Sunday, January 23, 2022

METAFORA E LIGJËRIMEVE TË DRITËS

  

Brahim (Ibish) AVDYLI:

(Novela e dytë për Prof. Muhamet D. Rogovën,

me nota biografike dhe autobiografike)

 METAFORA E LIGJËRIMEVE TË DRITËS

Paraversion


1.

Shpirti im i gjallë më dërgon në kohët më të vjetra që të rikujtoj diçka të veçantë nga rinia shkollore. Sikur fotografitë në dorë, edhe kujtimet e një kohe të rinisë i shfleton, të cilat një nga një i shikon, me dhembje e krenari, me mall e devotshmëri, apo me mëni të veçantë. Diçka të përgjithshme do të kishe ndryshuar, por për diçka të veçantë do të kishe respekt të mirëfilltë. Kujtesa sikur gjallërohet nëpër sytë e mendjes. Nuk janë fotografi, që do të rroknin atë kohë me zbehurinë e një fotografie të vjetër, por kujtesa i nxjerr pamjet, në të cilën do të dëshiroje më tepër të kalosh i gjallë nëpër to e të jesh si ajo kohë. Natyrisht, je duke e ndaluar atë kohë që të mos ngjallej tërësisht, sepse qëllimet e tua jetësore janë për një kohë tjetër, e koha e tanishme të degëdisë nëpër të gjitha konturat e saj.

Po të ringjallëj realisht ajo kohë, do të ishte diçka tjetër nga ajo që ka qenë, e të vjen mirë që ato janë vetëm kujtime, e do të bëjnë pjesë në atë kohë.

Mekanizmat janë interpsikologjike dhe nuk mund të ndërhyje nëpër to. Por, do të zgjidhje disa pamje të së kaluarës me veçantinë e tyre psikologjike dhe do t`ua jepje edhe njëherë gjeneratave të reja, sepse janë të ruajtura në mendjen e krijuesit, natyrisht duke i përshkruar me përpikëri. Të nxjerrësh para gjeneratave ato të cilat pak kush u kushton aq rëndësi, e do të thotë se do të kishe mjaft potenciale të vërteta. Ndër shumë të tjera, do të ishe një dhunti e madhe e krijuesit të vërtetë, i cili di si do të rizgjojë kujtesën e brezit të tij, bashkë me këte, edhe të brezave të ardhme, dhe kjo do të ishte një kënaqësie vërtetë.

Ndër shumë rikujtime të së kaluarës do të hyjnë paraprakisht ata që në errësirën e kujtesës ndezin një dritë të pashuar kujtimi. Shpirti yt i gjallë i ka ruajtur në arealin e kujtimeve, saqë vështirë është të biesh nëpër kujtesën e madhe, sikur të biesh nëpër një tunel të errët. Nëpër këtë tunel të errët e të frikshëm janë vitet e gjata, si nëpër një rrugë...

Si krijues, i sheh dritat e largëta të kujtimeve dhe ndalesh nëpër ato që të duhen. Duket drita një pikë e largët, nëpër ëndërrimet djaloshare.

Në të vërtetë, nuk u lodh më shumë me këto mendime parapsikologjike, psikologjike, misterioze apo mistike, e po ndalem në orët e para të letërsisë së gjimnazit, nëpër ato ngjarje që më kanë lënë mbresa shumë të veçanta, që të jem ky që jam sot. Pa e filluar gjimazin do të kisha mbetur i panjohur, ose do të isha mbetur i gjymtë në profesion tim, si krijues. Kjo është hapja e një dere të re, plot me dritë, por edhe plot me shëmti për të tjerët, sepse ata vazhduan rrugën e ligë, e jo rrugën e dritës. E liga dhe e mira janë vëllezër të padëshiruar; njëri shihet e tjetri nuk dihet. Të dytë, të ngrehin nga vetvetja. Shpirti të ngehë kah ajo për të cilën ke lindur, për të cilën je i përcaktuar. Nëse je vetë dritë, të ngehë vetvetja nga drita e të ardhshmes së bardhë. Nëse nuk je, të ngrehin të tjerat kah humbëtira e kohërave.

Por, nuk ke mjaft kohë sa të merresh me këto gjëra të përgjithshme, sepse duhet të flakërosh në një drejtim të caktuar.

Kjo është metafora e ndezjes së dritave të kujtesës. Nëpër këtë udhë të madhe, do të ecësh edhe ti, krahas ndriçimit të kësaj errësire… 


2.

I ulim edhe njëherë të gjithë nxënësit në kujtesë, sikur kanë qenë atëherë. Kjo ka të bëjë me kujtesën tonë, jo me të ulurën reale në një klasë. Ka plot takime, në të cilën mblidhen ata që janë gjallë sot, me këtë moshë që kanë, por kjo gjë nuk është e njëjtë me ringjalljen e kujtesës, sepse, shikuar në përgjithësi, secili ka shkuar në drejtimin e vet, të cilat janë edhe divergjente, apo kanë luftuar me njëri tjetrin, e disa nuk janë më të gjallë ose kanë rënë viktima të kohës; viktima të therrorit; viktima të një pamundësie apo varfërie, e disa janë dëshmorë të vërtetë, të dijes e lirisë, e disa të tjerë ndoshta i ka përfshirë harrimi! Po, po. Harrimi na përfshinë ose na sulmon të gjithëve. Kanë kaluar të pesëdhjetat, e kjo është gjysma e jetës në tokë. Jo sot, por dje, sepse vdesin njerëzit përtej të gjashtëdhjetave, e vie më shpejtë vdekja. Nuk e dimë asnjëri se kur dhe si do të na vie vdekja nga jeta e provave. I ke mbushur gjashtëdhjetat dhe je futur në fazën e këtij procesi.

Ata që mendojnë me të vërtetë, flasin më pak e mendojnë shumë më gjatë. E mendojnë të kaluarën e tyre dhe të kaluarën me të gjitha gjërat e tjera. Më së shumti bien në përpëlitje apo në bredhje të këtyre vragëve të kohës, si të ishte e mundur që mendët e sotme të të gjitha përvojave, do ta kishin bërë kështu, apo këtej, e jo andej, apo ashtu, sepse do ta nxirrje një gjë nga kjo lojë dhe do të shumëzoje disa tipa të veçantë, etj.

Fatlumturisht, nuk është në dorën tonë, se do ta kishim ndyshuar të tërë botën, sipas dëshirave tona! E në moshën tonë mundësitë i kemi më të vogla, por memorjen më të gjallë!

Thamë „memorjen“, e përse e thamë këte?! He, he! A kemi menduar se Zhyl Verni e ka vendosur Kapitenin Memo në Atlantis?! Edhe Atlanta është „Atlantisi“, i ardhur këtej nga gjuha e vjetër shqipe, me prapastesën pellazgjike „is“. Pa këtë prapashtesë të alfabetit pellazgjik e ka emëruar këtë emër Amerika, në formën e parë, pa “is”, në një qytet të lavdëruar të saj, me emrin ATLANTA. Disa më ngrehin nga Atlantida, mu në mes të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Islandës, madje kohët e fundit besoj më tëpër në ATLANT-isin, se sa në Atlantida. ATLANTA është qytet i humbur në SAHARA, të cilën e marrin si orientim të gjithë astronautët. Është „SYRI I SAHARASË“, stuktura „Richat“, i cili kalon në kohën paleologjike, një milion e tetëqind vjet para Krishtit. Fundosja e ishullit ATLANT-isit, është nëntë mijë e pesëqint vite p.e.s. Unë do të besoja në Atlantis-in e përmbytur në Sahara, e jo në ATLANTID-ën e përbytur në mes tri sheteve, te Anglia?!...

Ne e keni Kapitenin MEMO në „Atlantis“, që na e sjell të vërtetën e krijimit e të lundrimeve në tërë botën, katërdhjetë mijë vite para lindjes së Krishtit, me nëndetëse të botës (a ka pasur atëherë nëndetëse, a!), që përmes kujtesës të na afrohet sot me përpikëri, në tërë memorjen tonë! Me-m-o, do të na thotë shqip, që ta marrim vesh: me-ndja e m-asave është kujtesa për tërë botën, që do të na ndihmojë në o-rganizim të përgjithshëm. Njerëzit e humbin mendjen, sepse mendja është më e madhe se bota! Ka memorje! Duhet ta shfletojnë si një libër gjigand, për gjërat që na duhen.

Simbolika e këtij emri të deshifruar ka shumë rëndësi. Ne po vazhdojmë më tujtje. P.sh., e ngulim thellë njëfarë mullari në mendje; e hedhim në te rreth e për rreth nga një tëfurk[1] të mendimeve, dhe i ngeshim pak nga pak me tëfurkin tonë që të palohen, apo edhe anash që të mos jenë jashtë mullarit të mendjes dhe të derdhen poshtë; e ngrisim lart në formë të përmbylljes; pastaj vie koha që nuk e kemi më të gjatë mullarin e mendimeve dhe duhet që ta kemi më parë të përgaditur dengun e mbulesës, i cili do ta mbrojë pak nga fitili i prishjes, në formë të të reshurave të kohës. Në natyrë duhet të kemi shkallët e zbritjes nga sana e ngrehur në mullarë, e po kështu do të zbritnim nga mendja, sepse do ta rrëzonim padëshirë nga vetëdija në hapësirat e errëta të ndërdijes, në atë grumbull mundimesh e mendimesh tonat, në tërë kujtesën tonë. Nëse do të qëndrojë mirë, do t`i silleshim rrotull e do ta kundrojmë që të vërtetojmë se a mos e kemi lënë gjë mangut; a mos ka rrëshqitur jasht ndonjë palë tëfurku të mendimeve tona; a mos edhe është shtrembëruar në një anë, që të rrëzohet me të gjithë mullarin e sanës së mendimeve. Në fund, e krehim me grabujën e stilizimeve tona të bukurisë.

Jam rritur në një fshat, e në mes të luftës sonë për jetesë e mbijetesë; jemi mësuar për çdo ditë nga puna dhe mjetet tona të punës, e pra këtu u solla nëpër kujtesë, si nëpër livadhet tona të gjëra. Do të habiteni pak nga pamundësia e harresës sime, por nga çdo gjë që do ta kujtojmë kur të vie koha, e të mos jetë as e rrëzuar në mendje, dhe as e kalbur nga fitili i prishjes, apo e mykur tërësisht nga koha e gjatë e harresës, me njërin mullar të mendimeve të kujtesës sonë, sepse i kemi miliarda hunjë të mëdhenj e të trashë, të fortë e të drejtë sa një tra kulle, prej kohës së Kapitenit Memo.

Le të thonë sa të duan shkerdhëtarët me kule, se ne qenkemi një kopje e gjuhëve të botës, madje „të sërrbishtes“, që ka vetëm dyqind vjet të erës sonë, e që është „themeluar“ me fjalë të kthyera mbrapsht nga gjuha shqipe, prandaj këtyre tanëve ua kanë shpërlarë mirë e mirë trurin, sa nuk u bluan mendja e shkapërderdhur me dhunë, të “pordhin” nga friga e tyre fjalë të pavërteta „shkencore“ për gjuhën mëmë të botës, gjuhës shqipe.

Dihet, gjuha shqipe, të cilën e ka dhunuar më së pari „Greqia“ me shtesa e prapashtesa, si nga kukamat tona, „oi“, „ois“, etj., bota e vërtëtë shqiptare përpiqet t`ia japë të gjithëve një „memo“ të mirëfilltë, sepse ajo është mëma e ardhur me bij të vet, prej së largu (d.m.th. prej Atlantisit), e nuk ka qenë askund „Sërrbija“, „Rusija“, „Greqija“, „Turqija“[2], „Irani“, e të tjera!

Zoti i Madh e ka dënuar kundërshtarin e tij me Ferr dhe është ky në mesin e tokës, te „kau i zi“, që e thoshte babai im nga urrejtja, që të mos dalë asnjëherë nga ai ferr, pa pikë drite e shkëmbinjë, megjithëse do të përpiqet kurdoherë të lindë në këtë jetë të përkoshme me lakejt e vet!! Lakenjt apo hijenat ose gjarpërinjt, këta shpirta të zi, janë ata që na kanë rrethuar në të gjitha anët, e bëjnë çka është dritë mbi ne që të jetë errësirë; çka është lule mendimi, të jet shkrumb i zi; çka është jetë, të bëhet vdekje...

Ne po i lëmë këto mendime reale të dalura prej mundimit në të gjitha anët, prej pushtetit të rrebtë e të urryer ndaj nesh, që dihet se ka qenë dhe është ende serbo-jugo-sllavia, e cila mundohet të ringjallet, qoftë edhe me ndihmën e djajëve të ringjallur nëpër tërë botën, e të zbresin në tokë, pa qenë “atdheu” i tyre. Ne, kemi qenë antitezë e tyre, prej maleve të larta e të ndritshme, p.sh. prej Shkelzenit të Gashit. Po, po ngritem prej Morinës, një trashëgimtar i stërgjyshit tim, Avdyl Ali Vesel VULA, e po mbërrij nëpër kodrën e zhveshur të Planikut, drejt e në klasë të gjimnazit „Hajdar Dushi“, duke pritur që të na vie me ligjërimin e tij, i shkëlqyeri Prof. Muhamet ROGOVA.

