Më kishte marrë malli
Takim pas 41-vitesh te shkolla ekonomike “Kristo Isak”, Berat
Nga Vepror Hasani
Në qytetin e Beratit mbërrita në mesditë. Rruga Korçë-Berat m’u duk mjaft e gjatë, ndoshta nga që dëshiroja të mbërrija qoftë edhe një çast më parë. Më kishte marrë malli. Doja të ulesha diku, i vetëm, pa asnjë njeri tjetër pranë, dhe të sillja ndërmend çdo gjë të shkuar. Edhe nëse do ta ndjeja të nevojshme të qaja, do të lotoja pa patur turp prej njerëzve.
Lotët gjithnjë i kam parë si shenjë fisnikërie. Autobuzi më la aty, tek ish-agjencia e vjetër. Hodha vështrimin nga të gjitha anët dhe shumëçka prej atyre që pashë më mbushën me mall, por nuk pashë asnjë të njohur. Prisja që dikush të më thoshte: “Hej, Vepror, kur paske ardhur?” - por nga askush nuk dëgjova diçka të tillë, kisha vite pa ardhur në Berat.
Shoqet dhe shokët e mi të klasës do të vinin të nesërmen, do takoheshim në orën10.00 te shkolla e mesme ekonomike, “Kristo Isak”. Unë u nisa një ditë më parë sepse autobuzi nga Korça nisej në orën 11.00 dhe mbërrinte në Berat në orën 15.00, por unë nuk doja të humbisja asgjë nga takimi ynë pas 41-vitesh. Kishim qenë gjithsej 30 nxënës: nga Berati, Gjirokastra, Lushnja, Saranda, Fieri, Përmeti, Skrapari dhe Kolonja.
Të gjithë kishim mall për njeri-tjetrin dhe mezi prisnim të takoheshim. Por, a kishim mbetur vallë ata të 41-viteve më parë apo ishim moshuar, thinjur dhe lodhur? Prisja me ankth ta shihja këtë gjë.
Vazhdoja të isha i vetëm në atë qytet aq të bukur e të dashur, por kjo gjë më pëlqente. E dëshiroja meditimin, çmalljen e qetë dhe të ngadaltë, sjelljen ndërmend të të gjitha kujtimeve, ditën e parë të shkollës, njohjen me njeri-tjetrin, ngjarjet e vogla që mbanin gjallë jetën tonë, të qenit pranë çdokujt në çdo çast e kohë si në një familje të vërtetë etj, etj. Sot na duket e pabesueshme: si mundet që u bëmë kaq të afërt me njeri-tjetrin?
M’u kujtuan të gjithë me radhë: Evelina Theodhori, Kasjani Polo, Elida Kulla, Valentina Hoxha, Mbaresa Hysenbelli, Faika Mato, Manushaqe Mici, Afërdita Ahmeti, Jorgjie Shehu, Areti Nasho, Dhespo Nani, Varvara Nikolla, Zaharo Xuxi, Natasha Nilo, Merjeme Xhafa, Xhevrije Hoxha, Lefteri Sillo, Rabie Meçaj, Dolora Dedeniku, Barie Uku, Artur Harka, Et’hem Sula, Jorgo Babi, Arqile Bane, Thanas Stavro, Perlat Kalemi, Azis Çela, Gëzim Alishollari dhe Neki Kurti. Gjithsecili prej nesh, gjatë 4-viteve të shkollës ofroi më të mirën e vet.
U rritëm me njeri-tjetrin, kur u takuam
për herë të parë ishim 15 vjeç, kur u ndamë për herë të fundit ishim 19, nuk
mbeti njeri pa lotuar, por ne i premtuam njeri-tjetrit që do të shiheshim sërish,
dhe e mbajtëm fjalën. Të nesërmen, ora 10.00, do të ishim përsëri bashkë. Si do
të ishte vallë çast i shumëpritur prej 41- vitesh? A do të vinin të gjithë? EK1-IV,
(Ekonomiku, klasa e parë, viti i katërt), si gjithë klasat e tjera, kishte edhe
ajo të veçantat e saj, mbi të gjitha mbajtjen e fjalës.
Bisedë me Osumin
Dola nga lokali ku isha ulur dhe u nisa drejt lumit Osum, ai gjithnjë më ishte dukur si një nga gjërat më të bukura të Beratit, doja të flisja me të. Disa nga burimet e tij e kanë zanafillën në vendlindjen time, në Kolonjë, pranë fshatit tim, Butkë, ndaj këtë lumë e kisha parë gjithnjë si pjesë të jetës time.
Në një përshkrim të hershëm thuhet: “Lumi i Beratit quhet edhe Osum, ky zbret prej majave të malit Verketisiu, (kështu quhej në kohët më të hershme mali i Gramozit), duke mbledhur udhës shumë ujëra nga Vithkuqi e pasi përçan malësinë e Skraparit përshkon qytetin e Beratit e bashkohet me Devollin mbi fshatin Kozarë, ku formojnë lumin e quajtur Seman, i cili merr edhe ujin e Gjanicës së Fierit”. Lumi i Beratit më priti me një mori fjalzash e valësh të pafundme që ndiqnin njera-tjetrën.
M’u duk sikur më tha: “Ju mbaj mend të gjithëve, nesër do të jetë një nga ditët tuaja më të bukura, do t’i ngjasojë ditës së parë të shkollës, do të ndieni të njëjtin emocion si 41 vite më parë dhe do ta shihni veten më të përmalluar se kurrë ndonjëherë tjetër. E besova për gjithçka që më tha, isha i sigurtë që do të përjetonim ndjesi të papërsëritshme, por unë dija edhe diçka më tepër, disa prej shokëve tanë: Artur Harka, Perlat Kalemi, Jorgo Babi, Neki Kurti dhe Gëzim Alishollari, për arsye të pamundura, nuk do të ishin në takim.
Një pjesë e jona do të mungonte, gjithkush prej nesh do të ndiente edhe vendin bosh të tyre, bashkë më ta do të mungonte edhe një pjesë e vajzave. Nuk qe e thënë të bëheshim të gjithë bashkë.
Takimi pas 41-vitesh
U rritëm bashkë
Çaste të bukura