Ruzhdi USHAKU
SHQIPJA SI ÇELËS PËR DY FRAZA ENIGMATIKE
NGA “ZOGJTË” E ARISTOFANIT
(SHEKULLI V-të P.E.RE)
Postuar
më 30. Nëntor 2015 nga Prof. Ruzhdi Ushaku
PARATHËNIE
Këtë botim të llojit të vet si “variant i
parafundit”, në formë separati apo skripte me tirazh të vogël, e shoh dhe ndjej
si sprovë të nevojshme dhe të domosdoshme, por edhe dëshirë verifikimi a
vlerësimi nga studiues kompetentë. I mbajta parasysh premisat dhe kriteret
metodologjike si vijon:
– Përgjegjësinë profesionale-shkencore dhe
borxhin moral ndaj atyre që më informuan, përkrahën, më dhënë zemër, guxim e
vullnet që të rrekesha me një punë tejet delikate por edhe jashtëzakonisht të
rëndësishme për gjuhën, kulturën ilire-shqipe dhe më gjerë;
– parimin metodologjik-shkencor që të mos
ngul këmbë për vërtetësinë absolute të shpjegimeve dhe rezultateve të mia,
gjithnjë me doza rezerve dhe dyshimi;
– synimin për të lënë hapësirë për kritikë
frytdhënëse profesionale-shkencore, pa paragjykime, optimizëm a skepticizëm të
tepruar, me objektivitet dhe argumente të duhura për pohim, dyshim, apo mohim
të pjesshëm a të përgjithshëm të mendimeve a përfundimeve të shprehura brenda
këtij studimi;
– synimin për të lënë vend që në botimin
definitiv, të ofroj, sipas nevojës, edhe mjaft të dhëna e shpjegime të tjera
plotësuese, qoftë në të mirë të përforcimeve të hipotezave a tezave të ofruara
me këtë rast, qoftë edhe në të mirë të korigjimeve të lajthitjeve, gabimeve a
mangësive që mund të dalin apo hetohen në këtë variant pararendës studimi
shkencor, sidomos kur përballemi me risi apo qëllime avancimi të njohurive tona
shkencore.
Zbërthimin e këtyre dy frazave enigmatike e
kam parë si një lloj “gjetjeje etimologjike” të fjalisë, ndërtimit të saj
gjuhësor dhe konceptit kontekstual, nëntekstual dhe atij jashtëgjuhësor. Kjo
nënkupton edhe praninë e pashmangshme leksiko-gramatikore indoevropiane, ilire
apo parailire por edhe të ndonjë elementi të mundshëm me prejardhje nga ndonjë
gjuhë apo kulturë më e lashtë e Ballkanit të shekullit V-të para erës së re apo
më herët, por që nuk mund ta cenojë as mohojë strukturën e tërësishme
leksiko-gramatikore të frazave në vështrim nga aspekti i një gjuhe të caktuar,
pra asaj shqipe në rastin konkret.
Në këtë drejtim, edhe dykuptimësia apo
polisemia leksiko-gramatikore e kodit gjuhësor lë vend të pashmangshëm
interpretimeve hipotetike si dukuri të njohura teorike dhe praktike gjuhësore,
të përgjithshme apo të veçanta.
Me mirënjohje pararendëse për lexuesit
kompetentë e të vëmendshëm.
Ulqin, mars 2011. Autori
Ruzhdi USHAKU
SHQIPJA SI ÇELËS PËR DY FRAZA ENIGMATIKE
NGA “ZOGJTË” E
ARISTOFANIT*
(Shekulli V p.e.re)
Në vend të hyrjes
Falë një miku tim nga Parisi, mora një
informatë frymëzuese për komedinë “Zogjtë” të Aristofanit, ku midis tjerash
figurojnë dy fraza enigmatike të shënuara në alfabetin grek, por të
pakuptueshme dhe të pashpjegueshme me mjetet e gjuhës përkatëse dhe më gjerë.1
Nga materiali që më ra në dorë me këtë rast,
mësova se për komedinë e cekur, përkatësisht frazat në fjalë, kishte dhënë një
sinjal, që në shek. XIX, studiuesi i mirënjohur danez Conrad Malte Brune,
atëbotë shumë i interesuar për historinë e Shqipërisë, të shqiptarëve dhe
gjuhës shqipe. Meritat e këtij dijetari janë të pamohueshme edhe pse frazat në
vështrim, të dala nga goja e personazhit Tribal, i quan si “aspak të
mjaftueshme për të nxjerrë prej tyre konkluzione”.2
Gjithnjë me mirënjohje edhe ndaj përpjekjeve
të mikut tim dhe të disa të interesuarve të tjerë për zbërthimin eventual të
frazave përmes shqipes, më nxiti kureshtja dhe obligimi profesional që edhe unë
t’i sillesha sadopak këtij problemi.
Duke e parë a priori si
çështje serioze, delikate, të vështirë, shumë të rëndësishme jo vetëm për
filologjinë shqiptare por edhe më gjerë, iu rreka një sprove
kërkimore-studimore të mëtutjeshme me synim të analizave sa më të përimta dhe
me përgjegjësi të duhur, duke mbajtur parasysh një qasje krahasuese
filologjike-gjuhësore dhe jashtëgjuhësore interdisiplinare, përkatësisht
multidisiplinare.
Si rrjedhim, gjithnjë duke mbajtur parasysh
faktorët e jashtëm historiko-shoqërorë, etnogjeografikë, kulturorë,
psikologjikë, pastaj sociolinguistikë, etnolinguistikë, e kam parë të arsyeshme
që analizën, zbërthimin dhe interpretimin e frazave në vështrim t’i kërkoj dhe
gjej jo vetëm në shtresat formale gjuhësore, por edhe në lidhshmërinë dhe
gërshetimin kompatibil me ato jashtëgjuhësore.
Rrethanat historiko-shoqërore dhe
etnogjeografike
Frazat në vështrim, të shënuara me alfabetin
grek në komedinë “Zogjtë” të Aristofanit, dalin nga goja e personazhit të quajtur
Tribal këtu e rreth 2400 vjet më parë. Tribali formalisht konsiderohet pjesëtar
i fisit të tribalëve, që historikisht dhe gjeografikisht i takonte Trakisë; një
fis barbar, jogrek, i afërt me ilirët dhe me fise të tjera ilire-barbare siç
ishin dardanët, peonët, por që kishte edhe kontakte të natyrave të ndryshme me
keltët, grekët dhe më gjerë.
Rrjedhimisht, prej Herodotit e këtej,
tribalët përmenden shpesh si fis trak. Ndërkaq Straboni, në kontekstin e
rrethanave historiko-shoqërore të ilirëve dhe Ilirisë, dardanët dhe tribalët i
quan të parët të racës ilire, kurse Apiani tribalët dhe peonët, që sipas
Herodotit e Strabonit ishin trakë, i përfshin në popullatë ilire, kjo e fundit
e afërt si me trakët ashtu edhe me keltët.3
Edhe studiues të tjerë, që në rastin konkret
janë marrë me këtë vepër të Aristofanit, tribalët i cilësojnë si fisin më
luftarak të trakëve4,
përkatësisht si pjesëtarë të popullatës apo grupacionit trak apo ilir, që nga
autorët antikë si Tukididi, Straboni paraqiten si të egër, luftëtarë trima dhe
të shthurur.5
Sido që të jetë, tribalët si fis apo
popullatë etnike i takonin, në kuptimin më të gjerë, popullatës ilire dhe
komunikonin me gjuhë apo dialekte përkatëse jogreke, të quajtura barbare.
Vështrim i përgjithshëm filologjik
Në komedinë “Zogjtë” bëhet fjalë për dy
athinas (Pisteter dhe Euelpid) të cilët, të pakënaqur me jetën dhe rrethanat
politike në Athinë, udhëtojnë në krahët e dy zogjve dhe në qiell themelojnë një
qytet të pavarur prej zotave dhe njerëzve. Zotat e uritur të Olimpit vendosin
të delegojnë përfaqësuesit e vet për të lidhur paqe me zogjtë. Këtë delegacion
e përbëjnë Herakliu me Poseidonin të dërguar nga Zeusi dhe Tribali i dërguar
nga zotat barbarë.
Objekt kryesor vështrimi dhe përqendrimi,
këtu do të jetë pamja ku paraqiten Poseidoni me fuzhnjën (trifurkun), Herakliu
me lëkurën e luanit dhe Tribali me një zhgun të madh dhe shkop.6
Si tekst dorëshkrimi bazë do të shërbejë burimi
i cituar nën numrin 5, sepse është botim i mëvonë ku, paralelisht me tekstin
burimor në gjuhën greke, për të cilin tekst pohohet të jetë ndër tre
dorëshkrimet më të vjetra, figuron edhe përkthimi në kroatishte. Për më tepër,
në këtë botim kritik ka mjaft shpjegime, komentime dhe referime në variante të
përkthimeve dhe studimeve pararendëse që kanë të bëjnë me këtë komedi në
përgjithësi, rrjedhimisht edhe me referime në frazat enigmatike në veçanti.
Në pamjen 28 të komedisë “Zogjtë” zhvillohen
dialogë e replika të ndërsjella në funksion të koalicionit mes tre të dërguarve
nga zotat, nga njëra anë, me ndërhyrje sporadike edhe të personazhit Pisteter,
përfaqësues i Mbretërisë së “Zogjve” për lidhjen e paqes dypalëshe, nga ana
tjetër.
Tribali, përfaqësues i zotave barbarë7,
flet një gjuhë greke të çoroditur, të përzier (“gibberish”), kurse në dy raste,
në gjuhën apo dialektin e tij barbar, shqipton edhe dy fraza të pakuptueshme
dhe të panjohura për gjuhën greke, të cilat Aristofani i pat shënuar,
përkatësisht transkriptuar me alfabetin grek, mbase për të ngacmuar kureshtjen,
ruajtur tiparet e origjinalitetit të pjesshëm dhe frymën komike e spirituoze të
komedisë.
Këto dy fraza të transkriptuara me grafema
latine si Nabaisatreu dhe Saunaca bactaricrusa, kanë
zgjuar kureshtjen e përkthyesve, komentuesve të veprës dhe, deri më sot, duket
se nuk janë shpjeguar, zbërthyer apo deshifruar plotësisht me mjetet e ndonjë
gjuhe, të relikteve gjuhësore jogreke të Ballkanit të asaj kohe apo të kohëve
të mëvona.
Pas Malte Brune-it, disa studiues joshqiptarë
si Zĕcăria Mayani, Stuart Edward Mann, Alphonse Dain, Jacob Mey, kryesisht janë
të mendimit se fraza enigmatike Nabaisatreu është barbare,
përkatësisht ilire, por nuk bëjnë analiza më të plota, as japin shpjegime të
duhura më të stërholla.8 Po
kështu shprehen përafërsisht edhe disa studiues pararendës, siç do të shihet në
vazhdim në shpjegimet e tyre nga botimet kritike më të hershme në gjuhën greke,
latine, kroate, serbe, angleze, frënge, gjermane.
Duke mbetur gjithnjë në suaza të ngurrimeve
të arsyeshme, hipotezave apo hamendjeve kontekstuale të përkthyesve, këto dy
fraza kanë mbetur kryesisht të pa përkthyera, përkatësisht janë transkriptuar,
siç duket, me grafema latine thuajse germë për germë apo tingull për tingull
nga burimet origjinare greke. Aty këtu janë “përkthyer” sipas hamendjes
kontekstuale9,
shoqëruar me komentime prej më të ndryshmeve10, apo kanë mbetur të pashpjeguara.
Rrethanat historiko-shoqërore,
etnogjeografike të kohës së Aristofanit, përkatësisht të shkruarjes së komedisë
“Zogjtë” (aty kah fundi i shekullit V-të p.e.re), si të dhëna historikisht të
dëshmuara, duhet të shërbejnë si një lloj parakushti për zbërthimin e mundshëm
të këtyre dy frazave enigmatike me mjetet e ndonjë gjuhe të lashtë të Ballkanit
të asaj kohe. Ç’është e vërteta, përveç disa përpjekjeve dhe debateve më të
reja në faqet e internetit, me synim të shpjegimit të tyre me mjetet e shqipes,
deri më sot, më sa jemi të informuar, askush nuk e ka bërë ndonjë studim,
zbërthim apo interpretim të tyre më bindës, më të plotë dhe më të argumentuar
filologjik-gjuhësor.
Dhe kjo është e arsyeshme, duke pasur
parasysh vështirësitë e mëdha dhe përgjegjësinë profesionale-shkencore për t’u
rrekur seriozisht me këto fraza të vjetra rreth 2400 vjet, të transkriptuara me
alfabetin grek, sipas të gjitha gjasave në mbështetje burimore të një gjuhe
barbare, përkatësisht ilirishtes.
Shtresa morfofonetike leksiko-semantike e
gramatikore
Para analizës gjuhësore të mirëfilltë,
ndjekim kontekstin e dialogëve pararendëse, me rëndësi për zbërthimin
filologjik-gjuhësor të frazës së parë:
– Poseidoni me superioritet e arrogancë e
qorton Tribalin, për zhgunin e tij të hedhur krahut të djathtë (në kundërshtim
me protokollin “civilizues” grek R.U.), duke iu drejtuar me urdhër poshtërues,
kërcënime, dhe duke e cilësuar si barbarin më të madh të cilin ai (Poseidoni
R.U.) e ka parë ndonjëherë. Kurse kur e pyet Herakliun se ç’duhej bërë, ky i
fundit ia kthen me përbuzje se dëshironte “ta mbyste njeriun që ngrit beden
kundër perëndive”, se “do t’ia zënte frymën dyfish një të tilli ambasador për
paqe”.
Megjithatë, Herakliu përshëndet Pisteterin në
emër të tre zotave. Më tej ndërhyn Poseidoni, gjithnjë në emër të
të dërguarve që kanë ardhur për ndërprerjen e luftës, duke cekur përparësitë e
lidhjes së paqes, për çka edhe Pisteteri shpreh gatishmëri, me kusht që
“Zogjtë” të marrin menjëherë skeptrin prej Zeusit, dhe shton: – Atëherë
ambasadorët i ftoj në darkë.
Herakliu menjëherë shprehet se për të mjafton
kaq, dhe se voton “për”, në çka reagon Poseidoni, duke e quajtur të çmendur dhe
llupës që për një darkë do ta privonte nga froni edhe babanë e vet.
Ndërhyn Pisteteri dhe me diplomaci arsyeton
lidhjen e paqes me avantazhe për zotat, të cilët zota do të jenë të mbrojtur
edhe nga zogjtë. Poseidoni i jep të drejtë Pisteterit, duke u betuar në vetvete
“Pasha Poseidonin”, që ishte betim tradicional i zotave grekë, gjë
që has në përkrahjen apo aprovimin edhe të Herakliut.
Në vazhdim, Poseidoni, përkatësisht Pisteteri11,
i drejtohet Tribalit për të dëgjuar mendimin e tij. Kështu, Tribali shqipton
frazën e parë të famshme ναβαισατρευ̃ -nabaisatreu.
Kjo frazë, sipas kontekstit, kuptohet a
përceptohet si aprovim, pasi që Herakliu, përkatësisht Pisteteri vazhdon
menjëherë: Ja pra, edhe ai pajtohet, që nënkupton sikur e ka
kuptuar gjuhën e Tribalit, e ka ndjerë nga intonacioni apo hetuar nga ndonjë
gjest a mimikri e këtij të fundit.
Të besojmë se tërë kjo frazë e parë
enigmatike do të inkuadrohet në kontekstin përkatës dhe do të arsyetohet,
semantikisht dhe logjikisht, me shpjegimin më të përimtë dhe të gjithanshëm
interdisiplinar.
ANALIZA E FRAZËS SË PARË
Fjala apo fraza e parë enigmatike e vargut
1615 del si vijon:
ΤΡΙΒΑΛΛΟΣ
ναβαισατρευ̃.
Fillimisht, domosdo shtrohet çështja
morfofonetike, përkatësisht ajo e transkriptimit, ta quajmë, “të dyfishtë” të
kësaj fraze, nga goja e një barbari (folësi të një gjuhe të huaj-barbare), me
grafinë e alfabetit grek të kohës, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër,
transkriptimi i kësaj grafie të greqishtes në gjuhë të sotme të huaja, pra edhe
në atë shqipe. Është ky kushti themelor për një zbërthim, transliterim, analizë
dhe shpjegim më të sigurt si të gjymtyrëve përbërëse ashtu edhe të kuptimit apo
mesazhit të frazës në tërësi.
Ky transkriptim “i dyfishtë” imponohet
kryesisht në vija të trasha, duke mbajtur parasysh sidomos sistemin fonetik jo
aq të njohur të gjuhës së Tribalit përball atij më të njohur të greqishtes, dhe
sistemin e kësaj të fundit përball gjuhëve të sotme të huaja, përfshirë këtu
edhe atë shqipe.
Për fillim, një transkriptim i domosdoshëm,
sa më i afërt i grafemës ι (jota) dhe asaj υ̃ (ypsilon)
nga fraza ναβαισατρευ̃, nuk duhet të cenojë vërtetësinë e gjymtyrëve
përkatëse as frazën në tërësi, në funksion të interpretimit dhe shpjegimit të
saj sa më të sigurt dhe më të drejtë.
Kjo frazë, me një shenjë diakritike të
lakores-hundore mbi grafemën finale υ̃̃, ka karakter të një fraze të përngjitur të
llojit scripta continua. Në variantet e përkthimeve të
ndryshme që i patëm në dorë, figuron transkriptimi i përgjithshëm me shkronja
latine nabaisatreu.
Përveç ndonjë përpjekjeje të rrallë dhe të
pjesshme, kanë munguar zbërthime më të hollësishme dhe më të argumentuara të
kësaj fraze në gjymtyrët përbërëse, ashtu siç kanë munguar transkriptime sa më
të përpikta, kusht themelor për zbërthimin sa më të drejtë dhe më të plotë të
këtij kodi gjuhësor me mjetet e ndonjë gjuhe të Ballkanit të asaj kohe.12
Duke u mbështetur në tekstet burimore të
shkruara me alfabetin e greqishtes së asaj kohe, është për të besuar, me
probabilitetin më të madh, se frazat në vështrim, të shqiptuara nga Tribali në
gjuhën e tij “barbare”, Aristofani duhet t’i ketë transkriptuar në mënyrë sa më
besnike të mundshme, me grafema, përkatësisht fonema gjegjëse të gjuhës greke të
asaj kohe, përfshirë këtu edhe shenjat diakritike.
Transkriptimi i përgjithshëm i kësaj
fraze Nabaisatreu, për gjuhën angleze latine, kroate, serbe e
ndonjë tjetër, do të haste në vështirësi për shkak të mungesës së fonemës y për υ -në
sistemin e tyre fonetik. Vështirësi do të krijonte edhe leximi eventual i ai-së (αι),
si e në lat.tradic. e fr. apo eu-së (ευ) si ë në
frëngjishte, oj në gjermanishte e kështu me radhë. Kjo do të
kishte pasoja lajthitjesh edhe për zbërthimin, përkatësisht interpretimin më të
saktë të gjymtyrëve, përkatësisht frazave enigmatike në vështrim.
Duke pasur mbështetje, në rend të parë,
transkriptimin mbase të përpiktë prej gjuhës barbare në atë greke, sistemi
fonetik i shqipes mundëson, së paku në vija të trasha por me përpikëri të
duhur, transkriptimin besnik, pa pasur hëpërhë parasysh shenjat diakritike,
pra Nabaisatrey (apo nabajsatrey), të frazës së
parë, rrjedhimisht edhe të frazës së dytë Say naka baktari krusa,
nga dorëshkrimi bazë, përkatësisht Saynaka baktarikrusa nga
variantet e tjera të dorëshkrimeve në gjuhën greke apo të përkthimeve në gjuhë
të huaja.
Një sërë dijetarësh që iu kanë sjellë kësaj
fraze të parë (rrjedhimisht edhe të dytës), sikur janë pajtuar përgjithësisht
se duhet të jetë me origjinë ilire, ndërsa S. E. Mann i cili bën segmentimin e
saj Naba/isa/treu, shpreh mendimin përfundimtar se, siç thotë ai,
nuk i takon grupit të shqipes, por një gjuhe italike. Në ndarjen sipas një
përkthimi frëng, për frazën e parë propozohet varianti Na/bai/sa/treu, kurse
për të dytën, Saunaka bak t’ar i krousa.13
Për mendimin tonë, prej të gjitha ndarjeve të
mundshme të hetuara, të provuara me variante të shumta të një progresi
“gjeometrik”, gjasat e një zbërthimi analitik të kësaj fraze të parë, ku
gjymtyrët përbërëse dalin kuptimplote në një strukturë leksiko-gramatikore të
pranueshme edhe në nivelin ritmik, mund të jetë NA/BAI/SA/TRE-Y/.14
NA
Gjymtyra e parë Na duhet të
jetë përemri vetor i vetës së parë shumës, gjithsesi origjinar, që falë
supletivizmit unë~na/ne (neve), afrohet me dukurinë e
përbashkët të të gjitha gjuhëve i.e.15, sikur
edhe trajta aq e njohur dhe stabile nesh në rasa të caktuara,
e përdorur dendur në shqipen e folur “prej nesh, mes nesh”
dhe atë të shkruar prej Buzukut e këtej si “Na të bandizuom”,
“…e na tue enbetunë bashkë”,”…e s’ish kush me na endë
shtëpi ma se na të dy”,“Rrotullo prej nesh”, “I
bani pār porsi na”, “Qi neve na janë detuor”; “pjesë nesh” e kështu me radhë,
të shpeshta në dialektet e shqipes.
