Për mbrojtjen e Korçës
mbetën 200 të vrarë dhe qindra të plagosur
Qerim Butka dhe batalioni i qëllonjëtarëve në mbrojtje Korçës
U dekoruan nga francezët,
nënëshkrimet nga Reynard-Lespinasse
Nga Vepror Hasanas
Batalioni i qëllonjëtarëve ishte pjesa më e përzgjedhur dhe më e aftë e
ushtrisë për mbrojtjen e Korçës dhe nënprefekturat e saj. Në këtë batalion
bënte pjesë edhe Qerim Butka, babi im, rrëfen Gazi Hasanas nga Butka. (Gazi
Hasanas është babai i autorit të këtij shkrimi). Në një nga përvjetorët e krijimit
të batalionit të qëllonjëtarëve, “Kalendari Korça 1919”, botuar nga Kristo
Luarasi, referuar ngjarjeve të një viti më parë 1918, (sepse revistat “tip
kalendar” sillnin edhe ngjarjet e një viti më parë ngaqë botoheshin njëherë në
vit dhe në fillim të vitit. Mes të tjerash, “Kalendari Korça 1919”, shkruante:
“Batalioni qëllonjëtar shqiptar që ishte formuar këtu (në Korçë), luftoi
burrërisht gjithë kohën e luftës, kësisoj që u dekoratën (dekoruan) pothuaj të
gjithë shqiptarët me Croix de Guerre dhe trimat më të mirë arrinë të marrin dhe
dekoratën Logeon d’Honneur. Po nuk ishte mjaft gjer këtu se më 21 gusht, majori
i Kavallërisë Reynard-Lespinasse. i bëri të njohur popullit të qarkut Korçë
kujtimin plot lavdim të Batalionit të Qëllonjëtarëve Shqiptarë. Kurse gjenerali
Henrys, komandant i Ushtrisë Franceze të Orientit, tha: “I pari Batalion i
Qëllonjëtarëve Shqiptarë, pasi trimëria e tyre u tregua më parë në luftrat e
Strelcës, të Ostrovicës dhe të Kamjes; kështu edhe në luftrat e Bofnjës, nën
udhëheqjen energjike të kryetarit të tij, majorit Holtz, dëfteu ato më të mirat
kalitete (cilësi) ushtarake dhe u dëftye sheshazi që është një trup ushtarak i
dorës së parë. Dyke qenë kurdoherë përpara trumbave, (togave), u hapi kudo
udhën, duke shtyrë armiqtë pa pushim dhe pa i lënë të marrin frymë, duke zënë
disa qindra robër, dhe xhepane më tepër. Kjo njohje kaq e lartë e vendosi
Batalionë e Qëllonjëtarëve Shqiptarë në shkallën e më të mirave regjimente
franceze. Nënshkruar nga Reynard-Lespinasse”. (Kalendari Korça 1919, f.15).
Babai im, Qerim Hasnas (Butka)
Përzgjedhja e babait tim
si një nga qëllonjëtarët më të zot të Korçës, - tregon Gazi Hasnas, - përmendet
te gazeta “Koha”, e cila më konkretisht shkruan: “Të diel të 6 prillit, trupat
Vetëdashëse të Korçës, nën urdhërin e kumandantit te tyre me z. Themistokli
Gërmenji, vanë në Boboshticë për manovra strategjike, gjithë Vetëdashësit
treguan një rregull të shkëlqyer në praktikën e parë. Kur hodhë nishan nga
nishanllinjtë (qëllonjëtarët) të trumbës së dytë, goditnë më mirë këta
zotërinj: Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Kaluci, dhe Zenel Plasa. Këto manovra
i vizitoi në Boboshticë edhe prefekti me shumë zonja dhe zotërinj të tjerë”.
(Gazeta Koha, 17 prill 1914). Tashmë mbetet të rrëfejmë si u mbrojt Korça prej
qëllonjëtarëve, nga sulmet greke.
Rrefimet e Qerim Butkës
Ajo natë dukej sikur
kishte vdekur. Nuk ngjasonte aspak me netët që kishin ikur. Mbretëronte një
heshtje e thellë. Rrugët ishin të zbrazta dhe të heshtura, pa zëra dhe hapa.
