Friday, October 23, 2020

Hasanët dhe Dedat - origjina e familjeve të mëdha të Frashërit

 Hasanët dhe Dedat - origjina e familjeve të mëdha të Frashërit

Nga Vepror Hasani

 


Frashëri pati dy fise të mëdha: Nikollat dhe Dedat, dhe shumë fise të tjera më të vogla. Dedat dhe Nikollat u përmendën për herë të parë në regjistrimin e popullsisë të vitit 1593, në atë kohë Dedat ishin fis me 5 familje, kurse Nikollat me 12, por zanafilla e tyre duhet të jetë shumë më e hershme se kaq, sepse Frashëri përmendet që nga regjistrimi i vilajetit të Përmetit dhe Korçës në vitin 1431-32, kur fshati kishte vetëm 6 shtëpi, por emrat e kryefamiljarëve nuk u bënë të njohur, sepse regjistrimi ishte përmbledhës. Në regjistrimin e vitit 1593 u evidentuan për herë të parë edhe 8 familje myslimane; njëra prej tyre, Mehmet Deda, i përkiste fisit të krishterë të Dedave, kurse 7 familjet e tjera myslimane i përkisnin fisit Nikolla. Prej dy fiseve të përmendura më sipër lindën familjet e mëdha të Frashërit, të cilat mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Familjet e para që ndërruan besimin nga të krishtera në myslimane ishin ato të fisit Nikolla; personi i parë që përqafoi besimin islam quhej Hasan; kjo ndodhi shumë kohë më parë nga regjistrimi i vitit 1593, në vitin 1504 kur Frashëri kishte 41 shtëpi; njera prej tyre ishte me pjestarë myslimanë. Prej Hasanëve lindi fisi i madh i Sulejmanbellinjve, kurse prej Mehmet Dedës fisi i madh i Vilakëve (fisi Vila).

 

12 familjet e fisit Nikolla

 

Në vitin 1593 familjet mbizotëruese të Frashërit ishin ato të fisit Kol Nikolla: Gjikë Kola, Kolë Gjika, Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola. Pjesë e këtij fisi ishin edhe familjet: Likë Papa, Kolë Papa, dhe familjet Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni. Më konkretisht fisi Kola (Nikolla) përbëhej nga këto familje:

nga Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir);

nga Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës);

nga Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të Gjonit);

dhe nga Likë Papa dhe Kol Papa (bij të Papës).

Emrat që përsëriteshin brenda fisit dhe që shërbenin si mbiemra ishin pesë: Gjikë, Likë, Kolë, Papa dhe Gjoni, të cilët ishin gjyshërit e familjeve të këtij fisi të madh. Ndërkohë emri “Hasan” ishte bërë i pëlqyeshëm për njerëzit e fisit të vet, herë pas herë, fëmijët e lindur pagëzoheshin me emrin “Hasan”. Për këtë arsye, personin e parë të quajtur Hasan, për ta veçuar nga Hasanët e tjerë që erdhën më pas, po e quajmë “Hasan i madh i Frashërit”.

 

Islamizimi i familjeve Kol Nikolla

 

Në islamizimin e familjeve të krishtera të Frashërit pati njëfarë rregullsie, ato ndoqën shembullin e njera-tjetrës. Familjet e myslimanizuara të fisit Kol Nikolla patën këtë renditje:

Hasan Papa,

Jusuf Nikolla,

Sulejman Jusufi,

Hasan Gjika,

Hasan Andrea,

Jakup Kasemi

dhe Skënder Hasan.

Pra, pas Hasanit të madh të Frashërit, Hasan Papa ishte i pari kryefamiljar i shkëputur prej familjes së krishterë, sepse edhe për mbiemër ende ruan një emër të krishterë. Ai rrjedh prej 2 familjeve me mbiemrin Papa: (Likë Papa dhe Kol Papa). I dyti në radhë vjen Jusuf Nikolla, i cili ka të njëjtën origjinë me 4 familjet Kol Nikolla: (Gjikë Kola, Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola). Pas Jusuf Nikollës, renditet biri i tij, Sulejman Jusufi, i cili për mbiemër ka emrin e të atit, ndaj është vendosur pas tij për të treguar edhe lidhjen e gjakut (babë e bir). I katërti në listë rreshtohet Hasan Gjika, ai është pasardhës i familjeve Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir), ose më saktë, Hasan Gjika është biri i Kol Gjikës. I pesti është Hasan Andrea, por për Andrean nuk kemi asnjë të dhënë tjetër. Megjithatë, sipas gjasave, edhe Andrea është pinjoll i Nikollave, dhe në rastin konkret, i familjes Gjoni: (Gjikë Gjoni, Kolë Gjoni, Likë Gjoni dhe Velko Gjoni (bij të Gjonit), sepse nuk ekziston asnjë mundësi që Hasan Andrea të vijë nga ndonjë fis tjetër dhe veç kësaj emri “Hasan” u përket vetëm Nikollave. I gjashti listohet Jakup Kasemi dhe i shtati Skënder Hasani, dy të fundit u përkasin familjeve të islamizuara kohë më parë, sepse edhe mbiemrat i kanë të myslimanizuar. Të islamizuarit e hershëm janë:

Hasan Papa,

Jusuf Nikolla,

Hasan Gjika

dhe Hasan Andrea.

Pasardhësit e familjeve të përmendura më sipër janë: Sulejman Jusufi, Jakup Kasemi dhe Skënder Hasani. Këta të fundit i dhanë Frashërit emrin e pavdekshëm. Fisi i Nikollave me 12 familjet e tij, (ose Sulejmanbellinjtë) luajtën rol vendimtar në çdo moment të rëndësishëm të jetës dhe historisë së Frashërit, ashtu sikurse edhe fisi i Vilakëve.

