Hasanët dhe Dedat - origjina e familjeve të mëdha të Frashërit
Nga Vepror Hasani
Frashëri pati dy fise të mëdha: Nikollat dhe Dedat, dhe shumë
fise të tjera më të vogla. Dedat dhe Nikollat u përmendën për herë të parë në
regjistrimin e popullsisë të vitit 1593, në atë kohë Dedat ishin fis me 5
familje, kurse Nikollat me 12, por zanafilla e tyre duhet të jetë shumë më e
hershme se kaq, sepse Frashëri përmendet që nga regjistrimi i vilajetit të
Përmetit dhe Korçës në vitin 1431-32, kur fshati kishte vetëm 6 shtëpi, por
emrat e kryefamiljarëve nuk u bënë të njohur, sepse regjistrimi ishte
përmbledhës. Në regjistrimin e vitit 1593 u evidentuan për herë të parë edhe 8
familje myslimane; njëra prej tyre, Mehmet Deda, i përkiste fisit të krishterë
të Dedave, kurse 7 familjet e tjera myslimane i përkisnin fisit Nikolla. Prej
dy fiseve të përmendura më sipër lindën familjet e mëdha të Frashërit, të cilat
mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Familjet e para që ndërruan besimin nga të krishtera në myslimane ishin
ato të fisit Nikolla; personi i parë që përqafoi besimin islam quhej Hasan; kjo
ndodhi shumë kohë më parë nga regjistrimi i vitit 1593, në vitin 1504 kur
Frashëri kishte 41 shtëpi; njera prej tyre ishte me pjestarë myslimanë. Prej
Hasanëve lindi fisi i madh i Sulejmanbellinjve, kurse prej Mehmet Dedës fisi i
madh i Vilakëve (fisi Vila).
12 familjet e fisit
Nikolla
Në vitin 1593 familjet mbizotëruese të Frashërit ishin ato të
fisit Kol Nikolla: Gjikë Kola, Kolë Gjika, Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir
Kola. Pjesë e këtij fisi ishin edhe familjet: Likë Papa, Kolë Papa, dhe
familjet Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni. Më konkretisht
fisi Kola (Nikolla) përbëhej nga këto familje:
nga Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir);
nga Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës);
nga Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të
Gjonit);
dhe nga Likë Papa dhe Kol Papa (bij të Papës).
Emrat që përsëriteshin brenda fisit dhe që shërbenin si mbiemra
ishin pesë: Gjikë, Likë, Kolë, Papa dhe Gjoni, të cilët ishin gjyshërit e
familjeve të këtij fisi të madh. Ndërkohë emri “Hasan” ishte bërë i pëlqyeshëm
për njerëzit e fisit të vet, herë pas herë, fëmijët e lindur pagëzoheshin me
emrin “Hasan”. Për këtë arsye, personin e parë të quajtur Hasan, për ta veçuar
nga Hasanët e tjerë që erdhën më pas, po e quajmë “Hasan i madh i Frashërit”.
Islamizimi i familjeve
Kol Nikolla
Në islamizimin e familjeve të krishtera të Frashërit pati njëfarë
rregullsie, ato ndoqën shembullin e njera-tjetrës. Familjet e myslimanizuara të
fisit Kol Nikolla patën këtë renditje:
Hasan Papa,
Jusuf Nikolla,
Sulejman Jusufi,
Hasan Gjika,
Hasan Andrea,
Jakup Kasemi
dhe Skënder Hasan.
