FËMIJËT “TANË” DHE “TË ATYRE”
E TASHMJA GJITHNJË ËSHTË DUKE IKUR, MENDO EDHE TË ARDHMEN…
Nga Shefqet Dobra
Banorët
e sektorit Çermë ishin të “ngjyrave” të ndryshme, por “ajo lloj ngjyre” nuk
dukej me sy. Duhej t’i njihje njerëzit, pa të dalloje ngjyrën. Në këtë sektor
të madh bujqësor ishte shkolla e mesme bujqësore. Mësuesit në atë kohë quheshin
“komisarë të partisë”, ky ishte vlerësimi më i madh që u bëhej sepse edukonin
brezin e ri. Por, ai brez i ri, ishte i ndarë dhe i vlerësuar “sipas ngjyrës që
kishin”.
Disa nuk e bënin dallimin, ose nuk u interesonte “ngjyra”, i
vlerësonin fëmijët sipas aftësisë. Edhe kanuni nuk e lejonte hakmarrjen, as kundër
fëmijëve dhe as kundër grave, por vetëm kundër fajtorit. Me ndërhyrjen e miqve
bëhej edhe pajtesa dhe i jepej fund hakmarrjes, kurse tani, në kohën “moderne”,
jo me ligj, por me orientim, vritej fëmija edhe nëse kishte në biografi një kushëri të
quajtur “fajtor”, dhe jo për vrasje, por vetëm, sepse mendonte ndryshe. Kurse për
ndërhyrje miqësore për pajtesë, në kohën tonë as që mund të mendohej. Kjo quhej
lumturia jonë!
Një
ditë mësuesit e shkollës morën lajmërimin: Në orën dymbëdhjetë do të vijë
sekretari i partisë së sektorit, shoku A.S! Do t’ju bëjë mbledhje! Sekretari
katër vjet shkollë kishte, por ai “dinte” më shumë se mësuesit, sepse ai dinte
një gjë më shumë nga tjerët: të thoshte “pusho!” Përballë kësaj, ç’vlerë kishte
dija!
Në
orën 12.00 filloi mbledhja. Sekretari i partisë pasi tha ato që thoshte sa herë
i mbledhte erdhi çasti t’u thoshte atë për të cilën kishte marr mundinin të
vinte:
-
Ju mësuesit, - u tha ai, - jeni për të
edukuar brezin e ri sipas parimeve bazë, ju nuk duhet,
të harroni për assnjë moment detyrën që
ju është besuar…
Mësuesit
prisnin të dëgjonin ku do t’i dilte “ tymi” këtij muhabetit. Por ai foli aq
gjatë sa e bëri të mërzitshme mbledhjen. Pasi foli për detyrat e mësuesve, doli
atje ku deshi:
-
Këtu, tha ai, ka mësues, që i kanë
harruar detyrat dhe orientimet e partisë, si mësues
Mënyr Zonja, për shembull, të cilët u jep
nota të mira fëmijëve të armiqve, të kriminelëve e tradhtarëve, kurse fëmijëve
tanë u japin nota të ulta. Ç’do të thotë kjo? E kuptojnë këta lloj mësuesish se
ça bëjnë, a jo! Njerëz të tillë nuk e meritojnë këtë vend pune!
Por,
ç’e kishte gjithë këtë urrejtje ky njeri-prind? Pavarësisht detyrës, ata fëmijë
ishin po aq të pafajshëm sa fëmijët e tij? Po këta ngjajnë sikur kanë lindur
nga i njëjti babë; kjo është një çudi që nuk mund të shpjegohet.
Mësues
Mënyrit i kërceu damari, për të ruajtur qetësinë ndezi një cigare, po as
cigarja nuk i bëri fajde; nuk po e mbante vendi. Ishte koha kur mburreshin: “Hoqëm
bejlerët dhe agallarët”, por tani kemi sekretarët që merren edhe me fëmijët.
Turpi nuk peshohet me kile, atë duhet ta ndjesh, kurse fëmijëve, ajo lloj fjalë
u rëndonte në shpirt sikur të ishin gurë mulliri. Këtë sekretari nuk donte ta
dinte.
