Tuesday, October 30, 2018

Ditelindja ime - Poezi - Gentjan Hasanas


Fryu 
një erë kësaj mesnate,
rrëzoi 
ditën nga kalendari, 
si këputet degëve një gjethe.

E paaftë 
gozhda në mur 
të mbajë kohën mbërthyer.

Rrëzohen,
rrëzohen ditet si gjethe. 
me peshë të pazakontë…

Pak para 
se të arijnë në tokë 
mbi supet e mia qëndrojnë.

VAJI I SHKRIMTARIT (Kushtuar atdhetarit dhe shkrimtarit Muharrem Blakaj)

VAJI I SHKRIMTARIT
(Kushtuar atdhetarit dhe shkrimtarit Muharrem Blakaj)

O qiell i amshuar, o tokë me varre
o shkëmb i kuq e troje të kësaj ane, 
me jepni fuçi e pak guxim,
të shkruaj me penë e me gjakun tim.

“Misioni sekret” nga këmbë armike 
“Thesaret e humbura” nga dorë çetnike
me “Atentate” e vrarë djalëria
mbuluar me gjak po vdes trimëria.

e kthyen “Paraardhësi’n” e babës dovlet
e therin minaret qiellin e shkretë
ti hoqën prangat nga dorë e robërisë
ta pushtuan shpirtin me fije të Turqisë.

Të mbetur jetim në iliri
Të vrarë e të prerë në Dardani
Erdhi “Mëndesha” e na dha gji
Na e mbylli rrugën për ardhmëri.

E vetme pena me mbeti ngatë
një kallamarë e mbushur me gjak
dhe fjala e ëmbël e strukur në gji
mbi Atdhe skalitur; “të dua liri”.

Isa Maloku

==========================================================================






Monday, October 29, 2018

"Portreti" - Poezi nga Pullumb Ahmeti


Portreti ....
Gjatë u mendua piktori,
ku boja i thahej shpesh në penel

Sytë e fshehur vallë vasha ku i hodhi?
Shpirti çka mbledhur e buza se shpreh. 
Skicoi me endje vija kanavacës
Ku fshinte me pece pika boje pikonin nga balli kristalet e djersës 

Mendimet bridhnin bardhësisë si pjesë e një loje.
Portreti ringjallej mes syve ngadalë
Ç'far priste vasha me sytë përdhe?
Peneli mbështillej flokëve radhë radhë
Të pinte mos pinte një gllënjkë kafe.

Harruar vallë a deshi kur doli
Gjysmën e shpirtit e la në dritë

Ç'far deshi t'i thoshte me penel piktori?
Kur telajos mbaroi si ngriti më sytë

******Varg Ahmetian,,
5 gusht,2018. Ora 11"00"
Pikturë e mjeshtrit të penelit Lefter Babi

Sunday, October 28, 2018

ANALIZË ME PASOJA TË RREZIKSHME TË „MARREVESHJES KOSOVË-SERBI“, NË DRITËN AKTUALE TË PROGRAMIT DHE SHKRIMEVE...


Brahim Ibish AVDYLI:



Analizë
me pasoja të rrezikshme të „marreveshjeS Kosovë-Serbi“,
në dritën aktuale të programIT
dhe shkrimEve...


Në këtë analizë tonën do ta shqyrtojmë programin e tejkaluar të “Lëvizjes për Bashkim”, nga aspekti gjeo-strategjik dhe historik; dhe disa shkrime të tjera; pikërisht theksimet e dëmshme të në aspektin historik dhe ekonomiko-social e politiko-aktual. Nuk ka dyshim se “Marrëveshja Kosovë-Serbi” vjen në dispropocion të të gjitha vlerave tona historike dhe në dispropocion të vlerave të sotme aktuale. Paraprakisht po ndërlidhemi në disa aspekte me faktorin ndërkombëtar; prej tij vinë katër (4) faktorët e procesit të „marrëveshjes Kosovë-Serbi“, si dhe rroli i tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, në baraspeshë të tyre do t`i shikojmë më kryesorët e faktorëve ndërkombëtar: SHBA-të dhe BE-në, respektivisht, UNO dhe Gjermaninë.

Në radhë të parë, marrëveshja Kosovë-Serbi për ndërrimin e territoreve shqiptare të Kosovës me territoret shqiptare të Serbisë jo vetëm bie ndesh me përpjekjet shumëvjeçare të kombit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi, por edhe të së drejtës ndërkombëtare për të qeverisur vetë pasurinë nëntokësore e mbitokësore të Kosovës dhe të jetë sovran e i pavarur.