Pra, pas Hasanit të madh të Frashërit, Hasan Papa ishte i pari
kryefamiljar i shkëputur prej familjes së krishterë, sepse edhe për mbiemër
ende ruan një emër të krishterë. Ai rrjedh prej 2 familjeve me mbiemrin Papa:
(Likë Papa dhe Kol Papa). I dyti në radhë vjen Jusuf Nikolla, i cili ka të
njëjtën origjinë me 4 familjet Kol Nikolla: (Gjikë Kola, Likë Kola, Pjetër Kola
dhe Mërtir Kola). Pas Jusuf Nikollës, renditet biri i tij, Sulejman Jusufi, i
cili për mbiemër ka emrin e të atit, ndaj është vendosur pas tij për të treguar
edhe lidhjen e gjakut (babë e bir). I katërti në listë rreshtohet Hasan Gjika,
ai është pasardhës i familjeve Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir), ose më
saktë, Hasan Gjika është biri i Kol Gjikës. I pesti është Hasan Andrea, por për
Andrean nuk kemi asnjë të dhënë tjetër. Megjithatë, sipas gjasave, edhe Andrea
është pinjoll i Nikollave, dhe në rastin konkret, i familjes Gjoni: (Gjikë
Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të Gjonit), sepse nuk
ekziston asnjë mundësi që Hasan Andrea të vijë nga ndonjë fis tjetër dhe veç
kësaj emri “Hasan” u përket vetëm Nikollave. I gjashti listohet Jakup Kasemi
dhe i shtati Skënder Hasani, dy të fundit u përkasin familjeve të islamizuara
kohë më parë, sepse edhe mbiemrat i kanë të myslimanizuar. Të islamizuarit e
hershëm janë:
Hasan Papa,
Jusuf Nikolla,
Hasan Gjika
dhe Hasan Andrea.
Pasardhësit e familjeve të përmendura më sipër janë: Sulejman
Jusufi, Jakup Kasemi dhe Skënder Hasani. Këta të fundit i dhanë Frashërit emrin
e pavdekshëm. Fisi i Nikollave me 12 familjet e tij, (ose Sulejmanbellinjtë)
luajtën rol vendimtar në çdo moment të rëndësishëm të jetës dhe historisë së
Frashërit, ashtu sikurse edhe fisi i Vilakëve.
Katër fiset e mëdha të
Nikollave
Prej familjes së madhe të Nikollave u krijuan 4 fise të mëdha:
fisi i Skënderasve,
i Kasollarëve,
i Sulejmanbellinjëve,
dhe fisi i Velibellarëve.
I pari i fisit të Skënderasve ishte Skënder Hasani, kurse i pari
i fisit të Kasollarëve ishte Jakup Kasemi, njeri prej tyre vinte nga Kol Papa,
tjetri nga Likë Papa të cilët ishin vëllezër. Mbiemri “Papa” tregon se këto dy
familje do të kenë kryer detyra kishtare edhe më parë, ndaj iu përkushtuan
bektashizmit sepse ishte më afër ortodoksizmit dhe synonte bashkëjetesën
fetare.
Personi i parë i islamizuar i familjes Papa ishte Hasan Papa.
Megjithatë edhe pse Skënderasit dhe Kasollarët kishin si zanafillë fisin e madh
të Nikollave dhe për rrjedhojë origjinë të njëjtë me Sulejmanbellinjtë, sërish
i gjejmë më të shkëputur prej Sulejmanbellinjëve sepse Papat iu përkushtuan
Zotit dhe shkollimit të fëmijëve dhe jo pasurisë. Ndërkohë kemi edhe një
familje tjetër me emrin Hasan Gjika, pasardhës i familjeve Gjikë Kola dhe Kol
Gjika (at e bir), të cilët janë i njëjti fis me Kasollarët dhe Skënderasit.
Përfundimisht 12 familjet e Kol Nikollave ishin islamizuar tërësisht.
