet e saj; Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare; Konventa për të Drejtat e Fëmijës; Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor.
[3] Ligji për Administratën
Shtetërore (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 79/05 dhe 10/07).
[4] Pasivizimi – burim i të
dhënave dhe dokumentimit mbi pasivizimin e adresave.
[5] Ligji për Ministritë e
Republikës së Serbisë (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 16/11).
[6] Ligji për Procedurën e
Përgjithshme Administrative (“Sl. Glasnik R. Srbije”, nr. 18/16).