 

Katër fiset e mëdha të Nikollave

 

Prej familjes së madhe të Nikollave u krijuan 4 fise të mëdha:

fisi i Skënderasve,

i Kasollarëve,

i Sulejmanbellinjëve,

dhe fisi i Velibellarëve.

I pari i fisit të Skënderasve ishte Skënder Hasani, kurse i pari i fisit të Kasollarëve ishte Jakup Kasemi, njeri prej tyre vinte nga Kol Papa, tjetri nga Likë Papa të cilët ishin vëllezër. Mbiemri “Papa” tregon se këto dy familje do të kenë kryer detyra kishtare edhe më parë, ndaj iu përkushtuan bektashizmit sepse ishte më afër ortodoksizmit dhe synonte bashkëjetesën fetare.

Personi i parë i islamizuar i familjes Papa ishte Hasan Papa. Megjithatë edhe pse Skënderasit dhe Kasollarët kishin si zanafillë fisin e madh të Nikollave dhe për rrjedhojë origjinë të njëjtë me Sulejmanbellinjtë, sërish i gjejmë më të shkëputur prej Sulejmanbellinjëve sepse Papat iu përkushtuan Zotit dhe shkollimit të fëmijëve dhe jo pasurisë. Ndërkohë kemi edhe një familje tjetër me emrin Hasan Gjika, pasardhës i familjeve Gjikë Kola dhe Kol Gjika (at e bir), të cilët janë i njëjti fis me Kasollarët dhe Skënderasit. Përfundimisht 12 familjet e Kol Nikollave ishin islamizuar tërësisht.

 

Fisi i Skënderasve

 

Një prej pinjollëve të Skënderasve ishte Tahir Skënderasi, i njohur me emrin Baba Nasibiu, i cili më 1815, themeloi Teqenë e Bektashinjve dhe e drejtoi atë deri ditën që iku nga kjo jetë, më 1835. Tashmë Tahir Skënderasi prehet në një tyrbe pranë teqesë. (Edhe personat me emrin Tahir vinin nga Sulejmanbellinjtë). Nasibiu ose Tahiri, ishte i lexuar dhe poet, kishte studiuar në “Zosimea” të Janinës, doktrinën bektashiane e kishte mësuar në Lindje. Në Frashër u kthye pas studimeve në vitin 1808. Teqenë e ngriti bashkë me banorët e Frashërit në pjesën më të sipërme të fshatit. Në teqe predikohej shqip. Një prej poemave të Baba Nasibiut, me 328 vargje, e njohur si “Historia e Baba Nasufit”, i kushtohej familjeve të Frashërit. Nëse poema nuk do të ishte djegur më 6 maj 1914, kur andartët grekë i vunë zjarrin Frashërit dhe e bënë hi, sot do të kishim më shumë njohuri për Frashërin dhe frashërllinjtë. Në teqe kishte shërbyer edhe Jusufi, edhe ky emër vjen nga Sulejmanbellinjtë, ose fisi i Nikollave, (kujtojmë Sulejman Jusufin).

 

Fisi i Kasollarëve

 

Pas vdekjes së Baba Nasuf Skënderasit, vendin e tij e zuri Mustafa Frashëri, nga familja e Kasollarëve. Dy nga bektashinjtë e parë që iu bashkuan Teqesë së Baba Tahir Skënderasit ishin Dalip Kaso Frashëri dhe Shahin Kaso Frashëri. Kishin studiuar në lindje, ishin vjershëtorë dhe përkthyes. Dalipi la në dorëshkrim poemën “Hadika” (Kopështi) me 65,000 vargje, të cilën nisi ta shkruante më 1820 në Frashër dhe e përfundoi në Konicë me 1842. Me qenë se ishte larguar nga Frashëri, poemën e nënshkroi me pseudonimin “Hyxhretiu”, (I shpërnguluri). Kurse Shahini la në dorëshkrim poemën “Muhtarname”, (Libri i Muhtarit), me 12000 vargje, të cilën e përfundoi në vitin 1863. Poemat u shkruan në gjuhën shqipe, me shkronja turko-arabe. Dalip Kaso Frashëri ishte shuguruar dervish nga Baba Tahir Nasibiu. Kasollarët bën shumë për Frashërin dhe Shqipërinë; në maj të vitit 1878, teqeja e Frashërit mikpriti kuvendin e jashtëzakonshëm shqiptar, ku u kuvendua për thirrjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Mbledhja u kryesua nga Baba Alushi. Abdyl Frashëri mbajti fjalën kryesore. Vëllezërit Frashëri (Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri) i kishin marrë mësimet e para në teqenë e Baba Alushit. Me vdekjen e Baba Alush Frashërit, në krye të teqesë erdhi Baba Abedini nga Kreshova e Dangëllisë.

 

Sulejmanbellinjtë dhe Velibellarët

 

Sulejmanbellinjtë e kanë origjinën tek familjet e fisit Likë Kola, Pjetër Kola dhe Mërtir Kola (bij të Kolës); personi i parë i këtij fisi që përqafoi besimin islam ishte Jusuf Nikolla, biri i tij u quajt Sulejman Jusufi, ky i fundit krijoi fisin e madh të Sulejmanbellinjëve, ata ishin miq të Ali Pashë Tepelenës, më të fuqishmit e Frashërit, aq sa edhe sulltani nuk bënte dot marrëveshje me frashërllinjtë, nëse ata nuk merrnin pjesë në kuvend. Prej Sulejmanbellinjëve u shkëput një prej pinjollëve të tyre, i quajtur Veli, prej të cilit u krijua familja e madhe e Velibellarëve.