Fisi i Skënderasve
Një prej pinjollëve të Skënderasve ishte Tahir Skënderasi, i
njohur me emrin Baba Nasibiu, i cili më 1815, themeloi Teqenë e Bektashinjve
dhe e drejtoi atë deri ditën që iku nga kjo jetë, më 1835. Tashmë Tahir
Skënderasi prehet në një tyrbe pranë teqesë. (Edhe personat me emrin Tahir
vinin nga Sulejmanbellinjtë). Nasibiu ose Tahiri, ishte i lexuar dhe poet,
kishte studiuar në “Zosimea” të Janinës, doktrinën bektashiane e kishte mësuar
në Lindje. Në Frashër u kthye pas studimeve në vitin 1808. Teqenë e ngriti
bashkë me banorët e Frashërit në pjesën më të sipërme të fshatit. Në teqe
predikohej shqip. Një prej poemave të Baba Nasibiut, me 328 vargje, e njohur si
“Historia e Baba Nasufit”, i kushtohej familjeve të Frashërit. Nëse poema nuk
do të ishte djegur më 6 maj 1914, kur andartët grekë i vunë zjarrin Frashërit
dhe e bënë hi, sot do të kishim më shumë njohuri për Frashërin dhe frashërllinjtë.
Në teqe kishte shërbyer edhe Jusufi, edhe ky emër vjen nga Sulejmanbellinjtë,
ose fisi i Nikollave, (kujtojmë Sulejman Jusufin).
Fisi i Kasollarëve
Pas vdekjes së Baba Nasuf Skënderasit, vendin e tij e zuri
Mustafa Frashëri, nga familja e Kasollarëve. Dy nga bektashinjtë e parë që iu
bashkuan Teqesë së Baba Tahir Skënderasit ishin Dalip Kaso Frashëri dhe Shahin
Kaso Frashëri. Kishin studiuar në lindje, ishin vjershëtorë dhe përkthyes.
Dalipi la në dorëshkrim poemën “Hadika” (Kopështi) me 65,000 vargje, të cilën
nisi ta shkruante më 1820 në Frashër dhe e përfundoi në Konicë me 1842. Me qenë
se ishte larguar nga Frashëri, poemën e nënshkroi me pseudonimin “Hyxhretiu”,
(I shpërnguluri). Kurse Shahini la në dorëshkrim poemën “Muhtarname”, (Libri i
Muhtarit), me 12000 vargje, të cilën e përfundoi në vitin 1863. Poemat u
shkruan në gjuhën shqipe, me shkronja turko-arabe. Dalip Kaso Frashëri ishte
shuguruar dervish nga Baba Tahir Nasibiu. Kasollarët bën shumë për Frashërin
dhe Shqipërinë; në maj të vitit 1878, teqeja e Frashërit mikpriti kuvendin e
jashtëzakonshëm shqiptar, ku u kuvendua për thirrjen e Lidhjes Shqiptare të
Prizrenit. Mbledhja u kryesua nga Baba Alushi. Abdyl Frashëri mbajti fjalën
kryesore. Vëllezërit Frashëri (Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri) i kishin marrë
mësimet e para në teqenë e Baba Alushit. Me vdekjen e Baba Alush Frashërit, në
krye të teqesë erdhi Baba Abedini nga Kreshova e Dangëllisë.
Sulejmanbellinjtë dhe
Velibellarët
Sulejmanbellinjtë e kanë origjinën tek familjet e fisit Likë
Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës); personi i parë i këtij fisi
që përqafoi besimin islam ishte Jusuf Nikolla, biri i tij u quajt Sulejman
Jusufi, ky i fundit krijoi fisin e madh të Sulejmanbellinjëve, ata ishin miq të
Ali Pashë Tepelenës, më të fuqishmit e Frashërit, aq sa edhe sulltani nuk bënte
dot marrëveshje me frashërllinjtë, nëse ata nuk merrnin pjesë në kuvend. Prej
Sulejmanbellinjëve u shkëput një prej pinjollëve të tyre, i quajtur Veli, prej
të cilit u krijua familja e madhe e Velibellarëve.
Katër fiset e përmendura më sipër (Sulejmanbellinjtë,
Velibellarët, Kasollarët dhe Skënderasit), patën të njëjtin stërgjysh -
Hasanin, të cilin, për ta veçuar nga Hasanët e tjerë që erdhën pas tij, -siç
është thënë edhe më sipër, - e kemi pagëzuam me emrin “Hasani i Madh i
Frashërit”.
