Wednesday, October 24, 2018

TRE LOPATA, 60 VJET BURG. - Nga Shefqet Dobra



TRE LOPATA, 60 VJET BURG.

Zbori ishte sa i lodhshëm, aq i mërzitshëm por, më shumë i rrezikshëm. Kudo, në çdo mal e kodër, hapeshin tunele, pa as një siguri teknike, ku shumë njerëz mbetën brenda për gjithmonë, të gjithë humbnin ditët e punës me të cilën duhet të punonin në kooperativë të siguronin bukën e fëmijëve, bënin punë angari, që nuk vlenin për asgjë. Çudia ishte se, sipas mendjes gjeniale të asaj kohe, armiku mundohej ta sabotonte, po ku ishte armiku? Sigurisht që midis nesh. Sehit Albrahimin bashkë me djalin dhe një fshatarin e tyre, S. Kodraliu, i kërkuan në zbor.

Një ditë ata nuk i gjetën lopatat, aty ku i kishin lënë. Kërkuan e kërkuan, pasi nuk i gjetën, Sehiti tha një fjalë që, në ato zona, përdorej rëndomtë: “Këto u zhdukën sikur t’i ketë marrë Ibreti, more burri i dheut; dmth, sikur i ka marr “dreqi.” Kjo fjalë ishte armiqësia më e rrezikshme dhe, i arrestuan.

Hetuesia qe e vështirë, e quajtën Sabotim të veprës ushtarake që, në rast lufte, me këta tunele do luftonim Amerikën, Gjermanin e Rusin dhe do t’i mundnim pa tjetër, deri sa e thoshte udhëheqësi e partia, sigurisht që do i mundnim. Njëri prej tyre, S. Kodraliu, u shndërrua në dëshmitar për të fituar lehtësim të dënimit. Hetuesia përqëndrohej kryesisht te Sehiti, si kryetar i grupit.

Një i moshuar, i pa shkollë sabotonte fortifikimin ushtarak. Kur e merrnin në pyetje, u kërkonin të pranonin se i kishin fshehur qëllimisht lopatat që të pengonin mbarëvajtjen e punës.

-        
Ç’ke dash të thuash me fjalën “Ibret”kush është ibreti? E pyeste hetuesi
-         Ibreti, është dreqi që i bën njerëzit të ngatërrohen, me njëri tjetrin.
-         Po,  kush është dreqi, sipas teje?
-         Dreqi është shejtani.
-         Po kush është shejtani, më thuaj, i tha hetuesi.
-         Ai që ka marr lopatat, që të më marësh ti mua në burg.
-         Po,  kush thua ti, është ai?
-         Atë duhet ta gjeshë ti, ashtu si më gjete mua.
-         Pse i mçefët lopatat, pse doni të sabotonit....

-         Ti, beson vërtetë se kemi mçef ne lopatat tona? Çleverdi kem ne? ne duam të mbarojmë sa më shpejt zborin që të punojmë në kooperativë. Nuk besoj se e beson ndonjë se unë, kam fshehur lopatën time.

-         Urrejtja që keni u zë sytë, u bllokon mendjen – i  tha hetuesi Sehit.
-         Që veglat nuk i kemi mçef, të paktën unë me djalin tim,  ta them me bindje. Është turp o zoti hetues, të thuhet se mbeti puna pa bërë, pse humbën lopatat. Ju krijuat sebepin dhe na arrestuat bigari hak! Tashti ça kërkon prej meje?
-         Jo, se ju, me këto marifete, më bëni mos u dua.
-         Ne e dim që nuk na doni, prandaj i ke fshehtët lopatat.

-         Unë nuk u kam dashur, nuk u dua dhe  nuk dot’ ju dua, as Enverin, as komunizmin, por, këtë e kam pas në mendjen time, nuk ia kam thënë asnjë njeriu të gjallë. Njerëzit nuk dënohen për ça kanë në mendje. Tashti që më more këtu, unë do pranoj ça të duash ti, veç që kam vjedh lopatën time, kurrë nuk do ta pranoj dhe asnjë nga ata që më njohin, nuk do ta besojnë. Ju shkruani ça të doni, unë dotë firmos. As në gjyq mos më merrni, hiç, se po kështu do të them edhe atje, më dënoni sa të keni qejf, më i qetë jam i vdekur se i gjallë e me ju; besoj se u mjafton kjo.

Nuk është nevoja të flitet për trajtimin në këtë rast që i bënë Sehitit. Atë Sehiti e di. Sehitit nuk ia plotësuan dëshirën, e morën në gjyq, por, megjithëse e porositen, mos thoshte  “nuk e dua Enverin dhe të kërkonte mëshirë, se për ndryshe do të përsëritet hetuesia dhe më e vështira Sehiti, nuk ndryshoj mendimin”.


Vetëm vjedhjen e lopatave, nuk e pranoi as në gjyq.

Sehitin e dënuan 25 vjet, djalin e tij 20, S- Kodraliun, spiunin 15 vjet. Sehitit i premtoi hetuesi fund të llahtarshëm, por fati ndryshoi. Ndodhën ndryshimet dhe Sehiti me djalin dhe spiunin, dolën njëherësh nga burgu. Nuk mund të themi u liruan, u përmbys sistemi, ra pushtetin, nuk mund të ndodhte ndryshe.


Kisha qejf ta njihja këtë njeri, s’dija si ta përfytyroja dhe m’u dha rasti. Kur u formua shoqata e të përndjekurve në Librazhd, njoha dhe Sehitin. Trimëria e burrëria nuk do të thotë sa i madh a i vogël është njeriu; Sehiti nuk ishte gjigant nga trupi por, si thonë andej “Zemrën nuk e kishte tul, e kishte me kockë.

SHEFQET DOBRA

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

No comments:

Post a Comment