Merreni me mend, se kjo është temë e veçantë! E kam ruajtur në kujtesë! Nuk ka pasur forcë mediale e fizike që të ma largojë prej koke tërë jetës! Edhe po të më kishin rrahur shumë, sa të ma shtypinin edhe kokën, truri i mbetur gjallë me shpirtin tim, edhe në qoftë se do kaloja në jetën e përjetshme, nuk do ta shlyente. Të mallkuarit nuk do të ma hapnin trurin e nuk do të mund të ma nxjerrnin nga truri tërë kujtesën time, vetëdijen e ndërdijen, sepse e pata bërë një siguresë të posaçme me shifra, që unë do ta mbaja gjithsesi në mendje, e kjo është një numër të veçantë i secilit njeri…

Kujtonu, kujtonu! Është e lehtë për t`u mbajtur në mendje, por të gjithë njerëzit nuk do të kujtohen. Unë, edhe pak, nuk dua t`ua kujtoj tërësisht…

 


3.

E kujtoj se klasa ishte e mbushur me nxënësa. Tridhjetë e pesë nxënës më të zgjuar e të rregullt. Pata filluar ta bëjë ligj, që ishte rregulli i klasës, sepse qesh vënë në kokë të Këshillit të Mirëmbajtes së Rregullit e të Qetësisë së kësaj klase. Kush guxonte që të ngelte nga klasa e jonë! Askush! Asnjëri! I kishim caktuar edhe djem të tjerë, të cilët do të merreshim me ta, në mënyrë që asnjëri nuk do të ishte aq shumë i dobët, as mjaftueshëm...

Po prisnim me qetësi. Erdhi profesori ynë dhe na përshëndeti. Ne ia kthyem të gjithë me një zë, „mirëditen“ e tij. Nuk e harrojmë buzëqeshjen e tij të veçantë, sepse na kishte cilësuar si „bij të mi“. Dashurinë atërore të profesorit të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe e ndëgjonim me kënaqësi, ani pse ndonjëherë na thoshte gjëra të posaçme. Ne, qenë lodhur me vuajtjet tona, nga shpërfilljet tona, deri në familjet e veçanta, pikërisht nga rrënjët e atij pushteti të egër dhe autokratik „serbo-jugo-sllav“, dhe kishim pak ëndërra të zbardhnim dritën e syve deri në shpirt, prej ligjërimeve të urta e të dashura të profesorit të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, sepse shqipja qe strukur shumë nëpër malet tona edhe nga sakatosja e përditshme.

Edhe ne duhet të ruheshim prej shpifjeve, ndjekjeve, gjërave të shumta të dhunës së tyre. Nuk e kishim të lejuar as më të voglën përshpëritje, direkte apo indirekte të fjalëve alegorike dhe simbolike, të cilat i patëm mësuar gjatë mësimeve të këtij profesori. Po e mësonim ngadalë një gjuhë tjetër lakonike nga gjuha e jonë direkte e të thëna troç. Pra, gjuha e jonë ishte speciale.

Po i silleshim rrotull stërmullarit të gjërave e do të mësonim ate që do të ishte figura e vërtetë e dritës së shenjtë, në vend të „dritës“ së mbufatur të të zezës së quajtur „pushtet i dhunës së egër“, në përditshmëri. Edhe e zeza, kur errësohej shumë e nga goditjet e jetës, kishte një pikë të bardhë në mes!

Na tregoi profesori se sot i kishim dy orë të ngjitura së bashku. Pasi ia ripërsëritëm ndër pyetje e përgjigje temën paraprake, si për tu koncentruar për një temë të re apo për të hedhur poshtë dhembjet tona nga nga zhvatja e kohës së kaluar, na tha tekstualisht se do të na ligjëroi, jo sikur jemi mësuar me autorët tanë ose nga librat tona, por me shkrimtarë që nuk i kishim në planin mësimor. Pastaj tema do të ishte e re. Ai ishte ligjërues i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dihet, SHQIPJA është ende e gjallë. Po, po. Ende gjallë!...

Thjeshtë, na ka ndarë fati mes përmes tokave tona. Na kujtohen fjalët e lapidarit të Mbrojtjes Kombëtare, Çerçiz Topulli, i cili thoshte:

„Ne nuk kemi luftuar për shtëpinë tonë, por për vendin tonë, dhe vendi jonë është gjithkund ku flitet gjuha shqipe e jetojnë shqiptarë në trojet e veta. Kjo është tokë shqiptare!“

Ashtu do të bëjmë edhe ne, kurdoherë e gjeneratë pas gjenerate, deri sa të realizohet kjo qështje shumë e madhe: pra do të krijohet toka e bashkuar me të gjitha pjesët e ndara nga dhuna e kohës. U kthye nga dërrasa e zëzë dhe na e shkroi me shkumës të bardhë:

Ndikimi i rrethanave historiko-shoqërore të Lidhjes së Prizrenit në krijimin e veprave letrare.

a) Roli pozitiv i letërsisë dhe artit në shoqërinë tonë;

b) Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit, në dritën e Shkrimtarëve të Shqipërisë“.

U kthye edhe njëherë nga ne e na tha me buzëqeshjen e tij të përzemërt:

- „Kjo temë është e veçantë dhe mendova se më së miri do t`ua ligjëroj juve, bijtë e mij të dashur, sepse nuk i keni lexuar apo nuk i keni dëgjuar autorët e njohur të RPS të Shqipërisë, pasi ajo është nëna jonë e madhe e gjuhës shqipe. Pra duhet të ndihmohemi nga ajo pjesë e veçantë e njohurive, sepse jemi në një temë të rëndësishme të lëndës <Gjuhë e Letërsi Shqipe>. Jo vetëm që jeni në pjesën më të madhe nxënës të shkëlqyeshëm, por më mesin tuaj ka edhe nxënës shumë më të mirë se sa në klasët e tjera të kësaj shkollë, madje në Gjakovë. Për shembull, po e cekim njërin nga ju, birin tim të dashur, Brahim Avdyli, i cili na i ka treguar disa vjersha të tij lirike, dhe ju e dini të gjithë se çfarë roli kanë shkrimtarët e veçantë, kur të rriten e të njihen botërisht apo në shoqërinë tonë. Ata do ta kenë rolin e tyre të veçantë në shoqëri.

Shkrimtari është ai që i përjeton dhe i njehë të gjitha çka janë tejet të rëndësishme për jetën tonë dhe i thotë pikërisht më të nevojshmet. Ai jeton në mesin tonë, të hidhur apo të ëmbël, dhe duket si i panjohur për ata që pak lexojnë, por për të gjithë neve na e thotë të vëtetën artistike, i përlqeu apo nuk i pëlqeu dikujt, çfarë duhet të bëjmë, që ta kemi jetën tonë pak më të mirë! Nuk na thotë direkt, por na thotë artistikisht.

Kështu, pas shqyrtimit të gjithanshëm që ua bëra literaturës së kësaj teme, përpara se të vija këtu, në mesin tuaj, duhej veçanërisht më përpara që të përgaditesha. U mendova se është shumë me rëndësi që të shpjegohet mirë, për çka u lutemi që të më dëgjoni me kujdes dhe ta përcillni deri në fund, sepse kjo temë mund të shpjegohet edhe nga vet profesori i historisë, apo të dëgjoni ndonjëherë një tjetër, edhe po të lexoni vet, por u mendova se askush nuk do t`ua shpjegojë kështu, edhe nëpër autorët e Shqipërisë. Jam profesori kujdestar i kësaj klase dhe ju dua më tepër se asgjë tjetër. Bijtë e mi, duhet që të kujdesem për ju. Prandaj, e kam për detyrë që t’iu mësoj!

Me të gjitha rrethanat tuaja, që e keni zgjedhur këtë shkollë si shkollën tuaj, gjimnazin shoqëroro-gjuhësor, dhe për këte ka mjaft rëndësi gjuha shqipe për shoqërinë tonë, dhe për juve, personalisht. Nesër, do të studioni e do të bëheni intelektualë të mirë të kësaj zone, në kufi me nënën tonë të madhe të gjuhës, me Shqipërinë. E kam paraparë këtë temë, e cila është e shkruar me shkronja pak më të mëdha, dhe dy nëntema, si pjesë e pandarë e saj.

Po ua lexoj edhe njëherë...

Profesori filloj të lexojë me zë të dëgjuar mirë, duke i përcjellur fjalët e tij me shkrumësin e bardhë në dorë, pa e prekur dërrasën e zezë. Historia do të ketë çka do të na mësojë, por ajo histori e mësuar me dhunë e ndonjëherë sipërfaqësisht, etj., fare nuk figuronte kjo temë, që do të ishte e lejuar nga kabinetet e larta të politikave udhëheqëse, të kabiteteve tjera shkencore apo shkollore. Ato, nuk e kishin letërsinë dhe gjuhën shqipe në këtë drejtim të saj, e nga ky prizën do të kuptohej më mirë e vërteta.

- Siç e dini nga mësimet e kaluara, letërsia rrin krahas arteve të tjera, p.sh. letërsia shprehet me poezinë, prozën, dramat, e të tjera, ndërsa artet janë “të tjera”, psh. piktura, grafika, skulptura, arti muzikor, ku ka edhe melodrama, apo teatri dhe filmi, që konsiderohet si <arti i shtatë>, por ne nuk i ligjërojmë këto, vetëm se i përmendim. Të gjitha janë arte të rralla e të thëna artistikisht, dhe këto janë pjesë e pandarë; e pandaluar, edhe nëse autorët e veçantë do të burgosen nga ata që e drejtojnë shoqërinë; nga ata që e lejojnë zhvillimin e shoqërisë njerëzore, apo vet të shoqërisë gjithpërfshirëse.

Kur e thash këte, e kam parasysh se krijuesit janë ata që e parandjejnë kohën që do të vie apo që duhet të vie, pikërisht ashtu siç e dëshirojnë, e janë pjesa më e mirë e shoqërisë. E ndonjëherë burgosen, kur shoqëria udhëheqëse nuk është dakort me ata, si p.sh. Dostojevskin, i cili u burgos në Rusi, por edhe aty shkroi vepra të mëdha e të njohura në tërë botën; apo Maksim Gorki, që mbruhet me ide përparimtare, më përpara se revolucioni socialist; e nuk po i përmendi nga Shqipëria, si p.sh. Mitrush Kuteli apo të tjerë nga Jugosllavia, që janë vrarë apo janë burgosur.

Ne po shkruanim në fletoret tona shpejt e shpejt, sa gjërat më kryesore që i zënim, por nuk e shikonim askend tjetër. Po nguteshim, sepse profesori i ynë ligjëronte shpejtë, për mundësitë e veta në temat e caktuara. Ishin dy orë, por fluturonin minutat. E kthenim edhe njëherë në frazat e fundit. Ishte një temë shumë e veçantë dhe e bukur!...

- Në radhë të parë ndikojnë dukshëm kushtet historiko-shoqërore apo edhe rrethanat historiko-shoqërore në vet krijimin e krijuesve. Thuhet se botën e ka krijuar “Krijuesi”. Në shembullin e tij duhet t`i përceptojmë edhe ne krijuesit e vërtetë të letërsisë, sepse ata ndjejnë më thellë kohërat e ardhshme se sa ne, dhe kur shkruajnë, e marrin si shembull një pjesë të veçantë të së kaluarës, për të ngulitur në sytë tanë se si do të bëhet më mirë e ardhshmja, ardhmëria. Atëherë do të vie deri te ngjallja e përkushtimit të njeriut për një çështje të caktuar dhe gradualisht vie edhe forca, që do t`ia mundësojë realizimin e tyre.

Këto fjalë të veçanta më tingëlluan shprehimisht. I theksova si të veçanta! Tema është e gjërë, por kjo vlenë edhe për punën time. Vërtet, në shenjë të krijuesit të botës së gjërë, përpiqemi edhe ne si i Madhi ZOT, të prandjejmë kohët e errëta dhe kohën e dritës, apo i shërbenim ardhjes së diellit të dijes tek njerëzit e rëndomtë, apo në epokat e errëta. Profesori është i veçantë. Për këte i gëzohemi orëve të tij dhe i mirëpresim. Ai na e ngjallë dijen e vërtetë!...

- Të gjitha rrethanat e shoqërisë ndikojnë në krijimin e krijuesve dhe këto ndikojnë në krijimin e një vepre letrare; ndikojnë në shpërthimet e krijimeve të tyre. P.sh. fshati e ka ndikimin e vet dhe qyteti e ka ndikimin e vet. Pastaj kjo ndikohet me rrethanat e jetës së këtyre shoqërive dhe mbi to ndikon shoqëria e gjërë në rrymën e gjërë të krijimeve. Ta marrim socializmin në Jugosllavi, ajo ndikon me rrymën socialiste e vetqeverisëse jugosllave, që ndikohet kryesisht nga sllavet, e që e ka stilin e saj, por ne nuk jeni sllavë. Jemi shqiptarë!