Katër fiset e përmendura më sipër (Sulejmanbellinjtë, Velibellarët, Kasollarët dhe Skënderasit), patën të njëjtin stërgjysh - Hasanin, të cilin, për ta veçuar nga Hasanët e tjerë që erdhën pas tij, -siç është thënë edhe më sipër, - e kemi pagëzuam me emrin “Hasani i Madh i Frashërit”.

 

Hasani i madh i Frashërit

 

Po u kthehemi edhe njëherë tri regjistrimeve të kryera në Frashër. Sipas regjistrit ixhmal (përmbledhës) të vitit 1431-32, Frashëri kishte 6 shtëpi (5 shtëpi me kryefamiljar dhe 1 shtëpi me 1 beqar). Fshati ishte i vogël, vëmendje tërheq vetëm personi beqar. Ai mund të ishte i ri në moshë, mund të ishte i rritur, ne nuk dimë asgjë për të, përveç faktit që është i pamartuar dhe s’ka familje, sepse nuk figuron si kryefamiljar. Sipas gjasave, ai ishte personi i parë që përqafoi besimin mysliman, dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja që ai mbeti i vetëm. Të jesh i pari që tradhton besimin e të parëve të tu, askush nuk të ndjek pas. Në vitin 1504, në regjistrimin e dytë mufasal (të hollësishëm), Frashëri kishte 41 shtëpi, nga të cilat, 40 të krishtera, dhe vetëm një shtëpi me pjestarë myslimanë. Nuk ka dyshim, njerëzit e kësaj familjeje janë pasardhësit e personit beqar. Në regjistrimin e tretë (mufasal) të vitit 1593, numri i shtëpive në Frashër ishte 58; nga të cilat 50 të krishtera dhe 8 të familje myslimane: Hasan Papa, Hasan Gjika, Hasan Andrea, Skënder Hasani, Jakup Kasëmi, Jusuf Nikolla, Sulejman Jusufi dhe Mehmed Deda. Katër prej tyre mbajnë emrin Hasan, edhe të tjerët janë pasardhës të Hasanit të madh të Frashërit, përveç Mehmet Dedës i cili i përket fisit të Dedave dhe jo Nikollave.

 

Hasanët e Sulejmanbellinjëve

 

Pyetja që lind është: pse kaq shumë njerëz me emrin Hasan? Fshati ka vetëm 58 shtëpi, pak a shumë janë të të njëjtit fis, pasi zanafilla nis nga 5 familje, atëherë përse vrapojnë kaq shumë pas emrit “Hasan”? Përgjigjja është e thjeshtë: njeriu i lënë mënjanë dikur nga familja e vet, nuk jeton më, sepse që nga regjistrimi i parë i popullsisë, 1431-32, deri në regjistrimin e dytë (1504), kur u evidentua një familje myslimane, kishin kaluar 73 vjet, por tashmë janë pasardhësit e tij që ndjekin shembullin e tij, sepse feja myslimane ka filluar të pranohet. Ata dëshirojnë ngjalljen dhe ringjalljen e gjyshit të tyre. Dhe është mëse e kuptueshme, ai e kishte emrin Hasan. Kjo tregon se ai përveçse kishte qenë njeri i ndershëm dhe trim, njëkohësisht kishte qenë edhe i pasur, i favorizuar nga autoritetet qeveritare të kohës edhe për faktin që iu bashkua i pari besimit islam, madje edhe pse ishte beqar, kishte shtëpi, kur dihet që edhe në ato kohë ngritja e një shtëpie ishte e kushtueshme. Pasardhësit e tij, Sulejmanbellinjtë, tashmë ishin trashëgimtarë të ligjshëm të pasurisë së gjyshit, ndaj emri “Hasan” është i dëshirueshëm dhe i pëlqyer prej të afërmve.

 

Sulejmanbellinjtë në krye te Kokojkës

 

Sulejmanbellinjtë i ndërtuan shtëpitë në kreun e shpatit të Kokojkës, ndërsa bejlerët e tjerë u vendosën poshtë tyre. Në këtë shpat i kishin shtëpitë edhe vëllëzërit Frashëri (Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri), me të cilët patën miqësi të përhershme. Edhe me Ali Pashë Tepelenën ishin miq, por pati periudha kur i dolën kundër njëri-tjetrit, por “mëria”, nuk zgjati shumë. Megjithatë trimëria e Sulejmanbellinjve, nuk e humbi shkëlqimin e vet në asnjë rast, preferuan të jetonin me dinjitet. Prej këtij fisi dolën emra të mëdhenj, nga të cilët mund të përmendim: Hysen pashë Frashërin, Servet pashë Frashërin, Sulejman bej Frashërin, Hasan bej Frashërin, Kahreman bej Frashërin, doktorët Refat dhe Xhemal bej Frashërin etj. I fundmi i Sulejmanbellinjëve i diplomuar në Stamboll për Inxhinieri Ndërtimi ishte Eshref bej Frashëri (1874-1938).