Krahas trajtës ne dhe
asaj neve, trajta e shkurtër na është më
konservuese dhe si vetë e parë shumës nënkupton se personi që flet përfshin
veten dhe të tjerët e grupit ku bën pjesë. Me këtë rast duhet mbajtur parasysh
edhe i quajturi “shumësi i madhërisë”, i përdorur nga sunduesit,
përfaqësuesit e grupeve, etnoseve apo popujve siç janë mbretërit, perandorët,
në këtë rast edhe mundësia që edhe personazhet e deleguar që flasin në emër të
shumicës, etnosit apo popullit të cilin e përfaqësojnë.
Rrënja i.e. n’s., për na,
ne është në konvergjencë me praninë e s-i.e.16 vetëm
në rasën vendore-rrjedhore të shqipes nesh, prej nesh,
padyshim si gjurmë e mëvonë kalimi prej s>sh (*nes>nesh).
BAI
Gjymtyra bai, si folje
bartëse e kuptimit të përgjithshëm të frazës në vështrim, kërkon analizë
komplekse gjuhësore si në rrafshin gramatikor e leksikor-semantik, ashtu edhe
në atë konceptual jashtëgjuhësor.
Rrafshi gramatikor dhe leksiko-semantik
Në këtë rrafsh fjala bai, padyshim,
duhet të ketë të bëjë me “baj/bëj (banj/bënj)” e cila fjalë
apo folje, bashkë
me ato bind, ha, pi e ndonjë tjetër, konsiderohet, me të
drejt, e një faze më të hershme indoevropiane.17
Folja “bëj” bâj me
temën ba-, në të gjitha kohët dhe mënyrat e saj ruhet e pandryshuar
në të gjitha të folmet e gegërishtes, dhe praktikisht i takon arealit më të
gjerë të shqipes së folur e të shkruar.
Si e pakuptueshme për greqishten e asaj kohe,
duhet të jetë e fondit ilir, me semantizëm më të pasur, dhe vështirë se mund të
lidhet etimologjikisht me të gr. phaniō; φαίνω, *φάνιω, ashtu
siç pretendojnë disa studiues (Kr. Te veprat e cituara nën 17 (Sh.Demiraj, §
18, f. 49; E. Çabej, f. 207).
Nga ana tjetër, në trajtën e fleksionit ba-i
(ba-j) si folje produktive, nuk mund të largohet nga një *-nio18, pra trajtë fleksioni *ba(n)i (o)
në temën e prezentit, si klasë më prodhuese e të tashmeve me -j që
formon edhe pjesoren me -m si me bâ -bâm të
hetuara më herët.19 Kjo
fjalë-folje, siç do të shihet më poshtë, del dendur tek autorët e vjetër.
Forma foljore bai, përkatësisht
tema ba- në frazën tonë, përkon me një realitet gjuhësor të
qëndrueshëm, konservativ të foljes “bëj”, shumë të përhapur dhe
stabile në të gjitha dialektet a të folmet shqipe; ruhet thuajse në të gjitha
kohët dhe mënyrat si kam bā, bana, të banj, bafsh, bâftu, u
baftë, me analogji edhe në të toskërishtes bëj, bëri si
alternim i a>ë, përkatësisht me dukurinë e rotacizmit bani/bëri,
ka ba/ka bërë e kështu me radhë.
Në raste më të rralla dhe areal të kufizuar,
ndeshet edhe forma boj, në të folme të Kosovës “u bô zor,
u bô nomi, ni hěr jom bô nuse,” pastaj boj (Dibër)
madje edhe bunj20, me një alternim të mundshëm a>o>u në
margjinë të dukurive të përgjithshme apo më standarde.
Veç kësaj, tema stabile njërrokëshe bā- nuk
pëson ndonjë tkurrje, siç është rasti me û për unë,
neve apo â për asht/është, “m’vjen û (për “më
vjen uri, kam uri”), që ndeshen tek autorët e
vjetër apo në disa të folme të shqipes.
Rrjedhimisht, si për nga rrënja apo tema “e
ngurtësuar”, frekuenca e përdorimit ashtu edhe semantizmi arkaik për konceptin
e “krijimit, lindjes, fuqisë së natyrës apo zotit”, folja “bëj”,
përkatësisht rrënja apo tema e saj ba-, në shqipe mbetet
arkaike dhe, sipas të gjitha gjasave, duhet t’i takojë reliktit më të hershëm,
protoilir. Një konstatim i tillë na duket se gjen mbështetje edhe në faktin se
rrënja dhe-I apo dha- i.e. ka dhënë në disa
gjuhë i.e. fjalë apo folje me kuptim “bëj”.21
Nuk duhet harruar as fakti se rrënja i.e. bha-II,
me kuptim të përgjithshëm “dritë”, “të bërjes dritë”22,
më e afërta me ba-i të frazës në shqyrtim, rikujton
semantizmin e “vënies në dukje”, “qitjes në dritë”, “lindjes”, si koncepte më
të vjetra të mundshme për krijimin e botës, dritës, lindjes së njeriut, siç do
të shihet edhe më tej.
Mbaresa –ι ka të bëjë me jota-n
greke, pra një fonemë -i (-j) që paraqet vështirësi sa i takon
transkriptimit preciz (me i apo j) dhe përcaktimit
të fleksionit verbal, përkatësisht përcaktimit të vetës, kohës dhe mënyrës.
Kjo formë foljore mund të shpjegohet, me
varësi funksionale-sintaksore në raport me përemrin vetor na (neve),
si një aorist në vetën e tretë; Na bai, “ na bashkoi”;
“shtrëngoi, detyroi”; “mashtroi”,“gatoi”, “punoi”, edhe sipas kontekstit apo
nëntekstit, me aludim në Pisteterin e Mbretërisë së “Zogjve”si subjekt i cili mundohet t’i
korruptojë ambasadorët e zotave të Olimpit. Si duket, këtë e ka kuptuar
“malësori” mendjemprehtë Tribali i cili, edhe pse i takonte “ilirëve të
uritur”, si i pakorruptueshëm, krenar, por edhe dinak, bën që vetë ngjarja në
skenë të nxisë kureshtje dhe të ngërthejë efekte komike. Në këtë ndërtim
përemri na (neve) do të ishte në funksion të kundrinës.
Ky shpjegim ka gjasa të jetë i qëndrueshëm
edhe me përdorimin e po kësaj foljeje në formën ka ba të
frazës së dytë, për çka do të flitet më vonë.
Vetë aoristi i shqipes, përkatësisht i foljes
“banj/bënj”, si kategori gramatikore dhe semantike, përgjithësisht
përkon me atë të gjuhëve i.e.23, dhe
kjo shërben mbështetje për karakterin arkaik të foljes-frazës në këtë vështrim.
Kjo vetë e supozuar e tretë njëjës e aoristit
me –i-në burimore do të ruhet në shqipe si ban-i/bër-i,
kurse në kohën e tashme do të evoluojë në trajta baj/bëj;
banj/bënj të shqipes, si dhe forma të tjera të fleksioneve të mëvona
si “na ba(n)i (na bani)”.
Edhe në këtë formë folja “bëj” mund të
interpretohet, varësisht nga konteksti, jo vetëm si aorist por edhe urdhërore e
tashme (“ na bani darkën sa për tre veta! bana darkën sa për tre veta!”), me
nëntekst marrëveshjeje, pajtimi, dakordimi, ku tema e lashtë ba- ruhet
thelbësisht dhe formalisht e pandryshuar, pavarësisht nga varianti i
mëvonë bë- i toskërishtes.
Në pikëpamje sintaksore, me këtë formë bai mund
të na dalë një ndërtim arkaik dhe jo i zakontë për morfo-sintaksën e mëvonë por
edhe të sotme, ku përemri vetor na i cekur më lart, dhe i
dëshmuar në periudhën e dokumentuar të shqipes24,
i paraprinë një forme foljore në shikim të parë si njëjës, që krijon vështirësi
shpjegimi funksional sintaksor.
Lidhur me këtë, nuk mund të anashkalohet as
variant i mundshëm sintaksor-semantik që atëbotë bai të ketë
pasur, si folje e rregullt arkaike, formë të njëjtë edhe në shumës, të jetë
përdorur për një Na “të madhërisë” së cekur
më lart, e në thelb të jetë përshtatur me një njëjës logjik të kryefjalës
formalisht në shumës na.
Të dy këto supozime mund të shpien kah një
gjurmë dialektore që është ruajtur në disa të folme të Kosovës dhe më gjerë të
llojit *bai-na, baj-na, të dokumentuara në shembuj si e
pleçnojna, e martojna, i thojna.25
Për më
tepër, në të folmet përkatëse dhe më gjerë, përdoren dendur sot e gjithë
ditën shkojna, kalojna, punojna, valojna, ku
shohim një -na të përngjitur me prapavendosje në funksion të
kryefjalës : *na-martoj; *na-thoj; *na-pleçnoj (në vend të martoj-na,
thoj-na, pleçnoj-na), e kështu me radhë, edhe me analogji me kena (kemi+na), jena (jemi+na).
Si rrjedhim, na bai në këtë
frazë ka shumë gjasa të mbulojë edhe vetën e parë shumës të dëftores “bajmë,
bëjmë” edhe me kuptim të nuancës urdhërore. Kjo urdhërore më vonë do të ketë
pësuar një ndërrim vendi dhe funksioni prej bai-na>baj-na, që
dëgjohet edhe në gjuhën popullore si “na ba gati, bana gati drekën!…”
si urdhërore e vetës dytë, e inkuadrueshme me kuptim konteksti apo
nënteksti * “ na bai, baj; baina, bajna sa treve!”
Në të gjitha variantet e teksteve në
greqishte që i patëm në dorë, në fund të kësaj fraze figuron një pikë e
thjeshtë. Kështu ka mbetur edhe në shumë tekste të përkthyera, përveç një
teksti në gjuhën angleze26,
ku figuron një pikëçuditje, sikur edhe në ndonjë variant përkthimi me hamendje,
sipas kontekstit.
Pa marrë parasysh se cili variant këtu është
më i qëndrueshëm sa i takon modalitetit të trajtës foljore kallëzues bai,
folja “bëj” është, pa mëdyshje, si fjalë e gjymtyrë gramatikore brenda kësaj
fraze, gjithnjë e shpjegueshme me mjetet e shqipes.
Gama më e gjerë e vlerave fleksionale vetore,
kohore dhe modale që mund të ngërthejë kjo trajtë e foljes bai dhe
vetë semantizmi i frazës në tërësi, edhe në kontekstin ose nëntekstin më të
gjerë të mesazhit, mund të jetë një sinjal eventual për një fleksion formalisht
të kufizuar dhe polivalent në fazën më të hershme të zhvillimit të gjuhës
iliro-shqipe.
Në vazhdim, fleksioni duhet të ketë marrë
forma shtesë dhe mbaresa më eksplicite për përcaktimin e mënyrave, kohëve dhe
vetave, siç mund të shihet nga dëshmitë e shkruara prej autorëve të vjetër e
këtej, si dhe nga reliktet e dialekteve dhe të folmeve të ndryshme të shqipes.
Njëri prej semantizmave të foljes “bëj” të
shqipes është edhe “formoj së bashku me të tjerët (1+2)”, “bëj shoqëri,
marrëveshje, koalicion”, *“baisa treve”, një “lidhje e besës, fjalës mes
treve”. Ky semantizëm, duket se na del, në mënyrë implicite, i përafërt me një
interpretim të mundshëm të frazës në tërësi, si një formulë parafrazuese me
kuptim “ dakord, pajtoj”, i ruajtur në ndonjë të folme edhe në frazeologji “i
bajmë fjalët, i kena ba fjalët” me kuptim, “merremi vesh, u morëm vesh” të
cilën formulë si duket e ka kuptuar edhe bashkëbiseduesi i Tribalit Pisteteri,
përkatësisht Herakliu.27
Në aspektin leksiko-semantik,
sociolinguistik, konceptual-jashtëgjuhësor, gjithnjë në të mirë të vjetërsisë
dhe arkaizmit, kjo fjalë-folje e shqipes, analogjikisht edhe me disa gjuhë të
tjera, është shumë karakteristike me poliseminë apo semantizmin e saj të krijimit,
bërjes, lindjes, zhvillimit, prodhimit të diçkaje, përfshirë këtu edhe
fenomenet natyrore në vetën e tretë njëjës bën të ftohtë, bën të nxehtë, bën
kohë e mirë e të ngjashme me to. Këtu nënkuptohet fuqia e Perëndisë,
Krijuesit me kryefjalë implicite Ai; një Ai që
nënkupton Zotin.
Te Buzuku ndeshen shembuj si (…) u
baa Diluvii (=Përmbytja R.U.); E u baa shiu; bani djalëtë edhe
kjo gruo; te Budi Dielli bani dritë, pra një koncept
i lashtë sa vetë lindja e njeriut, dhe lidhja e ekzistencës dhe jetës së tij me
fuqinë e natyrës.
Në mënyrë të ngjashme ndeshet në
frëngjishte Il fait froid, chaud, beau, nuit (bën të ftohtë, nxehtë,
kohë e mirë, natë). Ky Il (=Ai) i frëngjishtes, këtu
i përdorur si pavetor apo njëvetor, nuk përkthehet dhe historikisht nënkupton
Zotin apo fuqinë e Zotit, Natyrës.
Përgjithësisht, folja “bëj “e
shqipes, me këto semantizma dhe trajta të ndryshme kohore dhe mënyrore,
përdoret në mbarë shqipen, në të gjithë dialektet e të folmet e saj, prejse
mbahet në mend, e dëshmuar me shkrim prej Buzukut e këtej, përfshirë këtu edhe
glosarët, fjalorët më të vjetër, gjithnjë me një temë stabile të
padiskutueshme.
Kjo temë stabile ba-, e
identifikueshme me atë βα-ι të frazës në vështrim, ndeshet
me fleksione të zhvilluara te Buzuku si u’kam baatë, te bainsh (përdoret
disa herë), teh banj, pastaj në aoristin vepror apo pësor bani
kryq enballë; e banih Noe gjithë qish hi ordhënoi Zotynë; u baa, u banë. Pastaj: Qish
të banj u tash? Kloftë bām (dëshirore) drita e u ba drita”.
Budi: … Qi nē na kie bām; U bā liqe i zī; Qish bani (v. 3
njëjës R.U); Qiritë u bainë dritë; … na baijmë. Te Bardhi
ndeshen: “me baam (për facere të lat.); ata
të mirë që të baish…kis te baish; të bainj natën e mirë; si te bais, ashtu ke
me gjetun; por edhe ata të mirë që të baish… Bogdani: iu
pat bām hain; Bâftu…u bâft e kështu me radhë.
Për fat, fjala-folja “bëj” dhe
tri fjalë të tjera që do të përsëriten në frazën e dytë, janë fakte
metodologjikisht të parapëlqyeshme, më se të rëndësishme, që zbërthimi dhe
interpretimi i dhënë këtu të jetë diç më shumë se një hipotezë pune, për çka do
të bëhet fjalë edhe në kontekstin e frazës së dytë. Në këtë korelacion folja
“bëj” në frazën e parë mund të kuptohet edhe si “na llogariti sa për tre veta”.
SA
Gjymtyra sa, e cila mund të jetë
përemër pyetës, i pakufishëm, ndafolje sasiore për të pyetur për një sasi, këtu
duket se del në funksion të një ndajfoljeje sasiore që është fjalë e mbarë
shqipes së shkruar apo të folur dhe dialektore, shumë stabile, siç mund të
shihet edhe në dëshmitë më të vjetra të shqipes së shkruar: “saa hi
naltë e hi mujtun anshtë Zotynë”; “saa qishdoh tëh kujtuom
kujtonjinëh (…); sā trima tëh tim et…(Gj. Buzuku); Sā je
i duruom; Me sā shpresë
e hire; trima tëh tim et…”; Sā je i duruom; Sā kafshë
u premtove; Me sā shpresë e hire; sā moti e
jete; sā gjith gjindja (P.Budi) e kështu me radhë.
Ka shumë gjasa që, si kategori e tillë, në
rrafshin morfo-fonetik, leksiko-gramatikor e semantik, kjo sa të
jetë e stërlashtë, e afrueshme me një rrënjë të sanskritishtes sa aq
më parë se nuk ka gjasa të lidhet me temën kw–të i.e, e cila temë
ka dhënë në shumë gjuhë i.e., kategori të ngjashme leksiko-gramatikore me
semantizma të përafërta28 me
atë gjegjëse të shqipes.
Në kontekstin e frazës në vështrim, shohim
dhe një semantizëm me kuptim “gjithë”apo “deri në atë masë”. Përndryshe, kjo
fjalë përdoret edhe në frazën tjetër enigmatike, me kuptim të nuancuar, gjë që
e verifikon vendin e saj stabil si kategori leksikore dhe gramatikore.
TRE
Tre, si
gjymtyrë e katërt e frazës, në një mënyrë mund të shërbejë një lloj ekuacioni
për zbërthimin e mesazhit të përgjithshëm, të semantizmit të frazës gjegjëse në
kontekstin e skenës ku paraqiten tre personazhe të dërguar nga Zeusi, për të
negociuar për një marrëveshje trepalëshe Poseidoni-Herakliu-Tribali me
Pisteterin e Mbretërisë së “Zogjve”.
Vetë numri tre i shqipes
është shumë karakteristik si trajtë stabile, frekuente e afrueshme me ato i.e.,
me simbolikë të përgjithshme edhe të bashkimit të qenieve të gjalla si rezultat
1+229, por edhe të veçantë tek ilirët, përkatësisht
shqiptarët, dhe si i tillë, bashkë me numërorët tjerë, ka qenë objekt shqyrtimi
të gjerë dhe të përimtë nga albanologu E. Hemp.30
Është i shpeshtë në përralla, tregime të
moçme, rituale: “tre vëllazën”, “e treta e vërteta”, “erdhi vetë i treti”,
përfshirë këtu edhe sintagmën simbolike “tre vllazën”për tre tallazet më të
forta të detit që vijnë me intervale njëri pas tjetrit, mandej lutje rituale
kur i drejtohemi detit tri herë, e kështu me radhë.
Ky numër shquhet në shqipe edhe me faktin
shumë origjinal, të përdorimit të shpeshtë në dy gjini, përkatësisht
mashkullore tre dhe femërore tri (tre burra,
tri gra).
Y
Në fonemëm e fundit -υ̃ (-ypsilon)
me një theks lakor-hundor, të transkriptueshme me atë –y hundore-lakore
të shqipes, shohim një element të vështirë për kategorizim dhe
shpjegim. Rrjedhimisht, nuk mund të ketë vend as arsye që grafema, përkatësisht
fonema υ̃ e greqishtes të jetë aty si ndonjë
epentezë, element i rastësishëm, as pjesë përbërëse e ndonjë dyzanori ευ, kur
dihet se ε-ja është e pandashme nga trupi i numërorit τρε (tre), shumë
e mundshme të jetë një grafemë-fonemë υ̃–
(-ypsilon) mjaft domethënëse.
Kjo grafemë-fonemë, e transkriptueshme
me y të shqipes, mbase edhe të protoshqipes a ilirishtes
(rikujtojmë ‘Iλλυριοί- Illyrët), në kuptimin më të gjerë të fjalës,
duhet të përfaqësojë një gjymtyrë, këtu përemrin vetor y (ū-y), “neve”të
theksuar. Aq më parë sepse mund të gjejë mbështetje, qoftë edhe të tërthortë,
në dukurinë e njohur të supletivizmit njëjës-shumës unë~na/neve, e
hetuar dhe e pranueshme dukuri e përbashkët i.e., me mundësi trashëgimi nga një
fazë e hershme përkatëse31, këtu e shqiptueshme me një nuancë më të
labializuar trey/trev(e).
Përveç tjerash, kjo zanore, siç thuhet, është
përftuar nëpërmjet evolucionit të ū-së në fjalët e trashëguara si
edhe huazimet latine qysh para shek. IV.32 Si
e tillë, shkon në të mirë të transkriptimit dhe të shpjegimit këtu, të
grafemës-fonemës υ greke me y shqipe, por
relativizohet në diakroni, me mundësinë e ekzistimit të kësaj foneme y që
në ilirishte, me alternime të mëvona në areale të shqipes si y-u-i.