Prap kjo doli një gjë tëpër e veçantë, në rrjeshtin e saj të fundit. Midis rreshtave gjendej edhe nënteksti politik. Ne nuk ishin “sllavë”, por shqiptarë, madje të ndarë nga Shqipëria. E shënova prapë me ngjyrë të kuqe, që ta kem parasysh. Disa nuk shënonin e disa nuk e kuptonin nëntekstin politik.

- Të gjithë krijuesit e mëdhenj kanë jetuar në rrethana jashtëzakonisht të vështira jetësore e mbi ato rrethana kanë shpërthyer me krijime të vetat. Disa janë më të njohur në shoqëri e disa më pak, por kjo varet nga lexuesit, jo nga vepra e tyre. Shoqëritë përparimtare kanë lexues më të shumë, si p.sh. Shqipëria, ndërsa neve na e marrin kohën gjëra të tjera, që janë pas leximit, e sidomos duhet të mësojnë gjuhët e tjera. Por, shkrimtarët nuk i lënë të heshtur rrethanat në të cilat jetojnë, sado që i ndrydhin, sepse kanë shpirt të pastërt e më të fuqishëm. ATA KRIJOJNË! Po e shtroj një pyetje: çka është krijimi? – na e bëri një pytje të fuqishme profesori ynë kujdestar. Na mësonte shumë më mirë se sa të tjerët. Në orët e tij shkruanim e nuk bënim aspak zhurmë.

Këto fjalë të rrala, i kemi shënuar gjithësecili, ndonjë më pak, ndonjë më shumë. Na e kishte shpjeguar edhe më parë te krijimi letrar edhe llojet e krijimit letrar. Disa i përmendi edhe sot. Unë i mbaja në mendje, sepse isha krijues dhe lexoja më tepër se sa të gjithë njërëzit e tjerë.

I ngrehin disa shokë gishtat përpjetë. Në mesin e tyre isha edhe unë. Më shoqërorin Zymberi, Lulzimi, Samiu, Kamberi, Ganiu, Sherini, etj. Profesori i shikoj të gjithë, pastaj m’u drejtua mua:

-Po të drejtohem ty, biri im, të na thuash me pak fjalë, çka janë krijuesit, autorët apo shkrimtarët, sepse edhe ti je shkrimtar i ri? Ngritu!

Unë u mendova një çast, duke i tretur sytë për dritare e në natyrë dhe u ngrita befas e me një drejtpeshim të pazakonshëm. Kjo gjë sikur i befasoi të tjerët në klasë dhe shikuan nga unë se çfarë do t’u thosha.

-Krijuesit, autorët, shkrimtarët janë personalitete të veçanta të shoqërisë, të cilët e marrin përsipër ta njohin në thellësi ate dhe ta përcjellin shoqërinë, duke i dhënë edhe mendimet e tyre për te, siç ka qenë ajo, siç është dhe si duhet të jetë. Mendimi im është, se ata i vërejnë paraprakisht të mirat dhe të këqijat që rezultojnë nga shoqëria njerëzore, në të cilën ata jetojnë dhe i japin para të tjerëve qëndrimin e tyre dhe drejtimin që është i doemosdoshëm. Është aftësi e veçantë dhe e ndjeshme e tyre njerëzore, të cilët mund të kualifikohen në të gjitha drejtimet, me veprat e tjera që ata kanë mundësi që t’i lexojnë apo njohuritë e përgjithshme që i fitojnë në drejtimet e krijimit, të cilat i quajnë ART apo edhe ARTI I SHTATË, që është në të vërtetë shkrimi, piktura, grafika, teatri, filmi, muzika, etj... Këto janë ato që i përmbledha!...

-Shumë bukur, e dhatë këtë përgjegje! Të gjithë krijuesit e shoqërisë sonë, a janë shkrimtarë: a) të poezisë, që ndahet në disa forma dhe i kemi mësuar më parë; b) të prozës, së shkurtër e të gjatë, p.sh. në novelat e romanet; c) të dramës, tragjedi apo komedi; të gjithë shkruajnë përpara epokave apo me epokat. Mbani në mendje, bijtë e mi! Në një farë forme do ta shpjegojmë edhe sot! Ata mendojnë për të kaluarën, në të cilën nuk i punon mendja si i duhet çdo njeriu. E marrin atë kohë e shkruajnë për të sotmen, siç është me të vërtetat e saja. Ndonjëherë nuk kemi mundësi që ta shohim ashtu siç e shohin krijuesit. Të ardhmen, të gjithë njerëzit e ëndërrojnë, por nuk e dinë si do të jetë ajo, sepse ka probleme të ndryshme të shoqërisë, që nuk e lënë ashtu të jetë! Edhe këto, ju duhet prap që t’i mbani në mendje! Po i shpjegojmë edhe më tutje. Pa e njohur mirë të kaluarën, të djeshmen e të sotmen, madje sa më mirë që të jetë e mundshme, ta paramedosh pikërisht të ardhmen tuaj, mendoj se nuk mund të bësh asgjë. Shkrimtarët dhe krijuesit e vërtetë janë të së ardhmes, janë brezat e të së nesërmes, të shkruara apo të pashkruara.

-Më fal Profesor, sepse kjo temë është shumë e gjërë dhe e gjatë, e unë ndoshta në një përgjigje të pyetjes suaj nuk mund t’i përmbledh të gjitha, por mendoj se ata duhet të njohin sa më shumë shkencat, që prej filozofisë e deri te shkencat natyrore e shoqërore. Ndoshta me mosnjohjen adekuate të këtyre shkencave, mund të bëjnë ndonjë gabim trashanik.

P.sh. një shkrimtar i prozës (tregim, novelë apo roman) nuk na e njeh mirë shoqërinë apo medicinën dhe në prozën e tij na e përshkruan një njeri që ka fatkeqësi në shoqëri e kërkon ndihmë te medicina dhe na e thotë gabim. Autori duhet që t’i njeh mirë këto shkenca dhe të përshkruaj me saktësi se te të cilët persona drejtohet i fatkeqësuari; çka janë ata; çfarë mjetesh i kanë dhe si i përdorin këto mjete.

Sa më i aftë të jetë si njeri, aq më të mirë do të na e bëjë edhe veprën e tij. Po t’i pyesish baballarët tanë, i lidhin krijuesit, autorët, shkrimtarët, etj. me një dhunti hyjnore, me ZOT, siç e mendojnë baballarët tanë se është apo ka qenë KRIJUESI I BOTËS SONË. Edhe shkrimtarët, si edhe autorët e tjerë, janë NJERËZ, si të gjithë të tjerët, vetëm se dinë më tepër se sa të tjerët...

Unë nuk mund të them se i besoj shumë këto gjëra, që i thash për Zotat, se shoqëria  jonë është shoqëri socialiste, por ka diçka <të vërtetë>, edhe aty... Kaq kisha, shkurt, në përgjigje! Ndoshta, edhe ia kam qëlluar...

Kur e thash fjalinë e fundit, pak me qeshje, duke i kthyer syte tek të gjithë, e vërejta se të gjithë shokët e klasës i kishin drejtuar sytë nga unë, kishin hyrë në brendinë e këtyre shpjegimeve tona dhe nuk ndihej asnjë gjë tjetër, vetëm qeshja pak me zë, si me një rafal. Ajo u ndal menjëherë nga të gjithë nxënësit. Kjo më bëri shumë përshtypje, sepse ne ishim shumë trupa, nga shumë vende të ndryshme, por inkuadroheshim me tërë qenien në ato që po na i shpjegonte dhe do të na i shpjegonte profesori ynë i dashur.

-Edhe këto që i thatë, janë po në këtë temë, por kjo temë është e gjërë, siç e thatë vetë. Shumë mirë e the! - bëri me dorë që të ulem. - Ato janë një çështje sekondare përgjithësisht për autorët, porse janë tipizime të vërteta, e që disa na largojnë nga tema e jonë. Do ta shpjegojmë ndonjë ditë edhe mitologjinë, që lidhet edhe me rrëfimet e baballarëve të vjetër, që është poashtu një shkrim i vjetër e popullor, i cili lidhet me mitin. Por njohja e shkencave është shumë me rëndësi për një autor, e the ti këtë më parë, dhe një nga këta autorë që do ta fusim, është një shkrimtar shqiptar, pikërisht në këtë temë me shkencën e tij. Po e marrim një shkrimtar shqiptar të shtetit amë të Shqipërisë, i cili është i njohur përgjithësisht tek ne, në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës, ndoshta edhe ndonjëri ka lexuar prej tij, e ky është Fatos ARAPI.

Fatos ARAPI është poashtu i madh si Dritëro AGOLLI dhe Ismail Kadare. Krahas letërsisë, merret edhe me shkencë!

Po, po. Ju mund të mos e keni ndëgjuar, por ne, disa nga profesorët tuaj, i përcjellim edhe gazetat e revista shkencore të Shqipërisë, krahas atyre të RFS të Jugosllavisë e të botës, e ndonjeri merret edhe me Studime Pasdiplomike të Fakultetit Filologjik. Unë jam njëri nga ata, që po merrem me këto studime.

Ju e thatë, dhe këtu i kam shënuar... - shfletoi bllokun, se <Krijuesit janë personalitete të veçanta të shoqërisë, të cilët e marrin përsipër ta njohin në thellësi ate dhe ta përcjellim shoqërinë, duke i dhënë edhe mendimet e tyre për te, siç ka qenë ajo, siç është dhe si duhet të jetë!>. Kjo është në temë dhe e përkryer! Autorët, shkrimtarët, krijuesit vrapojnë para epokave! Ata flasin e ata shkruajnë për gjëra të cilat nuk i mendojnë njerëzit e rëndontë! Shkruajnë për të ardhmen e një populli të tërë, si duhet të jetë, edhe në qoftë se është i ndarë pa përfilljen e të vërtetave të së kaluarës. Shoqëria nuk e merr këte parasysh, apo ndoshta nuk i përshtatet interesave të saj, si shtet i ri dhe me ndihmen e forcave ndërkombëtare, duke shkelur me dhunë apo me mjete të forcës mbi të drejtat legjitime të popujve të tjerë!

E thatë poashtu mirë Brahim, në fillim, dhe këte po e gjëj në bllok, sepse e kam shënuar, se autorët <i vërejnë paraprakisht të mirat dhe të këqijat që rezultojnë nga shoqëria njerëzore, në të cilën ata jetojnë dhe i japin para të tjerëve qëndrimin e tyre dhe drejtimin që është i domosdoshëm>, dhe kjo është e saktë. Këte po e shpjegojmë sot, nga aspekti i letërsisë, sepse ju, bijtë e mi, e keni edhe historinë, që ndoshta do t’ua shpjegojë profesori i lëndës së historisë, sipas planit të tij punues, të cilët i bëjnë në planin e përgjithshëm shkollor. Ata që e bëjnë krijimin letrar e kanë për detyrë të përcjellin kohën e tanishme dhe ta dinë si vjen koha e re, apo si mendojnë ata që na udhëheqin tani që ta krijojnë kohën e ardhme, me premisat e tyre. Por, krijuesit e shikojnë pikërisht të kaluarën, e shqyrtojnë ate me rrjedhat bashkëkohore, që vijnë kundër interesave tona, dhe e ndjenjë çka është bërë mirë e çka nuk është bërë mirë; çka duhej që të ishte, por për shkak të rrethanave të caktuara nuk mund të vinte; apo ka mundur të vijë, por të caktuarit, në bashkëpunim të miqve të tyre ndërkombëtarë nuk e lanë të vinte. Shënone ngadalë dhe mbanë në mendje! Fati i popujve të vegjël, del me të vështirë nëpër miqtë e faktorit ndërkombëtar apo pengohet nga faktorët më të fortë se sa popujt e vegjël. Vitet shkojnë e mundësitë janë gjithnjë e më të vogla. Në jemi popull i ndarë në disa copa të mëdha; kemi armiqë më të mëdhenj e më të fuqishëm. Ndikojnë rrethanat shoqërore e politike që të sensibilizohet çështja jonë, por krijuesit, që janë ndërgjegja e jonë, mundohen që t`i detyrojnë që të merren me tema tjera, jo me çështjet e tyre vitale! Roli i krijueve përparimtarë në një shoqëri të vetëdijshme është të na prijnë në rrugën tonë. Këtu është roli pozitiv i krijuesve letrar, që të japin sa më masovikisht zërat krijues të tyre, p.sh. për zgjidhjen e çështjes kombëtare e thirrjet për ndihmë në bashkësisë kombëtare e ndërkombëtare! A e keni kuptuar mirë, këtë çështje?!...

Pra, duhet vazhdimisht të thirret, sepse ka çështje të tjera me të cilat mirret. Epoka e zgjedhjeve të tilla, siç është çështja e jonë kombëtare, vie njëherë në pesëdhjetë vjet. Nuk e di në sa vjet vjen koha e rrotullimeve, por duhet të bëhet çmos e të thirret kjo ndërgjegje e popujve të fuqishëm, që të vie deri te zgjidhja. Ju e keni dëgjuar fjalën e madhe e mjaft domethënëse të patriotit kombëtar shqiptar, Ismail Qemali, i cili thoshte:

<Fati i popujve të vegjël kalon nëpër dyer të tragjedive të mëdha>.