 

Fisi i Vilakëve

 

Nëse i rikthehemi regjistrimit të vitit 1593, vërejmë se emrat e vjetër të fisit Deda: Dedë Duka, Uk Deda dhe Gjon Deda, nuk figurojnë më, ndoshta nga që ishin myslimanizuar. Nga të vjetrit gjejmë 2 familje: Dukë Laska dhe Laskë Deda. Pjesë e këtij fisi janë edhe 2 familje të reja: Stojo Deda dhe Thanas Deda. Fisi e ka zanafillën nga Dukë Kryeziu, i përmendur në regjistrimin e vitit 1504, i cili duhet të ketë qenë Dukë: Këtë titull të lartë aristokracie e mbante sundimtari i një dukate (krahine), ku ai ishte zotërues pronash. “ … Të paktën deri në çerekshekullin e tretë të shekullit XV, në krye të timarit ku bënte pjesë edhe Frashëri, qëndronin spahinj të krishterë… Dihet nga historia e Perandorisë Osmane se deri në fillim të shekullit XVI emërimi në krye të timareve i spahinjve të krishterë, ishte të paktën për viset shqiptare, një dukuri e zakonshme”. (Kristo Frashëri, “Frashëri- Shkëlqimi dhe rrënimi i tij”, f. 23). Deda-t duhet të kenë qenë zotërues të hershëm pronash në Dangëlli ose jashtë saj. Personi i pari i islamizuar i këtij fisi është Mehmet Deda, i cili përsëritet shpesh si emër. Prej tij lindën Vilakët.

 

Emra të dëgjuar Vilakësh

 

Vilakët i ndërtuan shtëpitë e tyre nën shkëmbin e Golikut (dhe jo në shpatin e Kokojkës ku u vendosën bejlerët e tjerë), sepse në zanafillë, Frashër quhej vetëm fshati në shpatin e malit të Kokojkës me 6 shtëpi, kurse fshati përballë në shpatin e shkëmbit të Golikut, quhej Vila (ose Vilja); kishte 12 shtëpi. Më pas, dy fshatrat bashkë u quajtën Frashër. Prej këtij fisi përmenden një sërë emrash të rëndësishëm: Mehmet pashë Frashëri, djali i tij, Shemsedin bej Frashëri, spahi në krahinën e Oparit dhe banues në Opar, i cili pati rastin të takohej edhe me konsullin anglez Uilliam Martin Lik gjatë udhëtimeve që ky i fundit pati në fundvjeshtën e vitit 1805 në viset shqiptare. Ndërsa djali tjetër i Mehmet pashë Frashërit, Çeçiz Frashëri, gjatë pjesës së parë të shekullit XIX ishte myteselim i Oparit dhe zabit i Voskopojës, të cilat edhe pse i humbi për një periudhë kohe, i rimori. Këtij fisi i përket edhe edhe Adem Pasha, vezir (kryeministër) i Perandorisë Osmane gjatë shekullit XVIII. Më pas, kur Mehmet Frashëri, (biri i Mustafa pashë Frashërit) kishte marrë titullin pashë, bleu në vitin 1772 Shpickën dhe Nikolicën në Kolonjë dhe Voskopojën, duke u bërë kështu spahiu i përgjithshëm i tyre. Si emra të njohur të këtij fisi po përmendim edhe Tefik Vilën, babain e Nuri Vilës, të cilët kishin shtëpitë më të mëdha në shpatin e Golikut.

 

Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët

 

Kur Ajaz beu paraardhës i vëllezërve Frashëri (Abdyl, Naim dhe Sami Frashërit), i internuar në Stanimakë të Bullgarisë, u rikthye në Frashër, gjeti familje parësie Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët, për këtë arsye Ajazi, i cili rridhte nga familje fisnikësh, zgjodhi të bënte krushqi me ta. Madje nuk mund të mendohet që Ajaz beu të ketë bërë miqësi me familjet e tjera siç pretendohet. Fisnikëria e Sulejmanbellinjëve dhe e Vilakëve nuk e humbi shkëlqimin asnjëherë. Ata u kujdesën për institucionet fetare. Në shekullin e XVIII ndërtuan dy xhami: Vilakët e ndërtuan në Golik ku banonin, kurse Sulejmanbellinjtë në Kokojkë. Institucionet fetare ishin njëkohësisht edhe shkolla, ku vajzat dhe djemtë mësonin shkrim e këndim, aritmetikë, histori, gjeografi dhe njohuri të tjera. Ata u kujdesën edhe për shkollimin oborrtar të fëmijëve të tyre dhe përvetësimin e gjuhëve që kishte në pëdorim administrata perandorake pasi edhe ata do të kishin karrerën e tyre. Më 1815 Sulejmanbellinjtë ndërtuan edhe një shkollë pranë teqesë, e cila mori përsipër arsimin fillor për fëmijët myslimanë, ku u mësua edhe gjuha shqipe. Mësuesi quhej Hasan Hoxha (Hoxhë ka kuptimin mësues), emri i tij ishte Hasan Efendi, banues në lagjen Skënderaj, gjë që na kujton se Skënderasit dhe Kasollarët kishin të njëjtën prejardhje me Sulejmanbellinjtë. Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët nuk hoqën dorë as nga ëndrra e tyre për ta shndërruar Frashërin në qendër ekonomike. Në mesin e shekullit XIX Frashëri pati 300 shtëpi dhe 20 dyqane. Fal dy familjeve të mëdha, vendlindja e tyre u bë qendër zejtarie dhe tregtie. Zhvillimi i tregut u favorizua edhe nga vendndodhja e tij mes tri qendrave të mëdha tregtare Përmetit, Korçës dhe Beratit.