Një dukuri e tillë dëshmohet në formë të
shkruar si te Matrënga “kle vënë kriq…hipi ndë qiellt…të gjukoj…Ati inë
…Tinëzot …”, te Budi “gjukuom…gjukatësi…gjukata”,
kurse te Bardhi “qish e gjykuem”. Gjallërojnë edhe sot në disa të folme
të shqipes, sidomos në të folmet toske “ill për yll, di për dy, si për sy”, ruajtur
edhe në proverba: “Siri që s’shihet, çpejt harrohet.”; “Zënë ta
dëgjofsha, me si mos të pafsha” e kështu me radhë.
Nga ana tjetër, kjo υ (y), me
funksion të përemrit-përcaktuesit pronor yni, i yni, dëshmohet
dendur tek autorët e vjetër Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani): “(…) hi ordhënoi
Zotynë; E yt bir zgodh me klenë; zotynë t’u
nfaltë; Yj zot; Neve na
ngushëllove”; T’ardhunit’ e yne zote.
Ky shpjegim, siç shihet, duket të jetë me
interes edhe për nga renditja e gjymtyrës υ̃ (y),
pra *y-ni, i neve,i ne ), jo aq e zakontë për sintaksën e sotme të
shqipes, e prapavendosur gjymtyrës së fundit, numërorit tre(τρε-υ̃).
Në të mirë të një renditjeje analoge gjejmë
shembuj të mjaftueshëm në përkthimin e Ungjillit si në variantin geg ashtu edhe
në atë tosk, përkatësisht tek autorët e vjetër: “Do t’ju bâjnë
syrgjyn juve; Do t’u nxjerrënë juvet”; “Kam
ne shum’ për t’ju thanë juve; ua dha atyne, por
edhe si “atyne u lenë bijah; e neve na bane
tinëzot; û ty të lus; Nēve na ngushëllove”-e
kështu me radhë.33
Si përfundim, kuptimin e plotë të kësaj fraze
e shohim dhe konceptojmë si “Na bai(na)
apo baj(na) sa (deri)tre-v (neve), …baj (na) sa
trev” (”, me aluzion të përafërt : “Na (neve-unë) baj bashkë neve tre (
neve)”, “Na (neve-unë) baj(na) bashkë vetë i treti”, “baj(na) bashkë sa
trey(trev)” për një të mundshme *baim, baijm, bajmë”, apo *baisa, bajsa, besa,
apo fjala e lidhur mes treve”, pra “pajtoj, jam dakord”,”u ba, u morëm vesh”.
Cilido variant kuptimor të jetë, forma e
foljes βαι e transkriptuar me alfabetin grek mund të jetë
vetëm ajo gjegjëse bai, pra bai, (baj/bënj; bani/bëri apo bani/bëni; bai(na),
baj(na), edhe si urdhërore e mundshme e shqipes, mbase tradicionalisht me
dykuptimësinë e nuancuar në gjuhën protokolare-politikaneske.
Rrjedhimisht, mendojmë se, përgjithësisht,
fraza në fjalë e ka vendin e një kodi tribalian në formë shprehjeje
frazeologjike të ngurtësuar që ka zënë vend në komedinë “Zogjtë” jo rastësisht,
por me qëllime të efekteve dramatike, kureshtare, spirituoze dhe ekuivoke.
Rikujtojmë këtu se kjo frazë enigmatike e
Tribalit u ka shkaktuar kokëçarje përkthyesve dhe komentuesve të komedisë
“Zogjtë”, të cilët variantin ναβαισατρευ̃ (që
e kanë shumica e dorëshkrimeve në mesin e të cilëve edhe tre më të vjetrit) e shohin
apo shpjegojnë në mënyra të ndryshme: si “të pakuptimtë” apo
mundohen që megjithatë të gjejnë një kuptim të supozuar si “shkuam ne
të tre”, “nuk frikohem aspak“34:
“që nuk ka kurrëfarë kuptimi në asnjë gjuhë dhe është e kotë t’i kërkohet
ndonjë kuptim”35 etj.
Pa marrë parasysh se cili variant
sintaksor-stilistik-emocional i këtij zbërthimi mund të jetë më i afërt të të
vërtetit, një gjë duhet të jetë e qartë: -Fraza e parë në vështrim nuk është e
pakuptimtë, por inkuadrohet në logjikën e kontekstit dhe nëntekstit
filologjik-gjuhësor, si mesazh me konotacion aprovimi indirekt, një lloj
formule “me rrotlla”, me gjymtyrët përbërëse leksikore e
gramatikore të shpjegueshme me mjetet e shqipes. Është shprehje e një kuptimi
të plotë me të gjitha gjymtyrët leksikore-gramatikore, që me modifikime të
pjesshme morfo-fonologjike në krahasim me shqipen, kanë gjallëruar në frazën e
përngjitur si një lloj shprehjeje e ngurtësuar proverbiale.
Me këtë frazë shprehet pajtimi me të tjerët
“me u ba sa tre”, “deri më tre”, “vetë i treti” për të plotësuar porosinë e
simbolikës së bashkimit, koalicionit, marrëveshjes, apo edhe të ironisë,
lojërave diplomatike, mashtrimeve, shprehjeve ekuivoke, dinakërisë.
Për këtë është i vetëdijshëm personazhi
Tribal, i zgjedhur përfaqësues i “barbarëve” të përbuzur, ilirëve në kuptimin
më të gjerë, të cilët, deshe s’deshe, kanë pasur vendet e tyre edhe në Olimp,
krahas grekëve, mbase edhe para tyre.
Duket se porosi të ngjashme janë ruajtur
tradicionalisht si formula, shprehje proverbiale të shqipes si “Bëj siç bëjnë”
(Devoll)“ “Kur je vet i treti, je i tërë “(Skrapar) “Litari me tri fije mban më
shumë” (Shkodër), që në aspektin sociolinguistik, psikologjik, shprehin
filozofinë e miqësisë dhe bashkimit, që ka lënë gjurmë edhe në shprehjen
proverbiale të shqipes “janë lidhë tresh”por edhe të simbolikës së epilogut si
“e treta e vërteta”.
Në ecurinë e zhvillimit të ngjarjes së
mëtutjeshme me dialogë dhe replika, personazhi Pisteter vë në dukje se, edhe
nëse kushdo që zotit i premton flijimin dhe thotë se “Zotat mund të presin”,
dhe nga koprracia nuk paguan borxhin, këtë do ta paguaj dyfish; sepse duke
numëruar monedhat e
argjendit, “korbi do të vijë fluturimthi dhe do të
rrëmbejë monedhat e argjendit për dy delme dhe t’ia çojë zotit”, gjë që Herakliu e pranon dhe voton që skeptri t’u kthehet Zogjve. Kur Poseidoni ndërhyn që
për këtë të pyetet edhe Tribali, të cilit Herakliu i drejtohet me kërcënim me
thupër, ai i pari e kërcënon me shkop36 dhe,
sikur me rezignatë, shqipton frazën e dytë, gjithashtu
enigmatike që ngërthen një kod të lidhjes së koalicionit me dhunë a presion.
ANALIZA E FRAZËS SË DYTË
Kështu na del fraza e dytë e shqiptuar nga
personazhi Tribal, e transkriptuar me alfabetin grek të kohës, si vijon:
ΤΡΙΒΑΛΛΟΣ
σαυ̃ νάκα
βακτα̃ρι κρου̃σα.
Sipas dorëshkrimit paraprak në gjuhën greke
(cituar nën 5), kjo frazë del e segmentuar në katër njësi të
transkriptueshme si say/naka/baktari/krusa.
Në dallim prej këtij varianti grek që u mor
për bazë, për arsyet e cekura më parë, të gjitha variantet e dorëshkrimeve në
gjuhën burimore greke, rrjedhimisht edhe ato të përkthyera në gjuhë të huaja që
i patëm në dispozicion, dalin të segmentuara në dy njësi σαυνάκα
βακταρικρου̃σα, me
ndryshime të dukshme diakritike-ritmike, përkatësisht të transkriptuara Saunaca
Bactaricrusa ose Saunaka baktarikrousa.37
Bashkëbiseduesit Poseidoni dhe Pisteteri,
duke pasur parasysh edhe nevojën për votën e Tribalit, me presion a dredhi,
nxjerrin fjalinë misterioze të këtij të fundit.
Kjo fjali në kontekst mund të kuptohet si kërcënuese,
edhe pse në tekstin grek formalisht përfundon me një pikë të thjeshtë. Në
greqishte pra, pika e thjeshtë, si shenjë pikësimi, mund të përfaqësojë edhe
intonacionin çuditës, të cilin e ndjejmë dhe konceptojmë si frazë
pyetëse-habitore.
Në përkthimet serbisht, kroatisht,
gjermanisht pikësohet me pikëçuditëse, në ato frëngjisht e anglisht kryesisht
me pikë të thjeshtë. Kjo divergjencë pikësimi është e kuptueshme pasi te
përkthimet në fjalë është dhënë vetëm transkriptimi, shpeshherë jo krejt i
përpiktë, si pasojë e moskuptimit të frazave enigmatike të një gjuhe “barbare”.
Fraza e dytë e Tribalit “koprrac” (thojëzat
R.U.), nënkuptohet apo ndjehet si kërcënim i pjesshëm, pakënaqësi për çmimin e
lartë, rrjedhimisht, sipas analizës në vazhdim, si një fjali pyetëse-habitore.
Sidoqoftë, fraza e dytë misterioze është
tejet e rëndësishme, sepse ajo lidhet, për mendimin tonë, edhe strukturalisht
edhe logjikisht me të parën, sidomos me përsëritjen e katër elementeve që u
studiuan më lart na bai sa y që, në këtë variant segmentimi të
mundshëm, do të ruajnë semantizmin dhe funksionet gramatikore të njëjta,
përkatësisht të përafërta.
Në mbështetje të asaj që u tha deri më tani,
por edhe të lidhshmërisë së disa gjymtyrëve të frazës së parë me të dytën, na
thotë mendja se transkriptimi fonetik në vija të trasha dhe segmentimi i kësaj
fraze do të duhej të ishte si vijon: SA /Y/ NA/ KA/ BA/KT(A)’ARI/KRUS-a/.
Y
Grafema υ̃ edhe në këtë frazë, në dorëshkrimin që u mor për bazë (cituar
nën 5), figuron në pozicion final të gjymtyrës së parë me shenjën diakritike të
hundores-lakore sikur në frazën e parë, në dallim prej disa teksteve të tjera
në gjuhën greke ku figuron pa theks, pra vetëm si υ: σαυ̃ (në gjymtyrën e parë të dorëshkrimit bazë), gjegjësisht σαυνάκα në
dorëshkrimet e tjera.38 Sido që të
jetë, kjo gjymtyrë υ, në vija të trasha është e
transkriptueshme me y apo mes u-së dhe y-së
të shqipes, si duket, në pozicion më të labializuar.
Në një zhvillim të brendshëm të shqipes këtu
shohim, përveç trajtës së përemrit vetor y (*ne, na,neve), edhe atë
të pronorit të kategorisë mashkullore (miku, shoku) i ynë ( y-*i ne,
neve). Gjymtyra y-na, në raport funksional me foljen “bëj”
në kontekstin e kësaj fraze të dytë, mund të interpretohet si përcaktues pronor
“jona”, “hisja jonë”, dhe si e tillë dëshmohet edhe në burime të shkruara prej
Buzukut e këtej si Zotynë i përdorur disa herë, përkatësisht Yt
vëlla erth e yt…, ashtë yjti; biri yjt… djali yjt, pastaj te
Budi …e ventë shpirtit tyne, yni me qenë dënuom;…yti me qenë vum,
te Bardhi, Bogdani…
KA BA
Çështje e fjalës-foljes “bëj”, këtu zgjerohet
me semantizmin kontekstual të pagesës, llogaritjes, çmimit (“sa bën-kushton, sa
ka ba-ka kushtua”, në dallim prej asaj në frazën e parë, ku përveç kontekstit,
imponohet edhe nënteksti.
Vetë trajta foljore-analitike e së
kryerës ka ba duhet të jetë një zhvillim i brendshëm i
ilirishtes së asaj kohe, që në shqipe e ka ruajtur këtë formë stabile, të
dëshmuar, siç u pa më lart, tek autorët e vjetër, veçanërisht ata të
veriut: u’kam baat; të kam baam e krijuom; Qi nē na kiē bām; qi nah bām
kemi (për fecimus të lat.) me një renditje të kundërt,
edhe në të kryerën e plotë Zotynë seh kish baam, krahas
konkurrentit të madh aoristit u baa, e bani. Kjo, në një dorë,
e mbështet mendimin e pranueshëm se perfekti me veçoritë e formës dhe kuptimit
u përftua në një fazë të hershme të i.e.39
Në të gjitha variantet e segmentimit të kësaj
fraze, bie në sy se, si në ndarjen në dy gjymtyrë, ashtu edhe në ato me më
shumë gjymtyrë, ba prin rregullisht gjymtyrën, që për mendimin
tonë dëshmon për një fazë të formimit të brendshëm gjuhësor të perfektit
analitik. Folja ndihmëse “kam” do të jetë përdorur këtu ende me kuptim primar
të “posedimit”, kurse ajo “bëj” sadopak autonome, si bartëse e kuptimit primar
“bën, kushton”. Më vonë, me desemantizimin e foljes ndihmëse, ka funksionuar si
e kryer ka ba/ka bërë=kushtuar, që tregon shumën, dhe gjithsesi i
takon sistemit më të lashtë të numërimit (këtu 2+1 bëjnë tre).
KT(A)
Gjymtyrët e reja që dalin në frazën e dytë, ku
përforcohet mesazhi në kontekstin e marrëveshjes së tre ambasadorëve për të
lidhur paqë me Pisteterin e mbretërisë së “Zogjve”, janë fjalët-gjymtyrët ktari dhe krusa.
Gjymtyrën ktari e shohim të
zbërthyeshme si sintagmë kët(a) ari ku
puqen dy aa, që me kontraksion formojnë një ā të
gjatë në fjalën vijuese ari, pra si kt’ari. Mbiemri
(përemri) dëftor këta është ruajtur në shumë të folme apo
dialekte të shqipes si trajtë kryesisht e konsideruar asnjanëse, si këta
bukë, mish, djathë, që dëshmon për gjurmët arkaike të një relikti të
vjetër edhe të neutrumit të shqipes, mbase edhe si atraksion i mundshëm nëse
fjala ar pranohet pa rezervë si e prejardhur nga
latinishtja aurum, ku emrat e metaleve janë të gjinisë asnjanëse.
Në prizmën e gramatikës historike, ka
supozime të pranueshme se përdorimi i dëftorëve edhe si vetorë duhet të ketë
nisur herët.40
Pra, edhe
trajta këta në këtë vështrim konsiderohet asnjanëse, me formë
të njëjtë si në emërore ashtu edhe në kallëzore. Në përputhje edhe me shumësin
e gjinisë mashkullore, si e vjetër dhe e konservuar në të folmet e shumta të
shqipes (kta djath, kta uj), arsyetohet si e pranueshme dhe e saktë në
këtë sintagmë. Për më tepër, përdoret si e pandryshuar prej Buzukut e këtej si
vijon:”Nginjë këta n’buke”, “këta te ditunë”, “Nuk
pat këta zotynë…(Buzuku);”Këtë jetë… këtë dhee”(Budi);
“…ndër këta malësorët tanë…”, “e këta deta… Këta deta…”(Bogdani)
e kështu me radhë. Edhe tek arbëreshët e Italisë përdoret këta ar.
AR(I)
Sa i takon fjalës ar të
shqipes, e pretenduar përgjithësisht me prejardhje nga latinishtja aurum
(Meyer, Çabej), që në gjuhët romane ka dhënë or, oro, në
këtë analizë ajo nuk prish punë në aspektin kronologjik-diakronik, krahasues,
pra as atë kontekstual. Megjithatë, ka vend për supozim që kjo fjalë e
shqipes ar-i mos të largohet nga ndonjë më e hershme e rrënjës
i.e. arg– me kuptim ndriçimi, “ i ndritshëm, i bardhë”, krahas
asaj argjend, që te Bardhi shënohet si rgiand për argentum të
latinishtes, në greqishte ὰργύριον për argjendin, monedhat e argjendit,
siç del edhe në kontekstin e zhvillimit të ngjarjes në skenë.
Si ar e shënon Buzuku (U nuk
kam as ar as rgjand). Pastaj P. Budi, Bogdani “…plot
zeha ari, rëgjandi”, kurse Luka Bogdani (kushëri i Pjetrit) shënon
në një varg të tij (…) rgjandje (për argjend R.U.) dhe ari. Sido
që të jetë, në këtë gjymtyrë fjala ar-i me kuptimin e metalit,
argjendit, përkatësisht monedhës së çmuar, nuk vihet në dyshim sa i takon
diakronisë, vjetërsisë së saj, më vonë e dokumentuar edhe në strukturën e
emrit Flokart të shqipes nga shekulli XII (më gjerësisht te
studimi i cituar më poshtë nën 51).
KRUSa
Në fund, sa i takon shtresës leksikore-semantike
të emrit krusa të kësaj sintagme, problemi del mjaft i
vështirë. Në tekstet origjinare greke del rregullisht me grafinë κρου̃σα, pra në pozicion të theksit të fjalës
gjegjëse, do të thosha edhe të fjalisë. Ky dyzanor ου̃ i
transkriptueshëm me fonemën u të shqipes, në transkriptimet e
cekura më lart del si crusa ose krousa në
tekstet e përkthyera në anglisht, si crousa, krousa në
frëngjisht, pra përgjithësisht i transkriptuar krusa.
Supozimi në faqet e internetit, se kjo fjalë
mund të lidhet me gjelin, të cilin në shqipe e ndeshim edhe
si kënduos te Buzuku, që rron edhe sot si këndues,
kënues, knus, në disa ligjërime të veriut41,
has në shumë vështirësi duke pasur parasysh se grupi konsonantik kr, gr në
pozicion nistor është shumë stabil në fjalë të vjetra greke, latine të huazuara
dhe trashëguara në shqipe si gr. κρουνός= burim, krua, κρανίον=
rrashta(kafka) e kresë (krye), lat. grex, gregis=grigjë
-a, crux, crucis=kryq, e mos të flasim për emra
personash dhe vendesh antike që fillojnë me grupin konsonantik Gr–
ose Kr-(Cr-). Si rrjedhim, është vështirë të argumentohet ndonjë
kalim prej *kr>kn në rastin *Krusa>knusa.
Ç’është e vërteta, folja këndónj, “ia them këngës” i
atribuohet edhe gjelit si këndēs për “këngëtar, gjel “ nga
lat. cantare42, por
vetë fjalëformimi tingëllon si i mëvonë, si emër prejfoljor nga një cantare (këndoj)
apo nga emri cantum (këngë) i latinishtes, dhe has në
vështirësi diakronike karshi pranisë së -r – së në trup të
fjalës krusa.
Në këtë kontekst vlen të rikujtohet këtu edhe rrënja
evropiane kan– për “këndoj”me kuptim të përgjithshëm “zhurmë”, që
ndeshet në të gr. kan-akhê, lat. canere, cantum,
got. Hana, (gjel)…43 e kështu
me radhë.
Në gjuhën frënge gjeli quhet coq (shpitohet kok) dhe
për herë të parë shënohet më 1138, duke u shpjeguar si onomatope sipas klithmës
së gjelit kok që e ka eliminuar atë jal apo jau të
prejardhur nga fjala gallus44 e
latinishtes.
Në aspektin
sociolinguistik-antropolinguistik, dhe atë të vjetërsisë-diakronisë, emrat me
prejardhje onomatopeike (tingullimituese) imitojnë zëra pak a shumë në mënyrë
të saktë, herë-herë me dallime të dukshme, herë-herë shumë të përafërta.
Emrat e kësaj kategorie duhet të jenë shumë
të hershëm. Ata mund të jenë emërzuar sipas tingujve të përafërt që lëshon
gjeli kur kullot, kërkon ushqimin kok-o-kok-o, pra kukurit apo kukuris, këndon
herët në mëngjes, që varësisht nga perceptimi fonik artikulohet, sipas gjuhëve
të ndryshme, në tinguj të përafërt si cocorico apo coquerico fr.,
kurse në gjuhë të tjera si shqipja kukuriku, kikiriki …
Në këtë kontekst, në shqipe kemi edhe
foljen kakaris, përkatësisht emrin kakaris-je për
zërin që lëshon pula kur bën vezë apo trembet. Është e njohur edhe folja krukulís e
shqipes me prejardhje onomatopeike për “gugat” pëllumbi (e shënon G. Meyer
në Fj.et. të shqipes, f. 260), si
dëshmi fjalëformuese onomatopeike që do të vlente eventualisht edhe për
emrin krusa këtu, me gjasa shpjegimi me prejardhje
onomatopeike.
Po kështu ndeshen emra onomatopeikë edhe në
gjuhët sllave si kokot-anje, koko-dakanje, kukurek-anje petla, kukureku,
kik(e)rik, kukuriku, kukurijek, edhe it. chichirichi canto del gallo (kikiriki kënga e gjelit), si dëshmi të afrisë
artikuluese-onomatopeike por edhe dukurisë fjalëformuese.