Kur flasim për SHBA-në, do të bazohemi në theksimet e zyrtarit të lartë amerikan, Mattew Palmer, zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve; respektivisht prej Gjemanisë e Angela Merkelit, Deputetit të CDU-së, Peter Bayer, koordinator i Qeverisë gjermane për bashkëpunim transatlantik, i cili e paralajmëron edhe Beogradin; avokatit e publicistit më të mirë të Shqipërisë, z. Spartak Ngjela; të profesorit të UNI të Parisit e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare Valon Murtezaj; të Dokumentit programor të “Lëvizjes për Bashkim”, nga “Këshilli i Përgjithshëm”, e cila është një “platformë polike”, e jo platformë historike e gjeostrategjike “përfundimtare”, siç e quan Raif Çela, të “çështjes shqiptaro-serbe”; të planifikimit të ndarjes së Kosovës, gjoja planifikimit të “korrigjimit të vogël” të kufijve, në mes trinomit Vuçiq-Rama-Thaçi, të statuar në NishSerbisë, pas luftës.

Nuk do mend se duhet edhe njëherë të potencojmë atë që mija herë e kemi thëne se Republika e Kosovës është një shtet i lirë, sovran, i pavarur, demokratik dhe pro-perëndimor, i njohur nga pjesa dërmuese e shteteve të nevojshme, me plot pasuri të xeheve, të mineraleve, materieve të arit, nikelit, boksitit dhe uranit, të cilat shpeshherë i kemi vënë në dijeni. Kësaj here, po e marrim edhe njëherë z. Spartak Ngjela, nga Shqipëria, i cili thotë se Kosovën mund ta ndajë vetëm lufta, sepse ajo është shtet dhe e ka krijuar ushtrinë e saj, si shtet i pavarur, një kërkesë e bërë qe dy vjet për pranim nga SHBA-të, e cila u realizua me rëndësi të posaçme, në këtë javë.[1]

Po e theksojmë edhe njëherë se globalizimi e ka përfshirë tërë botën, me ose pa dijen e plotë të popujve të vegjël; ajo është një strategji e një ideologji, e cila kudo e ka vënë në spikamë tolerancën e saj për etnitë e shumta dhe fetë e ndryshme; nuk i lejon askënd të vendos mbi shtetet e vogla nacionalizmin e ultë, qoftë në drejtim të fesë, qoftë në drejtim të etnive, aq më pak kur disa të tilla janë themeluar në mënyrë të dyshimte, si konglomerat të pakicave.

Po e theksojmë me këtë rast fjalën e zyrtarit të lartë amerikan, Mattew Palmer, në intervistën e dhënë në gazetën “Koha Ditore”, e datës 25 tetor 2018, se “Kosova është një shoqëri multietnike: kjo është bërthama e identitetit të saj. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën si shoqëri multi etnike. Në Kosovë ka vend për shqiptarët etnikë, ka vend për serbët etnikë, ka vend për goranët, turqit e romët, dhe për të gjithë të tjerët që janë qytetarë të Kosovës pavarësisht prejardhjes së tyre etnike... Ne do të vazhdojmë të kemi partneritet me Kosovën, me autoritetet e Kosovës, me shoqërinë kosovare, në përkrahje të qëllimit për një civilizim multi etnik, të fortë e të qëndrueshëm, ku gjithsecili ndihet fuqishëm pjesë e tij.” [2] Kjo është një gjë e qartë.

Ndërsa, në vizitën e tij pas Prishtinës, në Beograd, Deputeti gjerman i CDU-së, njëherit kooridantor i Qeverisë gjermane për bashkëpunim transatlantik, Peter Beyer, e shtron në tush të ftohtë Serbinë, duke i thënë tekstualisht se nuk ka hyrje e pranim në BE Serbia pa e njohur Kosovën, dhe përpjekjet serbe për shkëmbim territoreve shqiptare plot minerale e xehe me disa toka tjera shqiptare është kërkesë e kaluar nacionaliste serbe, e ruajtur gjallë, të thënë si “korrigjim të kufijve”, por Kosova është tashmë e pavarur dhe Serbia duhet që ta njohë de jure këtë pavarësi. “Në të kundërtën- siç thotë tekstualisht Beyeri, Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian”.[3]