Ne, po e përjetojmë ende këtë dramë të dhembjeve tona!...

U ndëgjua zilja e kësaj ore. Ne nuk lëvizëm. Ishin për ne këto gjëra shumë të rëndësishme. Po i bënim përpjekjet tona të cilat do t’i zë sa më shumë që të jete e mundur, pastaj edhe do t`i barazojmë me thëniet e tjera të shokëve tanë. Ishte shumë me rëndësi që t`i mbanim në mendje kurdoherë. Profesori na tha se pesë minuta do të ishte pushimi i shkurtër. Në qoftë se dikush duhet të shkojë deri në WC, mund të shkojë. Por, të mos vonohet shumë.

Ai u ul në tryezë pak dhe e fshiu ballin e tij. Athua, nëntema e dytë është më e fuqishme se sa e para. Edhe në nëntemën e parë, na e dha materialin e duhur, në mënyrë të përpiktë. Ky ishte një profesor i jashtëzakonshëm!...

 


4.

Pushimi i kishte pesë minuta, por mua m’u duken pesëqind minuta! Ishte një shpjegim i paparë në letësinë shqipe. Këto shpjegime unë i kisha shënuar në një fletore të veçantë, ndonjëherë me shkurtesa, si p.sh. Krijuesit me K, shkrimtarët me SH, shoqërinë me SHOQ, etj., dhe nëse do të lëvizte ndonjë gjë kundër profesorit të dashur dhe ne, njerëzve të veçantë, do ta fshihja mirë që të mos e gjëjë askush, madje as nga familja ime.

Ndëgjoheshin vetëm hapa andej e këndej, por asnjë zhurmë më tepër. Vetë po i bluaja mendimet e mia, me kokën në të dy duart. Vërtetë, isha stërnip i familjes së njohur të Ali Vesel VULËS, prej Avdyl Alisë, që ishte agë e luftëtar i njohur kundër Perandorisë Otomane, të luftërave më të rrebta me të ashtuquajturit “serb”, prej Mbretërisë Serbo-Kroate e të kthyer në Jugosllavi; prej serbo- malazezëve, të kthyer disa herë.

Si fëmijë, kisha humbur kohë që të gjëja ndonjë “fërkem kali” të Bajram Currit, në Morinë të Epërme, prej Gjakovës. Prej nesh kishte kaluar për në Dragobi, përtej kufirit, në Shqipëri.

Pastaj, si të gjëja gjurmët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” nga Hasan bej Prishtina, në të cilën ishte anëtar i Komitetit edhe djali i dytë i Avdyl Ali Vulës, Sejd Avdyli, që quhej “Zog-u”, i cili ishte luftëtar i rrebtë, si zogu i maleve tona. Ai qe prerë me të pabesë, te dajët e tij. Babai i ynë, jetim, i kishte mbijetuar kohërat pa babën e tij, si fëmijë, nëpër sa e sa vuajtje, nëpër sa e sa përpëlitje, nëpër katrahurat e dhembjeve apo goditjeve të njerëzve të ligë të pushtetit serbo-jugo-sllav.

Më kujtohen shumë mirë fjalët e tij kur mi thoshte natën, duke shkuar fshehurazi për të bluar drithin në mulli të Patokut, nëpër qenj të mëdhenj të malësoreve e të Hisen Dervishëve:

“Më afër e kemi egjelin (afatin e vdekjes), se këmishën në trup!”

Kjo i shpjegonte të gjitha gjërat. Vdekja vinte papritur, nga të gjithë ata që nuk na e donin të mirën! Po kalonim midis tyre, që të përtrinim famën e madhe të stërgjyshërve. Të gjitha m’i kishte treguar babai, në vetmi. E duhet të veproja ashu si nuk do ta merrte vesh askush, pos shokëve të vërtetë të këtij ideali, për tokat e ndara me dhunë e me luftë! Edhe vet toka jonë kishte mbetur “andej gardhit”, deri në Lug të Thanave, në Shqipëri...

Kisha humbur fare nga dhembja për ta. Nuk e vërejta aspak profesorin që ishte ngritur dhe kishte filluar të shpjegojë. Isha tretur më parë në të idhtën e jetës e po meditoja. Nuk e di se cili mendim i idhët më kishte vjedhur.

Sikur të mos më kishte marrë kujtimi i axhës së tretë të Babait, Ali Avdyli, i cili ishte vrarë këndej arëzave, nga Pllaniku, duke luftuar me serbët, e mos të kisha të gjallë fantazinë e vërtetë krijuese, nuk e dija si kisha humbur nga ai çast. Më kujtohej ai vorr, te vorri i gruas së dytë të babalokut. Disa i thonë se “është vorr i Ali Avdylit, prej Ponosheci e nuk është i Ali Avdylit të Morinës”, te Xhamia e Vjetër, në arëza, te vorret e vjetra.

Ta nxirrja nga vorri e të merrje prej eshtrave të tij ADN dhe të barazoja me ADN time, do të kishte dalur kështu e vërteta. Aty ka gjurmë, por nuk ka as Xhami. Mjaft kanë folur, edhe shkencëtarët, e nuk e kanë me vend fjalën e tyre. Ndoshta, si qëllim kryesor e kanë t`i ngatërrojnë gjërat.

Dikur më preku me dorë e më shkundi Sami Haxhiu, që ulej me mua dhe erdha në vete. Ishte shoku më i mirë i fëmijërisë sime! Profesori kishte shënuar temën e re me shkumës, të cilën do të na e shpjegonte:

Rëndësia e Lidhjes së Prizrenit, në dritën e Shkrimtarëve të Shqipërisë“.

Pak më poshtë, e kishte shënuar me shkumës:

“Fatos ARAPI dhe shpjegimet e tij”

Pastaj, na kishte shikuar të gjithëve, disa sekunda, pa asnjë fjalë të thënë. Shokët e shoqet e klasës sime ishim i të koncetruar në këtë temë dhe për një autor të Shqipërisë! Mua, më rahte zemra fuqishëm, sepse e njihja më tepër autorin në fjalë dhe i kisha lexuar edhe poezitë e tij, të cilat më silleshin në kujtesë, si veçanti. Shokët e shoqet tona të klasës më shqetësonin nga pak, sepse nuk e dija pastaj se si do të reagonin. Ata vinin nga rrethe e fshatra të ndryshme. Profesori na u drejtua me këto fjalë të tij:

- Kur do ta shpjegonim këtë temë nga autorët e Kosovës, ka pak shkrime nëpër revista. E kam lexuar edhe Prof. Dr. Skender Rizën, i cili e thekson edhe programin politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878, që ishte krijuar si organizatë e luftërarëve të mbarë kombit shqiptar, për të shpëtuar nga grabitja me dhunë e me luftë nga fqinjët tanë rreth e rreth tokave tona.

Padyshim ndriçohet figura e madhe e Abdyl Bej Frashërit, nga Shqipëria; e Ymer Prizrenit, e Sylejman Vokshit, nga Gjakova, dhe e veprimtarëve të tjerë.

Meqë jemi në orën e letërsisë dhe gjuhës shqipe, do të themi tri fjalë të çmuara të tre ideologëve, patriotëve, shkrimtërve, mendimtarëve të ndryshëm: të të madhit, Abdyl Bej Frashëri; pastaj të vëllait të mesëm, shumë i njohur ndër ne, si poet i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Bej Frashërit; dhe më të voglit, Sami Bej Frashërit, i cili, ndër të tjera ka qenë edhe autor i fjalorit e kulturës turke, por ne e mësojmë si të pavdekshëm me mendimet e tija për kombin shqiptar dhe veprën e tij: “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, të botuar në Shqipëri, e paralelisht edhe në Kosovë.

Në radhë të parë e themi këtu një fjalë nga patrioti i madh kombëtar, Sami Frashëri, i cili në këtë vepër, në faqen e shtatë, thot tekstualisht se <gjuha është tipari dallues i një kombi>. Në Kosovë jemi tetëdhjetë përqind ata që e flasim gjuhën shqipe; në Maqedoni rreth pesëdhjetë përqind; në Mal të Zi, poashtu një e katërta, sepse është zvogluar gjithnjë përqindja e tyre; nëpër territorrin e Serbisë, gjithashtu është zvogluar dukshëm numri i përgjithshëm i shqiptarëve, nga baza e politikës së re të Jugosllavisë apo janë kthyer në fenë islamo-boshnjake, dhe kanë mbetur vetëm tri komuna: Presheva, Bujanovci e Medvegja, përafërsisht të paprekura; pastaj Çamëria, nën Greqi, etj.

Të gjithë e flasim, e shkruajmë, jetojmë, punojmë me këtë gjuhë dhe nuk mendohemi aq shumë, përderisa e kemi si të pazgjidhur tërësisht çështjen kombëtare, dikund më shumë e dikund më pak, ose aspak.

Në qoftë se e marrim të parin, Abdyl Frashërin, duhet ta dimë rolin e tij të madh, në çështjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i cili thotë:

<Qëllimi i Kuvendit të Lidhjes Shqiptarëve është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit tanë dhe stërgjyshërit tanë>.

Këto fjalë janë më vendimtare për të gjithë veprimtarët, luftëtarët, qytetarët, fshatarët, e luftëtarët shqiptar të gjitha kohërave, që e lidhin një besë, besa-besën, dhe dinë të veprojnë në të gjitha kohët, e deri sa të zgjidhet plotësisht kjo çështje. Vetën në gjuhën shqipe kjo “besë” ka dalur si fjalë dhe ka kuptim.

Në të tjerat gjuhë, kjo fjalë nuk përkthehet, por ipet përafërsisht. Nuk e kanë besën si ne, për pajtimin, bashkimin e fjalën e nderit. Mu sikur fjalë të tjera tregon se gjuha shqipe është më e vjetra, e duhet të jetë e vendosur përpara të gjitha gjuhëve! Nuk po shkojmë më tutje, e po i kthehemi temës!

Kuptimin e fjalës “BESË” dhe rëndësinë që ka kjo fjalë për shqiptarët, më së miri na e shpjegon shkrimtari Ismail Kadare në veprën e tij “Kush e solli Doruntinën”. Aty na e shpjegon se si vëllai i vogël i Doruntinës, Konstandini, pinjoll i familjes së madhe dhe fisnike të Vranajve, bashkë me shokët e tij e kishin menduar që në atë periudhë të hershme të mesjetës, fjalën “Besë” ta mbjellnin si kult në shpirtin dhe mendjen e çdo shqiptari, që do të jetë si çelës për ruajtrjen e qenjes tonë kombëtare edhe nëpër ato periudha të errta, e që do të na sillte koha dhe historia me pushtime nga më të ndryshmet.

Siç e dimë, brez pas brezi, edhe sot Besa shqiptare, pas shumë shekujve, ruhet dhe kultivohet prej mbarë shqiptarëve.

Kur Shqipëria është ndodhur buzë greminës, buzë shkatërrimit si komb, ate e kanë ngjallur burra të tillë, me shpirt, me pendë e me pushkë, me sakrifica të mëdha e të jashtëzakonshme të tyre, dhe këta janë idealistët e mëdhenj të kombit shqiptar, që e japin edhe jetën e tyre për këso idealesh!

Naim bej Frashëri na e thot edhe këte, se <kombi që humb vetëdijen për të kaluarën e tij, gradualisht e humb edhe veten e tij>. Pra, ai komb, që humb këtë karakteristikë themelore të gjuhës dhe kombit të vet, ka humb tërësisht!

Ndërsa Sami bej Frashëri shkon më tutje, kur e thotë, në faqen 39 të këtij libri, që thamë përpara:<Shenjë e kombësisë është gjuha; çdo komb mbahet me gjuhë; ata njerëz që e harrojnë apo e lënë gjuhën e tyre e flasin tjetër gjuhë, me kohë bëhen njerëzit e atij kombi që flasin tjetër gjuhë e dalin nga kombësia e tyre>. Në të vërtetë, ky është rreziku më i madh që na kërcënohet: po ta harrojmë gjuhën shqipe; kulturën kombëtare shqipe; zakonet e doket popullore shqiptare, një ditë ta humbim edhe veten tonë, sikur të mos jemi më shqiptarë! Duhet që t’i mbajmë mirë në mendje këto gjëra shumë të vlerëshme!

Kësaj radhe do të mësojmë nga autorët e Shqipërisë, jo nga figurat politike të këtij shteti, sepse edhe figurat politike janë ngjyrosur nga rrjedhat politike, dhe këte nuk duam që të biem pre e kësaj apo asaj politike. Unë e zgjodha një shkrimtarë të mirë të Shqipërisë, pa hyrë në rrjedhat politike të atij shteti, e as në politikën tonë. U mundova shumë që të përgaditem para jush, pa rrëshqitur në asnjë anë, pos në çështjen shqiptare.

