Gjithkush ka dashuruar qoftë dhe njëherë, dhe nga që mizoritë e jetës janë të paimagjinueshme, gjithë secili ka vuajtur romancën e vetë të dashurisë…Rasti i heroit tonë, Qamil Panariti, një luftëtari shqiptar që dashuroi kur ishte 23 vjeç, dhe eshtrat ende i klithin pa prehje në hijen e kontinenteve ku ai militoi me zemër për lirinë, ka veçantinë që dashuria i mbeti e burgosur, vdekja i mbeti e burgosur, por, më së fundi edhe jeta i mbeti e burgosur …
Dy herë komandat batalioni, një herë i gjallë dhe një herë i vdekur
Kur u arrestua nga francezët në Korçë, Qamil Panarit, njëri nga komandantët e batalioneve të Sali Butkës, madje krahu i djathtë dhe këshilltari i tij i letrave, Plaku i Butkës kish ulëritur si i xhindosur për këtë pabesi evropiane. Ai kish dashur të takonte ata që kushedi sa herë i kishin bërë reveranca prej pashai këtij njeriu të thjeshtë dhe plaku të urtë, që ndjenja atdhetare e kishte ngritur në nivele gjeneralësh dhe që francezët, jo shumë ditë më parë, atje në Voskop të Oparit, i ishin ulur në gjunjë dhe i ishin lutur si qeni t’u gjente një zgjidhje të butë për Korçën, të paktën ai të mos i sulmonte. Domosdo, plaku kishte pranuar, po ja ç’i kishin bërë, vranë Themostokli Gërmenjin me një gjyq paçavure në Selanik dhe ja tani i morën edhe Qamilin, por tani s’kishte ç’të bënte, vetëm t’i binte murit me kokë.
Shumë vite më vonë, kur plaku i Butkës kishte vdekur, dhe në Shqipëri kishin ardhur pushtues të rinj ndaj të cilit ishin ngritur pushkët anë e kënd, dikush kujtohet që njësisë partizane të sapokrijuar në Vithkuq më 10 korrik 1943 t’ia vënë emrin Batalioni “Qamil Panariti”. Emri u vulos me brohoritma. Qamili për herë të dytë u bë komandant, por këtë radhë i vdekur, pasi komandonte vetëm emri. Batalioni i formuar nga çeta partizane e Vithkuqit dhe luftëtarë e partizanë të moshave të reja nga fshatrat Panarit, Lubonjë, Rehovë, Leshnjë, Shtyllë, Gjanç dhe katunde të tjerë të krahinës së Vakëfeve, zgjodhi si komandant Nasi Vithkuqin dhe komisar Shuaip Panaritin; të dy bij të mirënjohur të krahinës.
Detyrat kryesore të këtij batalioni ishin: të ruante zonën e Vithkuqit që ishte çliruar nga fashistët okupatorë e të mbante lidhje të pandërprera me forcat e tjera partizane të zonës së Qafës Qarrit, Kolonjës, Korçës e Skraparit. Është i vetmi formacion luftarak partizan i Qarkut që përballoi sulmin e organizuar të forcave italiane në fund të gushtit 1943. Më pas batalioni u rreshtua në Brigadën e Parë Sulmuese të Ushtrisë NAÇL Shqiptare. Emri i Qamilit u bë flamur fitoresh, në vazhdimësinë luftarake të këtij trualli ku mbillet e mbin dashuri e liri… dhe dikur më pas vegoi edhe një dekoratë “Urdhër i Klasit të Dytë për veprimtari patriotike” për pasardhësit e tij.