Në profilin tim publik disa herë e kam nxjerrë Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilën e kemi të pashkëputur në bashkëpunim, dhe po e theksojmë se ajo është e pakënaqur me sjelljen e Hashim Thaçit; atij disa herë ia ka hequr vërejtjen shoqërore, dhe së fundit në Prishtinë nga Peter Beyer, të cilit, ia ka kthyer “me të nxehtë” se “Unë jam president, unë vendos për ndryshim të kufijve”, kur Peter Beyer e këshillonte si mik të hiqte dorë nga kërkesat e tij, kështu që Thaçi doli edhe njëherë hapurazi kundër Kancelares gjermane, Angela Merkel, e cila ishte kundër ndryshimit të kufijve.[4]

Harroi Thaçi çka është pozita e tij si president në Republikën e Kosovës. Në Republikën e Kosovës Kryeministri e ka rëndësinë kryesore dhe jo presidenti. Qeveria e Kosovës është qeveri parlamentare ndërsa në Shqipëri, e cila është Presidenciale, është Presidenti i Qeverisë. Kur thotë para deputetit të CDU-së dhe Koordinatorit të Qeverisë gjermane për bashkpunim transatlantik, Peter Beyer, se “unë jam President, unë vendos për korrigjim kufijsh” ai bën gabime kolosale: në Kosovë nuk vendos “Uni” i Presidentit, por vullneti i popullit të Kosovës; në Kosovë nuk vendos “Uni” i Presidentit, por vendos Kuvendi i Republikës së Kosovës; nuk vendos “Uni” i Presidentit, por Kryeministri i Republikës së Kosovës, dhe, në fund, “Uni” personal e nxjerr automatikisht prej kontekstit të “korrigjimit të kufijve”, pas 18 vitesh

Kjo tregon se ai më tepër i jep vetes së tij rëndësi, se sa detyrës e obligimit që i ka popullit të tij. Populli nuk ka nevojë për gënjeshtra të tilla tradhtish, por do që të mos e ndjeni veten sikur “zot”, sepse kjo do të mund të hakmerret, aq më shumë kur “i harron” 25`000 dëshmorët e luftës së UÇK-së, korrigjimi i kufijve është një ide e rusëve dhe serbëve, siç deklarohet me 20 tetor 2018, e ky është Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës. [5] Kjo e shokon Thaçin, thuhet pas kësaj interviste të Deutsche Welle-s (DW), për lexuesit e “Botës Sot”.

Ne po e themi se Kuvendi i Kosovës e ka fjalën kryesore, pas votimeve të popullit të Republikës së Kosovës, por në qoftë se Kuvendi e shkel premtimin e deputetëve të cilat ia ka bërë popullit të tij gjatë zgjedhjeve, automatikisht kthehet kundër popullit dhe populli është sovran; atij i takon të vendosë për të veten e tij, për të tanishmen dhe të ardhmen e tij; për kufijt e shtetit të tij. Sovrani i një shteti është populli i këtij shteti, ndërsa presidenti është i varur prej popullit dhe organeve që ka zgjedhur ai, pra edhe kryeministri, edhe pse është i veçantë, por zgjedhet me vota nga parlamenti, në shtetet parlamentare.
Sovrani mund ta shpërbëjë qeverinë e kuvendin kur nuk e përfillin popullin e tij; mund të nxjerrë referendume jashtë partive e t`i kthejë për votim direkt në popull, edhe pse këtë gjë e ka pak më të panjohur.

Të mos e harrojmë kurrsesi se jemi çliruar me ndihmën e këtyre faktorëve ndërkombëtarë pas vuajtjeve të mëdha nga sistemi autokratik serbo-jugosllav e dhuna e shfrenuar e tyre; nga burgjet, vrasjet, dhunimet, shfrytëzimet serbo-mëdha; prej shovinizmit e ultranacionalizmit serbo-sllav; dhe jemi tkurrur me territoret e vogla të Kosovës prej Mollës së Kuqe pranë Nishit, dhe jemi të lirë, të pavarur, demokratik e pro-perëndimore. Prandaj, nuk guxon as Rusia e as Serbia të na prekë. Sovrani i Kosovës është populli i saj dhe po flas në emër të tij. Ai është kundër çdo lloj ndarje; ai është kundër çdo prekje të Kosovës.

