Gjergji Thimo Fitoi mbështetjen e prefektes Zefi për ngritjen e muzeut të parë privat
Por iu grabit nga të tjerët
Korçë - Shpresohej që saga e mundimeve të koleksionistit të mirënjohur të
veprave të artit, Gjergji Thimo, nga qyteti i Korçës do të merrte fund njëherë
e përgjithmonë. Ishte menduar që koleksioni i tij i pasur ikonografik të
vendosej në një muze privat, i cili do të ishte i pari në Shqipëri, por edhe në
gjithë Evropën Juglindore. Mbi të gjitha do të ishte një nder për qytetin e
kulturës, Korçën. Mbështetja për ngritjen e muzeut të parë ikonografik mbërriti
nga ish-prefektja e qarkut Korçë, prof.
dr Elfrida Zefi, e cila i ofroi mbështetjen e saj dhe të qeverisë shqiptare për
sigurimin e fondit për ngritjen e Muzeut të parë privat në Shqipëri,
por që do t’i takonte qytetit të Korçës. Kjo deklaratë e prefektes Zefi u bë e
njohur gjatë kohës që ishte duke vizituar koleksionin e të mirënjohurit Gjergji
Thimio, i cili më shumë se nga kushdo tjetër ishte mbështetur nga Qeveria
demokratike, nga shkrimtari i madh Isamail Kadare dhe nga studiuesi dhe
historiani i artit prof. dr. Ferid Hudhri. Gjithsesi, duket se mbështetja e
ofruar nga prefektja Zefi, kishte qenë tepër shpresëdhënëse. Për më tepër, na
tregon koleksionisti më i madh i ikonave në gjithë Evropën Juglindore, Gjergji
Thimo, i cili tha se me ngritjen e këtij muzeu do të merrte fund njëherë e mirë
kalvari i tij i mundimeve.
Çfarë keni parasysh kur thoni:
Do të marrë fund kalvari i mundimeve?
Sigurisht shpresoja të ndodhë ashtu, na
thotë koleksionisti Gjergji Thimio, sepse me ndërtimin e muzeut, nuk do të
kishte më lakmi për vjedhjen e ikonave, sepse nuk do të ishte e mundur; nuk do
të sulmohesha më si pronari i kësaj pasurie kaq të madhe, sepse veprat e artit
nuk do të ishin më në shtëpinë time. Do të pushonin se ekzistuari përpjekjet e
qarqeve antishqiptare për t’i përvetësuar këto vlera kundrejt ofrimit të shumave
marramendëse. Nuk do tentohej më për djegien e banesës, me synim zhdukjen e
koleksionit, se nuk do të kishte më asnjë arsye. Ky muze do të ishte i Korçës
dhe vetëm i Korçës. Prisja të ndodhë kështu, sepse gjithë koleksionin tim munda
ta ruaj përmes një dashurie, fanatizmi ekstrem dhe duke u përballur me dhjetra
sakrifica. Mund të them se vetëm një pjesë e koleksionit kap vlerën e 1.5
milionë eurove, por nëse ato do të shiteshin në tregjet ndërkombëtare, atëherë
kjo vlerë do të dhjetëfishohej apo qindfishohej pa asnjë dyshim. Vetëm atëherë
unë do të isha një nga milionerët më të mëdhenj edhe në rang Evrope, por unë
nuk e dëshiroja këtë. Kërkoja një muze privat ikonografik që ta kishte
përjetësisht qyteti im. Ishtë kjo arsyeja që nuk u tundova edhe kur qarqe
antishqiptare më ofruan shuma marramendëse.
E veçanta e koleksionit
E veçanta e këtij koleksioni kishte të
bënte me faktin se pjesa më e madhe e ikonave i përkiste shkollës shqiptare
ikonografike. Te këto ikona gjendej dora e David Selenicës, Konstandin
Shpatarakut, e vëllezërve Zografi, e Johan Çetirëve, por edhe mjeshtëria e
ikonografëve të tjerë të shkollës shqiptare, dhe kjo nuk ishte
pak. Ikona më e vjetër e këtij koleksioni i përkiste shekullit XIII,
ku gjendej e pikturuar kisha e Shën e Premtes, ndërsa vijohej me ikonat e
tjera deri në shek XVIII. Gjithë pasuria e këtij koleksioni përmblidhej
në 2,500 objekte, ku nuk gjen vetëm ikona por edhe antikuarë të tjerë.
