Thursday, October 8, 2020

KOCI TAHIRI, KANDIDATI I ARDHSHEM PER DEPUTET: Vizion europian për Mokrën, Gorën dhe Oparin, janë Zvicra e pazbuluar Intervistoi Vepror Hasani

 


Koçi Tahiri, kandidati i ardhshëm për deputet:

Vizion europian për Mokrën, Gorën dhe Oparin, janë Zvicra e pazbuluar

Intervistoi Vepror Hasani

Gjithnjë kam qenë i lidhur ngushtësisht me Korçën, - na thotë Koçi Tahiri, aktualisht deputet i Parlamentit Shqiptar, - sepse të parët e mi vijnë nga këto treva, gjithashtu edhe unë, kam lindur në Pocestë të Korçës, një vend i mrekullueshëm, por zona e Gorës e Mokrës e Oparit, e Voskopojës e deri në Vithkuq më japin një tërheqje të magjishme, por edhe keqardhje sepse janë vende të bukura me shumë pasuri natyrore, por të lëna pasdore për vite të tëra me radhë. Banorët po ikin, vendi po shpopullohet, gjithçka po mbetet shkretë. Gjendjen e kësaj zone e kam bërë të njohur edhe në Parlament. Largimi i tyre nga vendlindja është dhimbje e madhe, sepse nuk është e lehtë të braktisësh githçka që është investuar që nga gjyshërit, prona e pasuri, e të dalësh në kërkim të një jete më të mirë, ndaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kam zgjedhur si zonë kandidimi Mokrën, Gorën, Oparin e deri në Voskopojë. Kjo zonë është Zvicra e pazbuluar, kështu shkruante mësonjësi Naum Naçi në vitin 1900, dhe e pazbuluar ka mbetur edhe sot e kësaj dite.

Kini qenë edhe më parë në këtë zonë?

Në këtë zonë kam qenë gjithnjë i pranishëm që nga fëmijëria ime e në vijim, nuk është hera e parë që do të shkoj, më lidhin shumë fije me këtë vend, jam nip i Koçi Tahir Plovishtit, njerit prej kapedanëve më në zë të krahinës së Gorës, përkrahës i flaktë i komitetit të fshehtë qendror “Për lirinë e Shqipërisë”, mbajtur në nëntor të vitit 1905, në qytetin e Manastirit, (sot Bitola) në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja nxiti në mjaft qytete të katër vilajeteve shqiptare formimin e degëve dhe nëndegëve të këtij komiteti, një ndër to ishte dhe krijimi i nënkomitetit të fshehtë krahinor “Për lirinë e Shqipërisë” në fshatin Strelcë të Gorës në vitin 1906, ose siç u quajt ndryshe nga vetë populli, “Besëlidhja Gorare 1906”. Kjo ngjarje e madhe në kuadrin e 110-vjetorit të saj, me propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore, “ Besëlidhja Gorare”, u nderua nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, me titullin e lartë: “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut”. Veç lidhjeve të hershme që më mbajnë afër me këto vende, jam edhe kryetar i shoqatës atdhetare kulturore “Besëlidhja Gorare” për qarkun e Korçës; botues i gazetës me të njëjtin emër “Beslidhja Gorare”, njëkohësisht edhe president i ansamblit folklorik krahinor “Visaret e Gorës”. Ansambli është një mundësi reale për të na bërë të gjithëve bashkë, kurse gazeta i jep mundësinë të kujtdo të shkruajnë apo të kritikojnë për gjithçka që e shohin të aryeshme. Vetëm kështu mund të ecim përpara, duke u përpjekur të gjithë bashkë.

Dhe ju mendoni se do ta ndryshoni jetën e trevave të Gorës?