 

Sulejmanbellinjtë e Butkës

 

Pas rënies së Pashallëkut të Ali Pashë Tepelenës, fisi Hasanas i Frashërit u vendos në Butkë, i kryesuar nga gjyshi i tyre Hasan, pasardhës i Sulejmanbellinjëve. Dhe jo vetëm kaq: Ahmet Hasanas, biri i Hasanit, i martuar me Arzikon, bijën e fisit Teki e Bexhet Selenica, bejlerë të dëgjuar të Selenicës së Frashërit, njërin nga djemtë e vet e quajti Ali, sepse edhe Aliu kishte qenë pasardhës i Sulejmanbellinjëve, kurse Tefik Hasanas, nip i Hasanit, i martuar me një vajzë të bejlerëve të Poloskës, Merimenë, njërin prej djemëve të vet e quajti Sulejman sepse ishin të vetëdijshëm që rridhnin nga Sulejmanbellinjtë; po kështu edhe Qerim Hasanas, nip i Hasanit, i martuar me një nga vajzat e Malukave (më të fuqishmit e Kolonjës), fëmijën e vet të parë e quajti Veli, sepse siç dihet prej Sulejmanbellinjve u shkëput një familje me emrin Veli nga e cila u krijuan Velibellarët. Emri Hasan ishte ekskluzivitet i Sulejmanbellinjve, nëse një fis tjetër do të pagëzonte një nga pinjollët e vet me emrin Hasan, do të ngjasonte me “grabitje”, madje kur Frashëri ishte me 58 shtëpi, askujt nuk do t’i shkonte ndërmend. Emri “Hasan” ishte i Sulejmanbellinjve: i Velibellarëve, i Kasollarëve, i Skënderajve dhe i krushqive me Ajaz beun.

 

Kristo Frashëri për Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët

 

Hasanas-it e Butkës vijuan të bënin krushqi me bejlerë të njohur. Fetiu, nipi i Hasanit, u martua me Rakibenë nga Vilat e Zboqit (degë e Vilave të Frashërit), ndërsa vajza e xhaxhait të Rakibesë u martua te bejlerët Alizoti të Milecit, prejardhja e të cilëve rridhte nga Murati, i afërm i Ahmet Zogut, i ardhur nga Mati. Me vajzat e Alizotëve të Milecit u martuan dy stërnipërit e Hasanit, Qani dhe Gazi Hasanas, kurse dy vëllëzërit e tjerë të tyre: Erfan Hasanas u martua me vajzën e bejlerëve të dëgjuar të Koçibellëve të Qatromit, kurse Fuat Hasanas me vajzën e një familjeje të njohur nga Pësari i Zi. Deri më sot për Frashërin dhe historinë e Frashërit është shkruar shumë, madje edhe nga njerëz që kanë patur njohuri të thelluara mbi Frashërin, por në asnjë rast nuk janë venë në dukje Hasanët e Sulejmanbellinjve të Butkës. Ka ndodhur kështu që të mbahej në harresë fisi Hasanas i Butkës, të cilët kanë për stërgjysh Hasanin e madh të Frashërit, pasi në të kundërt Hasanët e sajuar do të binin. Historiani Kristo Frashëri në lidhje me Sulejmanbellinjtë dhe Vilakët shkruan: “Deri në mes të shekullit XIX, Frashëri njihej kryesisht si vendbanim i dy familjeve më të shquara feudale të fshatit dhe të krahinës: Sulejmanbellinjve dhe Vilakëve. Kjo për arsye të posteve shtetërore që patën dhe të pronave çifligare që krijuan. Familjet e tjera bejlere, edhe pse e kishin rritur fuqinë e tyre politike dhe ekonomike, vinin për opinionin publik të kohës në radhë të dytë”. (Kristo Frashëri, Frashëri-Shkëlqimi dhe rrënimi i tij, f.55).

 

Fisi Aliçka ose i Sali Butkës

 

Kurse fisi Aliçka ose i Sali Butkës, ka një histori të vetën, të cilët u shfaqën për herë të parë në vitin 1650, ose 220 vjet më pas nga regjistrimi i parë i popullsisë më 1431-32, atëherë kur krijimi i familjeve të mëdha kishte përfunduar, pasi gjatë shek. XVII, myslimanizmi pati një shtrirje galopante. Në këtë kohë njerëzit që ndërronin fenë ishin aq të shumtë sa askujt nuk i bënte përshtypje, ndërsa mundësitë për t’u bërë i pasur për hir të ndërrimit të besimit ishin shumë më të vogla. Mbërritja në Butkë e të ardhurve nga Frashëri, përmendet edhe nga Hysen Butka, nip i Sali Butkës, te libri i tij me kujtime “Sali Butka në kujtimet e mia”, ku shkruan: “I pari që erdhi nga fisi i Aliçkas të Frashërit në Butkë qe gjyshi i Saliut i quajtur Elmaz Zaimi. Ky gjysh i Saliut solli me vete vëllanë e tij Orhanin dhe të dy kushërinjtë Belulin dhe Hasanin”, por e vërteta është se Hasani i përket fisit të Sulejmanbellinjëve dhe jo fisit të Aliçkave. Ndoshta edhe Beluli, gjyshi i Ibrahim Butkës, ishte Sulejmanbelli, por këtë duhet ta thonë vetë njerëzit e Belulit cilit fis i përkasin, ndërsa për fisin Hasanas gjithçka është e qartë. (Marrë me shkurtime nga libri “Butka ashtu siç ishte”).