Ka gjasa, pra, që perceptimi onomatopeik dhe
artikulimi imitues në gjuhën ilire, protoshqipe dhe shqipe, të ketë qenë *kukuriku, si *kukuris-je dhe
me një evoluim ekonomizimi me shkurtime a rënie të rrokjeve të patheksuara
si *kukriku– i emërzuar me mbaresën e vjetër-u-os si *kukuriku-os>
kukukru-os, kukru-os>kukrus>krus, që
në shumës mund të ketë marrë mbaresën -a të shumësit krus-a në
kontekstin e frazës.
Dukuri të ngjashme mund të shihen tek emri i
një shpeze të quajtur (rosë) kërkëre që dëgjohet në trevën e
Ulqinit, si dhe një pëllumb i quajtur gugash, sipas zërit, gugatjes gu-gu-gu. Padyshim
nga një *gugas i mëhershëm, shumës gugash-a, gugash-at,
analogjikisht me krus-a, në këtë vështrim, pastaj, me gjel-a,
këndus-a, knus-a.
Emërzimi prejfoljor me mbaresën -s në
shqipe del shumë i shpeshtë në emra veprues si shkues, punues, urues,
banues, pra edhe këndues, te Buzuku kënduos, në të
folme të veriut edhe knus, knusat.
I tërë ky evoluim i mundshëm i një
onomatopeje të stërlashtë, të emërzuar dhe reduktuar sipas ekonomisë dhe
dukurive fonetike, të pranueshme si alternime vokalike, metateza, rënie të
rrokjeve të patheksuara në fjalëformime emërzimi me mbaresën -uos, ues, megjithatë
mbetet hipotetik.
Grafema-fonema -a, si
mbaresë që këtu do të shënonte shumësin krus-a, përdoret
shpesh për të shënuar shumësin në të folme e dialekte të ndryshme të shqipes
dhe në mbarë shqipen.
Ndeshet tek autorët e vjetër në emrat
mashkullorë a femëror të kësaj kategorie apo kategorive të ngjashme : “treqind
pasha”, “gra, vash-a”, “bija” të “bukura gra”,
“poda”, “ujëna”, “majëna”, “trima” e mos
të flasim për shumë emra mashkullorë si lis-lisa, plis-plisa,
shkues-a, por edhe mashkullorë e femërorë për shpezët, si bilbil-bilbila,
gjel-gjela, sokol-sokola, skjap-skjapa, pulë-pula,
sorrë-sorra e shumë të tjerë, që duket se ngërthejnë ngjyrim
arkaik, madje deta, këta deta, dy deta (te
Bogdani).
Këtu duhet përmendur renditja jo e zakontë në
raportin përcaktues-i përcaktuar si k’tari krusa, gjithsesi
arkaike, me aluzion në monedhat e arta me figurën e gjelit, në vend të “këta
krusa ari”, me ndërrim të topikës i përcaktuar-përcaktues në shqipen e
mëvonë dhe të sotme.
Në këtë kontekst rikujtojmë fjalitë ku
Pisteteri shprehet hipotetikisht për personin koprrac (që numëron paratë në
monedha argjendi), përkatësisht për borxhliun e vonuar, të cilit ky ves do t’i
kushtojë shtrenjtë, kur korbi do t’ia rrëmbejë monedhat e argjendta me vlerë të
dy delmeve, për të paguar dyfish flijimin e vonuar.
Kjo mbase ishte vërejtje për “Tribalin
koprrac”(thonjëzat R.U) i cili jo rastësisht përdor frazën” sa y(v) na
ka ba kët(a) ari krus-a”, “sa y(u) na ka ba këta (monedha) ari krusa (me
figurën e gjelit-kënduesit)”, kur dihet se flijimi për zotat duhet të ishte i
shtrenjtë dhe dinjitoz, dhe paguhej në mënyrë dinjitoze me arin e çmueshëm;
mbase dyfish nga Tribali “koprrac”, i cili e pranon marrëveshjen me habi
pyetëse, indinjatë, si duket edhe me frikë se do të ketë qenë i mashtruar.
Natyrisht se kjo marrëveshje e duhur e
irriton Tribalin e pakënaqur, të cilit Herakliu i drejtohet edhe me kërcënim
fizik, me presion që të pranojë, me ç’rast Tribali sikur lëshon pe dhe prononcon
frazën e cekur, si i pakënaqur që aleanca me Mbretërinë e “Zogjve” u pagua
shtrenjtë, mbase dyfish a trefish, “me monedha ari me figurën e gjelit,
përkatësisht krusit”.
Herakliu, si duket e kupton gjuhën e
Tribalit, apo “gjuhën e gjesteve” të tij, por edhe e njeh apo di “gjuhën e
forcës dhe presionit”, dhe menjëherë deklaron se Tribali e pranon propozimin të
cilit i bashkohet edhe Poseidoni dhe marrëveshja për paqe arrihet
përfundimisht.
Sa i takon pikësimit, e ndjejmë se kjo frazë
do të duhej të kishte intonacionin e fjalisë pyetëse-habitore.
Në rrafshin sociolinguistik apo
etnolinguistik, sociologjik apo etnologjik prania e gjelit-kënduesit në
kontekstin e “Zogjve” të Aristofanit, është e pajtueshme me rrethanat etnike,
kulturore, mitike, ekonomike të kohëve të lashta, por edhe të botës së
shpezëve, por ku nuk përjashtohet as karakteri simbolik-totemik përkatës.
Gjeli, siç dihet përgjithësisht, është
paralajmërues i ditës dhe, si i tillë, te grekët ka qenë i kushtuar zotit të
diellit-Apolonit, kurse te popujt e ndryshëm ka qenë shtazë flijimi45,
por e rëndësishme për këtë rast është se figura e tij del në shekullin e V para
erës sonë, në monedhën e kolonisë Himere në Sicili.
Prejardhja onomatopeike e kësaj gjymtyre
është pak e besueshme.
Me këtë rast, në aspektin filologjik,
etnolinguistik, historik, numizmatik imponohet një variant i mundshëm
interpretimi të fjalës a gjymtyrës κρου̃σα (krusa), që ka të bëj me delmet,
deshtë për flijim, në kontekstin përkatës të cekur më lart, si dhe në
kontekstin mitik, ritual, por edhe të jetës fshatare-baritore.
J. G. Hahn (Hani), në veprën e tij të
mirënjohur Albanesische Studien, përmend fjalën shqipe kërrutë si
“dele me brina”, me supozim të lidhshmërisë së saj me të greqishtes κερουτίâω.46 G.
Meyer (G. Mejer), në fjalorin etimologjik të tij, fjalën kërrutë si
“dele me brirë, brisk” e qet nga lat. cornuta për “bagëti me
brirë” e ruajtur në rum. si cornut “me brirë”, që i takon
gjuhës së barinjve endacakë vlleh dhe e cila fjalë ka kaluar edhe në disa gjuhë
të tjera.47
Një lidhshmëri e gjymtyrës krusa,
në rastin tonë, me atë kërrutë-kërruta ka një bazë
kontekstuale filologjike, etnolinguistike, por has në vështirësi faktike për
shpjegimin e pranisë së mbaresës -s(a). Ka gjasa që këtu të
jetë përsëritur gjymtyra e parë sa (*krruta+sa>krrutsa>krrusa), në funksion sintaksor afektiv. Kështu, “sa/
y/na/ ka ba/ kta/ari/krusa” apo “say naka baktari krusa” nga dorëshkrimi bazë,
kuptohet edhe si “sa u na ka ba këta monedha ari delme a desh (sa)”, “sa delme
a desh na janë paguar me këta monedha ari”, gjë që nuk e dëmton semantizmin a
porosinë kontekstuale, as që i vë në dyshim mjetet gjuhësore të shqipes. Këtu
Tribali i indinjuar mund ta ketë përsëritur ndajfoljen sa (krrusa <
kruta < krutasa të
rezignatës së Tribalit.
Megjithatë, gjithnjë në favor të këtij
interpretimi të mundshëm edhe të shumësit të emrit krusa, na
merr mendja se ka vend për një mbështetje sadopak të arsyeshme, nga fakti se
rrënja i.e. ker-és në kategorinë II ka kuptimin “bri,briri”,
që në shumë gjuhë i.e. ka dhënë fjalë të këtij burimi si gr. keras =bri-ri,
lat. cornu, cornutus =bri, me brira, i brirtë, cervus=dre,
drenushë, dhe të tjera si fr. cor angl. horn, hart, gjer.Horn me
kuptim të bririt; kaprollit.48
Krahas këtyre të dhënave, ka vend edhe për
qëndrueshmërinë e faktorit diakronik. Prejardhja eventuale e fjalës kërrutë nga
një më e hershme *ker-és, kerus, deri te krus nga
shekull i V para e.re., disi afrohet me praninë e -s– në të
gr. keras, lat. cornutus si
mbiemër (=i brirtë, me brirë), që del edhe si mbaresë lakimi në forma të rasës
gjinore njëjës, përkatësisht dhanore e rrjedhore shumës të emrit cornu,-us me
kuptimi “bri (ri), i.e bririt”.
Mbase asociativisht me brirët që janë të
shtrembër, qoftë edhe me prejardhje nga latinishtja, në shqipe kemi fjalë të
rralla krrut-a (“shkop i lakuar”); kërrutë (“dele
me brirë, lopë me brirë të kthyer, shtrembër”), sintagmën brirë të
kërrusur, e sidomos fjala krrutxohém, hé; m’u krrutxue (krrucohem;
m’u krrucue) që shënohet në Fjalorin e “Bashkimit” (për incurvarsi të
it.) me kuptim “kërrusem, lakohem, shtrembërohem”.
Gjasat e këtij shpjegimi të dytë nuk janë të
vogla, sidomos duke pasur parasysh si mundësinë që gjymtyra krusa ( si
sinekdokë), me kuptimin e deshve apo delmeve të lidhet me ndonjë gjuhë të
vjetër i.e. të asaj kohe ose më heret, ashtu edhe me kontekstin e nëntekstin e
flijimit përkatës të delmeve apo deshve që paguhen me monedha ari apo argjendi.
Aq më parë, gjasat shtohen kur t’i kemi
parasysh faktet numizmatike për monedhat e quajtura iliro-greke që zënë fill në
koloninë greke Dyrrachion të Ilirisë së Jugut rreth v. 430 p.e.re. (pra nga
koha e Aristofanit), dhe më vonë, të gjetura edhe në territorin e Dardanisë. Në
faqen e disa prej tyre figuron “lopa me viçin”, përkatësisht në shpinë “cjapi
me brirë të shtrembër”pranë një gjarpri.49 Këto
të dhëna i shtojnë gjasat në të mirë të interpretimit të fjalës krusa këtu
me kuptimin “dele, dash, lopë viç me brirë të shtrembër”, përkatësisht “cjap me
brirë të shtrembër” pranë gjarprit që ishte simbol i ilirëve. Sqapi dhe edhat,
siç dihet, i flijoheshin edhe Bindit, zotit ilir të ujërave dhe të
detit.50
Mbase shpjegimi i fjalës kërrutë të
shqipes edhe si “lopë me brirë të shtrembër”, sintagma e lashtë për flijimin e
cjapit dhe shprehja e mirënjohur ironike “Shkoi si cjapi te kasapi”
konceptualisht rikujtojnë motive nga numizmatika e cekur më lart, por edhe
motive asociative biblike.
Lidhur me gjymtyrën e fundit krusa dhe
semantizmin e përgjithshëm të frazës së dytë, një gjë duhet të jetë e qartë:
cilido variant interpretimi të jetë më i pranueshëm, apo i pranuar, zbërthimi
adekuat me mjetet e shqipes nuk mund të vihet në dyshim.
Semantizmi i foljes bëj në
frazën e dytë, si bartëse kryesore e kuptimit të përgjithshëm saj, mund të
interpretohet me disa shtresa kuptimore:
1. Lidhet me marrëveshjen 2+1 nga fraza e
parë.
2. Shuma e tërësishme e parave për të tre të
dërguarit (cekur në frazën e dytë), e vlerësuar me monedha argjendi, por edhe
në emër individual të hises na (y-na): “sa është hisja e
Tribalit i cili përfaqëson zotin barbar”, me supozimin përkatës-për mashtrim me
çmim të dyfishtë, të paralajmëruar nga Pisteteri për koprracët që e vonojnë
borxhin ndaj zotave.
Pra folja “bëj” nga fraza e dytë, përdoret me
kuptimin vlen, kushton, siç mund të vërehet në shprehje të ndryshme
si Sâ ban këta? Sâ vlen këta? që i shënon Gazulli në fjalorin e tij. Vjetërsia
e vetë kësaj foljeje edhe me kuptim të “kurdisjes, mashtrimit”, “zhgënjimit”,
pasqyrohet më së miri në shprehje proverbiale arkaike si Kush ta bâni
ktâhen?-”Vetja”, ose ajo ironike “mirë ma bani” e shumë të
tjera të ngjashme, që në korelacion mund të shkojë edhe me frazën e parë me kuptim
“na kushtoi sa treve”.
Në vend të përmbylljes
Për kriter transkriptimi bazë kemi pasur
parasysh faktin e mirënjohur se grafia nuk mund të pasqyrojë me besnikëri të
plotë shqiptimin burimor -gojor, veçanërisht në rastet kur nisemi nga burimi i
shkruar, andaj edhe parimisht kemi theksuar transkriptimin “e dyfishtë” në vija
të trasha.
Fraza e parë, siç u pa, dëshmohet si
tërësisht e përngjitur dhe vështirëson zbërthimin në gjymtyrët përbërëse që
mund të dalin në variante të shumta, ndërsa e dyta, edhe pse e ndarë në katër,
përkatësisht dy gjymtyrë, në thelb ngërthen, sipas ndarjes së propozuar këtu,
më shumë se katër gjymtyrë përbërëse; dëshmi kjo për dukurinë e vjetër të
përngjitjes së gjymtyrëve që ndeshet jo vetëm në shqipen e folur por edhe në
atë të shkruar.
Në të mirë të diakronisë, në vazhdim
rikujtojmë kompozitën antike të emërlumit të njohur si Barbanna
(Bar+Banna) për Bunën e sotme dhe kompozita të shumta
të shqipes të shënuara nga shekulli XII e këtej si flokart, lulmal,
burrëmadh, kambalesh51, pastaj
shprehjen ndeshtrasha52 nga Fjalori i Harfit, zemërmermuruomitë (për
“zemërftohtët si mermeri”) te Budi, ato mitiko-legjendare shtojzovallet (eufemizëm), syqenhanjeri (për
“qiklopin kanibal”), si dhe ato që gjallërojnë edhe sot të pranuara në shqipen
standarde si lamtumirë, tungjatjeta, faleminderit, shpirtpangopur,
sypatrembur me shumë të tjera në të folme e dialekte të shqipes.
Sipas kësaj analize, gjymtyrët përbërëse të
frazave në vështrim, dalin formalisht mjaft të konservuara, kryesisht
njërrokëshe dhe të theksuara, jo aq të ndryshueshme në nivelin morfofonetik apo
gramatikor-semantik.
Përveç disa arkaizmave të hetueshme, siç janë
renditjet e gjymtyrëve, semantizmi dhe gramatikaliteti i tyre arkaik, gjurmët e
të cilit shpien në i.e. apo më herët, ato në thelb, edhe nga aspekti
historio-shoqëror, dalin si fond leksikor themelor ku edhe si të izoluara
pasqyrojnë jetën materiale dhe shpirtërore me një gramatikalitet konservativ.
Rrafshi gramatikor i një gjuhe të vjetër, përgjithësisht ilire, në thelb nuk
duhet ta dëmtojë mesazhin leksikor apo semantik, pavarësisht valencave
homonimike të formës fleksionale dhe funksioneve ekuivoke sintaksore. Gjuha e
frazave në vështrim shihet dhe ndjehet sadopak standarde nga goja e
“ambasadorit tribal”, të dërguar nga zotat e barbarëve jogrekë që zënin vend në
Olimp, krahas zotave helenë.
Sipas disa të dhënave të shënuara më lart dhe
të tjerave që ndeshen për ilirët dhe Ilirinë tek autorët antikë grekë e romakë
që u cekën në fillim, tribalët ishin fis barbar trak që
përmenden në kontekstin historik dhe etnogjeografik të popullatave më të lashta
të Ballkanit, përkatësisht ilirëve në kuptimin më të gjerë të fjalës.53 Gjuha
e tyre në kuptimin më të gjerë ishte e afërt me ilirishten apo trakishten,
kurse vetë Tribali, sipas të gjitha gjasave, i zgjedhur nga Aristofani si
personazh arketip i ilirëve kontinentalë autoktonë, kryesisht të përbuzur, si
“të paqytetëruar”, “të paarsimuar sa duhet” në krahasim me grekët.
Tribali si “barbar” fliste një gjuhë apo
dialekt “barbar” dhe shërbehej me një greqishte të dobët e të çoroditur. Vetë
greqishtja e tij e dobët, dhe frazat e ndërfutura, të panjohura dhe të
pakuptueshme për greqishten e kohës, shpien drejt supozimit të bazuar se do të
kenë qenë të transkriptuara në mënyrë sa më besnike, sa më të përafërt në
alfabetin grek nga goja e një “barbari”, pra iliri, për hir të autenticitetit
burimor, por edhe të efekteve komike, si fraza të pakuptueshme për lexuesin apo
publikun grek.
Së këndejmi, gjuha “barbare”, jogreke e
Tribalit-prototip ilir, në komedinë në vështrim do të ketë qenë një ilirishte
sadopak standarde për kohën, eventualisht ndonjë e folme trako-ilire, nga fakti
se deri më sot nuk e kemi të njohur që dikush t’i ketë zbërthyer apo
interpretuar këto fraza me mjete gjuhësore, apo relikte gjuhësore të ndonjë
gjuhe a dialekti tjetër të Ballkanit të asaj kohe.
Në këtë përpjekje për analizën dhe zbërthimin
e dy frazave, është mbajtur parasysh, në rend të parë, domosdoshmëria e qasjes
gjuhësore-filologjike interdisiplinare, pa lënë anash faktorët
jashtëgjuhësorë-multidisiplinarë siç janë ato historikë, etnogjeografikë,
sociologjikë, psikologjikë të kohës.
Le të mbetet kjo një sprovë dhe ndihmesë për
shpjegimin sa më bindës, sa më të argumentuar të frazave në vështrim, shteg i
hapur për verifikim a konfirmim, por edhe për ndonjë variant shpjegimi të
pjesshëm apo të përgjithshëm, të argumentueshëm gjithnjë me mjetet e shqipes,
të ndonjë gjuhe tjetër të asaj kohe e hapësire, apo të relikteve gjuhësore të
popujve a etnoseve të vjetra të Ballkanit, përkatësisht të ilirëve a të
trakasve.
Tash e tutje, deri të argumentohet e
kundërta, të na lejohet që frazat në fjalë t’i konsiderojmë si dëshmitë më të
vjetra të gjuhës ilire apo protoshqipe në formë të shkruar, me të cilat do të
plotësohej një zbrazëti prej rreth 19 shekujsh para Formulës së Pagëzimit nga
shekulli XV.
P.S. Sipas nevojës dhe mundësisë, mbetet vend
për një ribotim të ardhshëm,
me plotësime dhe përimtime të dukshme, me gjasa
përkthimi edhe në ndonjë gjuhë të huaj.
Autori
C u r r i c u l u m V i t a e
Ruzhdi USHAKU
Faculty of Philology – French Language and
Literature
University of Prishtina
38000 Prishtina – Xhavit Ahmeti (Bledi )2
I was born in 1938; 1 May in Ulqin
(Montenegro)
Education:
ALLIANCE FRANÇAISE –Diplôme Supérieur
d’Etudes Françaises Modernes -Paris (1963).
UNIVERSITY OF SARAJEVO (Faculty of
Philosophy) – Diplome of Second Degree –Sarajevo(1964).
UNIVERSITY OF BELGRADE (Faculty of Philology)
–Diplome of Doctorate-III Degree- Belgrade(1972).
UNIVERSITY OF BELGRADE (Faculty of Philology)
–Diplome of Doctorate– Belgrade(1979).
Professional and Scientific Experience:
Professor of French, sometimes of Latin
Associate member or collaboration of many
scientific revues
Head – French Department (1980/1981)
President of Scientific Council of University
of Prishtina (1989/1991).
Mentor of many candidates for masters or
doctors of philological sciences, or member of many boards of examiners (Paris,
Sarajevo, Belgrade, Prishtina).
Research Experience:
Scientific researchs in France, Italy,
Albania, Germany, Ex-Yu.
2000 – December: Speechs in University of
Paris III-Sorbonne Nouvelle and University of Paris VIII-Vincennes Saint-Denis;
Scientific researchs in France and Germany.
1998 – present : Bibliot
hèque Nationale de France – Paris.
1985- present : Bibliothèque Nationale de
France –Paris.