Drejtori
i shkollës, Jorgo Palltazi, e pa Mënyrin si u revoltua dhe për ta qetësuar gjendjen, me cigare në dorë,
iu afrua Mënyrit:
-
Ma ndiz pak, - i tha- ndërsa Mënyri i
zgjati cigaren t’ia ndizte, Jorgoja iu afrua duke
kthyer shpinën nga sekretari dhe i tha:
“Mos fol ti, se do të flas unë!”
Sekretari
i partisë e mbaroi fjalën gjithë xhind duke përplasur vizoren që ishte mbi
tavolinë e duke vështruar mësuesit të ulur në bankat e nxënësve, me shikimin e
eprorit absolut.
Drejtori
i shkollës, Jorgoja, u ngrit të fliste dhe të qetësonte gjendjen
-
Ne shoku sekretar, jemi mësues dhe
nganjëherë i përkushtohemi vetëm të qenit mësues,
këtë e kuptojnë vetëm ata që janë
mësues
-
Jo, Jorgo, jo, edhe ne i kuptojmë dhe
shumë më mirë nga ju, - tha sekretari dhe luajti
kokën…
-
Dakord, - shtoi Jorgoja,- por edhe ne
njerëz jemi, mundet që edhe nuk i kuptojmë ca
gjëra ashtu si ju. I pranojmë vërejtjet
tuaja, bëni mirë të vini më shpesh dhe të bëjmë takime të tilla të “vlefshme”, por ne jem mësues dhe mendojmë si mësues. Unë
të premtoj se do t’i kemi parasysh të gjitha detyrat që na sugjerove, por ne
mendojmë se nxënësve duhet t’u kërkojmë aq sa u japim, se kur të dalë në jetë,
ta zëmë se do bëhet mësues ose agronom, ça mund t’u japë të tjerëve, kur nuk ka
për vete dhe për këtë mbajmë përgjegjësi ne. Atëherë, ju ose një tjetër, në
mbledhje të tilla, do të marrë si shembull shkollën tonë që ka nxjerr nxënës të
dobët. Nota është për t’i nxitur nxënësit që t’u përkushtohen mësimeve.
Mësuesit për nxënësit, janë si prindërit për fëmijët, nuk mund të bëjnë
diferencime, por as nënëvlerësime se nuk mund të quhet mësues një që vepron
ashtu…
-
Dakord, dakord, - tha sekretari, - por ca
gjëra duhen pasur parasysh!
-
Po, pra, do t’i kemi para sysh, pa
merak, do të interesohem vetë. Nëse ke ndonjë
shembull konkret, mire është të na e
thuash, dhe nëse dëshiron, mund t’i marrim në provim në prezencën tuaj të dy;
dhe nëse vërtet janë vlerësuar kështu, të marrim masë për mësuesin…
Por sekretarit, kjo nuk i pëlqeu:
-
Kaq kisha,- tha, dhe u ngrit të dilte.
Edhe
shkolla e Çermë-Çiflig, e shndërruar në Çermë-Shkumbin, (fjala çiflig ishte e
dëmshme për kohën, shumë fshatra, por edhe njerëzish, u detyruan të ndërronin
emrat). Pranë këtij fshati ishte lagjja që quhej “Kamp”, d.m.th., kamp
internimi, kështu që edhe në këtë shkollë nxënësit ishin të “ngjyrave të
ndryshme”, d.m.th., biografia ishte “ngjyra” që i dëmtonte. Ishte bërë zakon që
fëmijët e klasave të ulëta të mbanin një shami të kuqe për qafe; quhej “shamia
pionierit”. Fëmijët janë fëmijë, ata lozin bashkë, nuk dinë dhe as nuk duhet ta
dinë ndarjen që i bëhej njerëzisë. Ata janë të “njomë”, në shpirtin e tyre të
kristaltë nuk duhet të mbjellësh ndjenjën e ndasisë e të urrejtjes, por të
dashurisë për njëri-tjetrit. Kjo është detyra e mësuesve!
Edhe
fëmijët tanë, kishin qejf ta mbanin atë lloj shamish, s’kishte ndonjë gjë të
keqe, bashkë ishin në shkollë, pse mos ishin njësoj? Por, atë që nuk e kuptonin
fëmijët, ishte drejtori që e kuptonte më mire. Edhe djali im kishte një shami
të tillë, por një ditë, kur ishin rreshtuar në mmëngjes, drejtori ia hoqi shaminë
nga qafa dhe për më tepër, i thanë që ta dëgjonin të gjithë nxënësit: “Ty nuk të takon ta mbash shaminë e
pionierit, nuk je si fëmijët tanë, se baba yt është armik, është në burg!”