Pra, kam punuar nga një autori i njohur i letërsisë sonë dhe poeti e prozatori i tretë i denjë i Shqipërisë, i gjeneratës së viteve të gjashtëdhjeta, që na janë të njohur tre veta: Ismail Kadare; Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi!

Ju, a keni dëgjuar për këta shkrimtar të treshes së madhe?

- Jooo! Jo të gjithë, shoku Profesor! - u përgjigjen njëzëri të gjithë.

- Jo pra! Ju keni pasur mundësi që të lexoni ndonjë poezi të botuar tek ne, në Kosovë, e në Prishtinë. Por nuk e keni njohur dimensionin e tij shkencor.

Meqë e kemi në planin e punës së lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, do ta shpjegojnë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në dritën e shkrimtarëve, dhe do ta njohim edhe këtë shkimtar të njohur, pak më mirë.

Fatos Arapi ka lindur në Vlorë, në vitin 1929, dhe i cili ka qenë i nderuar me disa çmime kombëtare gjatë jetës së tij krijuese, madje është i përkthyer në disa gjuhë të huaja, por edhe në serbokroatisht. Ai ka filluar të merret me shkrime qysh si nxënës i shkollës së mesme. Ka libra poezishë e prozësh, dhe pak kush nga ju e njeh si shkencëtar, sepse është edhe Profesor i poezisë bashkëkohëse shqiptare, në Universitetin e Tiranës, ku edhe jeton.

Në një shkrim të vetin, për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1877-1885), ai e konsideron si gjënë më kryesore njohjen e funksionit historik e ndërkombëtar të kombit shqiptar, andej e këndej kufirit e midis tokave tona. Pa njohjen mirëfilli të këtij faktori ata nuk do ta shfrytëzojnë këtë faktor të rëndësishëm për përparimin dhe mirëqenien e atdheut, në të gjitha anët jashtë Shqipërisë, e rrezikohen me shpërbërjen e tyre kombëtare, me zhvlehtësimin e identitetit të tyre kombëtar, apo edhe të gjuhës amtare ose harrimin e tyre nga ana e vet.

Këtu unë e ndala pak shënimin, e lashë stilografin mbi letër, sepse kjo temë më interesonte shumë, madje qesh i lidhur me ketë temë, dhe u ngrita në këmbë, pa menduar për të gjithë nxënësit e klasës sonë:

- Më fal, shoku Profesor! Jam duke e përcjellur me shkrim këtë temë të veçantë, sepse asnjëherë nuk na shpjegohet kaq mirë e kaq bukur dhe ne nuk do të jemi kështu, të mbledhur si nxënës tuaj. Dëshiroj të ju pyes diçka, por do ta zbutë pyetjen time, aq sa të mundem. Po i sillem rrotull... – e pyeta, i ngritur në këmbë. Këto të fundit i shqiptova pak me buzëqeshje, si me vështirësi, dhe duke u munduar që ta “zbus” pyetjen time. Po i lëvizja edhe këmbët. As shokët e shoqet e mija nuk i dëgjova, të cilët njëzëri qeshën.

- Urdhëro, biri im! Pyet çka të duash, në qoftë se mundesh të zbutësh pyetjen tënde, por keni edhe pastaj kohë të më pyesni! Do të udhëtojmë ndonjëherë së bashku, dhe je i ftuar edhe në shtëpinë time! Ajo është edhe shtëpia e juaj! Në qoftë se nuk mund ta zbutësh, edhe më vonë do të mund të pyetni!... – mu përgjegj profesori, duke mos e kuptuar se çfarë mund të pyesja, e duke respektuar diturinë time dhe gjenealogjinë familjare, siç ai e konsideronte. Mendonte se do ta pyes ndonjë gjë, kundër pushtetit.

- Faleminderit shumë profesor! Je profesori ynë më i mirë, je mik i familjes sonë të madhe dhe mik i paharruar! Jemi të lidhur me njëri tjetrin! Pa ty, nuk shihnim fare Dritë! E kupton se çka është DRITA E DIELLIT?! – e pyta dhe ia përsërita “Dritën e Diellit”, që ta kuptoj se ç’është ajo dritë për ne.

- Jeni bijtë e mi! Ne, për juve i bëjmë kaq përplasje, në tërë kohën! Kur të vie fundi, ne vdesin dhe ju jetoni! Dijen tonë do t’ua përcillni gjeratave tjera, më të reja. Kështu, përcillet porosia brez pas brezi! – i kujtoi prapë fjalët e tij, të thëna më qartë e më kuptueshëm, por me zë të ulët.

- Më ndihmove pak profesor, që të gjëja fillin e mendimit. Ne e dimë tashmë gjendjen tonë, si pjesë të një kombi, dhe disa mund ta mendojmë edhe rrugën e mëtutjeshme. E thatë juve më parë se është me rëndësi të kuptohet njohja e faktorit kombëtar dhe ndërkombëtar në çështjen tonë. Si duhet më së miri që ta kuptojmë e të veprojmë me <faktorin kombëtar e ndërkombëtar>? Në radhë të parë, çka duhet të dimë për këta faktorë? Dhe e dyta, si duhet të veprojmë? – e pyeta tekstualisht, ndonëse nuk e dija sa të veçanta ishin pyetjet e mia.

- E, mirë e kuptova se çka dëshironi të dini, biri im!” – dhe filloi ai me një buzëqeshje të mendohet. - Në këtë temë, ka pyetje të shumta e të pashtruara. Ato, do t’iu dalin sa më tepër që do ta kuptoni çështjen tonë. Sa më tepër që ju ta kuptoni këtë çështje, aq më tepër që do ta dini rolin tuaj si individ dhe si shoqëri apo si njësi e kombit. Nisesh prej rrënjëve tona e shkon deri te petalet më të larta. Disa pyetje do të mi shtroni qoftë jashtë mësimit, por edhe kur të më vizitoni, në shtëpi. Autori Fatos Arapi na e shpjegon më mirë etapat e krijimit të çështjes shqiptare. Ai e fillon këtë çështje që nga koha kur u krijuan shtete të reja në Ballkan, si Greqia, Serbia, Mali i Zi, me plot toka shqiptare, deri në pragun e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, me 1912-1913. Pavarësia e Shqipërisë, në saje të punës së madhe të Ismal Qemalit, erdhi vetëm me një pjesë të tokave shqiptare. Pastaj, na e shpjegon këtë çështje nga Konferenca e Ambasadorëve deri në Luftën e Dytë Botërore, 1941-1945. Ai nuk hynë gjërësisht në këto etapa, sepse janë etapat e fillimit. P.sh. Lufta e Dytë Botërore është shumë komplekse. Në këtë kohë ka vepruar edhe Lidhja e Dytë e Prizrenit, por ne nuk e kemi si temë shpjegimi.

Ka libra e revista me plot shkrime për Lidhjen e Prizrenit, e janë të lidhur me Abdyl Bej Frashërin, si p.sh. Prof. Kristo Frashëri, në librin e tij, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881), apo autorë të tjerë të Shqipërisë e të Kosovës, sepse këtu janë theksuar edhe kërkesat e bashkimit kombëtar, pa dallime feje e krahine, të cilat i kanë dhënë pionierët e Rilindjes sonë, Naum Veçilharxhi, Konstandim Kristoforidhi; Zef Jubani, Jeronim de Rada, Thimi Mitko, etj., të cilat janë të pasqyruara në mjaft vepra atistike e letrare.

Shqiptarët janë faktor kombëtar, kudo që jetojnë ata, në Itali, në Turqi, në tokat shqiptare, në Ballkan e në Mërgatë, sepse këto i kanë diktuar kushtet e rrethanat e ndryshme shoqërore. Por, çështja e bashkimit të të gjithë kombit, sidomos të atyre pjesëve që i ka ndarë faktori ndërkombëtar, në rrethana të ndryshme ose për arësyje të veçanta, që dihet, janë faktori ndërkombëtar. Faktori ndërkombëtar është Organizata e Kombeve të Bashkuara; Organizata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut; NATO-ja, që është organizata e kontratës perëndimore për mbrojtje dhe të sigurisë ushtarake; Organizata e Sigurisë dhe e Bashkëpunimit në Europë; COMONVELTI, etj.

Fëmija pa qarë, apo pa e dëshmuar se ka uri, as nëna e tij nuk ka kohë t’i japë që të pijë qumësht apo nuk do t’i japë për të pirë qumësht.

Në ndërkohë, e ngriti gishtin Smajl Rragami, i cili ishte i shkëlqyshëm, por nuk ishte shok i mirë i klasës dhe fliste ndonjëherë tema politike të kohës, që ne, shokët tanë, ishim të ndarë me te dhe ata që i visheshin atij.

- Urdhëro! – i tha Profesori, duke e shiquar orën, sepse po afrohej koha për ta përfunduar orën. - Vetëm, të lutem, bëni pyetje konkrete!

- Jo, dua të theksoj se tema nuk lidhet aq mirë me sistemin tonë socialist. PKJ-a për Kosovë ka votuar që KSA e Kosovës mbetet vullnetarisht nën RSFJ-në, sepse për këte kemi luftuar në Luftën e Dytë Botërore. Në Kosovë, nuk ka çështje kombëtare <të pazgjidhur>! Ne, punojmë e jetojmë me vëllazërim e bashkim, për socializëm. Të mijtë thonë dhe unë besoj se ne nuk punojmë për bashkim me Shqipërinë, por për liri, të drejta të punës, njësoj si të tjerët...

- Ulu! Kjo nuk është temë e jona, por nga historia. Mund t’i merrni këto të dhëna prej historisë, e unë po shpjegoj nga lënda e letërsisë dhe të gjuhës shqipe. Jo nga historia. Askund nuk i kontestoj ato dhe askund nuk bëj një propagandë. Shpjegoj nga veprat, e sot Fatos Arapin. Për Fatos Arapin, do të mësoni edhe në letësinë e realizmit, e sot po i lidhi me temën tonë. Ajo lidhet edhe me gjuhën shqipe. Ju, mos e harroni fillimin. E flitni gjuhën shqipe, apo jo bijtë e mi? – pyeti profesori, me vend e me zgjuarsi. Kjo na zgjidhi gjuhën prej grykës, të cilën Smajl Rragami deshi që ta na e lidhë në grykë, pikërisht prej politikës ditore. Aty, shihej që kishte njerëz “të mëdhenj” në PKJ-në e KSA të Kosovës dhe vet pushtetin socialist të RSFJ-së, prandaj u përpoq që ta lidhë në njëfarë dore me “propagandën politike” të Profesorit. E kuptova se isha i mbërthyer ligjërimet e profesorit në çështjen tonë dhe se nuk kisha arritur të mësoj tentimin e tërheqjes nga ana tjetër e Smajl Rragamit.

Ende nuk kisha mësuar të lexoj “midis rreshtave”, sado që isha mjaft i zgjuar. Smajli ishte kopil. Për dreç, i punonte mendja. Nga ky ligjërim, do të mësoja shumë. Jo vetëm që duhet të di çka të flas, por edhe të ruhem prej çakejve. Në shoqërinë e gjërë, ata qenë me shumcë, e ne qemë pakicë. Ishte kohë e vështirë! Nuk mund të flitje për ndarje të kombit, pa mos u ndeshur për vdekje me “jugosllavistët”. Të gjithë u përgjigjem, me “po”-në tonë.

- Edhe Fatos Arapi e thekson se zgjidhja më e drejtë e përfundimtare të çështjes së Kosovës është parimi etnik, ku ne jemi shumicë, por po e marrim shifrën e zvogëluar nga pakicat e tjera kombëtare, të ardhura në Kosovë, e cila i ka dikund 69% shqiptar. E drejta e respektimit të të drejtave të kombësisë më të madhe, e vetvendosjes së tij, e cila është një e drejtë legjitime edhe e PKJ-së për KSA të Kosovës, të mbajtur në Bujan, gjatë Luftë së Dytë Botërore, është sansionuar paraprakisht me konventat nga organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Kjo e drejtë, nuk duhet të harrohet e të marrë kahjen tjetër.

Mendimi i Fatos Arapit është gjithashtu që kjo gjë nuk varet nga jashtë, nga ndërkombëtarët, sa varet nga energjitë çliruese të kombit, pra edhe nga energjia e jonë, sepse ju mos e harroni mëmëm që e shpjegova më parë: pa e thënë vetë se çfarë na duhet, askush nga jasht nuk do të na i falë.

Sikur kemi ditur të zhvillojnë Luftën e Dytë Botërore për liri, me forcat tona do të bëhemi faktor i zgjidhjes dhe barazimit të drejtave të kombit shqiptar, barabarë me kombet e tjera, dhe më gjërë, në botë. Madje, kjo gjë nuk është e zgjidhur tërësisht. Disa të drejta i kemi fituar me autominë, por jo tërësisht, sepse kemi derdhur gjak në LDB-në, dhe është dashur që të jetë më mirë...