Heshtja e pazakontë përcillte një ankth të vazhdueshëm. Dukej sikur diçka
kishte për të ndodhur. E gjitha kjo ngjasonte me paralajmërimin e një vdekjeje
të kobshme. Qyteti i Korçës flinte dhe s’flinte. Portat e shtëpive ishin mbyllur
me lloz nga brenda dhe që nga mbrëmja nuk ishin hapur më. As kërcëllime dyersh
e dritaresh nuk kishte patur, as lehje qenësh nuk ishin dëgjuar. Nata po e
kapërcente mesin e vet, por gjithnjë vazhdonte të mbetej e njëjtë dhe e zymtë.
Vetëm sahati i qytetit që ngrihej mbi të gjitha ndërtesat e Kasabasë të jepte
idenë e një gjiganti që vështronte rreth e qark. Ndoshta ajo natë do të mbetej
nata më e gjatë e të gjitha netëve. Të vetmit që nuk flinin, ishin Vetëdashësit.
Mes tyre ishte dhe babai im, Qerim Butka,- thotë Gazi Hasanas,- rrëfyesi i kësaj
historie rrëqethëse, banor i fshatit Butkë të Kolonjës, i cili tashmë nuk jeton
më. Përveç kujtimeve të të atit, ruante në shtëpi edhe dite disa prej gazetave
“Koha”, që botoheshin asaj kohe. Pjesë e vetëdashësve ishin edhe Tefik Butka,
Fehim Butka, Mehmet Mydini, Teki Beqillari, Hysen Aliko etj, që të gjithë nga
Butka. Pritej që ushtria greke dhe andartët të sulmonin Korçën. Të gjitha këto
m’i ka treguar im’at, – thotë Gazi Hasanas, – por më së shumti i kam dëgjuar
nga vëllai i tij, Feti Butka, sepse ai jetoi edhe shumë vjet pas vdekjes së
babait”.
2
Për herë të parë grekët
hynë në Korçë më 7 prill 1912, u larguan pas 14 muajve, më 17 shkurt 1914, por
tashmë ishte përhapur fjala se grekët do të vinin përsëri, – vazhdonte rrëfimin
e tij, Gazi Hasanas. Do të turreshin drejt Korçës lukuni prej mijëra vetash. Të
gjithë ata që nuk do t’u bindeshin ose do të guxonin të zbrasnin armët kundër
tyre do të shkoheshin në thikë si bagëtia. Nuk do të kurseheshin as fëmijët, as
gratë dhe as të moshuarit. Qyteti flinte i mbështjellë me këtë tmerrnajë të
madhe. Vetëdashësit kishin zënë portat hyrëse të qytetit të Korçës. Një pjesë e
tyre ishte vendosur te vendi i quajtur “Çezmat e arave”, aty ku sot ndodhet
monumenti i Themistokli Gërmenjit. Edhe babai im, Qerim Butka, kishte zënë vend
aty, kujton me nostalgji, Gazi Hasanas. Pjesa tjetër ishte pozicionuar jo shumë
larg nga vendi ku gjendeshin shtëpitë e doktor Polenës, pasi në atë kohë deri
aty shtrihej qyteti i Korçës. Përhapja e lajmeve se greku do të vinte përsëri i
kishte bërë qëllonjëtarët edhe më të vëmendshëm. Edhe im at, Qerim Butka, bënte
pjesë te qëllonjëtarët, kështu quhej grupi i Vetëdashësve që ishin përzgjedhur
si snajpera. Nata vazhdonte të ishte e shurdhët dhe memece. E frikshme
gjithashtu. Por erdhi një çast, kur gjithë heshtjen e thellë që kishte pushtuar
Korçën e prishi sahati i qytetit. Ai gjëmoi dy herë me radhë dhe pas kësaj
heshti. Ora shënonte 02.00 pas mesnatë. Zëri i kambanës së orës kishte qenë një
thirrje e fortë: Zgjohuni! Grekët po vijnë!
3
Dhe vërtet, ata po vinin.