1983- Biblioteca Marciana – Venezia
(Fondazione Giorgio Cini).
1975 – One Month: in Albania (Albanian
Academy of Sciences (Institute of Language and Literature).
1972/73 – One School year; Bibliothèque
Nationale de France and Bibliothèque de la Sorbonne-Paris.
1962/63 – Specialisation in: Alliance
Française – Paris – Modern French Studies (5 th degree).
Since 1973 many Speechs, participations with
communications or presentations of scientific results in many Congress and in
international scientific meetings as: Paris, Tirana, Zagreb, Ljubljana,
Sarajevo, Helsinki, Plitvice, Belgrade, Sophia, Scutari, Ulqin, Tuz and so an.
P u b l i c a t i o n s:
1. Kërkime filologjike (Philological Researchs), Prishtinë,
Rilindja, 1981, 277p.
2. Les propositions hypothétiques introduites
par SI dans des textes littéraires en français contemporain, Prishtina, Fakulteti Filozofik-Filozofski
fakultet, 1983, 226 p.
3.Paralele të ligjërimit poetik (Parallèles du langage poétique); Prishtinë,
Rilindja, 1986, 232 p.
4. Ulqini në gjurmëet e shekujve (Ulqin dans les traces des siècles), Ulqin,
Art Club, 1991, 189 p.
5. Hulumtime etnolinguistike (Ethnolinguistic
Researchs), Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë, 2000.
6. Veprimtaria shkencore e Prof. Dr.
Ruzhdi Ushakut, Ulqin, Fondacioni LIKA Foundation, 2003, 126 p.
7. Ndihmesa onomatologjike (nga
hapësira iliro-arbërorere), UP –Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë, 2006, 216
p.
8. Ulqini nga dritaret e kohës (R.Ushaku
– J. Lika), Ulqin ,Fondacioni LIKA Foundation, 2006, 421 p.
9. Ulqini në përmasa kërkimi dhe
frymëzimi, Fondacioni LIKA Foundation, 2010, 336.
List of selected scientific studies:
1. “Tregimi mbi Peshkatarin dhe
xhindin variantë e episodit të Odiseut dhe Polifemit të
Odisesë apo gojëdhënë origjinale shqiptare” ( Le conte Le pêcheur et le djinn variante de l’ épisode Ulysse et
Polyphème de l’Odyssée ou tradition originale albanaise), in: Gjurmime
albanologjike –Folklor dhe etnologji IV/1974, Prishtinë, IAP, 1974,
pp. 42-53.
2. “Idiomatski izrazi u savremenim
srspskohrvatskim udžbenicima francuskog jezika” (Les locutions idiomatiques
dans les manuels contemporains serbocroates de langue française),
Prishtinë-Priština, in: BFF XII/1975, pp. 335-378.
3. “Idiomatski izrazi…” (Supplément –
Dictionnaire français-serbocroate), Prishtinë-Priština, in: BFF XIII/1976,
pp. 487-527.
4. “O nekim patronimima u ulcinjskom kraju i
o njihovim tragovima u srednjovekovnim ispravama”, in; Onomastica
jugoslavica 10, Zagreb, JAZU, 1982, pp. 251-257.
5. “Kontrastivna analiza nekih hipotetičnih
sistema sa SI u francuskom jeziku i njihovih ekvivalenata u albanskom jeziku” (
Analyse contrastive de certains systèmes hypothétiques français introduits par
SI et leurs équivalents en albanais) in; Godišnjak SDPL Jugoslavije 7-8/1983,
Sarajevo, 1984, pp. 819-826; “Mbi disa sisteme hipotetike me lidhëzën SI në
gjuhën frënge dhe barasvlerësit e tyre në gjuhën shqipe”, in: Përparimi 6/1983,
Prishtinë, 1983, pp. 831-838.
6. “Shprehje dhe frazeologji lidhur me termin
DET”, in: Kultura popullore 2/1982, Tiranë, 1982, pp. 123-133.
7. “Shenjat gjuhësore KRYE dhe KOKË në disa
fjalëformime të gjuhës shqipe”, in: Gjuha shqipe 1/1984, pp.
5-14; SNGJLKSH, 1984, pp. 113-123.
8. Një kontribut në studimin e leksikut detar
të shqipes” (Contribution à l’étude du lexique maritime albanais), in; Studime
filologjike 3/1984, Tiranë, 1984, pp. 123-138; SLFGJSH,
Tiranë, ASH e Shqipërisë, 1989, v. III, pp. 721-736.
9. “Ndihmesë për vështrim krahasues të një
gërshetimi leksiko-semantik dhe etimologjik të shqipes”(Contribution à une
étude comparative d’une imbrication lexico-sémantique et étymologique en
albanais), in: Fjala 3/1986, pp.8-9; Jehona 5/1986,
pp. 41-55; Gjuha shqipe 2/1986, pp. 11-19; Çështje të
studimeve albanologjike 1/1987, pp. 59-68.
10. “Francusko-Jugoslovenski odnosi (Kosovo
SAP)”, in: Enciklopedija Jugoslavije 4, Zagreb, JLZ “Miroslav
Krleža”, 1986, p. 12.
11. Mbi përdorimin e trajtave foljore në disa
tipa të fjalisë kushtore në shqipen”, in: SNGJLKSH 12/1987,
pp. 117-122.
12. “Mbi një antroponim më të hershëm të
shqipes së vitit 1188”(Un ancien anthroponyme albanais de 1188 – De l’
anthroponyme Floquart dans Florimont d’ Aimon de Varennes),
in; Fjala 20, 15. 11 1987; Gjuha shqipe 3/1987, pp. 4-10.
13. Ulqini dhe rrethina në dritën e
toponimeve”, in: Studime filologjike 3/1987, Tiranë, 1987, pp.
83-98.
14. “Rreth një termi të ri të shqipes në
fushën e astronomisë”, in: Jehona 10/1987, Shkup, 1987, pp.
224-232; GJTSH në Jugosllavi, Prishtinë, IAP, 1988, pp.
212-217.
15. “Ulqin et ses environs à la lumière de
certains toponymes”, in: Studia albanica 2/1988, Tirana, 1988,
pp. 99-117.
16. “Etimologjia shqipe e antroponimit
MATAQUAS nga romani FLORIMONT i v. 1188”, in: Fjala 2/1989, p.
7 & 10; Gjuha shqipe 3/1988, pp. 24-33.
17. Kontrastivna analiza leksičko-semantičke
strukture nekih francuskih i njima ekvivalentnih albanskih i srpskohrvatskih
poslovica” ( Analyse contrastive des structures lexico-sémantiques de certains
proverbes français et leurs équivalents albanais et serbocroate), in; Uporabno
jezikoslovlje V Kongresa DUJ Jugoslavije, Ljubljana, 1989, pp. 634-641.
18. “ Duke kërkuar prejardhjen e antroponimit
FLORIMONT të v. 1188”, in: Fjala nr. 21., 01. 12 1989, pp.
1-2.
19. “O podudarnosti leksičko-semantičke
strukture nekih albanskih i stranih narodnih poslovica” (Coïncidences des
structures lexico-sémantiques de certains proverbes albanais et étrangers),
in: Zbornik XXXVI Kongresa SUFJ, Sokobanja-Beograd, 1989, pp. 223-227.
20. “O specifičnosti i univerzalnosti u
transpoziciji vica” ( De la spécificité et de l’ universalité dans la
transposition des blagues), in: RAD XXXVII Kongresa SUFJ, Zagreb ,
1990, pp. 402-407.
21. “A re-examination of the Origin of the
Hydronym BUENA (BUNA)”, in: Philology-Filologji 4/1997,
Prishtina, Faculty of Philology, 1997, pp. 46-58.
22. “Një vështrim filologjik-krahasues si
ndihmesë për përcaktimin e prejardhjes së legjendës mbi KALANË E SHKODRËS
–ROZAFATIN” ( Ein philologischer Bedeutungsvergleich als Hilfe für die
Herkunftsbestimmung der Legende von KALAJA E SHKODRËS –ROZAFAT), in: Gustav
Majer-Gustav Meyer, Prishtina, IAP, 1998, pp. 31-47; Sem. III
Ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, Shkodër, 2000, v. I, pp. 295-307.
23. “A ka gjurmë mitologjike të shqipes në
toponimin VALDANOS afër Ulqinit” (Are there Mythological Traces in the Toponym
VALDANOS near Ulqin), in: Filologji 5/1998, Prishtinë, Fak. i
Filol., 1998, pp. 69-79.
24. “Prejardhja e huaj (sllave) apo autoktone
e prapashtesës –AK në emrin etnik ULQINAK” (L’origine étrangère (slave) ou
autochtone du suffixe – AK dans le nom ethnique ULQINAK), in; Filologji 6/1998,
Prishtinë, Fak. i Filol., pp.25-34.
25. “Femrat në dramat e Rasinit” (Les
personnages féminins dans le théâtre de J. Racine), in: Sfinga 3/1999,
Prishtinë, 1999, pp. 47-70.
26. “Mbi motivet onomastike të poemthit
‘Scodra’ të Ndre Mjedës”(“ On Onomastic Motives in the Poem ‘Scodra’ by Ndre
Mjeda”, in Filologji 8/2000, Prishtinë, Fakulteti i
Filologjisë, 2000, pp.55-65.
27. “Mbi strukturën leksiko-semantike e
fjalëformuese të shqipes në disa antroponime në romanin ‘Florimont’ të vitit
1188. in Konferenca shkencore Gjuha letrare kombëtare dhe bota
shqiptare sot, Tiranë 20-21 nëntor 1992, Tiranë, ASHA e Shqipërisë, 2003,
f. 408-415.
28. “Shqipërimi si përmasë e interpretimit
poetik” –Duke rishkruar vjershën “Vdekja e qenit” të V. Ygoit, in Jeta
e Re nr. 6, nëntor-dhjetor 2002,Viti LIV, f. 973-982.
29. “Autoktonia bregdetare e shqiptarëve në
përmasat e vështrimit etnolinguistik të E. Çabejt”, in “Eqrem Çabej”,
Prishtinë, Instituti albanologjik i Prishtinës, 2003, p. 99-110.
30. “Moi-même et Personne (Outisse)”,in Philology
11, Prishtina, University of Prishtina-Faculty of Philology, Prishtina,
2003, p. 65-84; in Japanese Hiroshima University, 1993.
31. “Sur les traces de la continuité du BIND
illyrien dans la mythologie et dans la langue albanaise”, in Philology
12, Prishtina, University of Prishtina-Faculty of Philology, Prishtina
2004, p. 33-64.
32. “Për Bunën në vend të anëshkrimit”,
Ulqin, in Dija, BKSH-MZ, Ulqin, 1/2003, p. 65-76; “Për hidronimin
BUNA në vend të anëshkrimit (About the hydronim Buna in stead of the writing
border)”, in Seminari VI Ndërkombëtar SHKODRA NË SHEKUJ, II, Muzeu Historik i
Shkodrës, Shkodër 2006, p.29-36.
33. “Sprovë për shpjegimin e prejardhjes së
emërvendit VALKALIA”, in Malësia 1/2005, p.87-93.
34. “Mbi disa trajta të mënyrës dëshirore nga
MESHARI i Buzukut- vështrim diakronik” (Ulqin, 27-28 maj 2005), in Dija
3, Ulqin, 2005,p. 211-224.
35.”Mbi etimologjinë dhe semantizmin e disa
termave detare të shqipes në fjalorët e H.A. Riza Ulqinakut”, in Bashkësia
Islame, Ulqin, 2005, p. 53-79.
36. “Structures lexico-sémantiques et
étymologiques du type d’expression BURRI I DHEUT”, in Philology 13,
U of P-Faculty of Philology, Prishtina, 2005.
37. “Hapësirë e gjurmëve të hershme të
filologjisë shqiptare”- in Në një cep të Ilirisë-Monografi e
shqiptarëve në Mal të Zi, Art Club , 2007, f. 183-202.
38. “Drejt etimologjisë së toponimit SHAS “
(në botim të Simpoziumit për Shasin mbajtur në Ulqin më 17 maj 2008)
39. “Shestani në dritën e disa vëzhgimeve
onomastike” (Shestan in lighting of some onomastic considerations), in Kraja
me veçantitë shestanase në rrjedhën e shekujve (Ulqin, 7-8 tetor
2011), Ulqin, Shoqata “Don Gjon Buzuku”, 2013, f. 211-223.
S e l e c t e d e s s a y s:
1. “Ars longa vita brevis”, in: Flaka
e vëllazërimit, 04.04 ,Shkup 1968, p. 4.
2. “Miti i një poeti”, in: Fjala (Prishtinë)
7/1968; Migjeni-kritikë, Prishtinë, Rilindja, 1977, pp. 230-237.
3. “Njeriu në dimensionin e katërt”,
in: Fjala (Prishtinë) 11/1968, p. 12.
4. “Njeriu në relacionin e perspektivës dhe
të introspeksionit” in Fjala (Prishtinë), 12/1970, p. 9.
5. “Një ndjenjë në koordinatat e kohës dhe të
hapësirës” in Fjala (Prishtinë), mars, 1971, p. 6.
6. “Saxa loquuntur”, in: Fjala (Prishtinë),VI/
1971, p.6.
7. “Një blic nga gjithësia”, in: Plejada (Prishtinë),
6/1971, pp. 133-135.
8. “Semantika e fjalës në dimensionin e
koncepteve jashtëgjuhësore” in Fjala (Prishtinë), 01.09.1984,
p. 5.
9. “Semantika jednog natpisa”, in: Stremljenja (Priština),
1/1985, pp. 176-179.
10. “A ka ekzistuar KALI I TROJËS?”, in: Rilindja (Prishtinë),
02. 11 1985, p. 4.
11. “Gjuha kozmike e një gravure të dërguar
në Gjithësi” in Rilindja (Prishtinë), 14.11.1987, p. 12.
12. “FJALËT E QIRIRIT si interpretim gjuhësor
i frymëzimit dhe vizionit poetik”, in: Fjala (Prishtinë),
24/1990, p. 16.
13.
“Një vdekje që rron apo metempsikoza e një vargu”, in: Gazetë shqiptare,
25,11. 1997, p. 22; Rilindja (Prishtinë), 05. 01. 2000, p. 15.
14.
“Loja ‘magjepse’ e simfonisë së ngrirë” Lidhur me Simfoninë në blu të Nebih
Muriqit, in: Rilindja (Prishtinë) 14 prill 2001, f. 21.
15.
“Atdheu një kod në përmasat e kohës dhe hapësirës”, në: Rilindja (Prishtinë),
05 maj, 2001, f. 21.
16.
“Fuqia magjike e artit në paradigmat e shekujve e meridianëve”, in: Rilindja (Prishtinë),
19 maj 2001, f. 21.
17.
“Magjia e një kategorie gjuhësore të shqipes” in: Koha ditore (Prishtinë),
15 06 2002; Pena shqiptare, 01. Oct. 2004, p. 3.
18.
“Paradoksi i gabimit të përsëritur”, në: Koha ditore (Prishtinë),
07. 09 2002.
19.
“Konceptualizmi pamor si përmasë dramatizimi”, in: Buzuku nr.
12, 29. 08 2003, p. 15; Visual Conceptualization with Dramatic Effects, in
GOGA, The Kosova Art Gallery, nov. 2003.
N.B.
More> Ushaku:www. Shqipëriaetnike. Bravehost. com ; wwwAlb-shkenca.
com;Google, Alta Vista, yahoo, Wikipedia.
SHTOJCË
PROF.DR. RUZHDI USHAKU KRIJUES I
ETNICITETIT KOMBËTAR*
Ali Llunji
Më 1 maj 2008, Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku mbushi
70 vjet jetë dhe 50 vjet pune arsimore pedagogjike profesionale me të gjitha
shkallët e shkollimit – nga mësuesi deri në profesor ordinari dhe
akademik1.
Sa ishte absolvent i romanistikës në Sarajevë dhe Kryetar i Klubit të
Romanistëve merr rrugën e Parisit, vazhdon e kryen shkallën e pestë të
studimeve moderne frënge dhe laurohet me Diplôme Supérieur d’ Etudes Françaises
Modernes. Me të ardhur në Kosovë e gjejmë profesor në Gjimnazin e Gjilanit. Në
Prishtinë ushtron detyrën e bashkëpunëtorit profesional në Bashkësinë Krahinore
të Kulturës, asistent në Seksionin e Historisë së Kulturës Kombëtare në
Institutin Albanologjik të Prishtinës; bashkëpunëtor i jashtëm i Fakultetit
Filozofik të Prishtinës, ku ligjëron gjuhën latine. Ndërkohë ndjek studimet
pasuniversitare (drejtimi shkencor) në Seksionin e Romanistikës të Fakultetit
të Filologjisë të Beogradit, ku edhe magjistron. Disertacionin e doktoratës “
Fjalitë hipotetike me “SI” në gjuhën bashkëkohore letrare frënge” e cilëson
mendimi profesional i komisonit në krye me filologët dr. Drashkoviq dhe dr.
Papiq… se : “Mënyra e qartë, e logjikshme dhe e natyrshme e shtruarjes së
materies, propozimi i bindshëm i shpjegimeve, stili dhe gjuha e shkëlqyeshme
janë veçori të përhershme të këtij disertacioni (…). Mendojmë se ky disertacion
(i doktoratës A.LL.) do të paraqesë ndihmesë të dobishme dhe të rëndësishme në
romanistikën jugosllave”. Në zgjedhjen e tij profesor inordinar mendim pozitiv
lëshon edhe njëri ndër anëtarët e rëndësishëm të Komisionit prof. dr. Idriz
Ajeti. Që nga viti 1985 prof. dr. Ruzhdi Ushaku ishte profesor ordinar i
Fakultetit të Filologjisë – Dega Gjuhë e Letërsi Frënge. Gjatë viteve 1980 / 81
dhe 2000 – 2003 ishte Kryetar i Degës Gjuhë dhe Letërsi Frënge, nga viti 1982,
për disa vite anëtar i Këshillit Shkencor të I.A.të Prishtinës, bashkëpunëtor i
Enciklopedisë së Jugosllavisë dhe anëtar i Redaksisë përkatëse (për botimin në
gjuhën shqipe), kryetar i Komisionit për çështje mësimore-shkencore të
Fakultetit të Filologjisë kurse prej vitit 1989 deri në fillim të vitit 1991 Kryetar
i Këshillit Mësimor – Shkencor të Universitetit të Prishtinës, nga i cili
funksion u largua nga administrata e dhunshme e instaluar në Universitet.
Prof. dr. Ruzhdi Ushaku një kohë të gjatë ishte kryetar,
përkatësisht anëtar i komisioneve mësimore-shkencore por edhe mentor për tema
të magjistraturës dhe disertacione të doktoraturës. Mbajti ligjërata për
studentët e shkallës III në Fakultetin e Filologjisë të Prishtinës. Mbështetur
në bagazhin me vlera të larta shkencore AKDEMIA EVROPIANE E ARTEVE (ACADÉMIE
EUROPÉENNE DES ARTS a.s.b.l.) me seli në Belgjikë (Bruxelles-Leuze), i dha
mirënjohje ndërkombëtare, duke e pranuar anëtar të rregullt të saj (Membre
académique actif), në cilësinë eseist, kritik i artit, shkencëtar – filolog.
Ka qëndruar në botën e jashtme për qëllime
hulumtuese, duke gëzuar bursën e Qeverisë frënge dhe Qeverisë italiane. Prej
vitit 1973 e këtej, ka qenë i ftuar dhe ka mbajtur ligjërata shkencore edhe
jashtë Kosovës, në Francë, Maqedoni, Malin e Zi dhe në Shqipëri – kohët e
fundit në Universitetin “ Luigj Gurakuqi” – Shkodër. Emri i tij u gjet herët
(1969) i propozuar për të hyrë në Fjalorët e të gjitha enteve leksikografike
dhe të akademive të ish – Jugosllavisë me termin e tij të shpikur a
z u r i n a – fenomen
i dritës së Tokës që reflektohet mbi sipërfaqen e Hënës. Azurina e
dr. Ushakut u gjend ndër pesë termat e zgjedhura në mesin e 19.020 termave të
arritura në atë konkurs.
Duke e vlerësuar intelektual dhe shkencëtar të formatit
evropian, prof. dr. Ruzhdi Ushaku ftohet disa herë në Paris për të mbajtur
ligjërata si dhe në INALCO – Sorbonne Nouvelle të Parisit bashkëmentor në
komisionin për mbrojtjen e një disertacioni të doktoratës me kolegët nga
Franca. Ndërkaq, më 2001, ftohet të marrë pjesë në Konferencën e historisë dhe
të filologjisë shqiptare në Ecole des Hautes Etudes- Sorbonne.
Kështu, duke çmuar angazhimin permanent në fushën e dijes
shqiptare, gazeta “Kronika” e Ulqinit e shpalli personalitet të vitit 2001,
ndërsa “ Art- Club” i Ulqinit, laureat të Shpërblimit vjetor për vitin 2002.