Hasani i madh i
Frashërit
Po u kthehemi edhe njëherë tri regjistrimeve të kryera në
Frashër. Sipas regjistrit ixhmal (përmbledhës) të vitit 1431-32, Frashëri
kishte 6 shtëpi (5 shtëpi me kryefamiljar dhe 1 shtëpi me 1 beqar). Fshati
ishte i vogël, vëmendje tërheq vetëm personi beqar. Ai mund të ishte i ri në
moshë, mund të ishte i rritur, ne nuk dimë asgjë për të, përveç faktit që është
i pamartuar dhe s’ka familje, sepse nuk figuron si kryefamiljar. Sipas gjasave,
ai ishte personi i parë që përqafoi besimin mysliman, dhe ndoshta kjo ka qenë
arsyeja që ai mbeti i vetëm. Të jesh i pari që tradhton besimin e të parëve të
tu, askush nuk të ndjek pas. Në vitin 1504, në regjistrimin e dytë mufasal (të
hollësishëm), Frashëri kishte 41 shtëpi, nga të cilat, 40 të krishtera, dhe
vetëm një shtëpi me pjestarë myslimanë. Nuk ka dyshim, njerëzit e kësaj
familjeje janë pasardhësit e personit beqar. Në regjistrimin e tretë (mufasal)
të vitit 1593, numri i shtëpive në Frashër ishte 58; nga të cilat 50 të
krishtera dhe 8 të familje myslimane: Hasan Papa, Hasan Gjika, Hasan Andrea,
Skënder Hasani, Jakup Kasëmi, Jusuf Nikolla, Sulejman Jusufi dhe Mehmed Deda.
Katër prej tyre mbajnë emrin Hasan, edhe të tjerët janë pasardhës të Hasanit të
madh të Frashërit, përveç Mehmet Dedës i cili i përket fisit të Dedave dhe jo
Nikollave.
Hasanët e
Sulejmanbellinjëve
Pyetja që lind është: pse kaq shumë njerëz me emrin Hasan?
Fshati ka vetëm 58 shtëpi, pak a shumë janë të të njëjtit fis, pasi zanafilla
nis nga 5 familje, atëherë përse vrapojnë kaq shumë pas emrit “Hasan”?
Përgjigjja është e thjeshtë: njeriu i lënë mënjanë dikur nga familja e vet, nuk
jeton më, sepse që nga regjistrimi i parë i popullsisë, 1431-32, deri në regjistrimin
e dytë (1504), kur u evidentua një familje myslimane, kishin kaluar 73 vjet,
por tashmë janë pasardhësit e tij që ndjekin shembullin e tij, sepse feja
myslimane ka filluar të pranohet. Ata dëshirojnë ngjalljen dhe ringjalljen e
gjyshit të tyre. Dhe është mëse e kuptueshme, ai e kishte emrin Hasan. Kjo
tregon se ai përveçse kishte qenë njeri i ndershëm dhe trim, njëkohësisht
kishte qenë edhe i pasur, i favorizuar nga autoritetet qeveritare të kohës edhe
për faktin që iu bashkua i pari besimit islam, madje edhe pse ishte beqar,
kishte shtëpi, kur dihet që edhe në ato kohë ngritja e një shtëpie ishte e
kushtueshme. Pasardhësit e tij, Sulejmanbellinjtë, tashmë ishin trashëgimtarë
të ligjshëm të pasurisë së gjyshit, ndaj emri “Hasan” është i dëshirueshëm dhe
i pëlqyer prej të afërmve.
Sulejmanbellinjtë në
krye te Kokojkës
Sulejmanbellinjtë i ndërtuan shtëpitë në kreun e shpatit të
Kokojkës, ndërsa bejlerët e tjerë u vendosën poshtë tyre. Në këtë shpat i
kishin shtëpitë edhe vëllëzërit Frashëri (Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri), me
të cilët patën miqësi të përhershme. Edhe me Ali Pashë Tepelenën ishin miq, por
pati periudha kur i dolën kundër njëri-tjetrit, por “mëria”, nuk zgjati shumë.