Sgurisht që po. Që ditën që fitoi demokracia kam patur një ëndërr: të ndërtojmë një jetë më të mirë për shqiptarët, të cilët përjetuan vitet e vështira të diktaturës. Këtë fat pata edhe unë: arsimin fillor dhe shatëvjeçar i kryeva në vendlindje, arsimin e mesëm profesional në teknikumin bujqësor “Irakli Terova” në Korçë, kurse arsimin e lartë, për arsye politike, e mbarova gjatë kohës së Demokracisë në vitin 1993. Sigurisht në atë kohë, nuk më shihnin si njeri të devotshëm të sistemit, dhe realisht nuk isha i tillë, më çuan të punoja në minierat e ndryshme të vendit: Guri i Kuq, Bulqizë, në Badër të Martaneshit, Mëzez, Mushqeta dhe së fundi në minerat e Lozhanit në krahinën e Gorës. Si një nga të parët në proceset demokratike, u vlerësova nga bashkëpuntorët e mi dhe me propozim të tyre, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, më nderoi me medaljen e artë, “Pishtari i demokracisë”. Vlerësimi i shprehur prej Presidentit për përpjekjet e mia ishte: “Koçi Tahiri, me punën dhe veprën e tij, nuk i përket vetëm krahinës së Gorës, të Qarkut të Korçës ku ai u rrit dhe u edukua me ndjenjat patriotike, por tashmë Koçi Tahiri, i përket jo vetëm shtetit shqiptar, por dhe mbarë kombit shqiptar”. Kurse njerëz të letrave më kanë quajtur “ Njeriu i demonstratave ”, sepse kam qenë pjesëmarës pothuajse në të gjitha protestat. Sigurisht, që të gjitha këto nuk i shoh si lavdërime, por si përgjegjësi për të bërë më shumë për qytetarët e këtij vendi.

Ju jeni deputet, a e keni bërë prezente problemtaikën e zonës së Gorës e më gjerë?

Sigurisht, e kam bërë këtë gjë në mënyrë të vazhdueshme, kemi kërkuar interpelanca me ministrat, së fundi bashkë me 6 deputetë të tjerë, patëm një interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku. I kërkuam informacion mbi ecurinë e punimeve në aksin rrugor Qukës - Qafë-Plloçë; mbi rrugën nacionale Maliq-Lozhan-Gramash; dhe mbi ekzistencën e projekteve (ka apo nuk ka) për zhvillimin e turizimin në zonën e Mokrës, Gorës, Oparit e deri në Vithkuq. Po bëhen 11 vjet nga dita kur filloi rruga Qukës – Qafë - Plloçë dhe ende nuk ka përfunduar. Në Quks, në lotin nr.1, prej 18 km, ku në 2.9 km traseja është e shtruar, përsëri gjendet në pikë të hallit sepse është prishur dhe kërkon një riparim të dytë, që të asfaltohet. Kjo tregon që rrugët fillohen, lihen për një farë kohe, fillohen përsëri dhe përsëri harxhohen para. Firmat e kanë bërë punën e tyre, por ndërprerja e punimeve për një farë kohe, çon në prishjen e asaj që është bërë nga kushtet e motit. Riparimi kërkon sërish shtesë fondesh. Po kështu edhe dy tunelet e këtij loti, edhe pse janë të përfunduar, lënë për të dëshiruar. Firmat ankohen për rrëshqitjet, por këto duhej të ishin parashikuar nga specialistët e hartimit të projektit, por askush nuk mban përgjegjësi.

Ecuria me këto ritme do të vonojë përfundimin e rrugës?


Po, me këtë ecuri punimesh që konstatova në terren, (sepse vajta vetë atje), mendoj se do të duhen edhe dy vjet punë akoma. Pra 13 vjet për të përfunduar një rrugë! Autoriteti Rrugor dhe personat e tjerë që punojnë pa pikë përgjegjësie duhet të përgjigjen. Ndërtimi i rrugës pati si piksynim zhvillimin e zonës së Mokrës, sidomos të Mokrës së Poshtme, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu, përkundrazi, rruga, në një farë mënyre, influencoi në shpopullimin e zonës, sepse nuk po përfundon. Dhe kjo nuk është e vetmja arsye e shpopullimit, ikja e njerëzve u nxiti edhe devijimi i rrugës; një pjesë e saj tashmë kalon në vende që gjatë dimrit mbajnë bore, akull dhe ngrica. Po kështu, rruga nacionale Maliq-Lozhan-Gramsh, deri te rezervuari i Moglicës është vërtet një rrugë e bukur turistike, por e ngushtë; megjithatë po e marrim si të pranueshme, kurse pjesa nga Lozhani deri te rezervuari i Moglicës është mosmëkeq, askush nuk arrin ta kuptojë pse rrugën e kanë ngjitur deri në majë të malit, veç kësaj, herë-herë rruga ngushtohet në 3 metra apo 2 metra gjerësi, dhe përsëri askush nuk mban përgjegjësi. Rruga duhej të kalonte nga rezervuari, pasi është një vend i bukur dhe i frekuentuar, dhe jo nga maja e malit me qëllim që t’i shkurtohej gjatësia por pa marrë parasysh shkarjet që do të pësonte rruga. Si konkluzion mund të themi: investime të tilla nuk i vijnë në ndihmë popullatës së zonës.

