Saturday, May 29, 2021

Më kishte marrë malli Takim pas 41-vitesh te shkolla ekonomike “Kristo Isak”, Berat

 

Më kishte marrë malli

Takim pas 41-vitesh te shkolla ekonomike “Kristo Isak”, Berat

Nga Vepror Hasani

Në qytetin e Beratit mbërrita në mesditë. Rruga Korçë-Berat m’u duk mjaft e gjatë, ndoshta nga që dëshiroja të mbërrija qoftë edhe një çast më parë. Më kishte marrë malli. Doja të ulesha diku, i vetëm, pa asnjë njeri tjetër pranë, dhe të sillja ndërmend çdo gjë të shkuar. Edhe nëse do ta ndjeja të nevojshme të qaja, do të lotoja pa patur turp prej njerëzve. 

Lotët gjithnjë i kam parë si shenjë fisnikërie. Autobuzi më la aty, tek ish-agjencia e vjetër. Hodha vështrimin nga të gjitha anët dhe shumëçka prej atyre që pashë më mbushën me mall, por nuk pashë asnjë të njohur. Prisja që dikush të më thoshte: “Hej, Vepror, kur paske ardhur?” - por nga askush nuk dëgjova diçka të tillë, kisha vite pa ardhur në Berat. 

Shoqet dhe shokët e mi të klasës do të vinin të nesërmen, do takoheshim në orën10.00 te shkolla e mesme ekonomike, “Kristo Isak”. Unë u nisa një ditë më parë sepse autobuzi nga Korça nisej në orën 11.00 dhe mbërrinte në Berat në orën 15.00, por unë nuk doja të humbisja asgjë nga takimi ynë pas 41-vitesh. Kishim qenë gjithsej 30 nxënës: nga  Berati, Gjirokastra, Lushnja, Saranda, Fieri, Përmeti, Skrapari dhe Kolonja. 

Të gjithë kishim mall për njeri-tjetrin dhe mezi prisnim të takoheshim. Por, a kishim mbetur vallë ata të 41-viteve më parë apo ishim moshuar, thinjur dhe lodhur? Prisja me ankth ta shihja këtë gjë.


Shokë të një klase

Vazhdoja të isha i vetëm në atë qytet aq të bukur e të dashur, por kjo gjë më pëlqente. E dëshiroja meditimin, çmalljen e qetë dhe të ngadaltë, sjelljen ndërmend të të gjitha kujtimeve, ditën e parë të shkollës, njohjen me njeri-tjetrin, ngjarjet e vogla që mbanin gjallë jetën tonë, të qenit pranë çdokujt në çdo çast e kohë si në një familje të vërtetë etj, etj. Sot na duket e pabesueshme: si mundet që u bëmë kaq të afërt me njeri-tjetrin? 

M’u kujtuan të gjithë me radhë: Evelina Theodhori, Kasjani Polo, Elida Kulla, Valentina Hoxha, Mbaresa Hysenbelli, Faika Mato, Manushaqe Mici, Afërdita Ahmeti,  Jorgjie Shehu, Areti Nasho, Dhespo Nani, Varvara Nikolla,  Zaharo Xuxi, Natasha Nilo, Merjeme Xhafa,  Xhevrije Hoxha, Lefteri Sillo, Rabie Meçaj, Dolora Dedeniku, Barie Uku,  Artur Harka, Et’hem Sula, Jorgo Babi, Arqile Bane, Thanas Stavro, Perlat Kalemi, Azis Çela, Gëzim Alishollari dhe Neki Kurti. Gjithsecili prej nesh, gjatë 4-viteve të shkollës ofroi më të mirën e vet. 

U rritëm me njeri-tjetrin, kur u takuam për herë të parë ishim 15 vjeç, kur u ndamë për herë të fundit ishim 19, nuk mbeti njeri pa lotuar, por ne i premtuam njeri-tjetrit që do të shiheshim sërish, dhe e mbajtëm fjalën. Të nesërmen, ora 10.00, do të ishim përsëri bashkë. Si do të ishte vallë çast i shumëpritur prej 41- vitesh? A do të vinin të gjithë? EK1-IV, (Ekonomiku, klasa e parë, viti i katërt), si gjithë klasat e tjera, kishte edhe ajo të veçantat e saj, mbi të gjitha mbajtjen e fjalës.

