Sunday, June 27, 2021

Athina Bino: Poete më bënë rrëfimet e bukura të gjyshit tim

Tregojuni fëmijëve përralla e ninulla dhe nuk do zhgënjeheni

Athina Bino: Poete më bënë rrëfimet e bukura të gjyshit tim
Nga Vepror Hasani

 


Po afronte dita e dasmës, - nis të na tregojë jetën e saj, Athina Bino, banore e qytetit të Korçës, sot poete e mirënjohur, e adhuruar prej lexuesve të saj, veçanërisht nga fëmijët sepse njihet edhe si poetja e tyre. I fejuari, bashkëshorti im, më solli një fustan nusërie të gjatë, të bardhë e të bukur deri në fund të këmbëve. Nuk i kisha mbushur të 19-at, fluturova nga gëzimi, fustani paskësh qenë gjëja më e veçantë në jetën e një vajze. S’më pritej sa ta vishja. Doja të dilja një çast e më parë para babait dhe nënës që të më shihnin, dëshiroja t’i bëja të lumtur dhe ata.

Ne ishim familje e madhe: 5 motra dhe 3 vëllezër, prindërit kishin sakrifikuar shumë për të na rritur, Më fejuan me birin e një tregtari të mesëm; partia i kishte shpallur të deklasuar, por babai edhe pse ishte komunist (ushtarak me akademi), nuk i vuri shumë rëndësi deklasimit të familjes së dhëndrit, por gjithsesi tregohej i kujdesshëm. Edhe motrat mezi prisnin të më shihnin të veshur me fustan nusërie.

E vesha me një frymë, ngrita flokët lart, topuz, dhe vura kurorë. Motrat më vështruan me habi:
“Sa e bukur u bëre Athina, më thanë, je motra jonë më e bukura në botë! Pa vonuar shumë dola para babait dhe nënës, isha më shumë se e lumtur. Edhe babai dhe nëna, u mrekulluan nga pamja që kisha marrë, u lumturuan po aq sa dhe mua, por kjo zgjati vetëm disa sekonda. Babai dhe nëna u vështruan sy më sy, ata kuptoheshin edhe pa folur.

U iku buzeqeshja që u shndërriti pak më parë. “Nuk do ta veshësh!”- më tha babai. Dhe unë e dija pse më tha ashtu.  “O baaa…”- ia ktheva, por nuk fola dot më shumë, lotët po më rrëshqisnin pa u ndalur. Babai ndjeu keqardhje, por i duhej të ishte i fortë. “Nuk do të veshësh fustan të gjatë dhe pikë, - përsëriti, - nëse e shkurton vishe!”

Princesha e gjyshit

 Me të dëgjuar fjalët e fundit të babait, vrapova te dhoma e gjumit dhe hoqa fustanin, motrat më ndihmuan ta përthyeja në dysh, e shkurtuam aq sa e lejonte partia, sepse dalja e nuses me fustan të gjatë në dasmë nuk lejohej. E vesha, por m’u duk vetja si fuçi, mbeta më shumë se e trishtuar. Vetëtimthi, m’u kujtua rrëfimi i gjyshit për princeshën e vogël, në atë kohë edhe unë  isha ende fëmijë, shkoja në shkollën fillore, isha 8 vjeçe. Përshkrimi që i bëri gjyshi princeshës më mbeti në mendje, e mbaj mend edhe sot e kësaj dite. Ajo ishte bijë mbreti, shumë e bukur; tre trima ishin roje të saj, gjithë djemtë e mbretërisë donin ta merrnin për nuse. Edhe ajo vishej me fustan të gjatë deri në fund të këmbëve, bukuria e saj çmendte gjithë dynjanë. Atë natë që ma tregoi gjyshi këtë përallë kaq të bukur, nuk fjeta fare, u ngrita herët dhe gjithçka që kisha dëgjuar për princeshën e shkruajta në vargje:

Na ishte, seç na ishte,

Na ishte njëherë një mbret,

Një princeshë kishte,

Dhe tre trima me fletë.