Gjithsesi, pas vizitës së prefektes
Elfrida Zefi nisa të ndihem më i qetë
se kurrë ndonjëherë tjetër, sepse ajo është një zonjë që di të dallojë qartë
çfarë është ar dhe çfarë është kallp. Vetëm në raste të tilla gjen një motiv të
fortë për të ofruar mbështetje dhe mënyrën si do ta sigurosh atë, në
të kundërt mund të mjaftohesh me një premtim dhe gjithçka përfundon me aq,
sepse mungon pasioni i vërtetë dhe vlerësimi real. Nuk është e rastit që vetë
prefektja Zefi u interesua për të parë nga afër në çfarë gjendje ndodhej
koleksioni, sa të përshtatshme ishin ambientet ku ruheshin ato, dhe çfarë
ndihme mund të ofrohej për ngritjen e një muzeu privat ikonografik. Interesimi
I prefektes ishte i vërtetë, sepse përveç njohjes me koleksionin,
Zefi u njoh edhe me dokumentacionin ligjor që kam në dispozicion, sepse githë
aktiviteti im është i ligjshëm. Licensimin për këtë aktivitet e kam marrë që
kur erdhi në pushtet për herë të parë Qeveria demoktartike.
Shkresa e parë u firmos nga Ministri i
Kulturës i asaj kohe, Tedor Laço. Fal kësaj mbështetje u bë e mundur
të merrja pjesë së pari në ekspozitën e organizuar nga Muzeu i Tiranës; për
herë të dytë në Muzeun Historik të Tiranës, dhe së treti në Galerinë e Arteve
të Tiranës. Gjatë këtij viti, ose në prag të vitit të Ri, do të isha
i pranishëm edhe në një ekspozitë tjetër. Në të tri ekspozitat, vlerësimet
ishin maksimale. Ambasadorët e vendeve të huaja teksa shihin ekspozitën më
pyesnin: “Po si ke mundur t’i ruash këto
ikona edhe gjatë regjimit të diktaturës”?! Se si munda t’i mbledh dhe t’i
mbaj fshehur nëpër sëndyqe vetëm unë e di, ashtu siç mund të them se vetëm unë
e di çfarë kam hequr për të ruajtur këtë pasuri, na thotë koleksionisti Gjergji
Thimio. Tashmë ndihem më i qetë, prefektja më ofroi mbështetje të sinqertë.
Uroja që gjithë kalvari im i mundimeve të merrte fund njëherë e mirë, sepse i
kisha kushtuar 30 vjet të jetës time. Mbledhjen e ikonave e nisa aty nga viti
1979.
Nga kush u është ofruar mbështetja
vërtetë e sinqertë
Po më kanë ndihmuar, sepse siç ju thashë,
kam patur mbështetjen e Qeverisë demokratike, dhe të shkrimtarit të madh
Isamail Kadare i cili bëri gjithë përpjekjet për ngritjen e një muzeu privat
ikonografik në Korçë. Fal mbështetjes e tij shkova drejt liçensimit të këtij
aktiviteti. Mbështetje të fuqishme kam patur edhe nga studiuesi dhe historiani
i artit Ferid Hudhri, i cili përmes një letre drejtuar pushtetarëve të Korçës
para më shumë se 8 vitesh shprehej: “Koleksionisti i pasur i veprave të artit të
muzeut E&A Thimo është një rast unikal në Shqipëri, që duhet
përkrahur më shumë nga shteti dhe institucionet që lidhen
me trashëgiminë kulturore.” Ndërsa më tej shton: “Pra, një pjesë e koleksionit të tij nuk do të ekzistonte në Shqipëri
po të mos ishin përpjekjet, këmbëngulja dhe pasioni i zotit Gjergji Thimo për
t’i ruajtur dhe grumbulluar gjithë ato vepra arti”. Gjithashtu zoti Hudhri
vë në dukje se, “ngritja e një godine të
posaçme për vendosjen e gjithë koleksionit është një nga kërkesat më minimale”.
Unë i besoja mbështetjes së ofruar nga
prefektja Zefi dhe qeverisë, sepse ky muze pati bekimin e qeverisë demokratike.
Jam i sigurtë se me këtë muze Korçës do t’i shtohej një vlerë e rrallë, e
pakrahasueshme në gjithë Evropën Juglindore. Në lidhje me këto vlera prefektja
Zefi gjatë njohjes me koleksionin tha: “Unë
ndjehem mirë teksa vizitoj objekte shumëshekullore me vlera të jashtëzakonshme,
pjesë të një galerie të parë private, galeri e parë për Shqipërinë dhe Evropën
Juglindore. Për më tepër gjatë kësaj vizite u njoha edhe me 3 objekte të
vlerësuara në vitin 1979 me një vlerë prej 1.2 milionë dollarë, të cilat i
përkasin periudhës së Rilindjes italiane. Unë u njoha me 150 objekte nga 3000
të tilla, të cilat i përkasin periudhës kohore nga shek XIII-XVIII. Gjergji
Thimo është vërtetë një rast unikal që meriton mbështetjen e gjithë institucioneve
të trashëgimisë kulturore”,- përfundoi fjalën e vet prefektja e qarkut
Korçë Elfrida Zefi.
Bisedoi Vepror Hasani
No comments:
Post a Comment