Bisedë me Osumin

Dola nga lokali ku isha ulur dhe u nisa drejt lumit Osum, ai gjithnjë më ishte dukur si një nga gjërat më të bukura të Beratit, doja të flisja me të. Disa nga burimet e tij e kanë zanafillën në vendlindjen time, në Kolonjë, pranë fshatit tim, Butkë, ndaj këtë lumë e kisha parë gjithnjë si pjesë të jetës time. 

Në një përshkrim të hershëm thuhet: “Lumi i Beratit quhet edhe Osum, ky zbret prej majave të malit Verketisiu, (kështu quhej në kohët më të hershme mali i Gramozit), duke mbledhur udhës shumë ujëra nga Vithkuqi e pasi përçan malësinë e Skraparit përshkon qytetin e Beratit e bashkohet me Devollin mbi fshatin Kozarë, ku formojnë lumin e quajtur Seman, i cili merr edhe ujin e Gjanicës së Fierit”. Lumi i Beratit më priti me një mori fjalzash e valësh të pafundme që ndiqnin njera-tjetrën. 

M’u duk sikur më tha: “Ju mbaj mend të gjithëve, nesër do të jetë një nga ditët tuaja më të bukura, do t’i ngjasojë ditës së parë të shkollës, do të ndieni të njëjtin emocion si 41 vite më parë dhe do ta shihni veten më të përmalluar se kurrë ndonjëherë tjetër. E besova për gjithçka që më tha, isha i sigurtë që do të përjetonim ndjesi të papërsëritshme, por unë dija edhe diçka më tepër, disa prej shokëve tanë:  Artur Harka, Perlat Kalemi, Jorgo Babi, Neki Kurti dhe Gëzim Alishollari, për arsye të pamundura, nuk do të ishin në takim. 

Një pjesë e jona do të mungonte, gjithkush prej nesh do të ndiente edhe vendin bosh të tyre, bashkë më ta do të mungonte edhe një pjesë e vajzave. Nuk qe e thënë të bëheshim të gjithë bashkë.  

Takimi pas 41-vitesh


E nesërmja e takimit erdhi me shi. Ishte një shi i imët, i ngrohtë, gati i avullt, i ngjashëm me pikat e lotit, njësoj sikur dëshironte të zgjonte tek ne ndjenjën e mallit, i përngjante një magjie të vërtetë. Prisja nga çasti në çast të shfaqeshin shokët e klasës, vajzat dhe djemtë. Doja të shihja portretet e tyre. Vallë a do ta njihnim njeri-tjetrin? Kishin kaluar 41-vite, jo pak. 

Befas para shkollës u shfaqen tri vajza; pas tyre erdhi dhe një vajzë tjetër: ishin të qeshura, të gëzuara, madje të mrekullueshme, e kalonin hijeshinë e vajzave 20-vjeçare, tashmë ishin zonja, binte në sy fisnikëria e tyre. Ato ishin: Kasjania, Lida, Dolora dhe Mbaresa, katër vajzat e sapombërritura reflektonin thjeshtësi dhe dinjitet, kishte mall te sytë e tyre, mall prej vërteti. Pastaj erdhi Azizi dhe Arqilea, nuk kishte çaste më të bukura kur shihje sesi i bashkoheshin grupit njeri pas tjetrit.  Të gjithë ndiheshin të lumturuar që pas kaq vitesh po bëheshin përsëri bashkë. 

Më pas erdhi dhe Et’hemi, një nga shokët më studiozë të klasës, i cili e zbukuroi takimin edhe me humorin e vet, batutën e zgjedhur dhe repliken e shpejt. Arqile Bane fliste me shumë dhembsuri, ashtu sikurse Azizi që flet edhe me heshtjen e tij. Me disa nga vajzat që munguan, me Evelinën, me Valentinën dhe me Faikën, folëm në celular, pati shumë emocion, ndonjëherë dridhja e zerit flet më shumë se prania e personit, sepse ndihet malli, sinqeriteti, dhebsuria, madje edhe pyetja më e thjeshtë: “Si keni qenë? - barabitej me fjalimin më domethënës. Dhe kur nga ana tjetër e telefonit vinte përgjigjja: “Po, jemi mirë”,- e shtonte lumturinë tonë, njësoj sikur të ishim pranë tyre.