Megjithatë trimëria e Sulejmanbellinjve, nuk e humbi shkëlqimin e vet në asnjë
rast, preferuan të jetonin me dinjitet. Prej këtij fisi dolën emra të mëdhenj,
nga të cilët mund të përmendim: Hysen pashë Frashërin, Servet pashë Frashërin,
Sulejman bej Frashërin, Hasan bej Frashërin, Kahreman bej Frashërin, doktorët
Refat dhe Xhemal bej Frashërin etj. I fundmi i Sulejmanbellinjëve i diplomuar
në Stamboll për Inxhinieri Ndërtimi ishte Eshref bej Frashëri (1874-1938).
Fisi i Vilakëve
Nëse i rikthehemi regjistrimit të vitit 1593, vërejmë se emrat e
vjetër të fisit Deda: Dedë Duka, Uk Deda dhe Gjon Deda, nuk figurojnë më,
ndoshta nga që ishin myslimanizuar. Nga të vjetrit gjejmë 2 familje: Dukë Laska
dhe Laskë Deda. Pjesë e këtij fisi janë edhe 2 familje të reja: Stojo Deda dhe
Thanas Deda. Fisi e ka zanafillën nga Dukë Kryeziu, i përmendur në regjistrimin
e vitit 1504, i cili duhet të ketë qenë Dukë: Këtë titull të lartë aristokracie
e mbante sundimtari i një dukate (krahine), ku ai ishte zotërues pronash. “ …
Të paktën deri në çerekshekullin e tretë të shekullit XV, në krye të timarit ku
bënte pjesë edhe Frashëri, qëndronin spahinj të krishterë… Dihet nga historia e
Perandorisë Osmane se deri në fillim të shekullit XVI emërimi në krye të
timareve i spahinjve të krishterë, ishte të paktën për viset shqiptare, një
dukuri e zakonshme”. (Kristo Frashëri, “Frashëri- Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”,
f. 23). Deda-t duhet të kenë qenë zotërues të hershëm pronash në Dangëlli ose
jashtë saj. Personi i pari i islamizuar i këtij fisi është Mehmet Deda, i cili
përsëritet shpesh si emër. Prej tij lindën Vilakët.
Emra të dëgjuar
Vilakësh
Vilakët i ndërtuan shtëpitë e tyre nën shkëmbin e Golikut (dhe
jo në shpatin e Kokojkës ku u vendosën bejlerët e tjerë), sepse në zanafillë,
Frashër quhej vetëm fshati në shpatin e malit të Kokojkës me 6 shtëpi, kurse
fshati përballë në shpatin e shkëmbit të Golikut, quhej Vila (ose Vilja);
kishte 12 shtëpi. Më pas, dy fshatrat bashkë u quajtën Frashër. Prej këtij fisi
përmenden një sërë emrash të rëndësishëm: Mehmet pashë Frashëri, djali i tij,
Shemsedin bej Frashëri, spahi në krahinën e Oparit dhe banues në Opar, i cili
pati rastin të takohej edhe me konsullin anglez Uilliam Martin Lik gjatë
udhëtimeve që ky i fundit pati në fundvjeshtën e vitit 1805 në viset shqiptare.
Ndërsa djali tjetër i Mehmet pashë Frashërit, Çeçiz Frashëri, gjatë pjesës së
parë të shekullit XIX ishte myteselim i Oparit dhe zabit i Voskopojës, të cilat
edhe pse i humbi për një periudhë kohe, i rimori. Këtij fisi i përket edhe edhe
Adem Pasha, vezir (kryeministër) i Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVIII. Më
pas, kur Mehmet Frashëri, (biri i Mustafa pashë Frashërit) kishte marrë
titullin pashë, bleu në vitin 1772 Shpickën dhe Nikolicën në Kolonjë dhe
Voskopojën, duke u bërë kështu spahiu i përgjithshëm i tyre. Si emra të njohur
të këtij fisi po përmendim edhe Tefik Vilën, babain e Nuri Vilës, të cilët
kishin shtëpitë më të mëdha në shpatin e Golikut.