 

 

Thursday, October 8, 2020

KOCI TAHIRI, KANDIDATI I ARDHSHEM PER DEPUTET: Vizion europian për Mokrën, Gorën dhe Oparin, janë Zvicra e pazbuluar Intervistoi Vepror Hasani

 


Koçi Tahiri, kandidati i ardhshëm për deputet:

Vizion europian për Mokrën, Gorën dhe Oparin, janë Zvicra e pazbuluar

Intervistoi Vepror Hasani

Gjithnjë kam qenë i lidhur ngushtësisht me Korçën, - na thotë Koçi Tahiri, aktualisht deputet i Parlamentit Shqiptar, - sepse të parët e mi vijnë nga këto treva, gjithashtu edhe unë, kam lindur në Pocestë të Korçës, një vend i mrekullueshëm, por zona e Gorës e Mokrës e Oparit, e Voskopojës e deri në Vithkuq më japin një tërheqje të magjishme, por edhe keqardhje sepse janë vende të bukura me shumë pasuri natyrore, por të lëna pasdore për vite të tëra me radhë. Banorët po ikin, vendi po shpopullohet, gjithçka po mbetet shkretë. Gjendjen e kësaj zone e kam bërë të njohur edhe në Parlament. Largimi i tyre nga vendlindja është dhimbje e madhe, sepse nuk është e lehtë të braktisësh githçka që është investuar që nga gjyshërit, prona e pasuri, e të dalësh në kërkim të një jete më të mirë, ndaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kam zgjedhur si zonë kandidimi Mokrën, Gorën, Oparin e deri në Voskopojë. Kjo zonë është Zvicra e pazbuluar, kështu shkruante mësonjësi Naum Naçi në vitin 1900, dhe e pazbuluar ka mbetur edhe sot e kësaj dite.

Kini qenë edhe më parë në këtë zonë?

Në këtë zonë kam qenë gjithnjë i pranishëm që nga fëmijëria ime e në vijim, nuk është hera e parë që do të shkoj, më lidhin shumë fije me këtë vend, jam nip i Koçi Tahir Plovishtit, njerit prej kapedanëve më në zë të krahinës së Gorës, përkrahës i flaktë i komitetit të fshehtë qendror “Për lirinë e Shqipërisë”, mbajtur në nëntor të vitit 1905, në qytetin e Manastirit, (sot Bitola) në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja nxiti në mjaft qytete të katër vilajeteve shqiptare formimin e degëve dhe nëndegëve të këtij komiteti, një ndër to ishte dhe krijimi i nënkomitetit të fshehtë krahinor “Për lirinë e Shqipërisë” në fshatin Strelcë të Gorës në vitin 1906, ose siç u quajt ndryshe nga vetë populli, “Besëlidhja Gorare 1906”. Kjo ngjarje e madhe në kuadrin e 110-vjetorit të saj, me propozim të Shoqatës Atdhetare Kulturore, “ Besëlidhja Gorare”, u nderua nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani, me titullin e lartë: “Kalorësi i Urdhërit të Skënderbeut”. Veç lidhjeve të hershme që më mbajnë afër me këto vende, jam edhe kryetar i shoqatës atdhetare kulturore “Besëlidhja Gorare” për qarkun e Korçës; botues i gazetës me të njëjtin emër “Beslidhja Gorare”, njëkohësisht edhe president i ansamblit folklorik krahinor “Visaret e Gorës”. Ansambli është një mundësi reale për të na bërë të gjithëve bashkë, kurse gazeta i jep mundësinë të kujtdo të shkruajnë apo të kritikojnë për gjithçka që e shohin të aryeshme. Vetëm kështu mund të ecim përpara, duke u përpjekur të gjithë bashkë.

Dhe ju mendoni se do ta ndryshoni jetën e trevave të Gorës?

Sgurisht që po. Që ditën që fitoi demokracia kam patur një ëndërr: të ndërtojmë një jetë më të mirë për shqiptarët, të cilët përjetuan vitet e vështira të diktaturës. Këtë fat pata edhe unë: arsimin fillor dhe shatëvjeçar i kryeva në vendlindje, arsimin e mesëm profesional në teknikumin bujqësor “Irakli Terova” në Korçë, kurse arsimin e lartë, për arsye politike, e mbarova gjatë kohës së Demokracisë në vitin 1993. Sigurisht në atë kohë, nuk më shihnin si njeri të devotshëm të sistemit, dhe realisht nuk isha i tillë, më çuan të punoja në minierat e ndryshme të vendit: Guri i Kuq, Bulqizë, në Badër të Martaneshit, Mëzez, Mushqeta dhe së fundi në minerat e Lozhanit në krahinën e Gorës. Si një nga të parët në proceset demokratike, u vlerësova nga bashkëpuntorët e mi dhe me propozim të tyre, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, më nderoi me medaljen e artë, “Pishtari i demokracisë”. Vlerësimi i shprehur prej Presidentit për përpjekjet e mia ishte: “Koçi Tahiri, me punën dhe veprën e tij, nuk i përket vetëm krahinës së Gorës, të Qarkut të Korçës ku ai u rrit dhe u edukua me ndjenjat patriotike, por tashmë Koçi Tahiri, i përket jo vetëm shtetit shqiptar, por dhe mbarë kombit shqiptar”. Kurse njerëz të letrave më kanë quajtur “ Njeriu i demonstratave ”, sepse kam qenë pjesëmarës pothuajse në të gjitha protestat. Sigurisht, që të gjitha këto nuk i shoh si lavdërime, por si përgjegjësi për të bërë më shumë për qytetarët e këtij vendi.

Ju jeni deputet, a e keni bërë prezente problemtaikën e zonës së Gorës e më gjerë?