Po e theksojmë se Mattew Palmer thotë se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj shtetësisë së Kosovës, dhe se statusi nuk është temë e diskutimeve me Serbinë, ndërsa marrëveshja në mes të dy presidentëve nuk do të jetë e mjaftueshme, por së paku të dy parlamentet e këtyre dy shteteve duhet të marrin pjesë në këtë proces. Ai thotë tekstualisht se “vetëm fakti që dy presidentët arrijnë një marrëveshje, nuk do të thotë se ajo marrëveshje do të ndodhë”.[6] Më poshtë ai shton se: “jam i sigurtë se do të ketë përfshirje të parlamenteve në të dyja vendet. Ka mundësi të mbahen referendume, por këtë nuk e di pasi që varet prej vetë sistemeve politike për të vendosur vetë se çfarë është e doemosdoshme për krijuar përkrahjen e legjitimitetin e duhur për zbatimin e marrëveshjes së përmasave të tilla”. [7]

Në fund thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas objektivave e vizionit që kanë, mbetet i njëjtë apo krejtësisht i njëjtë ndaj Kosovës si shtet multi etnike, ndërsa kundër opicionit gjerman nuk do të fliste me këtë rast.[8]
Opinioni i dytë dhe principielisht i dytë ndërkombëtar, Gjermania si bosht i BE-së, është në kundërshtim të plotë të të dy aktorëve me teatrin e madh e të përgjakshëm të Kosovës drejt Serbisë, që po e luajnë Vuçiqi e Thaçi, të cilëve prapa kurrizit u qëndron Rusia, por edhe Turqia dhe Greqia, e shprehur më së miri prej Deputeti të CDU-së, Peter Meyer, i cili e thekson se është duke shqyrtuar idenë e Gjermanisë dhe të Kancelares Angela Merkel, e cila ishte e vetmja që ka deklaruar kundër idesë së një Marrëveshjeje Kosovë-Serbi, e cila është e rrezikshme jo vetëm për stabilitetin e Serbisë dhe të Kosovës, por edhe për Republikës Serbe të Bosnjës; për Ukrainën dhe Krimesë, apo pjesë të tjera të Evropës Lindore, prandaj të gjithë duhet të heqin dorë nga kjo ide, madje menjëherë të heqin dorë, e të stabilizojnë shetet e tyre.

Beyer këshillon: “Ju përqendrohuni në Marrëveshjen e Brukselit dhe zbatimin e saj. Nuk ka kushte të reja apo vija të kuqe. Besoj se të dyja palët, serbet dhe shqiptarët e Kosovës, sikuse Komisioni i BE-së dhe përfaqësuesja e Lartë e BE, duhet të kthehen mbrapa dhe të lexojnë çfarë janë marrë vesh në Marrëveshjen e Brukselit dhe çfarë është arritur deri më tani... Askush nuk duhet të jetojë me iluzionin se një zgjidhje paqësore do të arrihet duke rishkruar kufij të rinj bazuar në parime etnike”... Serbia nuk duhet të frikësohet nga procesi i transfo-rmimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.. Kosova duhet të ndërmarrë përgjegjësi për sigurinë e saj, në të ardhmen”.[9]

Në fund, ai thekson këtë se “është me rëndësi që të gjithë ta kuptojnë një gjë, që ka qenë e qartë që nga fillimi i procesit të dialogut se normalizimi i marrëdhënieve, apo dialogu në përgjithësi, nuk do të ndodhë pa njohjen de facto të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. [10]

Ideja për korrigjim të kufijve në Kosovë ka në fakt shkëmbimin e teritoreve të Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegje), siç ka dashur të thotë Hashim Thaçi e goja e armiqve më të mëdhenj Rusia e Serbia dhe puthadorët shqipfolës “Lugina e Preshevës”, edhe pse janë deklaruar me referendum të datës 1 e 2 mars të vitit 1992, d.m.th. 26 vite para sotit, sikurse p.sh. Krimeja e Ukrainës, për autonominë politike e teritoriale të Medvegjes, Bujanocit e Preshevës, dhe siç e kam vënë disa herë në faqen time provizore.[11] Kështu e ka nxitur për t`u bashkuar me Shqipërinë dhe Kosovën, pa e thënë se Serbia dhe Rusia duan të marrin prej Ibrit pjesën e Kosovës, që në fakt është shumë e padrejtë dhe shumë e dhemshme, aq më pak është një pjesë e madhe e hambarit të Kosovës, sepse Kosova vlenë dy fish më tepër se Serbia.[12]
Kështu ka deklaruar atëherë profesoresha ruse, Prof. Dr. Anna Kodratyuk, në Institutin Arsimor të Shkollës së Diplomacisë në Gjenevë/CH apo në një intervistë të faqes sonë të internetit, dhe ajo nuk mund të bëhet, sepse ka toka të tjera që duhet t`i japë Serbia, e jo të marrë as 1 metër tokë prej Kosovës. [13]

