BATONI
Ndër antroponimet më të shpeshta ilire, si dhe të emrave të mbretërve ilirë është emri Baton. Që në fillim po bëj me dije se në veprën “Historia e popullit shqiptar” mësojmë për dy mbretër ilirë: “Udhëheqës kryesorë të kryengritjes që ishin dy Batont, njëri nga fisi i desiatëve të Bosnjës Qendrore e tjetri nga fisi i breukëve”. Porse, një mbret të tretë, të fisit dardan Baton, si i biri i mbretit dardan Longarus, e thekson Fanulla Papazogllu. Edhe arkeologët shqiptarë, Vangjel Toçi e Skënder Anamali e theksojnë antroponimin Bat-Baton të para erë sonë në qytetet ilire të Shqipërisë. I pari i përmend antroponimet: Bat në Kalanë e Irmajt (Gramsh) dhe Batuna e Batina të shek. III-I p.e.s. në Durrahun (Durrësin) antik, kurse S. Anamali e cek një antroponim Baton në Apolloni. Për përdorimin e antroponimit Baton nga Dardanët apo Trojanët paraantikë të Luftës së Trojës në Azinë e Vogël bën të ditur Zaharije Majani, i cili thotë: “Dardanët i japin emrin Dardaneleve. Shumë Trojanë mbajnë emra ilirë: Baton, Paris, Buninos”. Gjithashtu edhe Prof. E. Çabej thekson se ishte i pranishëm antroponimi “Bato (në Dardani, Dalmaci, Panoni)”, dhe se e përmend si një ndër fiset kryesore të ilirëve fisin “Bathiatët në luginë të Matit”. Kjo trajtë e fisit ilir pikërisht në krahinën e Matit të Shqipërisë Bathiatët sikur e dëshmon prejardhjen e këtij fisi dhe të emërtimeve të shpeshta të antroponimeve, patronimeve e oikonimeve me bazën bat- (për bathë, pasul, groshë), që hasen edhe në paraantikë, antikë, mesjetë e sot, se kanë prejardhje prej fjalës me prejardhje pellasde-ilire-shqipe bathë-a “pasul, groshë, fasule”, që sot ka mbetur fjalë e fjalorit të pasivizuar të shqipes në përdorim në onomastikë. Kjo prejardhje bëhet edhe më bindëse, nëse kemi parasysh se ekziston edhe batha e egër apo pasuli i egër nëpër male, që binë vetë, e pakultivuar. Kështu, të kësaj prejardhjeje ne i shohim patronimet e shqiptarëve: Batatina (Besianë – Llap), Batashi (dikur në Junik), Batku dhe Batha (në Shqipëri), si dhe emrat e fshatrave të Kosovës: Batusi (Fushë Kosovë), Batusha (Gjakovë) dhe Batahiri (Shalë e Bajgores), Batushica (në Sanxhakun e Nishit) etj. Sipas kësaj etimologjie, që s’është e pabazë, e kemi vështirë të pajtohemi me mendimin e Millan Budimirit për antroponimet ilire me rrënjorin bat-, i cili, duke cituar edhe studiues të tjerë, thotë: “Të njëjtin mendim si të Strabonit e ka edhe Novaku lidhur me përcaktimin e emrave të përkatësisë dardane. Edhe ai ka për bazë dokumentet gjuhësore dhe atë emrat Baton e Longarus, në bazë të cilëve edhe P. Kreçmeri dardanët i përcakton ilirë…nuk na ndihmojnë as 22 Batonat nëpër pjesë të ndryshme të bregdetit mediteran. As Oshtiri e as Novaku nuk dinë për domethënien e bazës Bat. Prandaj emrat tonë Brzak (Shpejtak – R. D.) ose Hitrac (Vrapues) janë të ngjashëm”. Etimologjia e këtyre mbretërve ilirë dhe të onomave të tjera nga fjala e protoshqipes bathë, që e kam shtruar edhe në më së 10 faqe të një libri, përforcohet edhe me mendimin e Prof. E. Çabej, se fjala bathë është e mbarë shqipes, si dhe me të dhënën e Petar Skokut, se kjo fjalë e shqipes është indoevropiane.
No comments:
Post a Comment