Duket se zona ka nevojë imediate për infrastrukturë?

Po, kjo është mëse e vërtetë. Unë jam nga ajo zonë, e njoh shumë mirë zonën time të Mokrës të Gorës, të Oparit e deri në Vithkuq, janë zona që kanë nevojë për infrastrukturë dhe mirëmbajtje. Mirëpo Bashkia e Maliqit nuk e merr përsipër mirëmbajtjen e rrugës nacionale Maliq-Lozhan, sepse nuk është është përgjegjësi e saj. Këtë përgjegjësi nuk e merr përsipër as qeveria, sepse përgjegjësia është e firmës ndërtuese; rruga është amortizuar dhe ka nëvojë për ristrukturim, ndaj mirëmbajtja e rrugës nacionale është bërë si loja e kungulleshkave: Qeveria i thotë Bashkisë e ke ti, Bashkia i thotë nuk e kam unë. Nodh kështu sepse nuk i tregohet gishti atij që i takon përgjegjësia. Zvarritja në kohë e infrastrukturës do ta çojë shpopullimin deri te banori i fundit, ndaj, nëse këto problematika nuk do të jenë zgjidhur deri në zgjedhjet e ardhshme, unë do të kërkoj planifikimin e fondeve për ristrukturimin e rrugës sepse përveçse është e ngushtë dhe e amortizuar ka edhe rrëshqitje. Po kështu do të kërkohet edhe përfundimi sa më i shpejtë i rrugës, Qukës – Qafë - Plloçë pasi ndihmon në zhvillimin zonave në aspektin turistik sepse i lidh me njera-tjetrën. Rëndësi të veçantë merr edhe rruga Qafë- Plloçë - Gur i Kamjes - Niçe e cila zbret deri në Lozhan, shkon në Voskopojë e Vithkuq, dhe nëpërmjet dy degëzimeve: Lozhan- anës rezervuarut ose liqenit, i cili del në Lekas duke u bashkuar me Voskopojën dhe degëzimi i dytë, Lozhan –Tyrbe e Goçës - Shipckë –Voskopojë, e cila bashkohet me degëzimin e parë, dhe del në Vithkuq, ku takohet me aksin nacional Korçë - Ersekë, gjë që bën të mundur shfrytëzimin e resurseve të mbetura të pashfrytëzuara deri tani, të cilat përmirësojnë jetën e komuniteteve dhe ndalin shpopullimin.

Mendoni se do ta keni mbështetjen e banorëve të Korçës?

Nuk kam asnjë dyshim, do të jem i mbështetur fuqimisht prej tyre. Me banorët e Mokrës, Gorës, Oparit, Voskopojës e deri në Vithkuq kam qenë i njohur që nga dhjetori i vitit 1990, kur dola në mbështetje të Lëvizjes studentore, pluraliste dhe demokratike. Gjithashtu, gjatë krijimit të së parës parti politike opozitare në Shqipëri – Partisë Demokratike, kam qenë bashkë me banorët e Korçës, sepse siç e kam theksuar edhe më sipër, lidhjet e mia me këtë rajon janë të hershme, të pandërprera dhe do të mbeten të përhershme. Me miqtë e mi Korçarë punuam së bashku për lëvizjen sindikaliste në Shqipëri, ku unë isha një nga nismëtarët dhe drejtuesit kryesorë të lëvizjes, dhe jo vetëm kaq: një muaj më pas nga Lëvizja studentore, në fillim të janarit 1991, e gjeta veten solidar me grevën e minatorëve të Valiasit, ku u bëra pjesë e nismës për një një sindikalizëm ndryshe. Gjithashtu kontribuova për krijimin e Sindikatës së Lirë të Minatorëve, të cilën e themeluam më 15 shkurt 1991, dhe në krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. (B.S.P.SH). Këto vite më lidhën fort me shumë rajone të vendit, por veçanërisht me qarkun e Korçës, ku u njoha jo vetëm me banorët e qytetit por edhe të fshatit, madje ishin këta të fundit që më nxitën të bëhesha pjesë e nismës për krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Bujqësisë në shkallë vendi. Ndërkohë isha dhe anëtar i Komisionit Drejtues Kombëtar të BSPSH.