Veprimtaria shkencore
Prof. dr. Ruzhdi Ushaku bëri gjurmë të thella
në disa fusha të rëndësishme: në arsim, në hartimin, përkatësisht përkthimin
dhe adaptimin e teksteve shkollore (për gjuhën frënge dhe atë latine), në
publicistikë, në letërsi – eseistikë, kritikë arti, në shkencë – në fusha më
delikate të paprekura të gjuhësisë-filologjisë, të etnogjenezës dhe asaj
kulturore. Ai është romanist, por njëherësh punëtor shkencor i njohur në
gjuhësinë dhe filologjinë shqiptare, duke hapur shtigje të reja për studime më
të thella. Gjatë punës shumëdekadëshe shënoi rezultate të dukshme shkencore të
cilat i botoi në revistat e kohës e më vonë edhe si monografi, studime dhe
publikime. Me akribi dhe guxim intelektual i doli përtej rrafshit të studimeve
që kanë të bëjnë me etnicitetin tonë kombëtar shqiptar, duke zbardhur pikat më
kritike të dijes gjithnjë në mbështetje të argumenteve shkencore.2
Prof. dr. Ushakun e kemi sa hulumtues e
kërkues nëpër arkiva vendore dhe të jashtme, aq edhe punëtor terreni, atje ku
rrallë shkel këmba dhe depërton mendja e një intelektuali. Në këtë prizëm u
gjason arkeologëve, veçmas Shtjefën Gjeçovit nëpër terrenet e Hasit. Ushaku
shklet Malin e Sumës e Shasin, Shestanin, Valdanosin e Bunën, Adën e Krruçit,
Gurin e Gjeranës, Kalanë shekullore të Ulqinit që e cilëson të Bindit, duke
deshifruar shkrimet nëpër gravurat shekullore të skalitura nga dalta e dora e
mjeshtërve anonimë. Në këto terrene, duke pasur parasysh kriterin e
shkencëtarit studion dhe argumenton me fakte shkencore shteruese lashtësinë e
detarisë ulqinake, kishat mesjetare të Shasit, veshjen karakteristike (me gjasë
ilire) të shestaneshës. Me këtë është dimensionuar në rrafsh shkencor opusi
krijues – shkencor – hulumtues vazhdimësia iliro-shqiptare dhe çështje të tjera
thelbësore të etnicitetit shqiptar që shtrihen dhe prekin të vërtetat
etnolinguistike të studiuesit madhor prof.dr. Eqrem Çabejt. Ka përparësi
si studiues – është poliglot – zbërthen lashtësitë, rezultatet i stërmat në
peshojën shkencore. Me punë të palodhur intelektuale, jo vetëm në fushën e
studimeve shkencore, por edhe në atë të folklorit, të historisë, të
arkeologjisë, ky dijetar u veçua sidomos në fushën e etimologjisë.
Ulqinaku, prof.dr.Ruzhdi Ushaku3 është
çmuar hulumtues i zellshëm shkencor i brezit të mesëm, dijetar shqiptar i
niveleve të larta evropiane, sintaksolog i shquar pranë Fakultetit Filologjik
të Prishtinës. Ka dije romanistike dhe albanologjike. Me punën dhe rezonin
shkencor veçon gjithnjë me risi shkencore në fushën e filologjisë komparative,
të leksikologjisë e në onomastikë. Ndriçon tema me motive deti e të detarisë.
Zbërthen shkencërisht probleme rrallë ose plotësisht të paprekura gjuhësore,
dialektologjike, leksikologjike, mitologjike, etnolinguistike, madje edhe
folklorike që kanë të bëjnë me detin – detarinë – peshkatarinë, me xhindin dhe
floçkën, me përrallën, këngën popullore shqiptare të Ulqinit.
Pena ngulmore e prof. dr. Ushakut zbardh ato periudha
shekullore të shqipes gjithnjë me përgjegjësinë e masës dhe të maturisë
shkencore, mbështetur në metodologjinë e mirëfilltë shkencore. Me përgjegjësi
dhe guxim shtron teza dhe hipoteza origjinale të pathëna deri më sot. Cilësohet
me kërkimet e tij në fushën filologjike – etnologjike letrare – eseistike, në
toponimi, antroponomi dhe etnonimi. Talenti shkencor i tij ka dhënë rezultate
deri sot të pakontestueshme në fushën krahasuese, në aspektet e qarta në fushën
e studimit sintaksor, gramatikor, leksiko – semantik, antropolinguistik me
karakter nërkombëtar (Collegium Antropologicum) dhe psikolinguistik. Të gjitha
këto i arriti me djersë dhe me përpjekje të mëdha. Në rendin e sukseve të punës
shumëvjeçare duhet veçuar edhe përkthimet nga gjuha latine, frënge, italiane,
serbokroate si : tekste shkollore, poezi, eseje, tregime, novela, drama dhe
fejtone. Në vitin 1996 ka përkthyer nga gjuha frënge veprën dyvëllimshe “ Jeta
dhe vepra e profetit Muhamed” (pritet të dalë në dritë së shpejti). Në shumë
revista vendore dhe të jashtme punimet e prof. dr. Ushakut u botuan në gjuhën
shqipe, frënge, serbokroate, angleze dhe ndonjë në gjuhën gjermane. Deri më
sot, përveç tetë veprave, botoi mbi 100 njësi bibliografike. Që herët, në
Enciklopedia e vogël – rubrikë e gazetës “ Rilindja” të Prishtinës, lexuesi
gjente pjesë punimesh shkencore të dr. Ushakut, si të veprës “ Kërkime
filologjike”, të romanit “ Florimonti”, studimi kushtuar Zotit ilir të ujërave
– Bindit etj. Në emisionet e kulturës në Radio Prishtinë u emetuan disa eseje
të tij. Për veprën e tij u fol në Radio-Prishtina, « Kosova e lirë »,
RTK, RTSH, RTV e Podgoricës, Shkodrës, Radio Ulqini, Radio Teuta, TV Teuta e
ndonjë tjetër.
Nëse përfillet fjala e urtë popullore
ulqinake – Bane t’mirën e hidhe n’det – (e asaj duhet t’i besojmë) prof. Ushaku
atë punë të mirë disadekadëshe e qëndisi në letrat shqipe (përkthyer edhe në
gjuhë të tjera joshqipe) me shumë vlera të mirëfillta shkencore me një qëllim –
të identifikojë vlerat e traditave shqiptare që nga periudhat më të hershme të
vështruara në rrafshet semiologjike – krahasuese që tash për tash qëndrojnë
ndër më seriozet dhe ndër më të thellat e me themel shkencor – kombëtar në
sferën e albanistikës. Me guxim shkencor prek sferat delikate të parashqipes
nga shekulli XII për të argumentuar se edhe para Buzukut dhe “Mesharit” të tij
ka gjurmë të vjetër shkrimi.4 Të
gjitha këto i arriti me punë dhe durim të pashoq, duke arritur që rezultatet
t’i ravijëzojë me kulturat e lashta ballaknike, madje edhe në disa sfera prekëse
me ato evropiane. Me të drejtë mund të thuhest se veprat dhe veprimtaria e tij
shkencore merr vlerësim meritor nga studiues të ndryshëm të vendit dhe të huaj.
E ka vlerësuar lart punën shkencore të prof.
dr. Eqrem Çabejt, për të cilin ka respekt të posaçëm, por edhe të
shkencëtarëve, dijetarëve dhe krijuesve të tjerë shqiptarë e të huaj. Prof. dr.
Ushaku analizon seriozisht disa pretendime të shencëtarëve sllavë drejtuar
mendimit shkencor të prof. Eqrem Çabejt rreth terminologjisë nga fusha e
detarisë shqiptare5.
Ilirologu i veçantë, me rrënjë nga Arbneshi i Zarës, prof. dr. Aleksandër
Stipçeviq,6 duke
çmuar autoritetin krijues dhe shkencor e ka porositur dr. Vinçenc Malajn,
famullitar në Tuz… “ Mos harroni kurr, se atje në Ulqin, ka edhe një Profesor,
shumë të ditur dhe të nderuar – Ruzhdi Ushaku i cili ka dhënë një kontribut të
shquar për studimet iliro-shqiptare dhe më gjerë…”
E çmojnë lart punën e tij shkencore dhe me
vlera të qëndrueshme shkencëtarë, shkrimtarë e publicistë, kritikë e eseistë,
profesorë dhe intelektualë nga sfera të ndryshme të dijes.7 E
cilësojnë ligjërues të dalluar të gjuhës frënge dhe asaj latine “ dhe të
filologjisë, njeri i një kulture të madhe”8,
zotëri Christian Duhamel, ndërsa ambasadori i Francës, zotëri Bernard Garancher
në poemën e tij për Kosovën, me një strofë e veçon personalitetin e “zotëri
Ruzhdi Ushakut mbrojtës fuqiplotë, me qëndrim krenar të një race impozante që
shquhet me autoritet”.9 Po
kështu, punimet serioze shkencore të prof. dr. Ruzhdi Ushakut nga fusha e
detarisë dhe lashtësisë mitologjike të Odisesë, vlerësohen lart nga zonja
Yvette Lucas e Parisit. Prandaj, mbështetur në këto konstatime, vlera kërkimore
– shkencore e punimeve të prof. dr. Ruzhdi Ushakut nuk kërkon koment të
mëtejmë.
Si njëri ndër krijuesit më frytdhënës në
fushën e etimologjisë; në kuadër të Forumit Shqiptar, prof. dr. Ruzhdi Ushaku
radhitet menjëherë pas Eqrem Çabejt (…) me studimin mbi Bindin si model (…) dhe
të një studimi “ Mbi një antroponim më të hershëm të shqipes të vitit 1188.”10 Në
shumë revista, buletine, monografi të tipit shkencor, emri i prof. dr. Ruzhdi
Ushakut sjell risi shkencore me vlera që prekin sinkroninë dhe diakroninë e
etnicitetit shqiptar. Ai prek dhe thellon problemin e perendisë së ujërave –
Bindin ilir si “pandan të Neptunit romak dhe Poseidonit grek” dhe me të
“argumentohet autoktonia e shqipëtarëve”11 në
trojet që shtrihen buzë Adriatikut, Jonit dhe ujërave lumorë – liqenorë
shqiptarë, ku ata ç’prej kohësh banojnë dhe në to jetojnë.
Pjekurinë shkencore e argumenton pjesëmarrja me punime –
kumtesa të nivelit të lakmueshëm, ku prof. Ushaku paraqitet me rezultate të
reja në shumë simpoziume, seminare, sesione dhe kongrese të organizuara nga
institute shkencore, institucione dhe organe autoritative të karakterit vendor
dhe ndërkombëtar të organizuara brenda Ish-Jugosllavisë, në qendra të tjera të
Ballkanit dhe të Evropës. Në kohë të fundit, në Sesionin Shkencor “ Shasi i
lashtë, monument i kulturës” kushtuar qytetit mesjetar – Shasit, mbajtur më 17
maj 2008, në Ulqin prof. dr. Ruzhdi Ushaku, duke shënuar 70 vjetorin e lindjes,
u paraqit me kumtesën “Drejt etimologjisë së toponimit Shas (Liqeni i Shasit)”,
kurse pas kësaj ligjëroi edhe për E. Çabejn me rastin e 100 vjetorit të
lindjes.
Vlerësime për punën shkencore
Mendja e shëndoshë dhe një pjesë e mirë e
trurit kombëtar e ka dhënë vlerësimin meritor për angazhimin, mundin, djersën
dhe akribinë e këtij shkencëtari të zellshëm. Dr. Ushaku me kohë është brumosur
me njohuri shkencore gjithnjë nën vështrimin e syrit serioz të shkencëtarëve
romanistë e albanologë, profesorë universitarë si R.L.Wagner, Eqrem Çabej,
Vlado Drashkoviq, Mihailo Pavloviq, Mahir Domi dhe Idriz Ajeti. Ndikimet dhe
porositë mendjemprehta të profesorit Çabej u jetësuan në shumë kërkime dhe
rezultate të arritura shkencore. Këtë e dëshmon me një konstatim dr. Mehmet
Halimi duke shkruar për veprën e dr. Ushakut…Ruzhdi Ushaku… plotësoi në
mënyrë integrale studimet nga fusha e leksikut detar të shkencës së gjuhësisë
shqiptare, duke realizuar dëshirën dhe porosinë e profesorit të nderuar E.
Çabejt, i cili kishte vërejtur te ky punonjës shkencor zell të madh, prirje dhe
intuitë të hollë në hulumtimin e leksikut detar, ndaj e kishte porositur t’i
thellojë e t’i zgjerojë punimet e veta në një vepër gjuhësore të kësaj natyre. (Vështrime
gjuhësore, Prishtinë, IAP, 1993, f. 176).
Kur bëhet fjalë për vlerësime të punës
shkencore të dr. Ushakut ato i gjejmë të thëna e të shkruara nga disa pena
autoritative të kohës. Kështu, për veprën “ Kërkime filologjike”, në artikullin
“Studime të reja gjuhësore me gjuhë të bindshme shkencore”, Qemal Murati
konstaton… autori i veprës në shqyrtim, në kërkimet e tij filologjike-
etnologjike e letrare, arrin të zbulojë disa motive, gojëdhëna, besime e
rituale të ndryshme nga jeta materiale e gjuhësore të të parëve tanë (ilirëve)… Ndërkaq
studimi “ Veta dhe askushi” (po në “Kërkime filologjike”) është marrë në
informacion shkencor edhe nga doktori i filologjisë, homerologu japonez Ichiro
Iura, botuar integralisht në gjuhën japoneze nga Hiroshima University, 1993.
Ndërkaq, duke iu referuar studimit të R. Ushakut për Bindin ilir, poeti
Vincenzo Belmonte, përmbledhjen “Lacus Luminis Flammantis” (Liqeni i dritës
flakëruese) e fillon me poezinë kushtuar këtij hyu ilir BIND në arbërishte, përkatësisht
PRODIGIO në italishte.
Ruzhdi Ushaku dhe Ali Llunji
Studiuesi Albert Doja, duke hequr paralele me
disa çështje homerike mes Hackmann-it, Skiles, Boltes dhe Benderit shton se…
kjo goëdhënë nuk është variant i episodit homerik … por është krijim origjinal
apo gojëdhënë origjinale… Kjo përputhet edhe me pikëpamjet e përparësisë kohore
të motivit të qiklopit në përgjithësi që një sërë dijetarësh (të cekur më lart
A.LL.) mbrojnë në të mirë të popujve jogrekë të Ballkanit të lashtë, përfëshirë
këtu edhe ilirët. ( A. Doja, “ Rreth një legjende popullore për
Skënderbeun”, Nëntori, Tiranë, 2/1985, 189 – 190 f.) Krijuesit letrarë –
shkencorë shqiptarë ndajnë edhe këto mendime për veprimtarinë shkecore –
hulumtuese të dr. Ushakut. Shkrimtari, poeti dhe prozatori, Dritëro Agolli,
konstaton se Ruzhdi Ushaku (…) është një linguist i vërtetë që e shtrin
horizontin e tij, jo vetëm thjesht në problemin e gjuhëve, emrave shqiptarë,
por edhe në histori, arkeologji etj… (Koha javore, Podgoricë,
2003). Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj ka guxim edhe më të madh intelektual, duke
dhënë vlerësime të larta për durimin dhe rezultatet shkencore të Ruzhdi Ushakut
duke shtuar… Dr. Ruzhdi Ushaku shquhet në brezin tonë, si të thuash pas –
çabeian, për formimin e tij të shëndoshë filologjik dhe për njohjen e mirë të
shumë gjuhëve të huaja… Ai i ka përdorur këto si mjete të vlefshme në kërkimet
e tij shkencore të shumënduarshme: albanologjike, etnolinguistike dhe
etnofolklorike në ravijëzimet historike e kulturore… Për këtë na dëshmon
erudicioni i tij i vërtetë, i gjerë (…) në studimet e tij( …) shkrimet e dr.
Ruzhdi Ushakut karakterizohen nga prurje aq të shumta e të ndryshme, saqë të
pohojmë pa droje se ai “ noton” më thellë e më gjerë se kushdo tjetër në
literaturën albanologjike në gjuhë të huaja… (Buzuku, 13/2003, f.14)
Studiuesi Etrit Rakaj, në shkrimin e tij”
Fjalë shqipe nga fusha e detarisë dhe e lundrimit” , Hylli i Dritës 5-6 (234
-235), v.XXIII, Tiranë, 1995, f.142, konstaton:” Studiuesi (…) Ruzhdi
Ushaku, duke e çuar më tej mendimin e Çabejt “ duke vazhduar se
: “(…) në mbështetje të gjendjes së kërkimeve të sotme në këtë fushë,
pohimi i dijetarëve (…), jo vetëm që del pa mbështetje të duhur shkencore, por
metodologjikisht i njëanshëm dhe i papranueshëm”(…) Pra, Ushakun e cilëson
kërkimi shkencor objektiv sikundër pararendësi i tij prof. dr. Eqrem Çabej.
Ndërkaq, pedagogu shumëvjeçar studiuesi i
pasionuar dhe shkencëtari i mirëfilltë prof. dr. Jup Kastrati, hulumtuesin
Ushaku e cilëson gjuhëtar të mirënjohur që i ka kushtuar vëmendje
studimit të Fjalorit shqip – turqisht (të Hafiz Ali Ulqinakut A.LL.) në
planin sinkronik të së folmes së sotme të Ulqinit.(Shih, Veprimtaria
shkencore, vep.cit. f. 75). Po kështu edhe
studiuesi dr. Mark Tirta, në “Panteoni e Simbolika”, Tiranë, 2007, duke shkruar
rreth hyjnisë ilire Bindo-Neptuno e konsideron Ruzhdi
Ushakun studiues të mirënjohur. Në veprën e autorit dhe
studiuesit prof. dr. Gjovalin Shkurtaj “ Onomastikë dhe etnolinguistikë”,
Tiranë 2001, me keqardhje konstatohet një anashkalim dhe heshtje rreth hidronimit
Barbanna (Buna A.LL.), ku dr. Ushaku ka dhënë kontribut të veçantë ,
akademik Shaban Demiraj në punimin e tij botuar më vonë (…) nuk e zë në gojë
trajtimin e bërë nga R. Ushaku (…). Kjo, themi ne, nuk i shkon në të
mirë sinqeritetit shkencor, pavarësisht se studiuesi Shkurtaj e zbut qëndrimin
joparimor të një studiuesi të mirënjohur, siç është akademik Demiraj, duke
thënë se (…) përfundimet e tyre janë të përafërta dhe në thelbin e tyre
identike me sa kishte shestuar qyshkur E. Çabej(…) krh. Veprimtaria
shkencore vep.cit. f.82
Poeti Basri Çapriqi konstaton ( …)
Ushaku është emër tepër serioz që imponon me fuqinë e argumentit me imagjinatën
e pasur e tejet depërtuese … me durimin dhe seriozitetin e parashtrimit të
problemeve… me studimet e tij, ky njeri ka arritur të kapërcejë me sukses dy
barriera shumë penguese në ballkanologjinë e ngarkuar me frustrime dhe
paragjykime. Ka arritur të sfidojë dhe të përmbysë paragjykimet dhe nihilizmin
tendencioz të fqinjve, si dhe ka arritur të tejkalojë emocionet e shkencës
shqiptare në të gjykuarit për fenomene të ndjeshme kombëtare. (Koha
javore, Podgoricë, 11 Dhjetor 2003, f.13)
Mendimi i thellë shkencor, metodologjia dhe
qasja çështjeve me seriozitet prej hulumtuesi janë vlerësuar lart nga kritikë
të shkencës albanologjike. Prof. dr. Abdullah Karjagdiu kështu e vlerëson
veprën “ Ulqini në gjurmët e shekujve” (…) Libri më i ri i filologut dhe
studiuesit tashmë të shquar dr.Ruzhdi Ushakut është një ndër ato vepra të
rralla bashkëkohëse që e pasurojnë kulturën shqiptare me vlera të çmuara duke e
thelluar njëherësh edhe traditën e kulturës dhe të artit shqiptar(…). Për
librin “Hulumtime etnolinguistike” (“Vazhdimësia iliro-shqiptare në
etnolinguistikë”, në Koha ditore 17 nëntor 2001), dr. Jahja
Drançolli vlerëson: (…) vepra në fjalë e shoqëruar me faksimile dhe
materiale autentike, me qasje interdisiplinare dhe krahasuese me kultura të
tjera, e vendosë kulturën dhe etnolinguistikën shqiptare në vend të denjë në
gjirin e kulturave përkatëse etnolinguistike të Ballkanit dhe më gjerë, aq më
parë kur dihet se vepra të këtij lloji janë të rralla në literaturën tonë
filologjike-shkencore (…).