Duke ia ndërprerë ligjërimin, u ngrit rreptësisht Smalj Rrahmani dhe foli pak më të madhe se sa fliste zakonisht:

- Profesor! Barazia e popullatës përmes vëllazërimit e bashkimit socialist e ka arritur pozitën më të favoshme në RSF të Jugosllavisë, e juve po e bëni sikur ky popull në Kosovë, ku jetojnë barabartë edhe turqit e Prizrenit, por edhe serbët e Kosovës, malazezët, jevgjitët, e të tjerë, nuk është i barabartë. Mendoj se kjo nuk është në rregull! Prandaj, ju po e shpjegoni nga ana e Shqipërisë, e cila është me Paktin e Varshavës, dhe ka politikë kundështare me ne, edhe pse është në të njëjtin krah, por komunist, e ne jemi sheti më i mirë i socializmit vetqeverisës të Republikës së Jugosllavisë, që është bërë shtet i jashtëzakonshën i paktit të tretë, i të painkuadruarve!...

Ne, u shqetësuan nga fjalët e tij dhe folën të gjithë, pra nga krahu i jonë. Ishte përzier puna! Donim të theksonim se Smajli nuk ishte në “mbledhje të PKJ-së për KSA të Kosovës”, e as të “Rinisë Socialiste të KSA të Kosovës, në kuadër të RSFJ-së”, por në klasë të Gjimnazit dhe në orë të Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe, te profesori i ynë më i miri, dhe le ta dijë se nëse kërkon të arrijë diçka, do t’i ketë kundër  tri të katërtat e kësaj klase.

Ai u përpoq që të mbrohej, po nuk i lënim vend ku të kapej. Profesori, përpiqej të na qetësonte. Unë qeshë edhe Kryetar i Këshillit apo Komisionit të Nxënësve dhe dy anëtarët e tjerë të këtij Këshilli ishin të mirë, Zymer Kurti dhe Xhevdet Sadriu. Profesori ishte Profesor Kujdestar i kësaj klase.

Ia bëmë edhe këto sjellje të tij me dije. Pastaj, nuk e lamë aspak që të fillonte. Sapo fillonte ai, edhe ne i fillonim bisedat tona. U nda klasa në dy toborre: e para, ishim ne, dy të tretat; dhe e dyta, mbeti ai, me një të tretat.

Në fund, kërkoj falje Smajl Rragami dhe u ul me premtimin se nuk do të shpenzojë kohë dhe as të na e marrë kohën me kësi potere.

- Ju lutem, bijtë e mi, të keni edhe pak durim! Jam Profesor i Letërsisë dhe i Gjuhës Shqipe, e nuk jemi në mbledhje të Rinisë Socialiste të RSFJ për KSA të Kosovës dhe as në Mbledhjet e PKJ-së për KSA të Kosovës! Kush është në Komisonin Kujdestar të kësaj klase, mund të mbani një mbledhje, me shkrim, e të raportoni te unë, Profesori Kujdestar. Por, po u them që ta dini se njërin nga komunistët e RSFJ-së, që ka qenë një ndër kryesorët e Konferencës së Bujanit, në Shqipëri, dhe anëtar të Kryesisë së Përgjithshme të PKJ-së, shokun Fadil Hoxha, e kam pjesëtar të familjes së madhe <Rogova>. Ky djalosh, le të kapet ku të dojë, por herën tjetër detyrohen që ta përjashtoj edhe prej klase. Unë, të gjithëve ju dua, si bijtë e mi! Prandaj, më dëgjoni.

- Po, profesor! Ne të dëgjojmë! – uluritëm dy të tretat e klasës sonë, me një zë. Nëpër qetësinë e krijuar menjëherë, ia filloi pasi e shikoj dërrasën e zezë, ku nuk kishte shënuar asnjë gjë:

- Faktori i jashtëm ka ndikim të fuqishëm, sidomos SHBA-të; Kontinenti i Evropës Perëndimore, p.sh. Anglia, Suedia, Hollanda, Belgjika, Gjermania, etj. Faktori i mbrendshëm, pra shqiptarët, do të bëjnë çmos për ta ngritur këtë vetëdije të botës perëndimore, që edhe ne të barazohemi me kombe të tjera. Zgjidhja e çështjes shqiptare, barabarë me kombet e tjera, është një faktor për përparimin e kombit shqiptar, ndonëse jemi shpërndarë në shtete të tjera, të krijuara për kundër faktit natyror me pjesë të tokës sonë...

Në ndërkohë, ra zilja. Ne nuk lëvizëm asnjë. Këte e kuptoi edhe profesori. U afrua te tavolina e tij, ku ishin disa libra, ditari, etj., dhe u kthye nga ne:

- Mbane në mend, bijtë e mi! Një njeri i gjymtë nuk mund të veprojë si një njeri me qenie të plotë e të shëndosh. Vepra e parë dhe e mençur që duhet ta bëjmë është ajo që të ndërtojmë një shoqëri të vërtetë, me të drejtë mendimi, me liri vërtetë të shprehjes e barabarsi mendimesh, me tolerancë, pa marë parasysh se në cilën pozitë ndodhemi, me njohje të mirëfilltë të dijes sonë të vjetër, të djeshme e të re. E kështu, do të mundemi të shkojmë gradualisht e hap pas hapi deri në krijimin e klimës së bashkimit të kombit shqiptar, në një bashkësi më të gjërë popujsh!...

Po i shënoja këto fjalë të mira, me kokën mbi fletë. Profesori përshëdeti pasi e theksoi se kjo temë ishte shumë e gjërë, por mjaftonte kjo që e dha ai me këtë rast të veçantë të ligjërimeve. Ai theksoi pastaj me një rast, se këto dije i kishte përgaditur duke lexuar shkrimet në revistat e veçanta shkencore dhe letraro-shoqërore, andej e këndej kufirit, sepse është duke e përgaditur temën e magjistraturës në gjuhësi. Këtë gjë e ndëgjuam përsëri.

Nuk e di se si kishte rënë prap zilja deri sa ai u afrua për të hapur derën, por ajo u hap që më parë nga profesori tjetër, për mua, shumë i mirë, por me pak fjalë, i dijshëm dhe simpatik, që na i shpjegonte mirë temat nga fizika, Ali Zalli. Në saje te mësimit të tij, e di edhe sot “Rënien e lirë”, nga fizika.

Ai u përshëndet me profesorin, e mori ditarin, e la mbi tavolinë dhe filloi mësimin, duke shënuar me shkumës temën e vet. E di se shumë shokëve të klases sonë nuk ua kapte mendja një mësim tjetër nga shkenca e fizikës, aq më parë pa i bërë ata pushimet e duhura. Disa kishin dalur me leje, e pa zhurmë, por disa kishin duruar...

 


5.

Mezi e prita mbarimin e mësimeve atë ditë, që të ftoja edhe shokët e tjerë të Komisionit Kujdestar, që të mbajmë një takim për atë ditë dhe u ndamë në bankat e një klasë të veçantë. E hartuam po aty edhe tekstin e takimit tonë. E dënonim sjelljen e pahijshme të shokut Smajl Rragami, i cili, disa herë e ka ndërprerë profesorin që të na shpjegojë në temën e tij të veçantë. Nuk e thamë se cila ishte kjo temë, sepse do t’ia kishim dhënë të drejtën atij që revanshohet, por e lamë me vërejtjen e profesorit tonë kujdestar. E thamë se ai e kishte ndërprerë ligjërimin e profesorit dhe qetësinë e klasës dhe na kishte detyruar që t’i reagojmë dy të tretat e klasës gjatë mësimit. Kjo vërejtje e jona duhet të jetë “e kuptueshme”, se në rast të paraqitjes me reagimet e tij pa kurrfarë baze e pas prishjes së mësimit të sotëm, profesori kujdestar duhet të paraqesë në nivelin e shkollës. Nëse vjen ndonjë vërejtje nga ana e Drejtorisë së Shkollës sonë dhe ai nuk i përfillë më tutje, duhet të largohet nga mësimi. Për mendimin tonë, ai është “i hollë në mendje”, por jo i pajtuar me të tjerët, por na ndanë anash, siç e dinim dy të tretat e klasës.

Më vonë, ia treguam profesorit tonë fletoren dhe shënimin e nënshkruar nga të tre anëtarët e Komisionit Kujdestar të klasës. Profesorit i erdhi mirë, edhe për formulimin tonë, sepse Smajl Rragami ishte kundër nesh.

Për ne, kjo ishte një metaforë e ligjërimeve të profesorit dhe kurdoherë do ta kemi si linjën e parë të ndriçimit të rrugës sonë jetësore. Nuk kishte rrugë tjetër: të jemi kundër pushtetit të mbushur me shumë fakte të tëra dhune, apo të jemi në favorin e pushtetit të shfrenuar, me dhunë autokratike. Edhe ashtu, metoda e punës sonë ishte lajtmotiv i të qenurit tonë në jetë.

Do të duhej përcjellë edhe më tuje si Komision i Klasës Smajl Rragamin, sepse e dinim edhe gjenealogjinë e tij të pëshjellët, që nga pamja e sjellja e tij e veçantë, por edhe metoda e veshjes dhe forma e mbajtes së flokëve, të cilat ishin “të huaja” për ne. Këto tipare ishin të mbjellura tek ai, që përpara, si nga ana e “serbo-malaziasve”, sepse dihej se ata gjatë luftës e më vonë kishin bërë “vezë” në Molliq, te kjo familje. Për këtë gjë ishte më kopil se të tjerët dhe më vetiak se sa të tjerët. Dinte për bukuri ta ndjellë kudo të ligën.

Profesori ishte kudo si e kishim paramenduar dhe na rrezonte si diell në plagët tona, në shtypjen tonë, në varfërinë e gjendjen. Disa, e pritshim me pa durim kohën kur do na vinte nga Gjakova, me ligjërimet e tija.

Në orët e mësimit të Letërsisë e të Gjuhës Shqipe mësonim shumë mirë dhe ishim shumë mirë, por rrënjësore qe sjellja e profesorit prej babait të dijes dhe ngjallja e mëtutjeshme e fillit të mendimeve, përkudër disave që nuk na mësonim ashtu, siç duhej, p.sh. të lëndës së historisë nga Genz Katona, i cili jo vetëm që na e ngjallte tmerrin e natës me mospërgaditjen e tij, por edhe me ç’mësimet e pseudohistorisë sonë nën frymën e socializmit të RSFJ-së. Notat i merrni të mira prej tij, por duhet të mësonim të kundërtën e mendimeve tona. Në njëfarë dore, ishte një pështjellim i dhunshën.

Më të mirat i kishim hartimet e letërsisë e të gjuhës shqipe. Kurdoherë e merrja një pesëshe (nota më e lartë ndër ne!) e profesori ynë më thirrte para klasës që t’ua lexoja hartimet. Edhe shokët e klasës sonë më ndëgjonin me kujdes, sepse ishin gjëra të reja. Normalisht, të gjitha ushtrimoret i kam ruajtur me të gjitha gjërat e tjera, shkrimet, librat dhe fotografitë e bëra, por deshi fati i zi që të vie lufta dhe të mi djegë të gjitha, në Morinë, madje të mos më lë asnjë fakt të pamohuar të djalërisë e të rinisë.

Çuditërisht e kisha marrur me vete në mërgatën e detyruar një fletë të shqyer dhe të futur në xhep para dorëzimit të këtij hartimi lirik, si prozë poetike, sepse i kombinoja format qoftë në paraprozë, qoftë në para-ese, apo edhe në prozë poetike, e kjo formë që po ua sjell këtu është paraforma e shkuar më vonë dhe e korrigjuar edhe nga gabimet. Duke u menduar dhe duke e shkruar, mbetej ndonjë gabim apo fjalët që i mendoja.

Kështu, ndonjë gjë të vogël e harroja për ta shkruar. Përsëri nisej që nga fillimi të shkruaja në fletoren e hartimeve. Shkruaja shumë shpejtë, se sa nxënësit e tjerë. Hartimi i vërtetë ishte i mbetur në fletore, ndërsa ky ishte shkëtur nga kjo fletore. Nuk ishte ai hartim që e kam marrë gjithmonë pesëshe, e të lavdëruar kurdoherë nga ana e profesorit me ndonjë frazë motivuese, të cilën edhe sot e ruan vazhdimisht dhe e shkruan në çdo shkrim  timin nëpër faqet e mija të internetit dhe e dëshmon se kurdoherë ka qenë dhe është dora e djathtë që më prinë kurdoherë nëpër shtigje të dijes. Me Profesor Muhametin mbeteshin prore puhizat e ngrohta të jetës.

Ishte kopja më e dobët e këtij hartimi dhe jo tema më e bukur e hartimeve tona. Këto hartime ishin përcjellur për bukuri nga Profesori Muhamet D. Rogova. Ajo që më pat mbetur si paraversion pas kontrollimeve, vuajtjeve, lëvizjeve, mërgimeve apo ikjes nga fushfurima e madhe ishte pikërisht kjo fletë. Ne bënim çmos për të ruajtur fletoret e hartimeve, edhe pas mbarimit të shkollës. Ndikonin padituria e disave, edhe në shtëpi, apo ardhës të tjerë, kërshëria e atyre që të dinin më shumë se çka kishe menduar dhe kush ishe ti. Mendimet tona përbënin mrekullisht orientimin tonë dhe aftësinë.