Trupa e Vetëdashësve ishte krijuar më 5 mars 1914 me urdhër të majorit Snellin
Van Vallenhoven. U mblodhën të gjithë ata që dëshironin t’i dilnin në mbrojtje
Korçës. Vetëdashësit u vunë nën komandën e oficerëve hollandezë. Korça duhej të
ndihej e sigurtë. Katër ditë më vonë, në dt. 9 mars, nën drejtimin e
Themistokli Gërmenjit dhe oficerit Dhori Harito, vetëdashësit organizuan
paradën e parë, ku demonstruan para guvernatorit të Korçës, Vallenhoven, dhe në
të gjitha rrugët e qytetit. Për Korçën, 9 marsi u shënua si një nga ditët më të
gëzuara të saj. Deri atë ditë numri i vetëdashësve kishte shkuar në 120 veta”.
Gazeta “Koha” jep këtë përshkrim për krijimin e trupave vetëdashëse, shpjegon Gazi
Hasanas: “Kurrë s’do të harrohet dita e diel që për të parën herë në histori të
përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët muntnë të shikojnë një nga dëshirat e
gjalla që ëndërronin. Kurrë s’do të harronet, thom, se të gjithë që muarrë këtë
detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës se qe frikë e kërbaçit
dhe e bajonetës. Vetëdashësi i dëshiruar na siguron plotësisht nga pamja e
fytyrave të gëzuara, na ngjall dhe na shton jetën, kur secili (prej tyre)
s’vonon për të mbushur detyrën e vet, na vërteton se në Korçë asnjë propagandë
e huaj s’mundi të gjejë vend dhe mbështetje, edhe na tha, (nxori) lakuriq
rekllamat armike që kishin guxim të bëjnë ato që dimë”. (Gazeta “Koha”, 18 mars
1914).
4
Sahati i qytetit të
Korçës gjëmoi tri herë me radhë dhe përsëri heshti. Data shënonte 2 prill 1914.
Qetësia nëpër rrugët e Korçës nisi të prishej. Fillimisht u duk sikur u dëgjua
një zë, diku u ndez dhe u fik një dritë, pastaj disa hapa që nxitonin dhe që u
shuan përsëri. U dëgjua edhe lehja e qenëve. Qëllonjëtarët u bënë gati të
gjithë, vetëdashësit po ashtu. Ajo që pritej po ndodhte. Ishin përballë luftës.
Nuk kaloi shumë kur të gjithë u gjendën nën breshërinë e plumbave. Andartët u
kishin dalë nga pas shpine. Ishte një luftë e pabesë. E parapërgatitur me detajet
më djallëzore. Më 17 shkurt grekët kishin bërë sikur kishin ikur nga Korça, por
në të vërtetë ata kishin lënë brenda qytetit aramatime, municione dhe njerëz të
paguar. Mësonjëtoren e vashave e bënë spital, mësonjëtoren shqipe burg, por në
të vërtetë brenda tyre fshehën andartët. Breshëria e plumbave nuk kishte të
pushuar, qëllonin me të gjitha llojet e armëve, deri dhe me top. Vetëdashësit nuk
kishin ndërmend të tërhiqeshin. Qëllonjëtarët përpiqeshin të hapnin shtigje.
Ishin betuar: “Do të vdesim të gjithë dhe Korçën se lëshojmë!” Qyteti po
mbulohej nga tymi dhe flakët. Andartët u vinin zjarrin shtëpive. Herë pas herë
dëgjoheshin klithma dhe vajtime grash të shoqëruara me qarje fëmijësh. Askush
nuk e dinte çfarë po ndodhte. Portat e mbyllura me lloz nga brenda po shqyheshin
nga andartët, askush s’ishte i sigurtë nëse do të mbetej gjallë ose jo.
5
Forcat vetëdashëse
udhëhiqeshin nga oficerët hollandezë Majori Snellen Van Vallenhoven dhe Leopold
de Ghilard, kapiten i trupave vetëdashëse, nga Themistokli Gërmenji dhe
nënprefekti Abdyl Ypi. Befas u dëgjuan oshëtimat e kambanës së Mitropolisë.