De facto, kur analizon Prof. Dr. Muhamet Kelmendi referimet e guximshme të Deputetit të CDU-së në Prishtinë para pritësit të nxehur, presidentit Thaçi, të datës 25 tetor 2018, thotë se ka zgjedhur metodën aspak diplomatike me Peter Beyer, kooridantor i Qeverisë gjermane për bashkëpunim transatlantik dhe se më tepër se askurrë i ka paraqitur anët negative, që lë të kuptohet mirë pozita e tij e pazgjedhur. Sipas Profesor Kelmendit, Thaçi do të bëjë në Paris me 11 nëntor, një bisedë për një marrëveshje të tillë të faljes së tokës së pasur shqiptare për shovinizmin serb, presidentit Vuçiq, me ndihmën e presidentit francez Emmanuel Macron dhe forcave të tjera ultranacionale.[14]

Dosja kriminale e Thaçit mbushet plot e përplot. Nuk ka tjetër pos kësaj. Ai dëshiron të dëmtojë tokën më të pasur të Kosovës me territore të tjera jashtë Kosovës, përkundër Shpalljes së Pavarësisë dhe vendimit të Gjykatës Ndër-kombëtare të DrejtësisëHagë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe eurodeputeti francez, Danjean d`Arnaud, i cili si shërbyes i lartë i shërbimeve franceze sekrete në Ballkan ka arritur të nxjerrë prej ilegales Hashim Thaçin e ta fusë në sferat më të larta të politikës me qëllime të caktuara.[15]

Tani po i kthehemi njëherë dokumentit programor të Lëvizjes për Bashkim nga Këshilli i Përgjithshëm dhe Paltformës së saj politike për zgjedhjen përfundimtare e çështjes shqiptaro-serbe. Në radhë të parë, në platformën politike dhe jo historike, në hyrjen e saj , edhe pse e nxjerrë një organizatë e vogël, e quajtur “Lëvizja për Bashkim”, “ballafaqohet” me “problemin e ikjes” së qëllimtë të qetësisë në Kosovën Veriore, për t`ia haprur rrugën e paqelur 26 vite me radhë pas referendumit të Kosovës Lindore, jashtë Kosovës. Ky është “ballafaqimi” shqiptaro-serb, të cilin e lënë 18 vite pa e rrahur. Ajo e shikon këtë punë si “fitore në vetvete, të paktën për ne”, e kjo nuk është aspak fitore e jona, sepse fitore e jona mund të konsiderohet për të dy rastet:

1.   Nataliteti natyror i shqiptarëve është një faktor relevant, nëse i shfrytëzojnë vetë pasuritë natyrore dhe ajo nuk u falet armiqve tanë shekullor serb, pasi jemi bërë shtet i pavarur me këtë tokë;
2.   Rritja e gjeo-strategjisë amerikane me ne, pas SHBA-ve forcimi i NATO-s në Gadishullin Ilirik (jo Ballkanik!) në raport me influencën kundërshtare të Rusisë e Bllokut të Lindjes, në vazhdimësi, pa trevat e pasura tona, pra Kosovës Veriore.

Këto dy faktorë relevantë për shqyrtimin e kësaj çështje nuk është marrë me mend dhe nuk është shqyrtuar. Kjo zgjidhje nuk është “zgjidhje”, sepse e sjellë Rusinë drejt e në Bonsteel, nëpër duart serbe e nëpër duar serbofile.

Historiku i kësaj platforme nuk është histori. Historikun e kësaj çështje të mbledhjes së shënimeve paraprake është në vend historisë së vërtetë, edhe nëse janë të lidhura me historinë e Luftës së Dytë Botërore. Ky historik futet gabimisht, duke u lidhur nga njëra anë me PDK-në, sado që janë thënë gjëra paradoksale, të cilat nuk bien në sy, si psh. “shtetit të vet kombëtar Serbia”, sepse shteti i Serbisë nuk është “shtet kombëtar”, por shtet i krijuar nga pakicat e ndryshme, të cilat e flasin një gjuhë, pra konglomerat nga pakicat.