Shkencëtari dhe intelektuali i mirëfilltë, me
dije solide dhe kulturë të gjerë ballkanologjike dhe evropiane, dr. Moikom
Zeqo, duke shkruar për profilin e dijetarit-veprën shkencore të
prof. dr. Ruzhdi Ushakut, ndër të tjera konstaton: Jam i gëzuar, që
marr pjesë në këtë tubim, në Kalanë e Ulqinit (…), Ulqinin e Buzukut,
kryerojtarit të madh të tempullit të pavdekshëm të gjuhës shqipe. (…) Jam
gjithashtu shumë i nderuar që flas për dijetarin më të shquar bashkëkohor nga
Ulqini Ruzhdi Ushakun; (…) ai ka artikuluar kohërat e zëret e Ulqinit në librat
e tij, emblematikë për vendlindjen. Ruzhdi Ushaku është një dijetar shqiptar me
atribute të merituara (…) njeri serioz, i thjeshtë. (…) Tek ai ndërthuren
filologu prej race, ku krahasimtaria është premisë, ku objekti dhe subjekti
përballohen, përballen jo me mohime e pohime eklesiastike, por me problematikë
të gjallë sokratike, here here edhe dekartiane.Frankofonia e tij është
shëmbëlltyrë, një modus vivendi, për të mos qenë një modus moriendi, është një
makinë mendore për të lëvizur në kohëra dhe hapësira. (…)Njohja e arketipeve, e
disa botëve mitologjike, njohja e thellë si e folklorit, përrallës dhe këngës
popullore shqiptare e bën Ushakun një prijetar, pishtarmbartës të disa
hipotezave dhe tezave kulturologjike origjinale që i ka thënë vetëm ai deri
tani.
Po nuk duhet harruar dhe stili i të
shkruarit, eseistik, stil që është vetë ai-gjë që vërteton aksiomin e lashtë.
Opusi i Ushakut lidhet me zanafillat mitike të Ulqinit, me relievin antropomorf
me krehë në Kalanë e Ulqinit, që e mbiquan si të Bindit, me të dhënat për Adën
e Krruçit, Gjirin e Valdanosit, Gurin e Gjeranës, detarinë ulqinake të shekujve,
me Shasin, me kishat e mëdha romanike (…) me kostumin e femrës nga Shestani,
gojëdhënën e Ulqinit të vjetër, mozaikun polikromik në Krruç, qytetin antik
Oleotopolis, që u fundos 20 shekuj më parë, këngët e piratëve, ardhjen e
Servantesit në Ulqin, ekuacionin Dulqin të qytetit në Dulqinien, të dashurën e
zemrës së Don Kishotit, me figurat e tartanave, anijen, hartat venedikase,
amforat e nxjerra nga deti. Ushaku mëton për një semiologji, d.m.th.
dimensionin e katërt. (…) Ai flet për tipologjinë e një hyjnie, Bindit të
japodëve (…) kultin e ujërave dhe të demonologjisë iliro-shqiptare të detrave,
burimeve. (…) Më
tej, duke bërë fjalë për ndihmesat e R. Ushakut për homerologjinë, veçanërisht
për studimin “Kur anijet e drunjta ishin kuaj të detit”, dr. M. Zeqo
shton: Interesante, francezët kanë një homerolog të madh Viktor Berarin
i cili do të ishte menduar për këtë studim (…)Lidhja e këtij fakti arkeologjik
me anijet e drunjta-kuaj të detit e bën Ushakun të hedhë një hipotezë të
guximshme dhe të krijojë një logjikë argumentimi.(…) Filologemat janë ato që e
shtyjnë të zbërthejë sintagmën “burri i dheut”, për të gjurmuar fakte të
kriptoshqiptarëve dhe të shqipes në Kronikën e Priftit të Dioklesë nga sh.
XII(12), dëshmitë e shqipes para Mesharit të Buzukut, autoktoninë bregdetare të
shqiptarëve në përmasat e vështrimit etnolinguistik të Eqrem Çabejt të
pavdirë.(…) R. Ushaku është në lulen e fuqive shpirtërore, diturake. Ai duhet
dhe do të shkruaj historinë e vërtetë, për ta ndarë nga e rremja dhe e
falsifikuara(…).
Autori i shkrimit “Studim më vlerë në kërkim
të lashtësisë shqiptare”, Gjekë Gjonaj, lidhur me pikëpamjet shkencore të dr.
Ushakut thotë: (…) këto punime shkencore(…) janë kontribut i çmuar në kërkim
të ndriçimit të autoktonisë së shqiptarëve në Ballakan dhe më gjerë. Ato i
karakterizon metodologjia e punës shkencore (…) dhe mprehtësia krahasuese, jo
vetëm për t’i hetuar specifikat etnolinguistike, multidisiplinare,
antrpolinguistike, psikolinguistike, por edhe pikëtakimet e popullit shqiptar
me kultura dhe qytetërime të tjera (…) ( Koha javore,
Podgoricë, 10 Prill 2003).
Në veprën “Ndihmesa onomatologjike” akademik Ushaku merr
në shqyrtim dëshmitë onomastike gjatë hulumtimeve të bëra në hapësira të
ndryshme. Ato i trajton dhe i studion në rrafshin gjuhësor morfologjik, leksiko
– semantik , etnolinguistik, duke mos lënë anash kontekstin historik, etnik,
gjeografik dhe administrativ. Vepron kështu meqë çështjet onomastike –
onomatologjike nuk mund të shkëputen, qoftë nga faktori gjuhësor, ashtu edhe ai
jashtëgjuhësor.
Për R. Ushakun, përkatësisht veprën e
tij Ndihmesa onomatologjike (botuar më 2006), kanë shkruar
specialistë eminentë, profesorë universiteti nga të cilët po veçojmë ndonjë
fragment.
Kështu prof. Dr. Mark Camaj, filolog klasik i
cili është edhe recensent i veprës në fjalë, duke e quajtur vepër që i
kapërcen botimet e zakonshme, ndër të tjera jep edhe disa vlerësime si
vijon:
“(…) ky studim i prof. Ushakut përbën një
vepër me shumë vlerë për historinë e gjuhës shqipe. Analizat onomastike që
sjell autori në këtë vepër e të cilat i quan ndihmesa, padyshim janë shumë të
rëndësishme për onomastikën tonë historike për shkak se bindshëm , në mënyrë
shkencore, me një punë akribike të rrallë, shpjegon të dhënat gjuhësore
–historike për një kohë të varfër me dokumente. Në këtë përmbledhje studimesh
bie në sy jo vetëm njohja e thelluar e fonetikës historike, por edhe metoda e
studimit dhe e argumentimit të çështjeve që trajton ( …). Me këtë dhe studimet
e deritashme, ai zë padyshim një vend të merituar në mesin e studiuesëve të
njohur të historisë së gjuhës shqipe.” (Koha javore, 02. nëntor
2006).
Prof. Dr. Tomor Osmani, duke theksuar risitë që sjell kjo
vepër nga fusha e diakronisë të interesit gjuhësor me vlera shkencore, shkruan
edhe si vijon:
“(…) Analiza që u është bërë
toponimeve, antroponimeve dhe etnonimeve ka pasur si qëllim interpretimet
vetjake të prof. Ushakut për etimologjinë e tyre duke u përqendruar në kritere
onomatologjike, semasiologjike, jo gjithnjë duke u mbështetur në kritere gjuhësore,
por edhe në ekstralinguistike, historike, shoqërore, etnogjeografike etj. Në
analizën e tyre, gama e shpjegimeve dhe interpretimeve është mjaft e gjerë.
Përveç analizës gjuhësore me karakter fonetik, morfologjik, leksikor dhe
semantik, prof. Ushaku e ka shtrirë vëmendjen e tij edhe në një hapësirë
historike, gjeografike, etnike, administrative, të cilat i bëjnë studimet e
autoritmë interesante, të bindshme dhe shkencore.”
Në vazhdim, prof. Osmani, duke theksuar edhe
origjinalitetin , qëndrimin e prerë dhe pa ekuivoke të autorit të librit,
përfundon: “Guximi i tij duke hedhur teza të reja, duke iu kundërvënë
në disa raste studiuesëve vendas dhe të huaj, mbështetet në përgatitjen e tij
të shëndoshë filologjike, në erudicionin gjuhësor dhe kulturor (…).” (Koha
javore, 07. shtator 2006).
Prof. As. Dr. Begzad Baliu, ndër të tjera,
spikat ndihmesat e R. Ushakut në kulturën kombëtare, evropiane dhe mesdhetare
nga antika e mesjeta, duke i parë ato jo vetëm me syrin e shkencëtarit, por
edhe të eseistit, letrarit e polemistit, shkruan edhe si vijon:” Kërkimet e
tij jetëgjata, duke i parë çështjet me metodat më bashkëkohore të shkollave
europiane, duke i studiuar ato në aspektin diakronik e sinkronik, me metodat
krahasuese e përqasëse, Profesor Ruzhdi Ushaku ka krijuar aureolen e filologut
dhe brenda gjirit të saj etnolinguistin e sintezave serioze, leksikologun e
përkushtuar, terminologun e pazakonshëm, morfologun e sintkaksologun e
përkushtuar, etimologun e semasiologun e kujdesshëm, onomasticientin (toponimistin
e antroponimistin) e vlerësuar në përmasa albanologjike, ballkanologjike e
europiane.(…).” (Malësia nr. 2-Podgoricë 2007 dhe në Alb-shkenca
në faqet e internetit).
Për librin e tij më të ri, i 9-ti me rradhë, janë dhënë
vlerësime të larta. Po i citojmë disa fragmente si vijon:
Studiuesi dhe intelektuali ynë i shquar dr.
Moikom Zeqo, në shkrimin e tij “Krijues i etnicitetit kombëtar” (botuar
në Koha javore të Podgoricës, 9 shtator 2010, f. 7) midis
tjerash heton se “Ushaku kërkon ‘etimologjitë e pashkruara’ të monumenteve , të
misterit të Malit të Sumës, të ublave që sfidojnë Bindin , të gjirit të
Nausikës, të ‘Gusharavelit’ enigmatik dhe tharmit të valles pirrike, si dhe
zbulimit të dimensionit muzikor, të alfabetit solfezhor për Ulqinin e tij dhe
tonin.” Vazhdon duke spikatur se “Ky libër e tregon Ushakun një dijetar
sinkretik dhe mjeshtër sinkronik e diakronik , krahasimtar, filolog race, i
dashuruar me arkeologjinë, kronikat, mitologjinë ilire, antikitetin , mesjetën,
koreografinë, muzikën, skuëpturën, grafikën, folklorin, për të prerë, skalitur,
një profil të përveçëm të një antropologjie kulturore të Ulqinit historik. Se
sa e mundishme është të arrihet një gjë e tillë, këtë e di më mirë vetë ai; ne
të tjerët e kemi më të lehtë ta lexojmë dhe ta kuptojmë. Kjo është paradigma!”
Po në këtë numër të gazetës së cekur (f. 15), dr. Sabina
Osmanoviq, në shkrimin e saj me titull “Gërshetim i fiksionit dhe realitetit
historik” , midis tjerash thekson se “në këtë libër del në pah shpirti krijues
i autorit, duke ndarë me lexuesin ndjesitë dhe përjetimet gjatë kërkimeve të
mundishme shumëvjeçare shkencore“, duke vënë në spikamë disciplinën onomastike
dhe asociacionet gjuhësore(…), duke zgjedhur kështu një mënyrë origjinale për
të shuar kureshthen e tij prej shkencëtari, duke përfunduar se “te ky aautor
ndjehet synimi për të ngritur teza të reja, këndvështrime dhe qëndrime
objektive kundrejt teorive ekzistuese shkencore që e bën këtë libër të ketë
natyrë hulumtuese, në anën tjetër literaturës shkencore autori i jep konfiguracion
frymëzues letrar falë formës eseistike që mundëson rindërtim emocional të
ngjarjeve dhe të dhënave historike.”
Më 21 deri më 23 qershor 1990 në Cetinë ishte
mbajtur tubimi shkencor i karakterit ndërkombëtar me temë – Stanovništvo
slovenskog porijekla u Albaniji (Popullsia me prejardhje sllave në
Shqipëri). Nga lënda e botuar akademik Ruzhdi Ushaku analizon mendimet e
derdhura në studimin e akademik Bogumil Hrabakut, e në mënyrë të veçantë
filologut të njohur sllav, prof. Dr. Aleksandar Loma, lidhur me studimin e tij
me titull “Sloveni i Albanci do XII veka u svetlu toponomastike”. Në të, A.Loma
polemizon me Joklin dhe Bariqin lidhur me hidronimin Buna e sidomos me prof.
Çabejn. Me punimin shkencor objektiv “Një rishqyrtim për prejardhjen e hidronimit
Buena – Buna”, shkrimit të A. Lomës, jo në mbrojtje të Çabejt, sa të së
vërtetës shkencore, prof. dr. Ushaku me argumentin shkencor i përgjigjet A.
Lomës: ( …) Le të na lejohet, pra, që rezervat tona ndaj mendimit të
këtij studiuesi t’i arsyetojmë në mbështetje të disa kundërargumenteve që dalin
nga një rishqyrtim i kësaj çështjeje të vështirë filologjike-gjuhësore (…) emri
antik Barbanna, për Buenën apo Bunën e ditëve tona, nuk vihet në dyshim sa i
përket lidhshmërisë etnogjeografike e do të thoshim edhe etnolinguistike ilire
(…).
Veprat e botuara
Deri më tash akademik, prof. dr. Ruzhdi Ushaku botoi këto
vepra:
1.
Kërkime
filologjike, Rilindja, Prishtinë, 1981, 277 f.
2.
Hipotetične
rečenice sa “SI“ u savremenom francuskom jeziku književnih tekstova (botim serbokroatisht me shkurtore në
gjuhën frënge)), Priština, Filozofski Fakultet – Fakulteti Filozofik, 1983,226
f.
3.
Paralele
të ligjërimit poetik.
Kërkime dhe trajtime gjuhësore (Parallèles du langage poétique – Recherches et
traitements linguistiques). Prishtinë, Rilindja, 1986, 232 f.
4.
Ulqini në
gjurmët e shekujve, Art
Club, Ulqin, 1991,189 f.
5.
Hulumtime
etnolinguistike (Ethnolinguistic
reserearchs), Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë – Faculty of Philology –
Prishtina, 2000, 271 f
6.
Veprimtaria
shkencore e prof. dr. Ruzhdi Ushakut (shih më poshtë shpjegimin nën N.B.), Ulqin, Fondacioni
Lika Fondation,Ulqin, 2003,126 f.
7.
Ndihmesa
onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë,
Prishtinë, 2006, 211 f.
8.
Në
koautorësi me Jusuf Likën Ulqini nga dritaret e kohës,
Fondacioni « Lika », Ulqin,2006, 421 f.
9. Libri i tij më i ri Ulqini në
përmasa kërkimi dhe frymëzimi, Fondacioni LIKA 2010, që kap
rreth 336 f.
Po ashtu prof.dr.R.Ushaku është autor i shumë
punimeve shkencore, profesionale eseistike nga fusha e filologjisë,
etimologjisë, eseistikës dhe kritikës së artit, veç shqipes edhe në gjuhën
frënge, angleze, gjermane, japoneze, të botuara në shumë revista dhe buletine.12
Nuk mund ta anashkalojmë me këtë rast as
punën e tij si përkthyes i teksteve shkollore, eseve, novelave a tregimeve të
ndryshme, përkatësisht nga gjuha latine, frënge, italiane serbe-kroate. Do
veçonim këtu një vepër kapitale prej dy vëllimesh që kapin afro 1000 faqe: kemi
të bëjmë me veprën Profeti i Islamit të autorit Muhamed
Hamidullah(botuar më 2011 nga Logos A -Shkup) shkruar në gjuhën frënge. Falë
shqipërimit të Ushakut, më sa e kemi ditur deri vonë, shqipja është gjuha e
tretë, pas turqishtes dhe kroatishtes-boshnjakishtes, në të cilën ka parë dritë
vepra e cekur.
Nga kjo del se bagazhi krijues shkencor shumëdekadësh i
tij deri në ditët e sotme mbetet i pakontestueshëm. Veprimtaria shkencore –
hulumtuese e prof. dr. Ruzhdi Ushakut mendojmë të jetë, në radhë të parë akt i
ndërgjegjes dhe i vetëdijësimit kombëtar për gjenerata, por pse jo edhe sa akt
historik, po aq edhe akt kombëtar e politik. Fundja, për t’u shkruar të gjitha
këto vepra të karakterit shkencor, kërkohet punë, mendje e qëndrueshme dhe e
pastër, durim e tolerancë, aftësi rezonimi dhe gjykimi intelektual.
Me këto punime kapitale shkencore akademik prof. dr.
Ruzhdi Ushaku është bërë emër kombi – sinonim i moralit shkencor.
Ruzhdi USHAKU
SHQIPJA SI ÇELËS PËR DY FRAZA ENIGMATIKE
NGA “ZOGJTË” E ARISTOFANIT
(SHEKULLI V-të P.E.RE)
Sprovë
Botues
BASHKIMI I KRIJUESVE SHQIPTARË NË MALIN E ZI
FONDACIONI LIKA
ART CLUB
Shtypi,
PRESS STUDIO
Ulqin
Tirazhi 500 copë.
Mars 2011
Sponsorët:
Naser Çobaj
Mujo Pereziqi
Caf Boga
Richard Luka
Cungu & Co
Ibro Milla
Dardan Leka, një mik imi i hershëm me
vendbanim në Paris, është një kërkues i zellshëm dhe i palodhshëm i
dokumenteve, librave a shkrimeve të vjetra që lidhen me ilirët, përkatësisht
shqiptarët në përgjithësi, veçanërisht me historinë, kulturën dhe gjuhën e
tyre. Pata kënaqësinë që para disa muajve të më dërgonte, bashkangjitur letrës
së tij, një material frymëzues dhe interesant në lidhje me dy fraza enigmatike
nga komedia “Zogjtë” të autorit grek Aristofanit (shek.V p. e. re). Në këtë
material, të bërë publik edhe në faqet e internetit ( dardan leka “dartre 93@gmail”), pasqyrohen edhe përpjekjet e tij dhe të
disa lexuesëve të tjerë për të kërkuar a gjetur ndonjë gjurmë iliro-shqiptare
në frazat e cekura. I nxitur edhe nga dr. Remzi Përnaska, profesor në Sorbonë,
mik dhe koleg imi i respektuar, zotëri Dardan Leka më ftoi me dashamirësi që të
inkuadrohesha edhe unë për zbërthimin apo shpjegimin e këtyre frazave. Ishte ky
një nderim i madh por edhe sfidë, sprovë shumë e vështirë, delikate, me
përgjegjësi shumë të madhe profesionale e shkencore por edhe me rëndësi të
jashtëzakonshme jo vetëm për kulturën, gjuhën e ilirëve-shqiptarëve por edhe më
gjerë.
2 Në materialin e përçuar në internet, D. Leka
i referohet me korrektësi një burimi më të hershëm, ku dijetari danez, zotëria
Conrad Malte Brune, i njohur për shkrimet e tij tejet të vlefshme për
Shqipërinë, shqiptarët, që në shekullin XIX kishte dhënë një sinjal për
ekzistimin e dy tre frazave enigmatike, jogreke, në veprën e cekur të
Aristofanit, të cilat fraza, mjerisht, sipas njohurive që kemi deri më sot, nuk
kanë qenë objekt vështrimi apo studimi më të përimtë apo më të stërhollë nga
albanologët shqiptarë apo të huaj.
3Përveç
materialit të ofruar në internet nga D. Leka, shih e krahaso të dhënat për
tribalët dhe më gjerë në Ilirët dhe Iliria te autorët antikë,
Rilindja, Prishtinë, 1979, veçanërisht të dhënat e Herodotit, Strabonit, Rufit,
Plinit të Ri, Apianit e të tjerëve. Shih e krahaso në fund të këtij libri edhe
hartën ILIRIA mijëvjeçari i I-rë p.e.re. Lidhur me afrinë e popullatës ilire me
trakët dhe keltët, përkatësisht marrëdhëniet gjuhësore me keltët shih te E.
Çabej, “Emri i Dardanisë dhe izoglosat shqiptaro-kelte”, Studime
shqiptare-vepra të zgjedhura lib.39, ASHAK,
Prishtinë, 2008, f. 551-562; Dr jur. Johan Georg von Hahn, Studime
shqiptare 10, Instituti i Dialogut & Komunikimit, Tiranë, s.a., f. 297.
4 Cf.
Aristofan, Oblakinje-Ptice. Prevod, objašnjenja
i napomene Dr Miloš
N. Đurić, Nolit, Mala knjiga 72, Beograd, 1963,
f. 273.
5 Aristofan, Ptice. Grčki tekst uredio Dubravko Škiljan. Preveo,
uvod napisao i komentar i dodatke sastavio Mladen Škiljan, VPA-Biblioteca
Latina et Graeca, knj. 3, Zagreb, 1988, f. 345.