Kush është Qamil Panariti
Lindi në vitin 1883 në Korçë, kishte baba Rushitin nga Panariti i Vakëfeve të Korçës dhe nënë Havanë nga Leshnja e Skraparit. I ati vdiq herët. Hava Panariti, duke vlerësuar se pasuria më e madhe që mund të lërë një prind për fëmijën, është dituria, u interesua që të katër të shkolloheshin. Gjimnazin Qamili do ta mbaronte në Manastir, ku merrte dy lëndë nga atdhetari i madh gjirokastrit, Bajo Topulli, i cili e ndihmoi nxënësin e vet të thithte shpejt idetë më përparimtare, madje, me cilësinë e nëndrejtorit të shkollës, e ndihmoi që të mos e përjashtonin nga shkolla kur administrata turke pikasi se Qamili ishte anëtar i një grupi të fshehtë që luftonte për mësimin e gjerë të shqipes, për lirinë e mëmëdheut dhe pavarësinë e trojeve shqiptare. Tok me mësuesin e tyre, Bajo Topulli, nxënësit arratisen nga gjimnazi dhe dalin malit për lirinë e mëmëdheut, ndërsa e ëma e Qamilit e ktheu shtëpinë e saj në vatër patriotike. Më 3 maj 1907, 24-vjeçarin Qamil Panariti e shohim në rrethet e shqiptarëve emigrantë të Amerikës ku agjiton për Shqipërinë. Aty njihet me Fan Nolin, Faik Konicën etj. Një vit më pas, ai gjendet në Stamboll me veprimtari të dendur atdhetare. Në vitin 1910 ai luan si aktor përgjatë shfaqjeve në skenën korçare të dramës “Besa” të rilindësit të paepur të vatanit të shqiptarëve, Sami Frashërit. Qamili luan rolin e Selmanit. Aktorë të tjerë ishin Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e Hil Mosi. Lidhet me Spiro Bellakmenin dhe ndihmon që ai të futet ilegalisht nga Maqedonia në Shqipëri. Qamili, edhe pse tregon zotësi organizuese, mjeshtëri në luftën ilegale, maskim në qytet, aftësi sqaruese e bindëse në fshatra, bie në sy, spiunohet dhe burgoset. Pas disa muajve në burg, në qershor 1911, krijon çetën e vetë patriotike luftarake me 20 vetë, të rinj nga të dy fetë, ortodoksë dhe myslimanë, të cilëve as që u shkonte ndërmend ky fakt. Ai mblodhi ata që kishin një ideal, të shpëtojnë Shqipërinë nga sundimi turk. Pak kohë më parë ishin krijuar çetat e plakut të mençur e trim Sali Butka dhe atdhetarit Haki Mborja. Njihet me Halim Xhelon, vlonjatin që e strehon në shtëpinë e vetë.
Çeta e porsa krijuar nën drejtimin e djaloshit syfajkua, Qamil Panariti, kryen luftime e aksione luftarake në Tomorricë, Përmet, Skrapar, Kolonjë, Vakëfe. E dëgjojmë Qamilin në mbledhjen e Frashërit në vitin 1911, por e gjejmë edhe në krye të luftimeve në Orman Çilfik, në Berat, në Cakran e Mallakastër, për të përfunduar në aktin e madh të ngritjes së flamurit në Vlorë, ku është njohur, takuar e ka bashkërenduar pikëpamjet e veprimet me Bajram Currin, Hasan Prishtinën e Ismail Qemalin.
I ofrohen poste e grada në qeverinë e parë të Shqipërisë të Pavarur, por Qamili kthehet në qytetin ku lindi që të vijonte luftën për administrimin e fitores së arritur. Kalon nëpër Skrapar, ku është nip, takohet më Themistokli Gërmenjin, atë kohë aty nënprefekt, dhe më 16 janar 1913 me luftëtarët e tij godet forcat greke në Qesarakë. Në 1 mars 1914 luftëtarët kryengritës shqiptarë hyjnë triumfatorë në qytetin e Korçës, duke vendosur kështu për herë të parë edhe administratën e tyre. Komandant i korpusit vullnetar shqiptar u zgjodh Themistokli Gërmenji dhe Qamil Panariti me gradën kapiten është drejtuesi kryesor ushtarak i Qarkut, që përfshinte edhe Kolonjën e Bilishtin.
Janë vite shumë të mjegullta, kur Shqipëria që vuan nga mjerimi, dhe bijtë e saj luftojnë për t’u shkëputur nga perandoria osmane, është kthyer në shesh lufte ku bëjnë pazare e hanë kokën e njëri-tjetrit të mëdhenjtë e Evropës: Francë, Angli, Austro-Hungari, Itali e Greqi, ndërsa pasojat bien mbi të vegjlit…! Ndaj Qamil Panariti me shokë qëndrojnë vigjilentë. Grekët edhe pse u tërhoqën nga Shqipëria, me 300 forca, nën parullën e njohur Vorio-Epiriote i bëjnë puç kësaj administrate. Në vitin e ngjeshur 1914 Qamil Panariti drejtohet me armë kundër andartëve grekë që po i vinin zjarrin fshatrave të Skraparit e Beratit.
Edhe i vdekur, syrgjyn
Kalvari i vuajtjeve të Qamilit vazhdon. Na del nga shpirti fjala hero, dhe habitemi pse nuk e kanë shpallur Hero apo Nder të Kombit regjimet shqiptare këtë martir magjepsës!? Me siguri, falna zot, kanë frikë nga e vërteta! Qamili si pakkush ishte shqiptar i vërtetë! Ai padrejtësisht syrgjynoset prapa botës nga administratorët francezë të Korçës, por kurrë nuk dorëzohet, nuk humbet shpresat, vijon të mendojë për Shqipërinë, për nënë Havanë e për më tepër akoma edhe të dashurën e tij, një bukuroshe ortodokse korçare që e deshi aq shumë, për 17 vjet, dhe që fillimisht koncepti prapanik fetar nuk e lejoi, e më pas dënimi francez i padrejtë, fatal, e ndëshkoi …Por dashuria Qamilit i dha atë fuqi që mund të japë vetëm ajo…Atje në burg atij iu kthye dënimi me njëzet vjet.