Në vazhdim, merret me problemin e raporteve shqiptaro-serbe, pas sa vitesh. Pavarësia erdhi qe 10 vite me radhë (2008), e çështja e Mitrovicës Veriore dhe Kosovës Veriore lihet e ndarë dhe pakujdes të sigurisë.[16] Pala serbe vjen kur të dojë në Drenicë, Fushë Kosovë, e rrethinë të Obiliqit apo dikund tjetër, herë me tekste e paraqitje ultranacionaliste. Çështja shqiptare nuk shihet aspak drejt e trajtohet padrejtësisht. Nuk është çështje e Kosovës dhe Serbisë, por e Gadishullit Ilirik. [17] Veriu i Kosovës është i Kosovës. Nuk mundet t`ia jep Serbisë askush, aq më pak prej Kosovës demokratike e të pavarur. Kjo është gjymtim tipik i shtetit të Kosovës nga politika serbe. Ajo ka ndryshuar rrjedhën e interesave të veta, duke e shfrytëzuar interesin amerikan në segmentin Tiranë-Prishtinë.[18]

Edhe pse e dimë mirëfilli kush e ndau Mitrovicën Veriore dhe Kosovën, mu për rreth Ibrit, më 1999, miku i serbëve, komandanti i forcave speciale franceze, Zhak Hogard, nuk po e cekim më tutje. Në këtë ndarje janë të tri komunat me shumicë serbe, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, të cilat i kontrollojnë pasuritë e mëdha të Kosovës e Mitrovicës Veriore.  Serbët duan t`i pastrojnë nga shqiptarët etnikë me serbë të tjerë, duke e ndihmuar edhe shpopullimin e tri qyteteve të Kosovës Lindore (Preshevës, Bujanocit e Medvegjes). Ato i detyron vite me radhë të kalojnë në Shqipëri, për çka e ndihmojnë paraprakisht amoralitetin e abuzimin e tyre gjatë dhënieve të shtetësisë së Shqipërisë, ose të blejnë tokë e shtëpi në Kosovë. Armët moderne ruse i ka stacionuar në Preshevë dhe këto gjëra i shërbejnë vetëm Bllokut të Lindjes, po kështu të Serbisë, e cila influencohet prej saj.

Padyshim ka edhe argatë të mëdhenj në Kosovë dhe kjo nuk ka dyshim. Por, ajo që do ta theksojmë me këtë rast, është shkrimi i Hisen Berishës, ish-Komandant i Koshares për Kosovën Lindore, tani në Ushtrinë e Kosovës:
“Populli i Luginës duhet të ruaj dhe krijoj identitetin e vet aty ku i takon historikisht dhe tradicionalisht në trevat e stërgjyshore, historike dhe politike” [19]
“Pra, fatkeqësia e popullatës së trevave shqiptare në Serbi, Greqi, Maqedoni, e Mal të Zi, ndaj përkujdesit politik nga shtetet amë e bijë, është bërë e spekulimit abuzues. Duhet një zgjim kombëtarë për t`iu thënë stop veprimeve politike abuzuese në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve, ngase politika dhe krimi po bashkëjetojnë në të njëjtin territor”, [20]- thotë Hisen Berisha.
Këtë abuzim direkt e lidhë me lidershipin e Republikës së Shqipërisë, me Kryeministrit Rama. Kjo vlen edhe për ata që nuk duan t`i zgjatin sytë e të shohin më tutje, Lëvizjes për Bashkim, të cilët, në programin e tyre nuk duan t`i shohin këto fakte relevante.
“Politikanët e mëdhenj, shqiptarët e atëhershëm në të gjitha trevat, edhe në Kosovë, edhe në Veriun e Shqipërisë, e edhe në Jugun e Shqipërisë, kanë bërë luftë titanike për të shpëtuar Kosovën, edhe Çamërinë, por nuk ia dolën dot.”[21]- thotë Spartak Ngjela, në intervistë e tij.

Shtetet naconaliste dhe shetet të pastra kombëtare nuk lejohen për t`u bashkuar nga faktori ndërkombëtar, e as nga OKB-ja dhe NATO-ja, por lejohen ato multinacionale. Europa e Bashkuar (BE) krijohet si një shtet i të gjitha kombeve, etnive, pakicave dhe të ardhurve të tjerë. Globalizmi e ka këte si një opcion të përgjithshëm. Ajo është bashkim i interesave të shteteve.

Globalizimi është bërë tani strategji e përgjithshme e botës së tërë. Ajo ka edhe gjeostrateginë e vet, ushtarake dhe të armëve më moderne, që qëndron në prapavijë të bashkimit global politik, ekonomik, social e financiar.