Sulejmanbellinjtë dhe
Vilakët
Kur Ajaz beu paraardhës i vëllezërve Frashëri (Abdyl, Naim dhe
Sami Frashërit), i internuar në Stanimakë të Bullgarisë, u rikthye në Frashër,
gjeti familje parësie Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët, për këtë arsye Ajazi, i
cili rridhte nga familje fisnikësh, zgjodhi të bënte krushqi me ta. Madje nuk
mund të mendohet që Ajaz beu të ketë bërë miqësi me familjet e tjera siç
pretendohet. Fisnikëria e Sulejmanbellinjëve dhe e Vilakëve nuk e humbi
shkëlqimin asnjëherë. Ata u kujdesën për institucionet fetare. Në shekullin e
XVIII ndërtuan dy xhami: Vilakët e ndërtuan në Golik ku banonin, kurse Sulejmanbellinjtë
në Kokojkë. Institucionet fetare ishin njëkohësisht edhe shkolla, ku vajzat dhe
djemtë mësonin shkrim e këndim, aritmetikë, histori, gjeografi dhe njohuri të
tjera. Ata u kujdesën edhe për shkollimin oborrtar të fëmijëve të tyre dhe
përvetësimin e gjuhëve që kishte në pëdorim administrata perandorake pasi edhe
ata do të kishin karrerën e tyre. Më 1815 Sulejmanbellinjtë ndërtuan edhe një
shkollë pranë teqesë, e cila mori përsipër arsimin fillor për fëmijët
myslimanë, ku u mësua edhe gjuha shqipe. Mësuesi quhej Hasan Hoxha (Hoxhë ka
kuptimin mësues), emri i tij ishte Hasan Efendi, banues në lagjen Skënderaj,
gjë që na kujton se Skënderasit dhe Kasollarët kishin të njëjtën prejardhje me
Sulejmanbellinjtë. Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët nuk hoqën dorë as nga ëndrra e
tyre për ta shndërruar Frashërin në qendër ekonomike. Në mesin e shekullit XIX
Frashëri pati 300 shtëpi dhe 20 dyqane. Fal dy familjeve të mëdha, vendlindja e
tyre u bë qendër zejtarie dhe tregtie. Zhvillimi i tregut u favorizua edhe nga
vendndodhja e tij mes tri qendrave të mëdha tregtare Përmetit, Korçës dhe
Beratit.
Sulejmanbellinjtë e
Butkës
Pas rënies së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, fisi Hasanas i
Frashërit u vendos në Butkë, i kryesuar nga gjyshi i tyre Hasan, pasardhës i
Sulejmanbellinjëve. Dhe jo vetëm kaq: Ahmet Hasanas, biri i Hasanit, i martuar
me Arzikon, bijën e fisit Teki e Bexhet Selenica, bejlerë të dëgjuar të
Selenicës së Frashërit, njërin nga djemtë e vet e quajti Ali, sepse edhe Aliu
kishte qenë pasardhës i Sulejmanbellinjëve, kurse Tefik Hasanas, nip i Hasanit,
i martuar me një vajzë të bejlerëve të Poloskës, Merimenë, njërin prej djemëve
të vet e quajti Sulejman sepse ishin të vetëdijshëm që rridhnin nga
Sulejmanbellinjtë; po kështu edhe Qerim Hasanas, nip i Hasanit, i martuar me
një nga vajzat e Malukave (më të fuqishmit e Kolonjës), fëmijën e vet të parë e
quajti Veli, sepse siç dihet prej Sulejmanbellinjve u shkëput një familje me
emrin Veli nga e cila u krijuan Velibellarët. Emri Hasan ishte ekskluzivitet i
Sulejmanbellinjve, nëse një fis tjetër do të pagëzonte një nga pinjollët e vet
me emrin Hasan, do të ngjasonte me “grabitje”, madje kur Frashëri ishte me 58
shtëpi, askujt nuk do t’i shkonte ndërmend. Emri “Hasan” ishte i
Sulejmanbellinjve: i Velibellarëve, i Kasollarëve, i Skënderajve dhe i
krushqive me Ajaz beun.