U rritëm bashkë


Dhe nuk kishte si ndodhte ndryshe, u rritëm bashkë. Ishim një familje e madhe prej 30 vetash. Mësuam të gëzohemi me gëzimin e tjetrit, të trishtoheshim kur shoqja jonë ishte e trishtuar, të ndihmonim shokun kur kishte nevojë për ndihmën tonë, dhe të qanim nëse dikujt prej nesh i kishte mbërritur një lajm jo i mirë.
 
Ndaj u bëmë 30 herë më të mirë nga sa ishim, sepse prej secilit morëm cilësitë më të mira; provuam si për veten tonë edhe gëzimin dhe dhimbjen e tjetrit. Ne i kemi borxh çdonjerit prej nesh sepse prej secilit mësuam si të rriteshim. 

Ndërsa po mblidheshim si në ditën e parë të shkollës, nisëm të ndjenim  gëzimin e madh që të jep një takim pas katër dekadash. 

Por gëzimi ynë nuk përfundoi me kaq: mësuesit e shkollës “Kristo Isak”:, (tashmë me profil tjetër, jo ekonomik), erdhën dhe na takuan me shumë dashuri sikur të ishim nxënësit e tyre, na shoqëruan për te klasa ku kishim mësuar 4 vjet me radhë, vizituam të gjitha ambientet e shkollës, tashmë shumë më të bukura dhe bashkëkohore. 

Ishin mësues kaq të mirë sa edhe mesuesët tanë që kishim patur, nuk kemi për ta harruar mikëpritjen e tyre, ishin më shumë se të mrekullueshëm.  

Çaste të bukura


Në një çast të takimit tonë, Kasjania më pyeti: “Vepror, të vjen keq që nuk mundën të vinin të gjithë?” Të them të vërtetën, nuk e kisha menduar se mund të më bëhej një pyetje e tillë, u ndjeva i emocionuar. Ne u përpoqëm të lidheshim me të gjithë, por gjetja e adresave ishte mjaft e vështirë, shumëkush kishte emigruar në vende të ndryshme të botës. 

Mendoj se ata që nuk mundën të vinin ndihen edhe më të keqardhur. Po Kasjania e la me kaq, hapi çantën dhe nxori prej andej një blok të shënimesh mjaft të bukur. “E kam sjellë për ty, - më tha, - merre dhe shkruaj edhe për takimin tonë pas 41 vjetësh”. Ishte një nga dhuratat më e bukura të jetës time. 

Ndërkohë një lajm tjetër na mbërriti nga një vend i largët i botës, një shoku ynë na premtoi të mblidhemi sërish. Kush është ai? Për momentin është surprizë, e sigurtë është që sërish do të festojmë. Pas eksperiencës së parë që kaloi mjaft bukur, urojmë të bëhemi të gjithë bashkë, ku të mos mungojë askush.   



Nga Vepror  Hasani 

~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

1 comment:

  1. Kam lexuar disa dëshmi për një magjistar dashurie të quajtur DR DAWN se si ai ka ndihmuar shumë njerëz për të rikthyer ish të dashuruarit e tyre brenda 48 orëve, Sinqerisht, thjesht po mendoja nëse kjo ishte e vërtetë dhe nëse ky njeri mund të ndihmonte vërtet të kthente të dashurin tim të cilin Unë dua shumë. Vendosa të kontaktoj sepse e dua shumë të dashurin tim dhe kemi nja dy muaj që jemi ndarë. Më ka marrë shumë malli për të, kam provuar të gjitha mënyrat e tjera për ta rikthyer, por nuk kam mundur. Unë kontaktova me DR DAWN dhe ai më tha se ish-i im do të kthehet tek unë në 48 orët e ardhshme.
    Për habinë time, ish i dashuri im u kthye pikërisht pas 48 orësh, e gjitha kjo falë Dr DAWN,
    Ai gjithashtu mund t'ju ndihmojë me
    *Spell për të mbetur shtatzënë.
    *Magji për t'u ribashkuar.
    *Shëroni çdo sëmundje.
    * magji për fat të mirë.
    *Magji për pasuri.
    Dhe të tjerët.
    Kontaktoni me të përmes: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2349046229159

    ReplyDelete