Shtete nacionale nuk është as Turqia, as Greqia, as Maqedonia, as Serbia, as Bosnja, as Mali i Zi, as Kosova. Mitrovica Veriore dhe Kosova Veriore në qoftë se ndahen prej Kosove për të marrë Kosovën Lindore do të na fusin në Luftën e III-të Botërore. Sa mund t`i shpëtojnë kokat e tyre në Kosovë është një pikëpyetje e madhe. Të gjitha armët bërthamore zbrazen mbi kokat tona. Pluhur e hi mund të bëhet Kosova, sepse sikur nëna që duron gjithçka vetëm për fëmijët e saj, sikur të kishte kokën prej hekuri, ashtu atdhetarët e sinqertë të të gjithë botës e kanë këtë dashuri të madhe, e edhe për Kosovën. Kur preket Kosova ku nuk duhet dhe kur nuk bën të preket, pikërisht nga djalli i madh serb, serp, serpente, i dalur mbi tokë prej demonit, atëherë nuk ka tjetër rrugë, pos vdekjes, edhe pse do të duhej të jetojmë.

Nëna nuk i ka shtatë jetë, por do ta jepte jetën e saj për fëmijët e vet. Po kështu shqiptarët kurr nuk e kam dashur luftën, por kur e ka lëshur thirrjen e vet ATDHEU për bijtë vet, janë ngritur në këmbë për te. Nuk guxojmë të lejojmë askënd të marrë fatin tonë nëpër këmbë, as Hashim Thaçin.

Pra, nuk do të lejojmë një çështje të tillë të “ndërrimit” të territoreve tona, as në qoftë se i ka marrë dikush miliandat për këtë, sepse është rëndësia për një MBIJETESË, pra ekonomike, e rëndësisë së dorës së parë. E dyta: hapja e kufirit të Republikës së Kosovës brenda sovranitetit të Republikës, do ta sjellë në pikëpyetje gjeostrategjinë e forcave ushtarake të NATO-s, të SHBA-ve, të BE-së, të Gadishullit Ilirik dhe të të gjithë shqiptarëve. E treta, Shqiptarët nuk janë të pergaditur për luftë me forcat e tjera Ruse, Greke e Serbe, sepse jemi në fazën e parë. E katërta, po na shpopullojnë tërësisht si komb. Turqia mezi e pret në një këmbë. Ajo mendon se nuk jemi komb e përpiqet të ngjallë edhe njëherë fushatën otomane, të cilën e ka humbë me Skenderbeun. As botës nuk i duhemi si të tillë. Drojmë se na shpopullon ajo...

Unë mendoj se Kosova Lindore (Presheva, Bujanoci e Medvegje) është e rëndësishme të ndëgjojë njëherë “planin” e Krijuesit të kësaj bote: në të gjitha pikat jashtë Kosovës e Shqipërisë ka shqiptar të vetëdijshëm. Ata duhet të përfillin lindjet e veta, që i drejton Krijuesi dhe të ulin kokën e të jetojnë në viset e veta. Aty punojnë e të shpallin autonominë e tyre dhe ta realizojnë, sado që e vështirë është kjo punë. Përkrahjen tonë e kanë patjetër. Me demografinë e tyre natyrore do ta prishin pak demografinë edhe të shtetit ku jetojnë. Fuqia natyrore e jep këtë fakt të pamohueshëm.

Problemet e tyre do të bëjnë përpjekje t`i zgjidhin atje.
Ndryshe, nuk bëhet!...