Më shërbeu si material i mundshëm, që të plotësoj pikërisht mungesat e një hartimi të tillë. E kujtoj përherë si kam dalur ballë për ballë me shokët e mi, të lexoja e të komunikoja me të gjithë, si mund të arrinim bashkarisht pikën më të lartë e më kulminante, gjatë rritës sonë.

Ky hartim, deri diku, ka qenë me të vërtetë, nëpër orët e tij:

Jemi të lidhur me Atdheun, si foshnja me mëmën

(Hartim nga Letërsia dhe Gjuha Shqipe, i shkruar si prozë poetike)

Këto fusha, këto male, këto bjeshkë të thepisura, ky diell, ky qiell i kaltërt e i pa rê- janë dashuria e zemrës sime!... Sa të ëmbëla, sa të shtrenjta!...

Atdhé, ti je jeta ime, se jetë është dashuria dhe dashuria e vetme, që ngritet lartë e nuk bie; që vuan e skrofëtin, porse nuk ipet; që bie për dhé nga torturat e mëdha të shekullit, e nuk dorëzohet; që oshëtin përtej shekujve të strukur <O atdhé i shtrejtë!>, dhe asnjëherë nuk shuhet; që si hije dridhet nëpër suferinat e viteve, dhe prap nga buzët e shkrumuara e thotë me një zë <vatra ime e shtrenjtë, me një kothere bukë kallamoçe e një trohë djathi të dhembjeve tona, TI-atdheu i të parëve tanë, të copëtuar në çdo log të fjalëve, e burrave me nder e krenari, që të kanë bartur me zemër përtej detrave të kohës, e janë zgjuar me këto fjalë nëpër gojë>. Shqiponja dykrenore, fluturo nëpër kapësirën e kaltërt të qiellit, ashtu siç TI e dëshiron, në qiellin e papërlyer e të patronditur, se jeta e jonë është e plagosur rëndë mbi këtë dhé, në këtë dhé të të parëve tanë!...

Nuk e di si do ta rrokë fjalën mbi letër, e letra është e ngrysur, por lotët e zemrës mezi i dëgjojnë njërëzit, me trurin e tyre të marrur peng, për një ditë të penguar, e ty sikur të vie keq. E keqja është e madhe, sa të të plasë zemra! Ndalem e mendoj. Me këtë etje të madhe, sa zjarri i ndezur në kraharorin tim, prap vështroj rreth e rrotull, deri te vija e horizontit. Ky zjarr është ndezuar papritmas e ngadalë, pa e kuptuar mirë, në brendinë e unit tim.

Ngutem pa pushim për të thithur sa më shumë që të jetë e mundshme nga ajri, me të cilën kot së koti nuk po ngihem, e sikur më janë futur brenda tij të gjitha hallet e ditura të djemve e vajzave të këtij rrethi, sikur të jenë vetë nga gjymtyrët e skofitura[3]; sikur janë pranverat e paekzistuara të gjeneratave...

Atdheu është loja e fëmijërisë me lodra apo me aeroplan të letrave; është hapi im i beftë e me frikë, atëherë, nga gurët e kohës; është kujtimi i sinqert i motrave të mia, i vëllezërve të dashur të mi, në përleshje të ditëve; është kujdesi i përhershëm dhe i shqetësuar i nënës, së vatrës sonë, në mes të qenies, me të gjitha dashuritë, këshillat, mësimet, qortimet e prindërve, e babës- at i dheut, i atdheut të shpërndarë, nëpër kufinj; është kujdesi im dhe vrapimi kurdoherë pas zogjëve të dijes, nëpër shkollë e ditëve të ndriçuara; është gjithçka që fluturon në qiellin e vuajtjeve dhe dhembjeve tona, në një atdhé dhe në tretdhé, për të gëzuar më në fund bashkimin e dhembjeve, e dëshirave tona, në një bukë të vetme pogaqe!...

Atdhéu janë mësuesit e dritës dhe të dijes, ata që nuk pushojnë së të mësuari nga anët më së miri, në ditët e netët tona plot pehlin, që të mbijojmë nën pelerinën e zhubravitur të kohës, e të kemi me çka ta ushqejmë shpirtin tonë- flakë të zjarrtë, për një ditë më të mirë!...

Në të mirë e në të keqen, e cila nuk na ndahet pas, me të ndjekurën e saj të vazhdueshme, i shoh disa valigje të mallit; që po presin përherë në piedestal të kohërave. Ato më duken se i sjell nga tretdheu në atdhé, nga gurbeti, e nuk më lënë që të ngihem as me ajrin e pastërt të vendlindjes, të vatrës, të atdheut të përgjithshëm, të mallit e të dhembjes së madhe.

Po. Ka kohë që nuk i kam parë këto vise të dheut at e amë; ka kohë që nuk i kam parë këto bukuri të rralla; që nuk e kam thithur ajrin e vendit tim!...

Atje, largë, vuaja për mëmën time, ishin atdheu e mëmëdheu, me të cilin isha mbruajtur!

Dikur, nuk munda të duroj atë jetë, që nuk ishte jetë, por jetë në tretdhé, pa Atdhé; atë jetë në vetmi, e vendosa që të kthehem, për Plisin e Bardhë!...

Tani më duket se prej çdo luleje, se prej çdo bime, se prej çdo mali e kodre, buronte diçka që më tërhiqte, diçka e freskët, diçka e rrallë, pa të cilën nuk mund të jetoja! E ai burim është thesari më i madh e më i shtrenjtë në botën magjike, për të cilën jeta e jonë na lidhte, për të cilën as jetën tonë natyrore nuk e kursejmë!...

Ka ndodhje të befta që nga retë e zeza, prej të cilave shpërthejnë stuhitë e ta zënë Diellin, Mësuesin; Lirinë; mëmën dhe atin tonë shpirtëror- Atdheun; ta veshin me rrobat e zeza të errësirës, por grushti i rëndë i bijve të saj më të zgjedhur të këngës valëmadhe, e godit mu në zemër të mallkuarën errësirë, e cila mëmën e madhe shpirtërore e mundonte pa masë dhe atyre bijëve e bijave të dhuntisë së tyre ua ndalte frymën!...

Nuk ka Atdhé pa Jetë e as Jetë pa Atdhé!

Ai është fryma e jonë, shpirti ynë!...”

E di. Shokët e klasës mund të jenë apo mund të mos jenë të kënaqur për fatin e buzëqeshur nëpër sa e sa dhembjet tona të trishta, të cilët i kam mbledhur në shpirtin tim, anipse një pjesë e vogël ka vdekur, por një pjesë tjetër është e larguar me grushtin e viteve e zhdukur nën veladonin e hijeve të kohëve të përdreçura, por më të mirët i barti e në shpirt me vete, deri sa të dal përtej kufirit të jetës. Do të jenë aty, te zhishkat e forta të yjeve!...

 


6.

Në çdo bisedë tonën jashtë shkollës apo kur ishim vetëm, i kemi përsëritur gjërat më të rëndësishme e më të duhura, nën dhunën serbo-jugosllave e nga jeta e jonë. Ishin ato që nuk mund t’i rrahnim në shkollë apo në sy të tjerëve. Askujt nuk mund t’i besonim këso gjërash, vetëm njëri-tjetrit...

Ndër të tjera, Profesori, para se të burgosej, ma dha fjalën e tij madhore se asnjëherë nuk do ta nxjerrë emrin tim, as nga torturat e pushtetit jugosllav. Do të më ruaj kurdoherë e kundër çfarëdo force apo torture.

Prandaj, prore udhëtoja për në Gjakovë, në Qarshi të Vogël, me kranari, dhe në shtëpinë e tij, apo në oborr, dhe ia qanim njëri-tjetrit hallet tona.

Halli më i madh na ishte gjendja e vuajtur e popullit shqiptar, nën dhunën direkte të pushtetit serbo-jugosllav apo grekë dhe otoman.

Duhet që të qanim për këto, sepse nuk qëndrohej nën dhunën e egër të pushtuesve. Shuarja e çështjes kombëtare apo të gjitha frymëmarrjet tona, do të vinte pas këtyre. Ishte shumë e vështirë se si do zgjonim instancat ndërkombëtare në çështjen tonë tragjike. Po mendohesha vazhdimisht.

Për këto gjëra nuk po u tregoj. Sot, kemi ardhur në fund të jetës dhe ajo që e kishim për ta thënë ne për shqiptarët, e kemi thënë. U muar vesh apo nuk u muar vesh, SHBA-të janë midis nesh. Tani, është çliruar njëra pjesë, sado që nuk ka pushuar fashizmi serb ndaj Kosovës, dhe ai na ka shkaktuar dëme të mëdha me nxitjen e pjesës tjetër, mëmës sonë, Shqipërisë, nëpër mes të viçave serbofil, sepse pesëdhjetë e sa vite e kishte “socializmin”...

Nejse. Nuk po themi më shumë në këtë spektër e po i kthemi edhe njëherë çështjes sonë, të hedhim pak dritë, midis kodrave të dhembjes e të errësirës. Atëherë, e kishte shtëpinë e tij pas shtëpisë së heroinës Ganimete Tërbeshi, emrin e së cilës e kemi edhe si emër të shkollës sonë fillore.

Ishte ditë vere. E gjeta profesorin të djersitur në oborrin e vogël të shtëpisë së tij. Në dorë e mbante një shati të vogël me bisht gunga gunga, si të ishte ngjitur prej një mjeshtri të paditur. Ato rrënjë të domateve i kishte prashitur disa herë, madje në kohën e nxehtë, jo kur duhet të prashiten ato. Ishin tri a katër domate, të rritura deri mbi gju, e sapo i kishte lidhur me hunj.

Ia shikoja dorët e tij. Vetëm sa nuk piknin gjak, nga të vrarat e shatit. E kisha të ditur se si prashiten domatet dhe si bëhet kopshti, sepse edhe në shtëpinë tona i prashitja unë apo nëna ime, me dorë të matur e të ushtruar. Kopshti i madh e i bukur, me frute të pjekura, në Lug të Patokut, në Morinë, bëhej më parë se të gjitha kopshtet e fshatit.

Madje, si kultivues i kopshtit, ua bëja me dije edhe nxënësve të tjerë të shkollës, si sugjerim të butë prej shoku, se si duhet prashitur e rregulluar kopshti, jo vetëm në kontravesin e rritjes së tyre. Vapa ishte mjaft e lartë dhe ato duhej prashitur para se të nxente dielli. Me vapë, do të shkatërrohej bari i ligë, sepse i rritë së bashku me domatet, por edhe ato thaheshin bashkë me barin, kur ua lëkundje rrënjët dhe e rrotulloje dheun.

Druri i shatit, ishte me dredha e me gunga, i pagëdhendur mirë, por i futur në shati. I tillë si ishte ai, ia kishte vrarë duart. Ky shati më shtyri t`ia bëjë një sugjerim, edhe profesorit tim, pasi e përcolla deri sa prashiste, me djersët varg e vi. Dikur, i fshiu djersët në ball, e lëshoi shatin e tij poshtë anës së dy a tri shkallëve, e mbështeti si gjithmonë pranë murit dhe më dërgoi në dhomë të punës së tij, deri sa po i lante duart e veta.

Tryeza ishte plotë me libra të bukura e shkencore, të sistemuara në faqet e nevojshme e të nënvizuara apo nëpër skeda, e të shkruara nga Profesori. E shikoja ndonje libër nga lartë, sepse asnjë nuk e preknin me dorë, as fëmijët e tij. Kur na erdhi çaji, u ul dhe më tregoi:

-Këto duar të mija, të dëmtuara nga shati, me bisht gunga e gunga, i marrur nga mali, e jo i blerë si bisht shati, se këtu pranë ka sa të duash, e jo të shkoi aq largë sa është mali, Pra, i kam duart kështu siç i sheh. Vetë kam dashur që t’i vrasë duart, jo të pres domate prej atyre dy tri rrënjëve. E sa herë kur të ulem të shkruaj, e mbaj para sysh mundin e punëtorëve.

Në këtë tryezë, sepse e ke parë edhe më përpara, unë po e përgadis temës e magjistraturës. Krahas mendimit shkencor, duhet ta ndjejë edhe dhembjen. E ndjej dhembjen e duarve, sa herë që të shkruaj.

Ndër të parat, po të them, se shkenca ime nuk dëshiron as edhe një grimcë t`i hyjë në hak punëtorit e fshatarit! Prandaj po i vras këto duar, dhe nuk po i prashiti domatet, sepse ka mjaft domate për të blerë!

E uli kokën dhe pushoi së foluri duke e pirë qajin. Unë po mendohesha. Mu kujtuan mësimet e babait. E gjithë jeta e tij po i shkonte ndër vuajtje, me punë, i vetëm e në këmbë; prej fqinjëve e prej pushtetit, etj.

