Wednesday, October 10, 2018

JETOJ NË NJË KOSOVË - Poezi nga SYLEJMAN QYQALLA

SYLEJMAN QYQALLA

JETOJ NË NJË KOSOVË

Jetoj në një Kosovë,
ku ke frikë nga dita,
ke frikë nga nata,
Ku nëna qan për një misernike,

për fëmijët e djeg kafshata.
Ku njeriu ushqehet me gënjeshtër
dhe shekujt i paguajmë shtrenjt,sa një mal;
të vritet e vërteta- mbahet në shënjestër…
në vend të njeriut-të prin një kalë.
Jetoj në një Kosovë,
ku secili agimin e zbardh me hile,
ku të vjedhë e ku të kapë.
Jetoj në një Kosovë,mbushur me skile,
mbushur me krime e satrapë.
Jetoj në një Kosovë,
ku dheu e guri qajnë me lotë,
ku kënga u zbeh-mbeti sakat.
Jetoj jetim me shpresën e kotë,
ku oborri të bëhet sokak.
Jetoj në një Kosovë,
ku çdo gjë e bukur mbytet
dhe ëndrrat janë prerë në mes.
Jetoj në një Kosovë,
ku njeriu shitet si prostitutë,
nga të pabesë.
Jetoj në një Kosovë,
ku gruaja për lindje frikë ka,
Jetoj së koti-siç thonë-sot për sot.
Atdheu s’mbeti për ne,veç për “ATA”…
sa shumë,moj nëna,qatë me lotë!
Jetoj në një Kosovë…se s’kam tjetër,
njësoj këta zinxhirë me ata të vjetër.

Jetoj…po dhe qeni jeton!
O hoxhë,
po më shave Gjergjin,
Pashkon,flamur e Shqipni-
unë të pështyj fenë tande me gjithë ty!
-----------------------------------------------------------------------------------------------------------------
PËR DASHURI
Unë s’të solla veç dy tufë trëndafili;
ti e di,moj zemër-unë nuk jam kurnac!
Këputa degën,ta solla në krahë bilbili;
për dashuri-kurrë s’kam qenë përtac!
Nuk të solla lule veç dy tufë,e di,
në mes degësh,ta vura pëshqesh zemrën.
Në nektar,si ëngjëj,jemi unë e ti,
ndaj,për ty,s’do ta pushoj dot këngën.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Gjuhësi
Eh,bre media kosovare,më mirë të mos ishit fare;na e fëlliqët Gjuhën tonë të bukur!
Ooo,mos flisni serbisht me gjuhën shqipe!
Nuk thuhet:
-“Material shpenzues,harxhues”;

“Përkundër faktit…”;
-“Përndryshe quhem…”;
-“Flasim në katër sy…”;
_“Biletë kthyese”;
-“I njejti” (-kur flitet për një person në disa veprime).
E,si të mos them: “Sa bukur që s’kam lexuar literaturë jugosllave!”?

===================================



No comments:

Post a Comment