Friday, May 19, 2023

THIRRJE KOMBËTARE SHQIPTARE

 

THIRRJE KOMBËTARE SHQIPTARE

________________________________________________________________

Kuvendi Kombëtar Shqiptar. Këshilli Organizativ.          

Tiranë 20.04.2023. Prot.20/4


THIRRJE.

(ËSHTË KOHA PËR VEPRIM)  

Të dashur motra e vëllezër, të rinj e të reja! Ora e pajtimit të mërgatës shqiptare nga të gjitha konfliktet të cilat po gjenerojnë shpërbërjen tonë, ka ardhur. Është koha për ti thënë ndal korrupsionit galopant që ka mbërthyer për fyti shtetin i cili drejtohet nga një kastë antikombëtare që po shet gjithçka. Një kastë e cila po përvehtëson miliarda për familjarët dhe bashkëpuntorët e tyre. Një kastë që po rrezikon cënueshmërinë dhe sigurinë tonë kombëtare.

Të dashur motra e vëllezër, të rinj e të reja! Është koha që krerëve të të gjitha partive politike shqiptare, brënda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, t’u diktohet ndërtimi i një strategjie Kombëtare, e detyrueshme për të gjitha forcat politike që do të jenë në pushtet si në Kosovë e Shqipëri, përfshirë edhe ato opozitare.

Kufijtë e Shqipërisë janë të miratuara që në vitin 1912. Kush shkëmben, fal dhe shet territore do të damkoset e do të ndëshkohet për tradhëti të lartë kombëtare. Këshilli i Përgjithshëm Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar ju fton të mbidhemi së bashku në Takimin e Diasporës, që do të mbahet me dt.05.08.2023 në qytetin historik të Kaçanikut, takim i cili do t’i hapë rrugën e organizimit të një Kuvendi mbarë Kombëtar në Tiranë së shpejti.

Transparenca e takimit me veprimtarë nga Diaspora, si pjesë e pa ndarë e trungut kombëtar, do të jetë larg presioneve e allishverisheve të partive politike, me dëshirë për një pikënisje pa paragjykime në pjesëmarrje, do të jetë një Pranverë e Re për ndryshime të cilat i kemi pritur me shpresë se Shqipëria do të ndryshonte.

Do të ndryshonte si shtet Amë edhe për shqiptarët që brez pas brezi ndodhen në trojet e tyre, por të rrezikuar nga shpërbërja. Do të ndryshonte, por fatkeqësisht sot, ky shtet Amë ka mbetur pa zot, ku themelet po i a gërryejnë fqinjët, çatia po i rrënohet dhe ferrat e gjembat po e mbysin.

Fodullizmi i klasës politike shqiptare po shpërfill të drejtat kushtetuese për të gjithë shqiptarët në rajon dhe diasporë duke i frenuar mijëra intelektualë të mençur e të ndershëm të mërgatës shqiptare. Mërgatë e cila tashmë e ka humbur besimin tek partitë politike, të cilat për tre dekada në pushtet e kanë mbajtur larg atë.

Atë mërgatë që ka një mision të madh jetik edhe aty ku ndodhet, pothuajse në të gjithë kontinentet edhe pse të larguar nga Atdheu diku për raprezalje, për shkak të kushteve ekonomike, të denigrimit nga klasa politike, të braktisur, të përbuzur e të shpërfillur në Shqipëri, në Malin e Zi, në Maqedoninë Veriore e Kosovën Lindore nga ligjet diskriminuese racite antishqiptare.

Ashtu siç është edhe lënia në harresë e Çamërinë, si produkt i marrëveshjeve të fshehta antidemokratike e anti njerëzore me qeverinë Greke në spektrin diplomatik, politik, kombëtar dhe atë ndërkombëtar, përgjatë 79 vjet, për ta shmangur genocidin me lënien në harresë të tragjedisë Çame, për ta burgosur atë me një tranzicion të tej zgjatur, deri në kalendat greke pa gjykim e drejtësi.

Të dashur motra e vëllezër! Është koha të tregojmë forcën tonë të madhe për të eksportuar në Atdhe botën e biznesit, të shkencës, të dijes sociale, të arsimit, të mediave, të artit, drejtësisë shoqërore dhe të kulturës demokratike në drejtim të shtetit.  

Shumë individë kanë provuar të organizohen, për të ndalur hijen e zezë të shpërbërjes së kombit nga akademitë shkencore në shërbim të Ortodoksisë Serbo-Greko-Ruse, nga qendrat e kulturës në varësi të partive politike e sekserëve fetarë, nga puthadorët servilë që vegjetojnë kudo në drejtim, të mbushur me anonimë të krimit dhe “Al Pacinë të Trustit të Lule Lakrës” për të na mbajtur larg, sa më larg si diasporë.

 Kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Kosova Lindore e Mal të Zi, janë ngritur Këshillat Drejtuese të bashkëpunimit për të afruar sa më shumë veprimtarë patriotë, drejt realizimit të Kuvendit të Përgjithshëm Mbarëkombëtar.

Të dashur vëllezër e motra të diasporës mbarë shqiptare! Në takimin e Kaçanikut me dt 05.08.2023, Diaspora do të zgjedhë Këshillin Drejtues të saj si edhe 150 delegatë për në Kuvendin e Përgjithshëm Kombëtar Shqiptar (Asamblenë) që do mbahet në Tiranë së afërmi.

Në këto momente të një përshtjellimi total të botës shqiptare dhe të situatës konfliktuale që po rritet artificialisht nga ata që kërkojnë të dominojnë Ballkanin Perëndimor, qoftë edhe me shpërbërjen tonë si komb, ne do të jemi forca e një Pranvere të Re për kombin.

Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile dhe Këshilli i Përgjithshëm Organizativ për Kuvendin Kombëtar Shqiptar u bën thirrje të gjithë individëve, forcave përparimtare, lidhjeve, forumeve, organizatave shoqërore, kulturore, vullnetare, juridike, mjekësore, gjuhësore, institucioneve të pa varura kërkimore e shkencore, mësuesve e rinisë studentore në Diasporë si edhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, mediave vizive e atyre online për të kontribuar në sensibilizimin e këtij aksioni shumë të rëndësishëm në plan kombëtar për pjesëmarrje.

Për Diasporën po punon prej kohësh një grup pune me kordinatorë në shumë shtete ku jetojnë e punojnë emigrantë të cilët do ju kontaktojnë menjëherë në se kërkoni të dini më shumë apo të kontriboni për fondin e realizimit të Kuvendit të Përgjithshëm Kombëtar Shqiptar. Transparenca është pjesë e punës tonë të përbashkët, për një lëvizje shoqërore të madhe, e cila nuk meriton të jetë skllave e një parie që nuk i shërben asaj.              

Përkushtimi ndaj kombit, është më i fortë se gjithçka, Ejani të kuvendojmë së bashku! Për pjesëmarrje na shkruani:    

Emër mbiemër; ditëlindja; vendlindja; shteti ku banoni; profesioni; nr. e tel. celular; adresa mail.           

Info: mail: qendra kksh@gmail.com    /   pranvera.shqiptare@gmail.com

Ju presim në Kaçanik. Këshilli Organizativ i Kuvendit Kombëtar Shqiptar.

Me respekt Bajram Jusufi. Koordinator i Përgjithshëm për Diasporën. 

+61 413 819 359 Australi flora_bajram@hotmail.com

Tiranë 20.04.2023.