“Kur ti vuan për një dert, ia di hallin edhe tjetrit” – thoshte kështu babai. Unë e kuptova pse Profesor Muhamet D. Rogova po i vrante duart e veta.

“Tani, e pashë dhe pleçnova vujatjen, dhembjen, sakrificën dhe mendimin. Çdo intelektual i vërtetë, qoftë në shkencë apo në letërsi, pa përjetimin e dhembjes nuk shkruan mirë dhe i dëmton kështu shtresat e varfura të popullit punonjës” – thashë ngadalë, i mërzitur, duke e pirë çajin.

Profesori Muhamet buzëqeshi si Dielli. Ai u shkreh nëpër hapësirë në dritë të madhe dhe më shqiptoi edhe këto fjalë të paharruara:

“Më vjen shumë mirë që e kuptove këtë gjë, Brahim! Kur intelektualët, shkencëtarët, letrarët dhe artistët, që janë pjesa më e ditur e një kombi, ia mbajnë krahun shumicës së popullit, atëherë dihet se pushtetit të dhunshën e të ligë u numrohen ditët, të cilët e shtypin dhe e shrytëzojnë pa mëshirë!”

Kjo gjë ka qenë një mësim i madh, prej profesorit tim të madh, në shtëpinë e tij, para magjistraturës dhe burgosjes së tij, që erdhi në vitin 1981, kur nuk isha në Kosovë, por në Zvicër, e lotët më kanë rrjedhur si gurrë. Është një kujtim shumë i hidhur për atë kohë dhe kurrë i harruar.

Dija e mirëfilltë është DIJE E MADHE, edhe shkencë, jo ato që nuk ia dinë vlerën DIJES së këtij personaliteti.

Ai vuajti tërë kohën për një jetë sa më të mirë. Dija dhe shkenca e vërtetë e ka vuajtjen si busollë të dijes!...

Magjistraturën e mirë e bëri kështu, por arrestimi i tij nga aparatura e pushtetit ia ndau shkencën dhe dijen përgjysmë!

Të gjithë intelektualët e vërtetë vuanin si ai, por secili në formën e vet.

Edhe unë!...

7.

Ende ndodhej Profesori i mbyllur në burg, së bashku me të tjerët, ndër ta, Sokol Idriz Metën, dhe unë kisha ardhur me shumë vështirësi të mëdha prej mërgimit, nëpër të cilat po përplasesha i vetëm e rrugëve të veçanta, pa i rënë në sy njerëzve të gjallë, si i pa rëndësishëm, e zemra më gufonte si prej dufit të vajit, që ishte mbledhur shuk e që do të shpërthente fuqishëm, nëpër telat e fortë të së cilës këndohej melo-dramatikja e madhe e vuajtjeve. Zëri i saj valëvitej nëpër të gjithë hapësirën e lartë, e poshtë nuk dëgjohej nga qeniet e gjalla, por i prekte vetëm kodrat e larta të dhembjeve.

Ishte një melodi e dhimbshme e trishtuese, në tingujt e së cilës vërtitesha poshtë e lartë, pa e përfunduar atë melodi të zemrës. Koka ime ishte më e madhe se një kokë e rëndomtë dhe i binte lumit të dallgëve, anë e përtej.

Më kujtohej e tëra, prej Marjan Shabanit të mirë, që e kishte vrarë në New-York të SHBA-së papritur dora e ligë e UDB-së dhe Profesori Muhamet D. Rogova, dy profesorët më të mirë të dhembjes sonë kombëtare.

Ata nuk ishin profesor të zakonshëm, si profesorët e tjerë, sa për t’u shpjeguar nxënësve sipas programit mësimor të hartuar nga Ministria e Arësimit të RSFJ-së dhe nga përfaqësia e saj në KSA të Kosovës. Mësimi i tyre përputhej me një melodi të çuditshme të ngrijes sonë kundër tyre, nëpër telat e papritura të shpjegimit të orëve kombëtare, nëpër terrinat e programit të pushtetit, që ishte një vel i trashë e copa copa, për të mbështjellur mirë të gjitha mundësitë e të pamurit realist.

Duke i kujtuar këto gjëra dhe të tjera, që nuk i zë fjala, erdha deri te një kafe të madhe, në Qarshi të Vogël dhe u futa për dere. Më kishte rënë etja të hiqja velin e zymtë të kujtimeve. Por, sapo hyra mbrenda, më ra në ballë fryma tjetër e shtetësisë së paqenë projugosllave, e cila më stoponte të mos futesha me ato që i bluante mulliri i mendjes sime.

Po futesha dhe të shkojë në rr. të ëmës! Do ta merrja një tavolinë në skaj të saj, atje ku nuk kishte shumë njerëz, që po i quaja kështu, sepse duhet t’ua veshja një emër ashtu të paqenë të qenieve të gjalla, e do ta gjëja po të kisha mundësi që të mendoja, por ata po gumëzhinin si murrjelat e mëdha e të serta. Pra, hyra e nuk po kthehesha. Do ta gjëja një kthesë, në skaj të saj, ku nuk shiheshin të tjerët. Do ta pija një kafe dhe do të qetësoja shpirtin. Aq më hante palla të mendoja se si qenë të gjithë ata që mund të bluanin të gjithë atë zhurmë, e quheshin edhe ata “qytetarë”.

E porosita një kafe dhe prita derisa erdhi dhe fillove që të pija. Fluturonin mendimet e mia përmes gjysmë-errësirës së kësaj kafeje, sepse më mirë ishte ta quaj vetëm zgjoje murrjelash apo shtallë, ku futeshin gjâtë e gjalla, nëpër vapë. Jashtë po bëhej vapë e këtu kishte mjaft hije...

Dikur, para meje më ranë në sy, dy njerëz, që flitnin me njëri-tjetrin, me takt besimi. Fjalët e para nuk i dëgjova. Por, e morra vesh se po flitnin për një burrë të dheut, trupgjatë e si drogojt e maleve, të cilin po përpiqeshin ndër sa e sa vite ta kërrusnin bishat e egra të pushtetit me vargojtë e rëndë të robërisë. Të gjithëve na binte mbi kokë kobi i tmerrshëm i këtyre vuajtjeve, madje edhe në një kafe të tillë, e në mesin e saj kishte një orë të veçantë zgjimi, të cilat shumë shpejtë do të zgjonin tërë masën në prova shpëtimi.

“Profesori ishte më shumë misionar, sesa një profesor. Ai ishte përpjekur të ngjallë e të ngrisë ndjenjat kombëtare dhe dashurinë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën kombëtare. Por, u mbyll dhe po vuan!” – e ndjeva mirë të parin.

“Ashtu është vëlla! Edhe mua më dhimset, por çka të bëjmë! U bënë disa vjet, por nuk më ndahet zëri i tij prindëror e i matur, i butë dhe i thekshëm!” – ia priti tjeri, e përpak sa nuk më ra përtokë kutija e zemrës, përpak sa nuk plasi melodia e dhimshme e dashurisë vëllazërore!

Mu kujtua profesori im, por si të shkoja të shtëpia e tij, e të vizitoja të afërmit e tij, kur këte çështje e priste UDB-ja, e veshur me rrobet e leckosura të përgjimit. Më dridheshin duart, nga trishtimi.

“Ai, dashurinë e kishte të madhe për nxënësit tanë! I thirrte <bijtë e mi>! Ishim të pandarë! Ishim një! Tani, ai po vuan, e ne... ku jemi? Nëpër këto pufe të ç`njerëzimit!...” – ia ktheu prap i pari, ndërsa koka iu zvarr poshtë dhe nuk mund të mendoje se sa rropullima të rënda të vuajtjeve po i binin mbi kurriz. Heshti përpak çaste, me kokën e ulur, i zënë ngusht prej përjetimeve, të cilat mund t’i zbërtheheshin në lotë.

Mua, me vrasjen e njërit krah, më ishte tharrë jeta e gjallë, e me burgosjen e tjetrit, më ishte robëruar fjala e pa thënë kushtimisht. Të dytë e kthyen kokën në drejtimin tim, si për të ndarë dhembjen e tyre nën qiellin e ngrysur të mendimeve të mia, sepse më kishin shikuar me dyshim, por tani, si të ngriheshin nga dhembja e të ndanim pogaqen e shpirtit.

“Mos u brengos, sepse koha do të sillet rreth interesave tona, për pak dritë e progres tonin, ani pse na mungon profesori! Ne i presim disa ngjarje që do të sjellin përsëri pranverën!” – ia dha i dyti këtë brazë të fortë gardhit të thurrur të përpjekjeve tona, duke ia rrahur krahun, që mbështetej në ulëse.

E si t’u tregoja atyre kush isha dhe çka mund të bëja rreth profesorit e rreth çështjes sonë, në hijen e rilindasve të mëdhenj, por në një suferinë të re te vuajtjeve? Të ngritesha prej tryezës sime e t’u afrohesha pa më thirrur, nuk bënte punë! Të flisja prej tryezës sime, kjo u binte në sy njerëzve.

Po përplasesha nëpër disa çaste të zonuara e po mendoja se si të sillesha. T’i pritja deri sa edhe ata do të dilnin në rrugë e të bashkoheshim, nuk e di më par se kur do të ngriteshin, e unë kisha vetëm edhe pak çaste që të rrija në këtë zgafellë, pastaj duhet të ngritesha pas detyrave të mija. Edhe asaj dite isha i lodhur, nga rendja e pakëputur, pas punëve të shkepura, duke u ruajtur duarve të pushtetit dhe lakejve të tyre.

Më mirë, e lash kur të ngritesha, dhe do ta gjëja një formë më të mirë që t’ua theksoja këto çështje, që atyre u kishin mbetur si “të pazgjidhura”. Atëherë, më ra mendimi i thuktë prej mendjes e në zemër e do të nxjerrë bllokun nga xhepi e do t’u shkuaj vetëm këto fjalë:

“Nuk jeni vetëm ju, që po vuani për profesorin. Dy krahët më janë zonuar, e mik të veçantë timin e kam profesorin! Thirrni në këtë telefon (numri është i shkruar) e do të më gjëni mua. Së bashku, do ta sjellim rrotën e mundishme të fatit e do ta përjetësojmë pranverën tonë! Të mos jipeni! Së bashku, do jemi më të fortë! Vëllazërisht e bashkarisht, deri në ditën e madhe, LIRIDONI”[4]

U ngrita ngadalë dhe shikova apo mos më shihnin të tjerët, e preka të dytin mbi supe dhe ia hodha këtë letër para duarve, pa folur asnjë fjalë.

Dola përjashtë i ndezuar flakë nga gëzimi. U bëra edhe unë pjesë e denjë e Diellit mbi tokë e po fluturoja në hapësirë!!...

Ky Diell, po i zbrazte rrezet e arta, midis shpirtave!...

 

 Brahim (Ibish) AVDYLI 



[1] Këtu përdoret forma gegërishte e fjalës: tëfurk, t’furk, furk. Do të thotë se është bartësi i sanës (barit të thatë, të terur), kur u shpërndahet lopëve e kafshëve të tjera apo kur mblidhet në mullarë. P.sh. nxirret me tëfurk plehu, etj. Tëfurki është i bërë me tre rremba druri, por edhe me pesë rremba në të njëtën anë, kur është i hekurit.

[2] Nga një „j“ u shtohet emrave të këtyre pesë shteteve artificiale për të shprehur mërinë ndaj tyre. Në radhë të parë, ato janë për t’u shkatërruar, etj., p.sh. Turqia, Greqia e Serbia, që mbajnë mija e miliona shqiptarë brenda tyre, por nuk janë shqiptarë të vërtetë, sepse nuk e flasin gjuhën shqipe dhe bota i njeh në bazë të gënjeshtrave të paskrupullta të tyre. Irani e ka formën gjeografike të ish serbo-jugo-sllavisë e në ballë të dinastisë lindore e kanë Rusinë, të cilët e kanë metodë pune autokracinë, në vend të demokracisë perëndimore.

[3] Fjalë gegërishte, që do të thotë gjymtyrë të lehta, delikate, e cila gjendet përafërsisht në veprën e Mehmet Elezit, „Fjalor i Gjuhës shqipe“, Gjergj Fishta, Tiranë 2007, faqe 1311.

[4] LIRIDONI dhe LIRIDON KOSOVA ishin pseudonimet e mia, që nëpër shkrime ilegale shënoheshin, derisa filloi të më paraqitej një i dytë, apo tre e katër, pak nëpër shtypin ilegal, i cili dëshironte të më zbulojë. Shkrimet e tyre dallojnë me shkrimet e mija dhe unë i dalloja. Edhe ata e shkruanin LIRODONI dhe LIRIDON KOSOVA, dhe thoshnin se ishin „të vërtetët”, por unë nuk u paraqitesha, sepse e kisha të qartë se ata i kishte organizuar pushteti i errët serbo-jogosllav dhe UDB-ja, ndonëse kishin bërë “reputacion” me “lëvizjet ilegale”. Por, do të vie koha e do të merrem edhe me këto gjëra të “ilegalës” së shtirë, sepse vite të tëra i kam kaluar me lotë...

No comments:

Post a Comment