Sigurisht, e kam bërë këtë gjë në mënyrë të vazhdueshme, kemi kërkuar interpelanca me ministrat, së fundi bashkë me 6 deputetë të tjerë, patëm një interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, znj. Belinda Balluku. I kërkuam informacion mbi ecurinë e punimeve në aksin rrugor Qukës - Qafë-Plloçë; mbi rrugën nacionale Maliq-Lozhan-Gramash; dhe mbi ekzistencën e projekteve (ka apo nuk ka) për zhvillimin e turizimin në zonën e Mokrës, Gorës, Oparit e deri në Vithkuq. Po bëhen 11 vjet nga dita kur filloi rruga Qukës – Qafë - Plloçë dhe ende nuk ka përfunduar. Në Quks, në lotin nr.1, prej 18 km, ku në 2.9 km traseja është e shtruar, përsëri gjendet në pikë të hallit sepse është prishur dhe kërkon një riparim të dytë, që të asfaltohet. Kjo tregon që rrugët fillohen, lihen për një farë kohe, fillohen përsëri dhe përsëri harxhohen para. Firmat e kanë bërë punën e tyre, por ndërprerja e punimeve për një farë kohe, çon në prishjen e asaj që është bërë nga kushtet e motit. Riparimi kërkon sërish shtesë fondesh. Po kështu edhe dy tunelet e këtij loti, edhe pse janë të përfunduar, lënë për të dëshiruar. Firmat ankohen për rrëshqitjet, por këto duhej të ishin parashikuar nga specialistët e hartimit të projektit, por askush nuk mban përgjegjësi.

Ecuria me këto ritme do të vonojë përfundimin e rrugës?


Po, me këtë ecuri punimesh që konstatova në terren, (sepse vajta vetë atje), mendoj se do të duhen edhe dy vjet punë akoma. Pra 13 vjet për të përfunduar një rrugë! Autoriteti Rrugor dhe personat e tjerë që punojnë pa pikë përgjegjësie duhet të përgjigjen. Ndërtimi i rrugës pati si piksynim zhvillimin e zonës së Mokrës, sidomos të Mokrës së Poshtme, por në të vërtetë nuk ndodhi kështu, përkundrazi, rruga, në një farë mënyre, influencoi në shpopullimin e zonës, sepse nuk po përfundon. Dhe kjo nuk është e vetmja arsye e shpopullimit, ikja e njerëzve u nxiti edhe devijimi i rrugës; një pjesë e saj tashmë kalon në vende që gjatë dimrit mbajnë bore, akull dhe ngrica. Po kështu, rruga nacionale Maliq-Lozhan-Gramsh, deri te rezervuari i Moglicës është vërtet një rrugë e bukur turistike, por e ngushtë; megjithatë po e marrim si të pranueshme, kurse pjesa nga Lozhani deri te rezervuari i Moglicës është mosmëkeq, askush nuk arrin ta kuptojë pse rrugën e kanë ngjitur deri në majë të malit, veç kësaj, herë-herë rruga ngushtohet në 3 metra apo 2 metra gjerësi, dhe përsëri askush nuk mban përgjegjësi. Rruga duhej të kalonte nga rezervuari, pasi është një vend i bukur dhe i frekuentuar, dhe jo nga maja e malit me qëllim që t’i shkurtohej gjatësia por pa marrë parasysh shkarjet që do të pësonte rruga. Si konkluzion mund të themi: investime të tilla nuk i vijnë në ndihmë popullatës së zonës.

Duket se zona ka nevojë imediate për infrastrukturë?

Po, kjo është mëse e vërtetë. Unë jam nga ajo zonë, e njoh shumë mirë zonën time të Mokrës të Gorës, të Oparit e deri në Vithkuq, janë zona që kanë nevojë për infrastrukturë dhe mirëmbajtje. Mirëpo Bashkia e Maliqit nuk e merr përsipër mirëmbajtjen e rrugës nacionale Maliq-Lozhan, sepse nuk është është përgjegjësi e saj. Këtë përgjegjësi nuk e merr përsipër as qeveria, sepse përgjegjësia është e firmës ndërtuese; rruga është amortizuar dhe ka nëvojë për ristrukturim, ndaj mirëmbajtja e rrugës nacionale është bërë si loja e kungulleshkave: Qeveria i thotë Bashkisë e ke ti, Bashkia i thotë nuk e kam unë. Nodh kështu sepse nuk i tregohet gishti atij që i takon përgjegjësia. Zvarritja në kohë e infrastrukturës do ta çojë shpopullimin deri te banori i fundit, ndaj, nëse këto problematika nuk do të jenë zgjidhur deri në zgjedhjet e ardhshme, unë do të kërkoj planifikimin e fondeve për ristrukturimin e rrugës sepse përveçse është e ngushtë dhe e amortizuar ka edhe rrëshqitje. Po kështu do të kërkohet edhe përfundimi sa më i shpejtë i rrugës, Qukës – Qafë - Plloçë pasi ndihmon në zhvillimin zonave në aspektin turistik sepse i lidh me njera-tjetrën. Rëndësi të veçantë merr edhe rruga Qafë- Plloçë - Gur i Kamjes - Niçe e cila zbret deri në Lozhan, shkon në Voskopojë e Vithkuq, dhe nëpërmjet dy degëzimeve: Lozhan- anës rezervuarut ose liqenit, i cili del në Lekas duke u bashkuar me Voskopojën dhe degëzimi i dytë, Lozhan –Tyrbe e Goçës - Shipckë –Voskopojë, e cila bashkohet me degëzimin e parë, dhe del në Vithkuq, ku takohet me aksin nacional Korçë - Ersekë, gjë që bën të mundur shfrytëzimin e resurseve të mbetura të pashfrytëzuara deri tani, të cilat përmirësojnë jetën e komuniteteve dhe ndalin shpopullimin.

Mendoni se do ta keni mbështetjen e banorëve të Korçës?

