Sunday, April 18, 2021

Farmacistja e suksesshme, Vitore Pistja, në 65-vjetorin e saj - Nga Maksim Rushi

 


Farmacistja e suksesshme, Vitore Pistja, në 65-vjetorin e saj 

E dekoruar për shërbim shembullor ndaj popullit që nga viti 1989

Nga Maksim Rushi

Vitore Pistja u lind në Pukë më 17 prill 1956, në një familje të thjeshtë të njohur për atdhetari, mikpritje bujari dhe  dije; shkollimin e shihnin si një nga gjërat më të çmuara që mund të  ndjek njeriu. Dhe vërtet, Vitorja spikati me zgjuarësinë e saj që ditën e parë kur u ul në bankat e shkollës. 

Babai e la të vogël, kur Vitorja ishte në klasën e shtatë, në një moshë mjaft delikate. Pikëllimi i saj për ikjen e babait qe i madh, për shumë kohë nuk e harroi dot largimin e tij. 

Por babai i saj, ngaqë e dinte që vajza ishte e shkëlqyer në mësimë, para se të largohej nga kjo jetë, la një amanet të madh: “Vitorja të shkollohet!” Dhe ashtu u bë, nëna e saj e dërgoi të studionte për farmaciste.


Vitore Pistja e përfundoi shkollën në vitin 1975. Tashmë u bënë 46 vjet që ushtron profesionin e farmacistes, aq shumë të adhuruar prej saj. Deri në vitin 1993 punoi farmaciste dhe përgjegjëse e Depos së Barnave në Pukë. Gjatë gjithë viteve të punës së saj gëzoi respektin maksimal të komunutetit pukjan.

Ishte pasioni i saj për profesionin e farmacistes, komunikimi shembullor me njerëzit dhe gatishmëria për t’u shërbyer në çdo kohë që kishin nevojë, që krahas stimujve moralë të akorduar nga rrethi, në vitin 1989, të dekorohej  edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërise me medaljen "Për shërbim shembullor ndaj popullit". 

Gjatë punës së saj, Vitorja u zgjodh disa herë si drejtuese e Organizatës së Rinisë, e Gruas, sekretare e Këshillit Popullor dhe ndihmësgjygjtare e rrethit.

Vitore Pistja u martua me Preng Pisten, i shkolluar për Biokimi, i cili shumë shpejt ngjiti shkallët e karrieres duke u emëruar qysh në vitin e dytë të punës si drejtor shkolle, shef i Seksionit të Arsimit të Rrethit për 12 vjet, deputet i Kuvendit Popullor dhe në poste të tjera drejtuese në rreth.

Duke qenë se bashkëshorti i Vitores ishte shumë i angazhuar me pune, i takoi asaj të mbante peshën e gjithë problemeve të shtëpisë.

Nga kjo martesë kanë një djalë Edmondin, dhe një vajzë, i biri studioi për farmacist kurse e bija Elona për laborante bio-kimiste.


Pas vitit 1993 Vitorja u transferua në qytetin e Lezhës ku përsëri nuk u shkëput nga puna për asnjë ditë. Që nga viti 2001 e në vazhdim punoi në të njëjtën farmaci me djalin, i cili ishte diplomuar për farmacist Nëna e tij ndau me të birin eksperiencën e vet dhe shërbimin e mirë ndaj njerëzve. 

Kjo e nxiti Edmondin të studionte pareshtur në fushën e barnave dhe të përditësonte informacionin dhe kërkimet më të fundit shkencore në fushën e farmakologjisë për të mos mbetur thjesht me njohuritë akademike të viteve studimore universitare.

Ndërkohë ai u bë pjesë e shumë trajnimeve dhe e konferencave të vendeve të ndryshme të botës, si trajnues dhe si kumtues. Përkushtimi i tij u vlerësuar me çmime. Znj.Vitore edhe në këtë qytet, shumë shpejt u bë një nga farmacistet më të besuara dhe më të vlerësuara të klienteve të saj.

Tashme në 65- vjetorin e lindjes së saj, Vitore Pistja ndjen ngrohtësinë e dy nipave dhe dy mbesave nga djali e vajza që aq shumë e duan nënën e tyre.

Edhe ne miqt e saj, (familja Rushi nga Kolonja), i urojmë gëzuar për shumë vjet ditëlindjen, shëndet dhe lumturi në familje.

 ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

No comments:

Post a Comment