Një martir magjepsës
Në atë burg francez famëkeq të sigurisë së lartë, Qamili kish shok vuajtjesh edhe një oparak, tjetër luftëtar shqiptar që mundi të shpëtojë gjallë. Aty në qeli, shqiptari “lis i Panaritit”, siç e kish quajtur Themistokliu, shkruante dhe “ia dërgonte” të dashurës çdo javë nga një letër. Tufa e të shkruarave u bë një kapicë e madhe. I bëri dikur edhe një dhuratë asaj lozonjareje faqekuqe korçare: Një vapor të vogël, të punuar me merak siç dinë të punojnë ashikët që iu privohet të shohin diellin…Por një ditë të zezë të vitit 1923, krejt papritur, një plumb pas shpine nga dora e tradhtisë, aty brenda në burg, e shtriu Qamilin përdhe për të mos u ngritur kurrë. Tradhtia si gjithnjë, ngelet si njolla më e zezë e më e zezë e shoqërisë, por edhe shtegu më i ngushtë dhe më i afërt i njeriut me kafshën!
Askush nuk lexon atë që të burgosurit shkruajnë…
Drejtori i burgut (kjo personalisht na habit dhe na bën të mendojmë se sa kompleks është qenia njerëzore, rrogëtar ndoshta jo i pastër, por qenie që ruan në një cep të ndërgjegjes së tij njeriun jo mëkatar ndaj të burgosurve, thërret oparakun, bashkëkombësin e të vrarit dhe i jep ato që u gjetën në qelinë e Qamilit, një grumbull i madh me letra të shkruar shqip me afshin e zemrës, dhe një vapor të vogël! ”Dërgoja familjes si shenjë që djali i tyre ka vdekur!”, i thotë ftohtë drejtori të burgosurit. Amaneti u shpu në vend. Në Korçë, e dashura, tashmë e martuar, e dëgjoi me pavëmendje të ardhurin, e priti dhuratën nga Guajana e Amerikës Latine, ashtu në këmbë, veshur me robdëshambrin e vetë smerald, te dera e shtëpisë dhe në sy të tij shqiptoi: “M’u beto se askujt nuk do t’ia tregosh këtë histori”, dhe i hodhi letrat sakaq pa i lexuar fare, në zjarr. Shoku i Qamilit filloi të qajë si foshnjë. Por historinë e mbajti në gji dhe vetëm pak orë para vdekjes ia tregoi komandantit Riza Kodheli.
Eshtra që nuk treten!…
Nga viti 1944, kur u çliruam nga nazifashistët, e deri më sot kanë kaluar shumë vite nëpër udhë dy shekullore dhe akoma nuk janë gjetur e sjellë që të prehen në atdhe eshtrat e Qamil Panaritit, atij martiri që i përket të gjithë shqiptarëve; akoma shteti dhe organizatat shoqërore nuk financojnë për t’u bërë nderimet që u takojnë atyre që flijuan jetën për lirinë e këtij vatani! Si qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, jemi të mendimit që ajo që nuk është bërë mirë deri më sot, të ndreqet tani që jemi në prag të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të bëhet një rivlerësim, të paktën t’i merren eshtrat që nuk treten nga malli për atdheun atje në Guajanën e largët Franceze…
Dy heronjtë e Korçës “franceze”
Në tetor 1916, sipas një marrëveshjeje të të mëdhenjve, trupat franceze hyjnë në Korçë, fillimisht ndjekin një politikë progreke e muaj më pas jo në përkrahje të tyre. Ata detyrohen të nënshkruajnë protokollin e datës 10 dhjetor 1916 që e shpall Korçën Republikë Autonome. Ngrihet flamuri kombëtar. Fillojnë veprimtaritë atdhetare: hapen 60 shkolla shqipe; ngrihen ura; përmirësohen rrugë… Por shpejt francezët ndërruan pllakë. Me që Greqia u radhit në anën e forcave të Antantës, e nën petkun për t’u mbrojtur edhe nga austro-hungarezët, ata morën krahun grek, ia kufizuan forcën vepruese Republikës Autonome dhe në nëntor 1917 arrestuan Themistokli Gërmenjin dhe e dënuan me vdekje nga një gjyq i inskenuar në Selanik. Në qershor 1918 arrestuan shefin e policisë së qarkut, krahun e djathtë të Themistokliut, njeriun që qeveria shqiptare e kohës e pati dekoruar me urdhrin ”Besë e Bashkim” kur luftoi e dërrmoi hordhitë zjarrvënëse pushtuese greke, luftëtarin dhe drejtuesin e shquar, Qamil Rushit Panariti. Ai si dhe miku i tij pati të njëjtin fat: Dënim me vdekje me akuzën e sajuar si filoaustriak, por me një ndryshim, të vuante dënimin deri në ekzekutim në Guajanën Franceze, në Amerikën Latine.
Ilmi QAZIMI
May 10, 2015 09:02=========================================================================================================
No comments:
Post a Comment