[1] Intervistë kombëtare me advokatin e publicistin Spartak Ngjela, nga Drilon Rrahmani, te gazetës „Bota Sot“, https://www.botasot.info/intervista-opinione/969695/ekskluzivisht-per-bota-sot-flet-spartak-ngjela-kosoven-mund-ta-ndaje-vetem-lufta-po-deshton-ideja-e-vuqic-it-thacit-dhe-rames-per-territoret/ , 23 tetor 2018, faqet 1,  6 e 7.
[2] Shikoni intervistën e Agron Bajramit me zyrtarin e lartë amerikan, zëvendësndihmëssekreritarin e  shtetit amerikan, Matthew Palmer, në „Koha Ditore“, e datës 25 tetor 2018, në http://www.koha.net/arberi/124874/as-vija-te-kuqe-as-marreveshje-pa-kuvend/ , faqe 3.
[3] Në të njëtën gazetë e në faqen 3, shiqoni deklaratën e Deputetit gjerman n në Beograd, Peter Bayer, të së njëjtës datë, në http://www.koha.net/arberi/124807/gjermania-dush-te-ftohte-serbise-ska-be-pa-e-njohur-kosoven/.
[4] Shikoni raportin gazetar të gazetës „Bota Sot“, të dates 25 tetor 2018, “Profesori ndërkombëtar flet për takimin e  <nxehtë> dhe aktin vetvrasës të Thaqit, tregon se çfarë do të bëjë Gjermania“, të shkruar nga Petrit Rudi, në https://www.botasot.info/politika-lajme/970697/profesori-nderkombetar-flet-per-takimin-e-nxehte-dhe-aktin-vetevrases-te-thacit-tregon-se-cfare-do-te-beje-gjermania/.
[5] Shikoni intervistën e Kadri Veselit, Kryetar i Kuvendit të Kosovës, “Kadri Veseli shokon Thaqin: ndryshimini kufijve, ide e serbëve dhe rusëve”, të dhënë DW-në, të datës 20 tetor 2018, në https://www.botasot.info/intervista-opinione/967867/kadri-veseli-shokon-thacin-ndryshimi-i-kufijve-ide-e-serbeve-dhe-ruseve/ .
[6] Shikoni intervistën ekskluzive të Mattew Palmer, “As vija të kuqe, as Marrëveshje pa Kuvend”, në „Koha Ditore“, të cituar më lartë, faqe 1.
[7] Po aty, te kjo intervistë, faqe 2.
[8] Pa aty, faqet 2 e 3.
[9] Shikoni raportin në gazetën „Koha Ditore“, „S`ka BE për Serbinë pa e njohur Kosovën“, të cilën e kemi cekur, faqe 3- arbëri.
[10] Fundi i këtij raporti, faqe 3.
[11] Shikone faqen time provisore me artikullin e vënë “Një çështjes urgjente për shqiptarët”, në https://www.brahimavdyli.ch/çështja-më-urgjente-për-ne/, me të gjithë arikujt e tjerë.
[12] Shikoni artikullin e vënë disa herë në profilin e faqes sime të FB, http://lajm.co/cia-ja-pse-kosova-vlene-dyfish-shume-se-serbia/.
[13] Shikone mirë këtë faqe provizore, „Një çështje urgjente për shqiptarët”, po aty, me fotografi, deri në Nish e Sanxhak.
[14] Shikoni pak artikullin e gazetës „Bota Sot“, „Thaqi ka arritur marrëveshje për kufijtë me ndihmen e presidentit francez Macron”, në http://www.botasot.info/aktuale-lajme/971123/thaci-ka-arritur-marreveshje-per-kufijte-me-ndihmen-e-presidentit-francez-macron/ .
[15]  Shikoni po deshët shkrimin e personalitetit të vjetër, Xhafer Shatri, „Dosja kriminale e Thaqit peshon më së rendi”, të publikuar vetëm në Shqipëri, te http://www.poezidashurie.al/ekonomi/xhafer-shatri-dosja-kriminale-e-thacit-peshon-se-rendi/.
[16] Shikone po deshët Dokumentin Programor të Lëvizjes për Bashkim”, “Platformë politike për zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptaro-serbe”, në PDF-Datei, http://www.platforma-politike-per-zgjidhjen-perfundimtare-te-ceshtjes-shqiptaro-serbe/ .
[17] Shikoni faqen time provizore, nëse doni në http://www.brahimavdyli.ch , sidomos “Shpërfillja e tërë kombit tonë nëpër Evropës-jo vetëm mëvetësia e shtetit shqiptar <Shqipëria>”, në http://www.brahimavdyli.ch/shpërfillja-e-kombit/ ; “Kush e tronditë opinionin kombëtar e ndërkombëtar për etjet hegjemoniste serbo-sllave”, në http://www.brahimavdyli.ch/kush-e-tronditë-opinionin/ ; “Kosova nuk bashkohet me Serbinë-Serbia ka qenë dhe është okupatore”, në http://www.brahimavdyli.ch/serbia-ka-qenë-okupatore/ , etj. etj.
[18] Shikoni edhe njëherë intervistën e advokatit dhe publicistit Spartak Ngjela, të cituar më pare prej nesh.
[19] Shikoni shkrimin e Hisen Beriishës, me datën 20 tetor 2018, „Alarmon ish-komandanti i Koshares për Kosovën Lindore: Lojë e rrezikshme po luhet, këtë se bëri as diktatori monstruoz i shekullit XX!”, në http://www.drenicapost.com/lajme/alarmon-ish-komandanti-i-koshares-per-kosoven-lindore-loje-e-rrezikshme-po-luhet-kete-se-beri-as-diktatori-monstruoz-i-shekullit-xx/
[20] Po aty, në faqen e fundit.
[21] Shikoni intervitën e cekur, faqja 6.