 Kjo do të thotë që ju jeni njohës i mirë edhe i problematikave të bujqësisë?

Sigurisht që po. Në vitin 1994, punova për organizimin e bujqëve privatë të Shqipërisë ndërsa më 1998, u zgjodha kryetar i Organizatës së Biznesit Bujqësor, duke mbajtur njëkohësisht dhe detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Punës, pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Por sot vende të tilla, si Gora, Mokra ,Voskopoja, Vithkuqi etj, që kanë pasuri natyrore dhe trashëgimi kulturore të pasur, është e nevojshme të ndihmohen me qëllim ndërtimin e një jete më të mirë. Voskopoja çdo javë prêt së paku deri në 2000 vizitorë në javë, vendas dhe të huaj, sepse ndodhet afër Korçës dhe ka një rrugë të mirë. Sipas studiuesi Joakim Martiniani, Voskopoja është themeluar në vitin 1330. Kishat më të hershme janë: e Shën Dionisit dhe e Shën e Premtes, më pas u ndërtuan të tjera: Manastiri i Shën Prodhromit, Shën Marisë, Shën Kollit. Në krye të herës, thuhet që ka patur 24 kisha. Aktualisht ekzistojnë 6 kisha të cilat janë të vizitueshme nga të gjithë. Ka patur akademi që nga viti 1750, po ashtu edhe shtypshkronjë, bibliotekë, spital, me zejtari të zhvilluar dhe 25 mijë banorë. Të gjitha këto e kanë bërë një vend të preferuar turistik. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Vithkuqin: ka pasur 7 lagje me 22 mijë banorë dhe 12 kisha: kisha e Shën Pjetrit, e Shën Marisë, e Shën Ilias, e Shën Gjergjit, e Shën Vangjelizmoit, e Shën Kollit, e Shën Konstandinit etj; më e hershmja prej tyre ishte kisha e Shë Thanasit e ndërtuar në vitin 1162. Mjaft të njohur janë edhe manastiri i Shën Pjetrit, i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Mëhillit. Sot Vithkuqi ka 3 lagje me 160 shtëpi, por zhvilimi i turizmit po e përtërin.

Po për Mokrën, Gorën dhe Oparin, çfarë projektek kini?


Po, në krahinën e Gorës, ia vlen të përmëndim dhe tre qyteza të tjera, si Niça, Shipcka dhe Grabova. Por deri më sot, fatkeqësisht, Gora, Mokra dhe Opari, kanë mbetur pasdore, ato janë zonat më të bukura turistike, por mundësitë e banorëve kanë qenë të pakta për ta bërë të njohur zonën e tyre dhe rrugët u kanë munguar. Ja çfarë shkruante mësonjësi Naum Naçi në vitin 1900 te “Kalendari kombiar” për Oparin: “Malet e pyjet janë fort të bukur, dhe nga madhështia që u-ka falur natyra janë kaq të tmerruar, sa i shtjenë frikë të madhe udhëtarit. Nënkatundaria është prej 35 copë fshatrash që jetojnë Myslimanë e të Krishterë. Qeveria u merr të gjithve nga 13 grosh në mot për udhët, por gjëkund n' Opar s’ka bërë ndonjë udhë”. Fatkeqësisht, këtë gjendje mjerane e kanë edhe dy krahinat e tjera: Mokra dhe Gora. Pra, këto zona kanë vuajtur mungesën e infrastrukturës prej shumë e shumë kohësh. Më tej Naçi shkruan: “Si kapërcen Voskopojën e hdh përtej përruan e del, nis kufi e Oparit. Malet' e Voskopojës janë të zhveshur, por t'Oparit, me drurë bredh borigë, ahu dhe dushku”. Naum Naçi e krahason Oparin me Zvicrën: “Ai njeri që do të shohë bukuri natyre edhe të ketë nër syt' e ti përpara Svicrën, le të vejë n' Opar. Aty do shohe Ostrovicen që dhe më 20 korrik gjeta shumë dëborë, do shohë lumenj të mëdhenj me shkëmbinj edhe Devollë duke rrjedhur në përmes t'ati vendi; edhe Opari ka një kënetë të vogël (liqen) porsi të Svicrës afër Zerecit…”. Por ne së bashku me banorët këto zona të mrekullueshme do t’i shndërrojmë në një Zvicër të vërtetë.

 https://youtu.be/lobARXPWzLI

 

No comments:

Post a Comment