Kjo ishte vjersha ime e parë, kur ia tregova gjyshit, mbeti i habitur, më mori në krahë dhe më ngriti deri te qielli, (kështu m’u duk mua), dhe më puthi: “Ti je vërtetë princeshë”, - më tha. Kur isha në klasën e katër fillore, nisa të shkruaj edhe te “Gazeta e murit”. Shkruaja hartime  shumë të bukura, mësuesit e letërsisë m’i lavdëronin para klasës, më pëlqente piktura, kënga, vallja, muzika në përgjithësi, vishesha bukur, thjesht dhe pastër.

Shqepe fustanin!

Por tashmë nuk i ngjasoja më princeshës që kisha ëndërruar. E veshur me një fustan si fuçi, tejet e mërzitur, u paraqita para babait dhe nënës dhe hodha sytë mbi ta. Prita çdo të më thoshin. Babai dhe nëna u shëmtuan në fytyrë, mbetën të trishtuar nga ajo që panë. Një çast qëndruan të heshtur, pastaj u vështruan sy më sy, ata kuptoheshin pa thënë qoftë edhe një fjalë të vetme. Heshtja zgjati edhe një grimë më shumë nga sa e prisja. Pastaj babai foli: “Shqepe fustanin! Dukesh sikur je veshur me fustanellë, nuk ngjan fare me fustan nuseje. Do të dalësh me fustan të gjatë!

Nuk isha e sigurtë nëse i kisha dëgjuar mirë fjalët e babait apo jo, ndenja edhe një çast si e mpirë, pa ditur çfarë të bëja. Babai e kuptoi dilemën time: “Do të dalësh më fustan të gjatë!” – përsëriti. Mbaj mend që iu hodha në qafë, e përqafova me një dashuri që nuk e përshkruaj dot, e putha në kokë, në faqe, në ballë e ku munda. Gjithnjë i kisha dashur fort prindërit e mi, ata bënin gjithçka për lumturinë tonë.  

Babai, për 20 vjet me radhë, shkoi kudo që e dërgonin, në çdo cep të Shqipërisë, kur e çuan në Burel linda unë, (isha fëmija i tretë), më parë kishte qenë në Vlorë, pastaj në Berat, në Skrapar e Sarandë. Kënga me vargjet “Ku s’kemi shkelur, ku s’kemi shkuar, dukej sikur ishte shkruar enkas për familjen Bino. Shtegtimi ynë zgjati deri në vitin 1964, kur u stabilizuam përfundimisht në Korçë.

Nëna ishte nga Fieri, ajo u bë për ne 8 fëmijët, edhe edukatore, edhe mësuese edhe rrobaqepëse dhe gjithçka tjetër; nuk u lodh kurrë, na qëndroi pranë deri sa u rritëm.

Dashuri për prindërit

Dashurinë për prindërit e shprehja edhe me vargje; shkruaja vazhdimisht poezi, por rallë ua tregoja, vetëm kur më pëlqente poezia. Ata ishin martuar në dhjetor, megjithatë unë besoja se atë ditë kishin çelur lule. Në një përvjetor të martesës së tyre shkruajta:

Mos u çuditni me këtë histori,

Fundviti, dhjetor ishte edhe atëherë,

Kohë e largët, ndodhi njësoj si tani,

Kur çeli një dashuri si lule në pranverë.

 

Pastaj, përmes vargjeve që më dilnin nga shpirti, “pikturova” portretin e prindërve: babai djalë i ri, sykaltër, çapkën, i gjatë, i hedhur; nëna syzezë, fierake e bukur, e urtë, e mençur, gojëëmbël, e lindur në qytet, por e dashuruar çmendurisht pas një djali që do të ishte babai im. E lidhën besën dhe nuk u ndanë kurrë nga njëri-tjetri as në të mirë, as në të keq. U martuan në kishë, vunë kurorë me gjethe molle. Të gjitha këto, gjithë nostalgjia e viteve të shkuara, m’u kujtua atë çast kur babai më tha: “Do të dalësh me fustan të gjatë!” Motrat m’i hodhën duart në qafë, po kaq të gëzuar ishin edhe vëllezërit, nëna nuk i mbajti dot lotët.  