Andartët po përpiqeshin të përcillnim mesazhin: Korça u pushtua!, Korça është
greke! Dorëzoni armët! Vetëdashësit, banorët e qytetit të Korçës dhe njerëzit
që kishin ardhur nga fshatrat lufton me shpirt. Mes forcave për mbrojtjen e
Korçës u shfaq edhe një person tjetër që qëllonte vazhdimisht dhe përsëriste me
një akcent të çuditshëm – “zjarr!” Vetëm kur qëllonjëtarët vështruan me
vëmendje drejt tij, e njohën kush ishte ai: kishte ardhur të luftonte bashkë me
ta edhe konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer. Ky çast kishte qenë i
pabesueshëm për babain tim, Qerim Butka, – thotë Gazi Hasanas. E harroi luftën
dhe nisi ta vështronte gjithë admirim. Nuk u besonte dot syve, në ishte e
vërtetë ose jo. Z. Spenser luftonte për Korçën njësoj sikur të kishte qenë
vendlindja e tij! Ai çast e bëri t’i rrihte zemra fort. Në këtë planet të egër
shqiptarët nuk paskëshin qenë pa miq e dashamirës. Ndjeu t’i këputej një pikë
loti nga syri…”.
6
Dhe pa u menduar gjatë, –
vazhdon më tej Gazi Hasanas, – im at, Qerim Butka, u ngrit më këmbë dhe nisi të
qëllonte. Jeta nuk i dhimbsej më. Po atë çast brofën në këmbë edhe
qëllonjëtarët e tjerë. Snajperat përzgjidheshin gjatë stërvitejve. Gazi
Hasanas, kujton me nostalgji edhe një çast tjetër nga jeta e pleqve të Butkës:
“Sa herë vinin për dy-tri ditë në fshat, Qerim Butka, Tefik Butka, Fehim Butka,
Mehmet Mydini, Teki Beqillari, Hysen Aliko etj, bënin qitje bashkë, kush do ta kalonte
plumbin përmes unazës; hapësirën e saj e zinin me një copë letër. Vlera e
qëllonjëtarëve dilte në pah gjatë gjithë luftimeve. Kjo solli krijimin e
batalionit të qëllonjëtarëve gjithandej: “I pari batalion i Qëllonjëtarëve
Shqiptarë, (pasi u tregua më parë në luftrat e Bosnjës, nën udhëheqjen enegjike
të kryetarit të tij, majorit Holtz), dëfteu ato më të mirat kalitete (cilësi)
ushtarake, dhe u dëftye sheshazi që është një trup ushtarak i dorës së parë”.
(Petro Dh. Harizi, Historia kronografike e Korçës, f.237).
7
qëllonjëtarët
vraponin përmes plumbave duke qëlluar. Këtë gjë e kishin mësuar nga majori
Snellen Van Vallenhoven, i cili nuk dinte të ndalej kur luftonte. I tillë ishte
edhe Leopold de Ghilard. Gazeta “Koha” shkruante, sqaron Gazi Hasanas: “Shpirti
në tërë këto luftra, dhe trim i trimave në tërë këto goditje, u tregua oficeri,
kapiten Ghilardi, më parë oficer i Austrohungarisë në Zagreb dhe që në 6 muaj e
tëhu, komandant i taborit të mitralozave të Shqipërisë. Kapiteneri dhe trimëri aq
të madhe sa vetëm me burrërinë dhe trimërinë e Aleksandrit të Madh dhe të
Skënderbeut mund të barabiten. Fjalët e tij në këto luftra ishin vetëm “zjarr”
dhe “përpara”. Kapiten Ghilardi me ushtrinë e tij ishte në ballë, duke mbajtur
edhe shkrehur mitraloza vetë me një dorë në mes të plumbave dhe përpara të
gjithëve, i sulej armikut si një asllan, të cilin e thehu dhe e mundi me një
mjeshtëri të patreguar. Emri i kapiten Ghilardit përmendet prej shqiptarëve si
një emër i shenjtë, si një emër i më të madhit luftëtar trim dhe liridhënës të
Shqipërisë. Dhe Mbretëria Shqiptare si mirënjohëse për shërbimet e mëdha të tij
do të ngrehë kapiten Ghilardin në shkallët më të larta të saja. Edhe oficeri
hollandez, kapiteni Doberman tregon trimëri të madhe në fushën e luftës duke
bërë planet e luftës, dyke mburrur shqiptarët e duke luftuar bashkë me ta
(“Koha”, 3 maj 1914). Pjesë e këtyre luftimeve u bënë edhe Reimers, kapiten i
misionit Hollandes në Pogradec, major Mustafa Elmazi, kapiten Sadik Rexhepi,
doktor Osman Feriti, leitnant Ismail Hakiu etj.