Nuk kam asnjë dyshim, do të jem i mbështetur fuqimisht prej tyre. Me banorët e Mokrës, Gorës, Oparit, Voskopojës e deri në Vithkuq kam qenë i njohur që nga dhjetori i vitit 1990, kur dola në mbështetje të Lëvizjes studentore, pluraliste dhe demokratike. Gjithashtu, gjatë krijimit të së parës parti politike opozitare në Shqipëri – Partisë Demokratike, kam qenë bashkë me banorët e Korçës, sepse siç e kam theksuar edhe më sipër, lidhjet e mia me këtë rajon janë të hershme, të pandërprera dhe do të mbeten të përhershme. Me miqtë e mi Korçarë punuam së bashku për lëvizjen sindikaliste në Shqipëri, ku unë isha një nga nismëtarët dhe drejtuesit kryesorë të lëvizjes, dhe jo vetëm kaq: një muaj më pas nga Lëvizja studentore, në fillim të janarit 1991, e gjeta veten solidar me grevën e minatorëve të Valiasit, ku u bëra pjesë e nismës për një një sindikalizëm ndryshe. Gjithashtu kontribuova për krijimin e Sindikatës së Lirë të Minatorëve, të cilën e themeluam më 15 shkurt 1991, dhe në krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë. (B.S.P.SH). Këto vite më lidhën fort me shumë rajone të vendit, por veçanërisht me qarkun e Korçës, ku u njoha jo vetëm me banorët e qytetit por edhe të fshatit, madje ishin këta të fundit që më nxitën të bëhesha pjesë e nismës për krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Bujqësisë në shkallë vendi. Ndërkohë isha dhe anëtar i Komisionit Drejtues Kombëtar të BSPSH.

 Kjo do të thotë që ju jeni njohës i mirë edhe i problematikave të bujqësisë?

Sigurisht që po. Në vitin 1994, punova për organizimin e bujqëve privatë të Shqipërisë ndërsa më 1998, u zgjodha kryetar i Organizatës së Biznesit Bujqësor, duke mbajtur njëkohësisht dhe detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Punës, pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Por sot vende të tilla, si Gora, Mokra ,Voskopoja, Vithkuqi etj, që kanë pasuri natyrore dhe trashëgimi kulturore të pasur, është e nevojshme të ndihmohen me qëllim ndërtimin e një jete më të mirë. Voskopoja çdo javë prêt së paku deri në 2000 vizitorë në javë, vendas dhe të huaj, sepse ndodhet afër Korçës dhe ka një rrugë të mirë. Sipas studiuesi Joakim Martiniani, Voskopoja është themeluar në vitin 1330. Kishat më të hershme janë: e Shën Dionisit dhe e Shën e Premtes, më pas u ndërtuan të tjera: Manastiri i Shën Prodhromit, Shën Marisë, Shën Kollit. Në krye të herës, thuhet që ka patur 24 kisha. Aktualisht ekzistojnë 6 kisha të cilat janë të vizitueshme nga të gjithë. Ka patur akademi që nga viti 1750, po ashtu edhe shtypshkronjë, bibliotekë, spital, me zejtari të zhvilluar dhe 25 mijë banorë. Të gjitha këto e kanë bërë një vend të preferuar turistik. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Vithkuqin: ka pasur 7 lagje me 22 mijë banorë dhe 12 kisha: kisha e Shën Pjetrit, e Shën Marisë, e Shën Ilias, e Shën Gjergjit, e Shën Vangjelizmoit, e Shën Kollit, e Shën Konstandinit etj; më e hershmja prej tyre ishte kisha e Shë Thanasit e ndërtuar në vitin 1162. Mjaft të njohur janë edhe manastiri i Shën Pjetrit, i Shën Kollit, i Shën Minait dhe Mitropolia e Shën Mëhillit. Sot Vithkuqi ka 3 lagje me 160 shtëpi, por zhvilimi i turizmit po e përtërin.

Po për Mokrën, Gorën dhe Oparin, çfarë projektek kini?


Po, në krahinën e Gorës, ia vlen të përmëndim dhe tre qyteza të tjera, si Niça, Shipcka dhe Grabova. Por deri më sot, fatkeqësisht, Gora, Mokra dhe Opari, kanë mbetur pasdore, ato janë zonat më të bukura turistike, por mundësitë e banorëve kanë qenë të pakta për ta bërë të njohur zonën e tyre dhe rrugët u kanë munguar. Ja çfarë shkruante mësonjësi Naum Naçi në vitin 1900 te “Kalendari kombiar” për Oparin: “Malet e pyjet janë fort të bukur, dhe nga madhështia që u-ka falur natyra janë kaq të tmerruar, sa i shtjenë frikë të madhe udhëtarit. Nënkatundaria është prej 35 copë fshatrash që jetojnë Myslimanë e të Krishterë. Qeveria u merr të gjithve nga 13 grosh në mot për udhët, por gjëkund n' Opar s’ka bërë ndonjë udhë”. Fatkeqësisht, këtë gjendje mjerane e kanë edhe dy krahinat e tjera: Mokra dhe Gora. Pra, këto zona kanë vuajtur mungesën e infrastrukturës prej shumë e shumë kohësh. Më tej Naçi shkruan: “Si kapërcen Voskopojën e hdh përtej përruan e del, nis kufi e Oparit. Malet' e Voskopojës janë të zhveshur, por t'Oparit, me drurë bredh borigë, ahu dhe dushku”. Naum Naçi e krahason Oparin me Zvicrën: “Ai njeri që do të shohë bukuri natyre edhe të ketë nër syt' e ti përpara Svicrën, le të vejë n' Opar. Aty do shohe Ostrovicen që dhe më 20 korrik gjeta shumë dëborë, do shohë lumenj të mëdhenj me shkëmbinj edhe Devollë duke rrjedhur në përmes t'ati vendi; edhe Opari ka një kënetë të vogël (liqen) porsi të Svicrës afër Zerecit…”. Por ne së bashku me banorët këto zona të mrekullueshme do t’i shndërrojmë në një Zvicër të vërtetë.

 https://youtu.be/lobARXPWzLI