6 Brenda kësaj skene, ku zhvillohen dialogë e
replika mes të deleguarve nga njëra anë dhe përfaqësuesit të Zogjve nga
ana tjetër, Tribali shqipton edhe dy fraza enigmatike në gjuhën e tij barbare,
fraza këto objekt i këtij studimi. Lidhur me këtë çështje siguruam një material
të mjaftueshëm në disa variante botimi në gjuhën burimore greke, por edhe shumë
të tjera si variante përkthimi e interpretimi në gjuhën latine, angleze,
frënge, serbe, kroate, gjermane, qoftë nga faqet e internetit, qoftë nga fondet
e ndryshme bibliotekare-arkivore që do të citohen në vazhdim.
7 Ka
mendime që personazhi Tribal, i huazuar nga Aristofani si emër përfaqësues i
banorëve të pjesës “barbare” të Olimpit (Shih te burimi i cituar nën 5, f.
345), të jetë marrë si prototip i ilirëve në përgjithësi e jo domosdo pjesëtar
i fisit të tribalëve.
8 Përveç informatave të vjelura nga faqet e
internetit lidhur me Aristofanin, kemi pasur në dispozicion edhe shumë vepra të
tjera në gjuhë të huaja klasike e moderne, si në funksion të dëshmive të
teksteve burimore, ashtu edhe të përkthimeve, të shoqëruara me komentime,
shënime kritike, me përqendrim të veçantë në frazat problematike. Kjo
frazë Nabaisatreu ka zgjuar kureshtjen edhe te studiues të
tjerë të mëvonshëm si Victor Culon, Laszlo Matulay, Marie-Françoise Marein e të
tjerë, siç mund të shihet në faqet e internetit:
Page 1-3 of 3.
9 Në
burimin e cituar nën 4, vargu 1615 është dhënë në përkthim me hamendje
kontekstuale Šuć muć!(f. 229), kurse
nën 5 Niksbòjijâ. (f. 281),
me kuptim Hesht!, përkatësisht “S’të kam frikë! Nuk të
frikohem aspak!”Po kështu, në një variant përkthimi në gjuhën gjermane
(Aristophanes, Die Vögl, Philipp. Reclam. Junior Christian Voigt.,
Stuttgart, 2008), fraza parë e vargut 1614 përkthehet sipas kontekstit Heim
gan Vir drei me kuptim “Te shpia me shku na tre!”.
10 Në
komentimin nga vepra e cituar nën 5, f. 414, vërehet se edhe disa përkthyes,
studiues të tjerë kanë dhënë përkthime të ndryshme hamendëse-kontekstuale për
frazën e parë enigmatike ναβαισατρευ̃ : “Shkuam na të tre”; “Pasha
Zeusin, ruajtësin e fushave”; deri te “Unë nuk i frikohem asgjëje!”Ky
variant i fundit i studiuesit Schroeder, i përkrahur edhe nga studiuesi
kroat Škiljan,
supozon se Tribali, që me vështirësi shumë të madhe përcjell bisedën në gjuhën
greke, përgjigjet në kërcënimin që e ka kuptuar nga fjalët e fundit të
Pisteterit (v. 1613). Megjithatë, asnjë përkthyes në fakt nuk ka mundur të japë
përkthimin adekuat të kësaj fraze misterioze të shqiptuar nga Personazhi
Tribal, në gjuhën e tij “barbare”, jogreke.
11 Sipas
variantit të tekstit grek-kroat cituar nën 5, Poseidoni i drejtohet Tribalit,
kurse në variantin e përkthimit të cituar nën 4 dhe të gjitha variantet tjera
që i patëm në dorë në gjuhën greke, frënge, angleze, gjermane, Pisteteri është
ai që i drejtohet Tribalit për mendimin përkatës. Andaj, metodologjikisht jemi
të prirur të mbështesim dëshmitë e shumicës dhe të konsiderojmë Pisteterin
sipas kërkesës së të cilit Tribali prononcon frazën e parë enigmatike.
12 Përveç
disa rasteve të interpretimit të saj me hamendje kontekstuale (Kr. te Vep. e
cit. nën 4, f. 229;230, dhe nën 5, f. 414), siç do të shihet në vazhdim, më
herët ka pasur propozime vetëm të zbërthimit të saj në tre apo katër segmente
si naba/isa/treu apo na/bai/sa/treu, por pa
shpjegime të duhura.
13 Shih
te burimet Stuart Edward Mann, An Albanian historical grammar (1997);
De Phil(P)oemon, Volume 2. , ku me koincidencë, në një përkthim pararendës në
frëngjisht, jepet segmentimi na/ bai/ sa/ treu (http://www.facebook.com/photo.php?pid=31766107&id=1306813260). Page 1 of 1., me një dallim se në
propozimin tonë gjymtyra e katërt ndahet, në mënyrë të pavarur: tre/y, pra na/
bai/ sa/ tre/ y.
Për dijetarë të ndryshëm që i janë referuar
kësaj fraze shih edhe në faqet e internetit: http:us.mg3.mail. Yahoo.com/dc/launch?. Gx=1 &.rand=5pqs2h7eo0o2q., Page 1-3 of 3.
14 Fakti se greqishtja nuk kishte shenja të veçanta
pikësimi për pikëpyetje dhe pikëçuditje, të cilat nënkuptohen sipas
intonacionit, kjo frazë e kuptueshme edhe si urdhërore, mund të jetë si dëshmi
e një”gracke” që vlen analogjikisht edhe për variante transkriptimi fonetik nga
greqishtja në shqipe. Kemi pasur parasysh pra edhe dyzanorët αι,ευ,αυ,ου, të
shqiptueshme, në kohë dhe areale të ndryshme, si e, ë, o, u, që
do të shpinin drejt një shqiptimi-transkriptimi të mundshëm *Na/be/sa/trë, *Na/besa/trë,
përkatësisht *So/na/ka /ba/kt’ari/krusa (krousa), apo *Sa(y)v
…që tingëllojnë si arkaike-dialektore. Varësisht nga theksi, pozicioni,
varianti dialektor, αι (apo aj) mund të
shqiptohet e, αυ- av, ευ -ev, dhe
formalisht fraza e parë do të mund të shqiptohej *Nabesatrev,
përkatësisht e dyta *Sav naka baktari krusa (krousa), që
koincidon me relikte
të të folmeve të shqipes, të njohura si be, trev;sav (këto dy të
fundit të shqiptueshme me një nuance të y-së më të
labializuar y>v). Pa pasur njohuri më të sakta për sistemin
fonetik të gjuhës së Tribalit, as për kriteret e transkriptimit përkatës, të
zbatuar atëbotë me mjetet grafike të greqishtes, në transkriptimin sa më të
saktë në shqipe, duhet mbajtur parasysh gjymtyrët autonome sa, y(v),
na, ka ba, të rimarra në frazën e dytë, të afrueshme me ato i.e.,
përkatësisht protoilire.
15 Më gjerësisht për këtë përemër te: Sh.
Demiraj, Gramatikë historike e gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë,
1988, § 3. f. 446;
§ 11, f. 451; Po ai, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Rilindja,
Prishtinë, 1989, § 19, f. 50.
16 Për këtë n’s i.e. më
gjerësisht te: Grandsaignes d’Hauterive, Dictionnaire des racines des
langues européennes, Larousse, Paris, s.a., f. 136.
17 Sh.
Demiraj, Gjuha shqipe dhe historia e saj, Rilindja, Prishtinë,
1989, § 17, § 18, f. 29,49; § 7,f.71 dhe § 16, f. 157.; E. Çabej, Stud.
etim.,II,ASHRSH, Tiranë,1976.
18 Kr. Te A. V. Desnickaja, Gjuha shqipe
dhe dialektet e saj, Enti i Teksteve-KSAK, Prishtinë, s.a., f. 21.
19 Eric
P. Hemp, “Studime krahasuese për pjesoren” në Studime krahasuese për
shqipen, lib. 37, ASHAK, Prishtinë, f. 346.
20 Shih e krahaso shembujt te : Mehmet
Halimi, Kërkime dialektologjike, IAP, Prishtinë, 1985, f. 258, 259
passim; G. Meyer, Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Tiranë,
“Çabej”, f. 61.
23 Më
gjerësisht për këto dukuri te: Sh. Demiraj, Gramatikë historike e
gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1988,§ 2,f.778;§ 3, f. 779-780;§
9, f.784.§3, f.446., § 6, f.447.
25 Shih
shembuj dhe të dhëna te: Mehmet Halimi, Kërkime dialektologjike, IAP,
Prishtinë, 1985, f. 189; 197; 361 passim.
26 THE
ACHARNIANS KNIGHTS, WASPS, AND BIRDS of
ARISTOPHANES: Translated into english Prose, Oxford, MDCCCXXX, p.. 246.
27 Në
shumicën e teksteve greke dhe atë të përkthimeve në gjuhë të huaja, me
përjashtim të versionit cituar nën 5, Pisteteri është ai që e kupton gjuhën e
Tribalit e jo Herakliu. Në burimin me tekstin grek, të shoqëruar me
interpretime në gjuhën latine ARISTOPHANIS AVES GRAECAE. RECENSVIT ET PERPETUA
ADNOTATIONE ILLVSTRAVIT CHRISTIANVA DANIEL BECK, LIPSAE SVMPTV SIEGFR. LEBR.
CRYSII., CI)I)CCLXXXII, f. 174, në interpretimin e vargut 1613-1614, ku Neptuni
(alias Poseidoni R.U.) betohet me emrin e vet, komentuesi vëren Ridiculum
est, Neptunum hic per se ipsum iurare (=Është
qesharake, se si këtu Neptuni betohet me emrin e vet përkthimi dhe
kursivi R.U.), kurse në vijim, për frazën Ναβαισατρευ̃, si
të pakuptueshme, shprehet se në gjuhën barbare nënkuptohet si consentit, pra pajtohet,
mbase duke u mbështetur në deklarimin e vetë Pisteterit.
29 Shih
te: J. Chevalier-A. Gheerbrant, Rječnik simbola, Nakladni
zavod Matice Hrvatske, Zagreb, 1983, f. 502.
30 Lidhur
me numërorët e shqipes, përkatësisht numrin tre, shih e
krahaso te: Eric P. Hamp, “Kategoritë e numrit” në Studime krahasuese
për shqipen, 37, ASHAK, Prishtinë, 2007, f. 186,188,189,191-192
passim.
31 Për
këtë dhe dukuri të tjera gramatikore, shih e krahaso te Shaban Demiraj, Gramatikë
historike e gjuhës shqipe, Rilindja, Prishtinë, 1988, § 3, f. 446;
§6,f. 447;§7,f. 447-448;§ 11, f.451.
32 Sh.
Demiraj, Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës
shqipe, Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë, 1999, § 23,f. 216-217.
33 Për këtë dukuri e të ngjashme me to kemi edhe
dëshmi të shumta në formë të shkruar, që nga “Meshari” i Buzukut (neve
na bajnsh hir, neve na ep, neve na dhashin, neve
na mbaston). Shih e krahaso shembuj të shumtë edhe te: Selman
Riza, Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe, Botimet
Toena, Tiranë, 2002, f. 278-279; 280;285;301;311, 314 passim.
34 Shih
e krahaso te burimi nën 4 e 5: /Šiba ti ja dati!(Djurić,
f.230) Kožuha isprašim tvoga ja! (Škiljan. f. 283; 414.)/.
35 Kr. fr. -Le mot “nabaisatreu” n’a
aucun sens en aucune langue, et il est inutile de lui en chercher un- (Kr.
burimin në Web faqe htpp:www.facebook.com/photo.php?pid=31772384&id=1306813260 Page 1 of 1; Shih e krahaso edhe
burimin e cituar nën 5, f. 414.
36 Kjo
skenë pas të cilës Tribali shqipton frazën në formë të një kodi enigmatik me
konotacion pajtimi, lë vend për semantizmin e saj dhe foljes bai të
afrueshme me fjalën e dhënë, apo “besën” tradicionale dhe
etimologjinë e kësaj fjale (Për etimologjinë dhe semantizmin e fjalës besë më
gjerësisht te: E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes II,
A-B, ASHRSH-IGJL, Tiranë, 1967, f. 204-206). Tribali si “njeri i trashë nga
mendja”, në dallim prej “grekëve të qytetëruar” (thojëzat R.U.), si pjesëtar i racës
së besës, përmes kësaj formule proverbiale shpreh pajtimin për marrëveshjen
trepalëshe.
37 Është
fjala për botimin e marrë për bazë, ku paralelisht figuron teksti origjinar në
gjuhën greke me përkthimin gjegjës në gjuhën kroate. Krahaso burimin e cituar nën
5, f. 282., në dallim prej dorëshkrimeve të tjera ku figurojnë dy njësi me
ndryshime ritmike.
38 Në
burimin e cituar nën 26, si dhe në disa variante burimore të botimeve të vjetra
në greqishte ΟΡΝΙΘΕΣ, v. 1615, f. 305 kemi ndarje në dy njësi
(ARISTOPHANES CURANTE JO FR. BOISSONADE. TOM II, PARISIIS, apud LEFEVRE
BIBLIOPOLAM, MDCCC XXVI): Saunaka Baktarikrusa. Ndërkaq ka
pasur përpjekje edhe të ndonjë ndarjeje në më shumë njësi, përkatësisht Saunaka
bak t’ar i krousa në një variant përkthimi të veprës në gjuhën frënge,
ku dy gjymtyrët e fundit ari dhe krusa shpjegohen,
interpretohen si monedha të Athenës me figurën e Kukuvajkës (Kr. Në Web
faqe: Aristofani. htpp://www.facebook.com/photo.php?pid=31766105&id=1306813260, Page 1 of 1.
Lidhur me këto vështrime shih e krahaso variantet e
teksteve në gjuhën greke cituar nën 5, 26,37 si dhe ARISTOPHANIS AVES TEXTU
RECOGNITO IN USUM SCOLARUM. EDIDIT AUGUSTUS SANDER. HAMMONAE, apud SHULTZ ET
WUNDERMANN, MDCCCXX,119.
39 Shih për këtë formë foljore te: Shaban
Demiraj, Gramatika historike e gjuhës shqipe, Rilindja,
Prishtinë, 1988, § 17, f. 808; § 18, f. 809.
40 Më
gjerësisht për këtë te: Shaban Demiraj, Gramatikë historike…, Rilindja,
Prishtinë, 1988, § 28, 29, f.463.
41 Shih
për këtë te Dr. Eqrem Çabej, Studime gjuhësore I, Rilindja,
Prishtinë, 1976, f. 224; Eqrem Çabej, Studime etimologjike në fushë të
shqipes IV, ASHARSH, Tiranë ,1996, f. 318.
43 Për fjalët evropiane nga rrënja kan- më
gjerësisht te: R. Grandsaignes d’Hauterive, Dictionnaire des racines
des langues européennes, Larousse, Paris, 1948, f. 77.
44 Kr. te: A. Dauzat-J. Dubois-H. Mitterand, Nouveau
dictionnaire étymologique et historique, Librairie Larousse, Paris,
1964, f. 198.
46 Dr.
Jur. Johan Georg von Hahn, Studime shqiptare-Bota shqiptare 10, Instituti
i Dialogut & Komunikimit, Tiranë, s.a., f.318.
47 Shih
e krahaso te: Gustav Meyer, Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, “Çabej”,
Tiranë, 2007, f. 242.
49 Lidhur me monedhat e argjendta iliro-greke,
shih e krahaso te: Aleksandar Stipčević, Iliri.
Povijest,život, kultura, Školska knjiga, Zagreb, 1974, f. 158-160+foto nga
materiali numizmatik; Neritan Ceka, Ilirët, Shtëpia
botuese “Ilar”, Tiranë, 2001, f. 82-91.
50 Lidhur
me Bindin, zotin ilir të ujërave dhe të detit shih studimin:Ruzhdi
Ushaku, Hulumtime etnolinguistike, Fakulteti i Filologjisë-U.P.,
2000,f.11-48.
51 Për disa kompozita të këtij lloji, prej
antikës e deri në shekullin XII e këtej, shih e krahaso te R. Ushaku, Ndihmesa
onomatologjike nga hapësira iliro-arbërore, Fakulteti i
Filologjisë-UP, Prishtinë, 2006.
52 Për
këtë dhe gjurmë të tjera të shqipes në diakroni, shih e krahaso: Ruzhdi Ushaku,
“Mbi disa trajta të dëshirores nga ‘Meshari’ i Buzukut”, në: Dija, Bashkimi
i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, Ulqin, 2005, f. 211-224.
* Ali Llunji, Veprimataria kërkimore shkencore
e prof. dr. Ruzhdi Ushakut, Lemba nr. 1 / 1999, Art Club, Ulqin, 131 – 136 f.
1 Shih gazetat: “ Pavarësia
News”, Prishtinë, 20 Mars 2007; “Bota Sot”, 27 Mars 2007, “Koha javore”,
Podgoricë, 5 Prill 2007, “ Kronika In Focus” , Ulqin, Prill 2007, “Tribuna
shqiptare”(08 maj 2007), Forumi “Zemra Shqiptare” e ndonjë tjetër.
2 Prof. dr. Ruzhdi Ushaku
pati mirësinë të ma dhurojë me përkushtim bibliografinë e plotë të punimeve të
tij.
3 Ali Llunji, “Majave të
shkencës” , portret dokumentar për prof.dr. Ruzhdi Ushakun, RTK, F -0227, emetuar më 13.10.2005
4 Ali Llunji, “Meshari i
Buzukut” – 450 vjet më parë, emision dokumentar, RTK, F -0227, emetuar më
16.06.2005; Ali Llunji, “Shtigjeve të Mesharit”, emision dokumentar, RTK,
E-2598, emetuar më 13.04.2006
7 Janë shkruar për të vështrime, analiza,
kronika, biseda rasti në radio, regjistrime televizive, portrete pune etj. nga
punëtorë shkencorë të gradave më të larta shkencore e universitare dhe të
profileve të ndryshme si gjuhëtarë-filologë (romanistë, albanologë,
ilirologë) , arkeologë, etnologë, historianë dhe krijues të tjerë. Duke
mos i përsëritur emrat e atyre që u cituan më lart, kryesisht sipas
kronologjisë (disa më vonë të stolisur me grada shkencore), po i përmendim edhe
disa studiues shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë vlerësime më herët apo më
vonë për veprimtarinë shkencore-krijuese të R. Ushakut prof.
dr. Demush Shala, Shefkije Islamaj, prof. dr. Mensur Raifi, prof. Dr. Zef
Mirdita, akademik Tvrtko Çubeliq, homerologu
japonez Dr. Ichiro Iura, nga Universiteti i Hiroshimës, prof.
Dr. Veli Veliu, dr. Bahri Brisku, krijuesit Mehmet Kraja, Ali Llunji, Abdullah
Konushevci, Hajro Ulqinaku, Haxhi Shabani, prof. dr. Pajazit Nushi, dr. Rahmi
Tuda, dr. David Luka, prof. dr. Simë Dobreci, prof. dr. Jahja Drançolli, prof.
dr. Naser Ferri, dr. Sineva Kukoč etj.
Ndërkaq janë mbështetur apo iu kanë referuar disa studimeve dhe rezultateve të
tij shkencore edhe studiues, krijues të tjerë shqiptarë dhe të huaj si Vladimir
Zoto, dr. Shaban Sinani Robert Elsie, prof. Dr. Vladimir Osipov, Stephen
Schwartz, Oliver Jens, Schmitt, mr. Radmila Obradović, Vidak Maslovarić, Almir
Zalihiq e ndonjë tjetër.
12 Krah. Ali Llunji, Veprimtaria kërkimore…pun.cit. dhe Veprimtaria
shkencore vep.cit. dhe http/shqiperiaetnike.bravehost.com/Shkenca/1Ushaku 111.htm
N.B. Ky shkrim I autorit Ali Llunji është
marrë nga “Lemba” , Art Club, Ulqin, 12/2008. Me këtë rast botohet pjesërisht i
reduktuar, pjesërisht i plotësuar me disa të dhëna relevante, përfshirë edhe
ndonjë korigjim të natyrës kryesisht teknike.
Vepra ecituar Veprimtaria shkencore e
prof. Dr.Ruzhdi Ushakut (nën nr. 6) është hartuar sipas kërkesës dhe
konceptit të prof. Dr. Jup Kastratit (e mbështetur edhe në materialet
shkencore-arkivore të ofruara nga R. Ushaku), e paraparë për botim në Histori
e albanologjisë III.2
Ruzhdi USHAKU
SHQIPJA SI ÇELËS PËR DY FRAZA ENIGMATIKE
NGA “ZOGJTË” E ARISTOFANIT
(SHEKULLI V-të P.E.RE)
Sprovë
(Botim i veçantë, si variant pararendës i atij përfundimtar)
BASHKIMI I KRIJUESVE SHQIPTARË NË MALIN E ZI
FONDACIONI LIKA
ART CLUB
Ulqin, mars 2011
Redaktor,
Dr. Moikom Zeqo
Recensent,
Prof. dr. Halit Halimi
Redaktor teknik,
Qazim Muja
© Të gjitha të drejtat janë të autorit
`````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````
RESPEKT per Akademikun Ruzhdi USHAKU
Nga une
Aleksander Hasanas
```````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````````
No comments:
Post a Comment