8
Vetëdashësit donin t’i
jepnin fund sa më parë masakrës që po ndodhte, – thotë Gazi Hasanas. Andartët
vrisnin edhe fëmijë, pleq e plaka. Disa grave ua kishin prerë kokat me sopatë.
Rrugët laheshin nga gjaku. Banorët e qytetit vdisnin me fjalët: “Rroftë Korça!”
Vetëdashësit dhe gjithë të tjerët bënë përpara. Përparonin minutë pas minute.
Qëllonjëtarët dërgoheshin atje ku ishin pikat më të nxehta. U luftua përgjatë
gjithë ditës. Andartët mbetën të ngujuar në poziconet e tyre. Luftohej për jetë
a vdekje. Edhe konsulli amerikan luftonte bashkë me ta. Gazeta “Koha” shkruan:
“Në këto goditje me grekun barbar luftuan edhe shumë korçarë nga të cilët më
trima u treguan Konsulli i Amerikës në Korçë, z. Spenser, Ferid beu (Frashëri),
Skëndo beu (Skënder Pojani), dr. Haki Mborja, Dervish Filja, Kole Rodhe, Mina
Grameno, Llambi Bimbli, Miçe Frashëri, Pandeli Cale, Thanas Visha edhe shumë të
tjerë vetëdashës të Korçës”. Lufta vazhdoi pa ndërprerje për 5 ditë e 5 netë.
Lajmi ishte përhapur në të gjithë krahinën e Korçës: “Vetëdashësit e Korçës po
mbrojnë qytetin me gjak…”. “Bashkë me ta është edhe Konsulli i Përgjithshëm i
Amerikës, z. Spencer…”. “Për mbrojtjen e Korçës po luftojnë edhe oficerët e
misionit Hollandez…”. Princ Vidi interesohet çdo minutë për fatin e Korçës…”.
9
Fjala kishte mbërritur
edhe te komandantët e çetave shqiptare. I pari që hyri në Korçë ishte kapedan
Kajua. Çohuni, u kishte thënë trimave, andartët po përpiqen të na rrëmbejnë
Korçën. Trimat e tij bashkë me Kajon i dolën Korçës nga sipër aty te vendi që
quhet “Vreshtat” dhe hapën zjarr. Andartët dhe ushtarët grekë u shtynë me
nxitim më poshtë për t’i shpëtuar zjarrit të Kajos, por përpara u kishte dalë
Agush Çaushi me çetën e tij, që sapo kishte mbërritur nga Starova. Nuk kishin shumë
kohë për t’u menduar, tentuan të rrëshqisnin heshturazi nga krahu i rrugës së
Kolonjës, por befas kuptuan se po shkonin drejt vdekjes: kishte mbërritur çeta
e Kolonjës, kryesuar nga Gani Butka. Andartët u përpoqën të çanin në drejtim të
Mborjes, aty ku sot gjenden varrezat e qytetit, me qëllim arratisjen drejt
kufirit grek, por rrugën ua kishte prerë çeta e Zalo Prodanit. Pikërisht në
këtë kohë një turmë andartësh nisën të qëllonin nga kisha e “Shën Thanasit” Të
gjitha grykët e pushkëve u drejtuan andej. Pas pak u dëgjua një shpërthim i
madh dhe kisha e “Shën Thanasit” u përfshi nga flakët. Priftërinjtë kishin
vendosur atje municionet e ushtrisë greke. Pas shumë përpjekjesh, lufta mori
fund. Numri i robërve ishte i madh. Po atë ditë u ngrit një komision nën
drejtimin e prefektit Pandeli Vangjeli, nënprefektit Abdyl Ypi, majorit Snellen
Van Vallenhoven dhe Kristo Floqi, të cilët do të gjykonin të gjithë ata që
kishin vrarë njerëz të pafajshëm. Sipas gazetës “Dielli”, 5 maj 1914, f. 1, numri
i të vrarë shkonte në 200 veta, kurse të plagosurit ishin të shumtë, por Korça
mbeti shqiptare.