Kristo Frashëri për
Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët
Hasanas-it e Butkës vijuan të bënin krushqi me bejlerë të
njohur. Fetiu, nipi i Hasanit, u martua me Rakibenë nga Vilat e Zboqit (degë e
Vilave të Frashërit), ndërsa vajza e xhaxhait të Rakibesë u martua te bejlerët
Alizoti të Milecit, prejardhja e të cilëve rridhte nga Murati, i afërm i Ahmet
Zogut, i ardhur nga Mati. Me vajzat e Alizotëve të Milecit u martuan dy
stërnipërit e Hasanit, Qani dhe Gazi Hasanas, kurse dy vëllëzërit e tjerë të
tyre: Erfan Hasanas u martua me vajzën e bejlerëve të dëgjuar të Koçibellëve të
Qatromit, kurse Fuat Hasanas me vajzën e një familjeje të njohur nga Pësari i
Zi. Deri më sot për Frashërin dhe historinë e Frashërit është shkruar shumë,
madje edhe nga njerëz që kanë patur njohuri të thelluara mbi Frashërin, por në
asnjë rast nuk janë venë në dukje Hasanët e Sulejmanbellinjve të Butkës. Ka
ndodhur kështu që të mbahej në harresë fisi Hasanas i Butkës, të cilët kanë për
stërgjysh Hasanin e madh të Frashërit, pasi në të kundërt Hasanët e sajuar do
të binin. Historiani Kristo Frashëri në lidhje me Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët
shkruan: “Deri në mes të shekullit XIX, Frashëri njihej kryesisht si vendbanim
i dy familjeve më të shquara feudale të fshatit dhe të krahinës:
Sulejmanbellinjve dhe Vilakëve. Kjo për arsye të posteve shtetërore që patën
dhe të pronave çifligare që krijuan. Familjet e tjera bejlere, edhe pse e
kishin rritur fuqinë e tyre politike dhe ekonomike, vinin për opinionin publik
të kohës në radhë të dytë”. (Kristo Frashëri, Frashëri-Shkëlqimi dhe rrënimi i
tij, f.55).
Fisi Aliçka ose i Sali
Butkës
Kurse fisi Aliçka ose i Sali Butkës, ka një histori të vetën, të
cilët u shfaqën për herë të parë në vitin 1650, ose 220 vjet më pas nga
regjistrimi i parë i popullsisë më 1431-32, atëherë kur krijimi i familjeve të
mëdha kishte përfunduar, pasi gjatë shek. XVII, myslimanizmi pati një shtrirje
galopante. Në këtë kohë njerëzit
që ndërronin fenë ishin aq të shumtë sa askujt nuk i bënte përshtypje, ndërsa mundësitë
për t’u bërë i pasur për hir të ndërrimit të besimit ishin shumë më të vogla. Mbërritja në Butkë e të ardhurve nga
Frashëri, përmendet edhe nga Hysen Butka, nip i Sali Butkës, te libri i tij me
kujtime “Sali Butka në kujtimet e mia”, ku shkruan: “I pari që erdhi nga fisi i
Aliçkas të Frashërit në Butkë qe gjyshi i Saliut i quajtur Elmaz Zaimi. Ky
gjysh i Saliut solli me vete vëllanë e tij Orhanin dhe të dy kushërinjtë
Belulin dhe Hasanin”, por e vërteta është se Hasani i përket fisit të
Sulejmanbellinjëve dhe jo fisit të Aliçkave. Ndoshta edhe Beluli, gjyshi i
Ibrahim Butkës, ishte Sulejmanbelli, por këtë duhet ta thonë vetë njerëzit e
Belulit cilit fis i përkasin, ndërsa për fisin Hasanas gjithçka është e qartë. (Marrë me shkurtime nga libri “Butka ashtu
siç ishte”).
No comments:
Post a Comment