Ka mëkat më të madh se të vrasësh zemrën e një apo të disa fëmijëve, sidoqë të ishte puna, a ka logjikë të quhen fëmijët e
asaj moshe “armiq”? Fëmijët tanë,
ashtu si ne prindit e tyre, përballen me urrejtjen e pamerituar, a mund të
quhet mësues ky që i bën fëmijët të urrejnë njëri-tjetrin? Po, ç’të mirë do
ketë ky popull në të cilin, si helmi i ngadaltë, fut në shpirtin e tyre
urrejtja për njëri-tjetrin? Nuk arrijnë këta mësues ta mendojnë për një moment,
sikur fëmijës së tij, t’ia bëjë dikush kështu? Këta ishin “intelektualët”, “edukatorët” dhe “komisarët
e parties”.
Por
kishte edhe mësues që dilnin nga guaska e izolimit të propagandas; shumica
zgjidhin heshtjen. Kur po më fliste një mësues, pas shumë vitesh se të gjitha këto
i kishte brengë, e pyeta:
-
Pse e pranonit në heshtje këtë gjë?
Ai
më tha:
-
Në errësirë duhet jesh shumë i
kujdesshëm se mund të pengohesh e të thyesh qafën
Kishte
të drejtë. Jeta që bënim, vërtetë ishte “errësira” ku mund të binin në humnerë.
Në atë shkollë kishte dhe mësues që vinin nga Lushnja, njëri prej të cilëve
ishte Shpend Sollaku Noe, i cili pati fatin të kishte nxënës fëmijët e këtyre
prindërve të mënjanuar, të përbuzur e të dënuar për faje që i pillte imagjinata
e sëmurë e kohës. Vetëm një zemër si e Shpendit, mund të përjetonte dhimbjen e
fëmijëve, që i përbuzte edhe vetë drejtori. Ai me fjalët e buta përkëdhelëse, u jepte pakës
kënaqësi, i bënte të buzëqeshin. Kishte fëmijë që donin ta linin shkollën fare,
por Shpendi u shkoi edhe në familje për t’i bindur të mos e lënë shkollën.
Ai
ishte natyrë e dhimbsur,- kështu janë njerëzit e letrave, - ndjente neveri për
ata që urrejtjen e tyre e zbraznin te fëmijët, të cilët nuk e kuptonin përse
urreheshin. Shpendi, ndryshe nga mësuesit e tjerë, fitoi admirimin e fëmijëve tanë.
Ata në sytë e mësues Shpendit, ndjenin keqardhjen. Ç’mund të bënte më tepër,
veçse t’i trajtonte të barabartë. Edhe fëmijët nuk donin gjë tjetër. Të rrallë
ishin mësuesit që u thoshin një fjalë të mirë këtyre fëmijëve. Shpendi, edhe
pse, sipas psikologjisë së kohës, nuk ishte i “klasës tonë” mirësjellja edhe
guximi e veçuan nga tjerët.
Fëmijëve
në atë moshë u flet shpirti; ata thonë çfarë ndjejnë së brendshmi e çfarë
shikojnë. Fëmijët, me padjallëzinë e tyre, të vlerësojnë ashtu si je, dhe
përshtypja që krijojnë në atë moshë, mbetet e përjetshme. Kur vinin nga
shkolla, na tregonin vetëm për profesor Shpendin. Tregimet e tyre na bënin
që edhe ne ta adhuronim profesorin e
tyre. Sjellja korrekte dhe respekti ndaj kujtdo qoftë, i vogël, i madh, i bukur
apo i shëmtuar, është karakteristikë e njeriut zemërgjerë, sidomos e
intelektualit të mirëfilltë. Kjo i bëri fëmijët tanë që edhe pas kaq vitesh, që
u bënë burra, ta admirojnë mësuesin e tyre. Shpendi ka mbetur idhull në zemrat
e fëmijëve tanë. Ky është Shpend Sollaku Noè.
Kishte intelektualë, mësuesë apo edhe ndonjë kuadër që nuk i ngjante
kohës. Asgjë nuk është e përjetshme, ata gëzojnë dyfish respekt sot.
==========================================================================================
No comments:
Post a Comment