10
Në mbrojtje të Korçës
mbërritën edhe gegët. Tmerri i grekomanëve u bë edhe më i madh. Hajdar Blloshmi
në krye të 300 trimave tha: “Neve gegët e kemi për detyrë të vijmë në ndihmë
dhe të luftojmë për të shpëtuar dhe liruar Toskërinë nga armiku barbar, më parë
edhe për Korçën se është e ditur dhe e provuar që Shqipëria pa Korçën s’mund të
rrojë dhe të përparojë siç duhet. (Gazeta “Koha”, 3 maj 1914). Më pas mbërriti
Shaban Blloshmi dhe tabori i xhandarmërisë së Tiranës: “Ardhja në Korçë e
taborit të xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z, Shaban Adil lë të
kuptohet edhe një herë më shumë vëllazëria e shqiptarëve. Vetëdashësit e Korçës
duke bërë nderimet dhe gjithë populli e pritën me një gëzim të madh dhe me
këngë kombiare. (Gazeta “Koha”, 3 maj 1914). Princ Vidi dërgoi armë dhe veshje
për ushtrinë: “Gjer më sot arrinë nga Durrësi në Korçë 400 barrë me armë dhe
500 barrë me fishekë. Armët janë nga më të mirat, të sistemeve të reja. Gjithë
oficerët që kemi pyetur kanë mbetur fort të kënaqur … Nesër priten të arrijnë
në Korçë dhe 12 topa që dërgoi qeveria jonë nga Durrësi. Topat, siç mësojmë,
janë nga më të mbaruarat (përkryerat) që kanë dalë deri më sot”… Uniformat që
porositi Qeveria e Korçës për ushtrinë e Korçës është fort e pëlqyer dhe e
bukur. Pas tri ditësh shprehemi që do të jenë gati të vishen nga ushtria.
(Gazeta “Koha”, 3 maj 1914).
11
Grekët tentuan sërish rrëmbimin e Korçës. Dhe kur u
bindën se marrja e saj ishte e pamundur, dogjën gjithçka. Mijëra familje mbeten
mes katër udhëve. Një prej tyre ishte dhe familja e babait tim, – thotë Gazi
Hasanas. Ata u vendosën te ullinjt e Vlorës. Në atë kohë babai ishte i martuar
dhe kishte dy fëmijë. Bashkëshortja e tij ishte nga fisi i dëgjuar i Malukajve
të Kolonjës, por gruaja e tij dhe një nga fëmijët, nuk u kthyen nga brigjet e
Vlorës; mbetën përjetësisht atje. Jeta e tyre u shua për shkak të etheve.
Disa vjet më vonë, pas përfundimit të studimeve në
Stamboll, humbi jetën aksidentalisht edhe djali tjetër i tij, Veliu. Me kthimin
nga Vlora u vu përsëri në mbrojtje të Korçës. Tashmë do të luftonte edhe në
emër të të gjithë atyre që humbën jetën në Vlorë.
Ndërkohë, Qerim Butka u martua me një grua nga fisi
i madh i Fejzove të Starjes në Kolonjë. Njëri prej pinjollëve të saj është
regjisori Muharrem Fejzo. Megjithatë kur në Shqipëri u vendos diktatura, Butka
u shpall fshat ballistësh. Banorët e saj ishin me origjinë nga Frashëri i
Përmetit, mbiemrin Butka e morën kur u vendosën aty, por shumë prej banorëve të
saj e lanë mbiemrin “Butka” dhe gjithkush mori për mbiemër emrin e gjyshit të
vet.
Familja e Qerim Butkës mori emrin e Hasanit të
dëgjuar të Frashërit, për të cilin sulltani kishte shpallur dënimin me vdekje.
Nga koha e luftës, babai (Qerim Hasanas), ruante edhe dy dekoratat e
francezëve, kujton biri i tij, Gazi Hasanas.