 

Përgatitjet e dasmës

Fustanin e nusërisë e shqepëm që atë çast, unë fluturoja nga gëzimi, u bëra me krahë, fustani im ishte nga më të bukurit. Motrat më thoshin: Eja vishe edhe njëherë! Përgatitjet e dasmës kishin filluar. Motrat e vëllëzërit kishin një vështrim të malluar ndaj meje. U dukej sikur do të ikja dhe pas kësaj do të shiheshim gjithnjë rrallë e më rrallë. Nostalgjia për vitet e shkuara më kapi edhe mua. Fëmijëra jonë kishte qenë e vështirë, por edhe e bukur, isha pjesë e një familjeje të madhe. Gjithë pesha e familjes binte mbi nënën, Jorgjien, nuk u lodh asnjëherë. U nderua me dy tituj të lartë: “Lavdi Nënës” dhe “Nënë heroine” për 8 fëmijët e saj. Vështirësitë na mësuan të kishim organizim të përsosur në familje, të ishim të edukuar, të kishim harmoni, të flisnim me ton të ulët, të komunikonim me takt, babai dhe nëna të ishin gjithnjë të respektuar dhe gjithçka të arrihej me përpjekjet e të gjithve. Prej prindërve mësuam marrëdhëniet e shkëlqyera që duhet të kenë dy bashkëshortë, por në përfundim të këtij rrëfimi do t’ju tregoj si ma “nxiu” jetën fustani i bardhë dhe i bukur që vesha diten e dasmsës time. 

 Në shkollë, pa shkëputje nga shkolla

Tashmë kishte mbërritur ora që nga shtëpia e prindërve të dilja edhe unë. Në ato çaste më mbërtheu dëshira për të kujtuar gjithçka: kur ne u rritëm gjendja jonë ekonomike u vështirësua, sepse kërkesat tona ishin më të mëdha, rroga e babait nuk mjaftonte. Kur isha 18 vjeçe fillova punë në ndërmarrjen artistike, në repartin e luleve artificiale, më vonë punova në skalitjen e bakrit, gjithnjë pa u shkëputur nga shkolla. Ishin hapat e mia të parë që po hidhja në jetë, fitova dashurinë dhe respektin e shoqeve, u dallova për punë shembullore dhe përkushtim. Çdo ditë isha 8 orë në punë, 4 orë në shkollë, punë shtëpie, përgatitje e mësimeve etj. E gjendur në këto kushte dy vitet e fundit të gjimnazit në liceun e mbrëmjes i përfundova me rezultate mesatare, ndërkaq, zbulova aftësi të tjera të fshehura brenda vetes: pasionin për muzikën, këngën, pikturën dhe komunikimin me fëmijët. Në moshën18-vjeçe mora detyrën e udhëheqëses dhe organizatores së shkollës 8-vjeçare, “7 nëntori” të qytetit të Korçës; punova për 5 vjet rresht. Vetëm 4 vjet diferencë  kisha nga nxënësit e klasave të 8-ta. U bëra shoqe e mirë me ta, u dallova për organizmin e aktiviteteve brenda dhe jashtë shkollës, për organizimin e konkurseve dhe olimpiadave, për bashkëpunimin me Këshillin Pedagogjik, për diskutimet në konferencat e rrethit e në seminare të organizuara nga komiteti qarkor i rinisë Tiranë. Vijoja të shkruaja poezi ashtu si më parë, shkruaja për vogëlushët e mi të shkollës:

 

A keni parë me sy burbuqe?
Unë po, nuk them jo

Mes lëndinës plot me lule

S’gjeta tjetër, veç si kjo.

 

Më pëlqente puna me fëmijët

U bëra edhe pjesë e korit të ansamblit artistik të klasës punëtore të Korçës, (kështu quhej atëherë), gjithashtu bashkëpunëtore vullnetare me gazetën “Pionieri” në Tiranë; kryetare ishte Elena Kadare; ndoqa kursin në pallatin e kluturës “Ali Kelmendi”, më pas më1978, u diplomova në Institutin e Lartë Pedagogjik të Korçës, mësuese e gjuhës dhe e letërsisë. Gjatë pushimeve të verës punoja me fëmijët, ata ishin kënaqësia ime më e madhe, dhe ishte kjo arsyeja që më dërguan në zonën e Devollit si instruktore e pionierit dhe më pas për gjithë rininë shkollore të rrethit Korçë. Për vogëlushët e mi shkruaja edhe gjë a gjëza:

 

Janë dy thika të kryqëzuara

Dhe të mprehta, të lëmuara/.

Me një vidhë lidhen në mes,

Je i zoti që ta gjesh? (Gërshërët).

 Ose:

 Një cilindër i gjerë, i gjatë’,

Të hysh brenda bëhet natë,

Përshkon malin, përtej del,

Gjeje shpejt është? (Tunel).

Dhe një tjetër:

Është i bukur, është mbret,

Ngjyrën që do, e zgjedh vet’,

Ka erë të mirë, kundërmon,

Në buqetë është kampion. (Trendafili).

Si m’u shndërrua dasma në ferr

Ndërkaq dita e dasmës sime mbërriti, u vesha me fustanin e bardhë të gjatë e të bukur deri në fund të këmbëve. Gjithçka kaloi si jo më mirë, gjithë njerëzia mbetën të kënaqur. Por mëngjesi i parë i martesës sime qëlloi i tmerrshëm, u shndërrua në ditën time më të frikshme. Një i afërm erdhi dhe na tha: “Dikush ka shkruar një fletërrufe për familjen tuaj që ju lejoj të martoheshit me fustan të gjatë nusërie!” Fletrrufeja ishte vendosur te Pallati i Kulturës, gjithë Korça ishte mbledhur atje. Sipas tyre, babai im (komunist dhe oficer me akademi) kishte shkelur rregullat e partisë. Për një muaj të tërë m’u bë jeta ferr, askush nuk shkonte ta hiqte fletrrufenë, babain e detyruan të bënte autokritikë me shkrim në mbledhjen e organizatës së partisë, në mbrëmje kthehej i mërzitur, por mua nuk më tha asnjë fjalë, në heshtje ai ndihej i lumtur që kishte plotësuar një nga ëndrrat e mia më të bukura. Por që nga ajo ditë edhe jeta ime ndryshoi, tashmë më shikonin me një sy tjetër, por fal Zotit pata dy fëmijë të mrekullueshëm. M’u desh t’ju bëja ballë vështirësive e të qendroja me kokën lart: gëzoja respektin e prindërve të mi, të motrave, vëllezërve, të farefisit e të shoqërisë. Megjithatë vijova të punoj si drejtore kopështi; kjo më mjaftoi, fëmijët ishin dashuria ime, arrita të nxjerr nga duart e tyre punët më të bukura.

Epilogu

Që nga viti 1993. Athina Bino jeton në emigrim në Greqi, mallin dhe nostalgjinë për qytetin e Korçës dhe njerëzit e sjell përmes vargjeve:

Me penën i qaj hallet/ dhe gëzimet festoj/. Me penë çaj malet’, galaktikat i kaptoj… Ndërsa kur e merr malli për Korçën shkruan: Kthehuni pas, o vite, kthehuni, te uliçka ime, me sokak/, të rrëzohem, dot mos ngrihem/, veç të të shoh, pa le të jem plakë.

Në çaste nostalgjie shkruan:

Po iki skaj rrugës nën plepa/, me hijen time paralel,/ në skuta kujtese, qaset jeta/, dhe mosh’ e trillit ikën dhe vjen… Ose: Dal e të pres/ në shteg të një ëndrre/, a do të vish?/ Shkallët e gurta/, gjurmë kanë lënë/ karriget s’kanë lëvizur, siç rrinim atë ditë….


Sot ajo vjen tek lexuesit e saj të vegjël:

  • Me 242 vjersha e fabula, 
  • 220 gjëegjëza në vargje për fëmijët nga mosha 5 deri në 14 vjeç.
  • “Kam një emër” 2017,
  • “88 gjëegjëza”, 2019;
  • “Gjyshja, nipi dhe ekrani”
  • “Është shtëpi apo zemër”
  • dhe “Gomari me papion”.

No comments:

Post a Comment